Kontrabandistët rivalë të qenieve njerëzore nga Siria, Afganistani dhe Maroku po armatosen në veri të Serbisë me efekte shkatërruese, shpesh me armë të furnizuara nga bandat kriminale shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia jugore, ka zbuluar BIRN.
Ishte mëngjes i hershëm, 2 korrik 2022, kur pylli i ‘Makova sedmica’, një vendbanim i qetë pak larg kufirit verior të Serbisë me Hungarinë, papritmas u shndërrua në fushëbetejë.
Zhurma e armëve automatike bëri që refugjatët dhe emigrantët t’ia mbathnin mes plumbave që fishkëllenin përmes pemëve rreth tyre. Epilogu: një i vdekur, shtatë të plagosur, mes tyre një vajzë 16-vjeçare; disa nga viktimat ishin dëme kolaterale në një luftë midis bandave rivale të kontrabandës me njerëz, të dyja me prejardhje nga Afganistani.
“Kjo nuk ndodh askund [tjetër] në rrugën ballkanike – vetëm në Serbi ndodh një gjë e tillë, kontrabandistët qëllojnë me kallashnikovë”, deklaroi një kontrabandist sirian për BIRN në shkurt të këtij viti.
Fjalët e tij nuk ishin larg së vërtetës. Gjatë vitit të kaluar, raportet e përleshjeve të armatosura midis bandave që fitojnë shuma të mëdha parash nga refugjatët dhe migrantët mbi kufijtë e Serbisë në Bashkimin Evropian janë bërë më të shpeshta.
Dhe vendbanimet më të mëdha se ‘Makova sedmica’ nuk janë të kursyera. Në nëntor të vitit të kaluar, një përleshje e armatosur shpërtheu midis marokenëve dhe afganëve në qendër të qytetit kufitar Horgosh, duke plagosur gjashtë persona. Video e përleshjes shfaq burra të armatosur duke vrapuar para shkollës fillore lokale. Në qershor dhe korrik të këtij viti, gjatë përleshjeve të armatosura mes bandave, një person afgan mbeti i vrarë dhe pesë të plagosur.
Një raportim i mëparshëm i BIRN e ka shpërfaqur marrëveshjen e fshehtë midis bandave të tilla dhe zyrtarëve të korruptuar të policisë. Tani, një hetim i ri zbulon shtrirjen e arsenaleve të tyre të armëve dhe nga kanë ardhur ato.
Për më shumë se gjashtë muaj, BIRN i ka monitoruar aktivitetet e bandave të kontrabandimit të qenieve njerëzore në Serbi, duke verifikuar informacionin në kohë reale dhe duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me më shumë se dhjetëra burime të pavarura, duke përfshirë ato në rrjetet e kontrabandës, policinë, shërbimet e sigurisë, informatorë dhe bashkëpunëtorë të tyre, punonjës në kampet e emigrantëve, taksistë të përfshirë në kontrabandë, aktivistë të të drejtave dhe ekspertë të fushës.
Dëshmitë e mbledhura nga audio, foto dhe video disaorëshe, të verifikuara nga burime të pavarura në polici, inteligjencë dhe rrjetet e kontrabandës, tregojnë se furnizuesit kryesorë të pistoletave dhe kallashnikovëve të përdorur nga këto banda janë grupet kriminale shqiptare, përfshirë edhe atë të binjakëve Xhemshiti, Amir dhe Amar, nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.
Një foto e parë nga BIRN madje e shfaq Amir Xhemshitin duke pozuar me anëtarët e bandës marokene të kontrabandës së njerëzve “Tetwani” që vepron jashtë Horgoshit, të gjithë me kallashnikovë në duar. BIRN i ka identifikuar ata si anëtarë të bandës Tetwani duke u konsultuar me disa burime të pavarura si dhe duke e krahasuar vizualisht një bollëk fotosh të mëparshme.
I kontaktuar nga BIRN, Amir Xhemshiti mohoi të ketë qenë i përfshirë në kontrabandën e armëve ose njerëzve në veri të Serbisë.
Fotografia me bandën e Tetwani-t u bë kur ai provoi të hyjë ilegalisht në BE, tha ai, si “çdo shqiptar tjetër me plot mund e shqetësime”. Marokenët, megjithatë, e kapën atë.S
“Pasi më kapën, u dhashë ca para; i pashë se kanë armë dhe i pyeta nëse mund ta bëjmë një fotografi bashkë”, tha ai. “Nuk kam kurrfarë marrëdhënie me ta”.
Pavarësisht nga rreziqet që paraqesin grupe të tilla të armatosura, policia serbe duket e pafuqishme – ose e pavullnetshme – për t’i çarmatosur ato.
Sipas burimeve të BIRN, më 24 maj të këtij viti, anëtarët e bandës afgane ‘400/59′ e filmuan veten në çatitë e xhipave të policisë kufitare në një pyll pranë qytetit verior serb të Suboticës, duke i postuar fotot në rrjetet sociale, TikTok dhe Instagram. Zyrtarët kufitarë ishin brenda një tende në atë kohë, duke biseduar me udhëheqësit e bandës dhe duke marrë një pjesë të fitimeve të tyre, sipas audio regjistrimeve të siguruara nga BIRN, të bëra fshehurazi nga një burim me qasje tek kontrabandistët.
