Kur drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame u shkarkua nga detyra, burimet pranë qeverisë shpërndanë lajmin se shkaku ishin problemet e rënda me pronat në bregdetin jugor. Kjo ndodhi papritur në 10 mars 2023. Ndërkohë, investigimi i Gijotina.com zbulon se arsyeja që kryeministri Rama firmosi zëvendësimin urgjent të tij me Dallandyshe Bicin (ish-drejtoresha e IKMT) është se Lame po favorizonte një kompani për të marrë paratë e dixhitalizimit të Kadastrës. Madje, Lame sapo i kishte xhiruar kompanisë në fjalë afro 1.5 milionë EURO për një kontratë të vjetër që daton në vitin 2012.
Kështu zbulohet enigma e rrethuar me bubullimat dhe vetëtimat e lëshuara nga kryeministri Rama, kur krejt befasisht, shpalli “kadastrën online” që do të fillonte, sipas tij, më 3 korrik 2023. Nga ana tjetër, u mor vesh se po atë ditë kryeministri kishte ndërprerë kontratën e BE-së për financimin e dixhitalizimit të Kadastrës. Më konkretisht, ndërpritej puna e dy kompanive private që kishin fituar tenderin e zhvilluar nga BE për komponentin kryesor të dixhitalizmit të Kadastrës.
Kadastra humb gjyqin në Arbitrazhin Ndërkombëtar
Në 7 shkurt 2023, drejtori Artan Lame firmosi të paguhen në llogarinë e një kompanie përmbarimi paratë e gjyqit të humbur në Arbitrazh nga një paraardhës i tij, Ilirian Muho (ish-Kryeregjistruesi i ZQRPP). Kjo ndoshta shënoi thyerjen e parë me Ramën, sepse ishte koha kur ky po deklaronte se nuk do të paguante asnjë lek për gjyqet e humbura në Arbitrazh.
Fjala është për vendimin gjyqësor të prishjen së kontratës midis ish-ZQRPP dhe kompanive CSI (Italy), FBS (Albania) që u dha në Institutin e Arbitrazhit të Dhomës së Tregtisë së Stokholmit”.
Çështja e parashtrua nga kompania e njohur CSI (Itali), lidhur me Kontratën “LAMPA1.2/G/ICB/IPS-IT Equipment, Installation and Integration” të lidhur ndërmjet ish-Zyrës
Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Bashkimit të dy operatorëve me vlerë totale prej 1,261,609.09 EURO. Kjo kontratë, e lidhur në kuadër të Projektit për Administrimin dhe Manaxhimin e Tokës (LAMP) të financuar nga Banka Botërore, ka patur për objekt furnizimin dhe instalimin e pajisjeve për Qendrën e të Dhënave, instalimin dhe konfigurimin e sistemit të kompjuterizuar të regjistrimit të pasurive të paluajtshme ALBSReP, si dhe furnizimin e pajisjeve kompjuterike në 10 degë të ish-ZVRPP në rrethe. Kjo marrëveshje u krye në kohën e Kryeministrit Berisha. Sipas termave të referencës koha e zbatimit ishte 5 muaj, nga
13 mars 2013 duhej të përfundonte në 13 gusht 2013. Por rrugës, për shkak edhe të ndryshimit të pushtetit pas zgjedhjeve, janë hasur probleme që çuan në zgjidhjen e njëanshme të kontratës nga ana e ish-ZQRPP. Pas kësaj erdhi padia në arbitrazh ndërkombëtar nga ana e kompanisë italiane.
Më 2 tetor 2013, CSI paraqiti një kërkesë për ndryshime me një plan të ri pune. Ky propozim ju dërgua Bankës Botërore dhe, pas disa rishikimesh, u miratua nga BB më 28 dhjetor 2013.
Në komunikimin e këtij miratimi Banka kërkoi që të zbriten dëmet për të gjitha vonesat e shkaktuara që shkonin deri në 10 % të vlerës totale të kontratës. Financimi i kësaj kontrate nga ana e Bankës Botërore përfundoi pas disa shtyrjesh të kryera, në 30 qershor 2014.
Ndërkohë ZQRPP i është drejtuar kompanive me shkresë në datën 20 maj 2014, ku u kërkohet të rregullohen të gjitha problemet e identifikuara brenda 14 ditësh, ndryshe do të zgjidhej marrëveshja.
Grupi i punës i ngritur me urdhër të Kryeregjistruesit Ilirian Muho ka kryer testimet në Qendrën e të Dhënave dhe ka konstatuar që sistemi i instaluar nuk punonte. System Center që kryen menaxhimin e të gjithë pjesëve nuk funksiononte dhe si rrjedhim nuk mund të kryhej instalimi dhe konfigurimi i sistemit ALBSReP apo shërbimeve online të ZQRPP-së.
Mbi bazën e këtyre argumenteve u mor vendimi për zgjidhjen e njëanshme dhe të menjëhershme të kësaj kontrate më 17 qershor 2014. Banka Botërore si financues i këtij projekti caktoi një ekspert të pavarur dhe sipas raportit më 19 shtator 2014, “integrimi i sistemit nuk ishte realizuar me sukses”.
Institutit të Arbitrazhit të Dhomës së Tregtisë së Stokholmit zhvilloi gjykimin në datat 9-10 Maj 2016, ku ZQRPP përfaqësohej nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe Kryeregjistruesi Ilirian Muho.
Sipas vendimi të marrë ZQRPP nuk ka pasur argumente të bazuara për ndërprerjen e kontratës dhe e detyronte palën shqiptare të paguante 830 mijë EUR + interesa në favor të kontraktorit nga vlera 1.378.522 Euro që u pretendua.
Nëse, nga ZQRPP do të ishte kryer pagesa, siç u pretendua nga në qershor të vitit 2014, vlera e kësaj pagese do të ishte 760 mijë Euro pjesë e mbetur e kontratës dhe 250 mijë Euro vlera për mirëmbajtjen e sistemit, pra në total 1.010.000 Euro. Çështja vazhdoi në Apelin shqiptar për njohjen e vendimit dhe më pas në Gjykatën e Lartë.
Pas gjithë kësaj procedure, më 7 qershor 2021, Banka Credins njoftoi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ish-ZQRPP) se shuma prej 149,640,240 lekë rezulton e bllokuar që nga data 19 maj 2017 në favor të një shoqërie përmbarimore.
Zinxhirin e shkresave e vazhdoi Artan Lame, i cili më 7 shkurt 2022 urdhëroi të shlyhej detyrimi në vlerën 1,165,044 EUR
Një ditë më pas, me një urdhër të dytë, Lame i dha edhe shoqërisë përmbarimore 5,104,290 lekë për shërbimin.
Lame nuk pranoi të prishë kontratën me BE-në?
Paralelisht me shlyerjen e borxhit të vjetër të Arbitrazhit, Artan Lame ishte duke finalizuar në bashkëpunim me BE-në “dixhitalimin”, por me të njëjtët aktorë shqiptarë që ishin edhe në dështimin e vitit 2014 (me paratë e Bankës Botërore).
Duket se pazari i Lames është ekspozuar tek kryeministri nga ndonjë palë e interesuar dhe kjo solli shkarkimin e tij.
Në shtator të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian përmbylli një tender 1.85 milionë euro për ngritjen e sistemit të integruar të informacionit kadastral dhe të tokës në Shqipëri (referuar si ACLIS).
Kontrata, e cila është pjesë e një programi për ngritjen e sistemit të ri elektronik të Kadastrës dhe digjitalizimit total të pronave, u fitua nga një bashkim prej dy kompanish, sllovenja “Synergise” dhe shqiptarja “Data Tech”.
Autoritetet shqiptare njoftuan BE-në për zhvillimin e mëtejshëm paralelisht të sistemit ekzistues të IT-së dhe nisën një tender të ri për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e tij. Si rezultat, aktivitetet në kuadër të kontratës ACLIS janë ndalur derisa të arrihet një zgjidhjeje përmes një marrëveshjeje të ndërsjellë mes Shqipërisë dhe BE-së,” konfirmoi zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë për Zërin e Amerikës.
Kontrata 1.85 milionë euro që BE akordoi për “Synergise” dhe “Datech” ishte vetëm e para prej disa të tillave. Ato janë pjesë e një projekti me vlerë totale 15.7 milionë euro të financuar me grant nga BE.
DATA TECH duket si një kompani e re e regjistruar në vitin 2021, nga Ismail Muhametaj, enkas për të fituar këtë tender të madh. Ndërkaq, sipas regjistrimeve të transaksioneve në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se DATA TECH është pronare me 65 % të aksioneve tek kompania FBS. Kjo e fundit është operator fitues i Arbitrazhit ndaj Kadastrës për “dixhitalizimin” e dështuar ( në atë kohë me paratë e Bankës Botërore).
Pra, kemi të njëjtin aktor, por me ndryshim emri për efekte të kuptueshme.
Duke mos pasur në dorë të gjitha elementet e këtij “puzzle-i” nuk mund të themi me saktësi rolin e Artan Lames në tenderin e BE-së, por është prezentë lidhja e tij me këtë kompani fituese. Vetë fakti se Lame nuk ndërmori hapa për të informuar BE-në se operatori i përzgjedhur nuk është i besueshëm, për më tepër që ndërhyrja për bllokimin e kontratës u bë nga lart, tregon se Lame ishte pasiv për ta ndrequr këtë punë. Lames i interesonte që miqtë e tij të merrnin 1.85 milionë euro, pa llogaritur të tjerat më pas nga projekti i BE-së.
Projekti i BE-së për pronat
Projekti BE për të Drejtat e Pronësisë është përfshirë fillimisht në Programin e BE – IPA 2020 me një financim prej 15,7 milionë EUR. Faza fillestare e vlerësimit të këtij projekti nga ana e BE ka filluar në vitin 2018. Konfirmimi i financimit është marrë më 26 maj 2021. Ndërsa në 1 nëntor 2021 u themelua DATA TECH që do të futej me thikë në tortën e BE-së për “dixhitalizmin” e pronave, që në fakt drejtohej nga Artan Lame.
Në fazën e parë të projektit më 8 prill 2022 u përcaktuan si prioritete dixhitalizimi i të dhënave të pasurive të paluajtshme, ku përfshihen kartelat, hartat kadastrale dhe dokumtacioni tekniko-ligjor i arkivave të drejtorive vendore të kadastrës. Kjo fazë kushtoi 5 milionë euro.
Në kuadër të kësaj faze është lidhur kontrata për Zhvillimin e Sistemit Qendror të Informacionit për Tokën (ACLIS) me bashkimin e operatorëve “Synergise” dhe DATA TECH me datë 1 shtator 2022 me afat zbatimi 24 muaj.
Ecuria e skenarit është e ngadaltë, nën menaxhimin e Delegacionit Evropian që nuk disburson lehtë paratë pa u bindur se ç’po ndodh tek Kadastra. Raporti Fillestar (Inception Report) i hartuar nga Data TECH për Zhvillimin e Sistemit
ACLIS është dërguar nga Zyra e Delegacionit të BE më datë 21 tetor 2022. Dokumenti u është shpërndarë për komente anëtarëve të Grupit te Punës në Kadastër më 24 tetor 2022. Me kërkesë të DATA TECH dhe firmës sllovenes jo shumë të njohur, më 7 nëntor 2022 janë kërkuar specifikimet teknike për konfigurimin e lidhjes së sistemit ACLIS me sistemet e tjera që administrohen nga qeveria. Këtu kishte ngecur puna.
Kështu, kontrata e BE-së ka qenë jo aktive në shumicën e kohës, për shkak të vonesës së zbatimit të komponentit “Zhvillimi i Sistemit ACLIS”.
Për periudhën në vijim, 6 mujori I i vitit 2023 parashikohej finalizimi dhe miratimi i Specifikimeve Teknike për Zhvillimin e Sistemit ACLIS; pajisja e bazës së të dhënave për sistemin ACLIS dhe përfundimi i planit te prokurimit me Delegacionin e BE.
Siç duket nga tabela, disbursimi i parave menaxhohet nga delegacioni i BE-së në Tiranë, çka e kufizon ndërhyrjen e qeverisë. Kështu ka ardhur vendimi i vrazhdë i qeverisë shqiptare për bllokimin e kësaj kontrate dhe marrjen përsipër të bërjes vetë të procesit të dixhitalizimit në Kadastër. Ky verdikt nuk mban firmën e Artan Lames, që është shkarkuar. Në fakt pasoja është humbja ose shtyja në pritje të projekteve të tjera të rreth 16 milionë eurove të dedikuara për Kadastrën.
Bomba tjetër mund të jetë një Arbitrazh i dytë kundër palës shqiptare, duke pasur parasysh se përfituese e kontratës është njëra nga firmat që sapo kishte marrë paratë e gjyqit të fituar me Kadastrën.
A ka kaluar Kadastra online?
Pasojat e këtyre vendimeve arbitrare me sfond korrupsioni në zemër të Kadastrës i vuajnë qytetarët shqiptarë. Nga një kërkim i Gijotina.com zbulohet se ankesat që janë administruar në portalin “Shqipëriaqëduam.al”, për vitin 2021 arritën në 6991 aplikime. Ankesat që janë administruar në portalin “Shqipëriaqëduam.al”, në total për vitin 2022, janë
10190 të tilla. Për vitin 2023, ka një bllokim të informacionit mbi Kadastrën, ndërkohë me dhjetëra mijëra kërkesa qëndrojnë në pritje ose refuzohen.
Në qendër të kësaj rrëmuje me pronat, tashmë ka dalë vetë kryeministri, i cili pasi shkarkoi Artan Lamen shpalli kalimin online të shërbimeve të Kadastrës. Në fakt, kalimi i online i shërbimeve të Kadastrës ka qenë prej disa vjetësh në funksionim, tashmë thjesht ka ndryshuar dritarja, duke e vendosur tek e-Albania. “Sukses” quhet vendosja e një sistemi që rregullon automatikisht radhën e aplikimeve dhe nuk ka të bëjë me thelbin e dixhitalizimit të pronave.
Ankesa të qytetarëve dhe të kompanive që duan të bëjnë transaksione me pronat, Kryeministri u është përgjigjur se nuk e ka fajin sistemi, por noterët që “bëjnë gabime në aplikim”.
Nëse aplikon në e-Albania paralajmërohesh se mbaron punë për 5 ditë, por në fakt do të marrësh përgjigje e kërkesa për dokumente që nuk kanë lidhje me shërbimin e kërkuar.
Afati “5 ditë” është i pabesueshëm dhe fiktiv, jo vetëm nga realiteti, por edhe nga studimi që ka bërë BE për dixhitalizimin e Kadastrës.
Sipas studimit dhe objektivit të BE-së (tabela më sipër) afati i marrjes së përgjigjes për aplikimin e qytetarëve do të ishte 12 ditë në vitin 2026. Ndërsa, pa ndihmën e BE-së, qeveria arriti ta bëjë 5 ditë!
Lexo edhe: “Më dërgoi Artan Lame”, si tentuan 3 të rinj të zhvasin biznesmenin
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post