“Policia erdhi dhe i mori paratë”, dëgjohet teksa thotë një anëtar i bandës në një audiopërgjim të bërë fshehurazi nga një burim me qasje te kontrabandistët, burim ky që i është dhënë BIRN. Policia nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me incidentin.
BIRN disponon gjithashtu regjistrime të thirrjeve dhe korrespondencës përmes WhatsApp midis kontrabandistëve afganë dhe një ndërmjetësi të besuar, i cili shërbeu si ndërmjetës midis policisë dhe bandave të kontrabandës pas përleshjes me armë të 2 korrikut në ‘Makova sedmica’. Ndërmjetësi u ofron atyre imunitet dhe vazhdimin e aktiviteteve në këmbim të dorëzimit të armëve. Marrëveshja nuk u realizua kurrë plotësisht dhe përplasjet vazhduan.
“Ata [kontrabandistët] janë të zgjuar,” thotë një kontrabandist, i cili e kundërshton përdorimin e armëve. “Policisë i japin disa kallashnikovë, pistoleta, por ka shumë të tjera. Dhe gjithmonë ata mund të blejnë më shumë nga shqiptarët.”
Fatjona Mejdini, drejtoreshë e Observatorit të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, GI-TOC, i tha BIRN se situata në Serbinë veriore, me praninë e grupeve të armatosura të kontrabandës, është e rrezikshme dhe duhet të trajtohet në mënyrë më efektive nga autoritetet serbe.
“Besoj se korrupsioni brenda policisë së Serbisë mund t’i ndihmojë kontrabandistët në marrjen e armëve dhe t’i lehtësojë operacionet e tyre,” thotë Mejdini.
“Kontrabandistët po përleshen për një treg që është zgjeruar ndjeshëm që nga viti 2022 dhe i cili vazhdon të rritet çdo ditë. Kësisoji, konflikti mes tyre është intensifikuar dhe mund të përshkallëzohet edhe më tej. Në këtë lloj biznesi ilegal, armët janë diçka që shkojnë bashkë me të..”
Marokenët në ngritje
Në kufi me shtete anëtare të BE-së dhe zonës Shengen me Kroacinë dhe Hungarinë, Serbia është një vend i rëndësishëm tranzit në të ashtuquajturën rrugë ballkanike që përdoret nga një pjesë e madhe e migrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia të cilët përpiqen ta arrijnë Evropën Perëndimore.
Të motivuar nga fitimet e mëdha, bandat e kontrabandës me qenie njerëzore i kanë përzgjedhur secila territoret e veta në Serbinë veriore, veçanërisht zonën afër kufirit hungarez. Afganët dhe marokenët janë aktualisht në rritje, duke i shtyrë tutje sirianët, të cilët, sipas burimeve të BIRN në terren, tani duhet të paguajnë një ‘shumë parash’ ndaj rivalëve të tyre për të vepruar lirishëm.
Ndër më të dhunshmit është grupi maroken i njohur si “Tetwani”, i cili dyshohet se udhëhiqet nga Mohammed Tetwani, i njohur gjithashtu si Mohammed Maghrebi, dhe me seli në Horgosh. Mohammed Tetwani besohet se është larguar nga Serbia për në Belgjikë. Si një ilustrim i metodave të grupit, BIRN ka pasur qasje në videon e kryetogerit të Tetwanit, Hamza, duke udhëhequr një grup refugjatësh nën kërcënimin e armëve pranë kufirit me Hungarinë. Vetë Tetwani shfaqet në një rap video të realizuar nga artistët tunizianë Lady Miro & Dadlee, filmuar në Suboticë dhe selinë e bandës në Horgosh.
Sipas një sasie informacioni shumë të detajuar të dërguar me postë në BIRN nga një individ në Greqi, baza e Tetwanit përmban një ‘burg’ ku anëtarët e bandave mbajnë njerëz për haraç dhe abuzojnë seksualisht me gra të cilat nuk janë në gjendje të paguajnë udhëtimin e tyre.
“Ata i fusin njerëzit brenda derisa familja e tyre të vijë për të paguar për të afërmit ose miqtë e tyre,” ka shkruar dërguesi në një letër që shoqërohej me materialin. “Shumë njerëz janë në robëri, i torturojnë. Disa raste të përdhunimeve, dhunimeve seksuale u kanë ndodhur grave apo vajzave, disa janë nën 18 vjeç, që nuk kanë para”.
BIRN nuk ka qenë në gjendje t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimet për ekzistencën e një ‘burgu’, por shumë nga informacionet e tjera të përfshira në zarfin e postuar në BIRN nga Greqia janë konfirmuar nga burime të tjera.
Grupi Tetwani kohët e fundit është mposhtur në veri nga një bandë tjetër marokene e udhëhequr nga një burrë nga Kazablanca i njohur si “Kazawi”. Sipas burimeve në terren nga territori rreth ‘Srpski Krstur’, një vendbanim pranë lumit Tisa, ky grup e ka futur nën kontroll tregun e kontrabandës së refugjatëve dhe emigrantëve afrikano-verior dhe emri i Kazawi ka bërë nam të atillë për veten e tij, saqë festohet edhe përmes një kënge nga një reper tunizian Tati G13. Edhe Google Maps shfaq një shënjues ‘Kazawi’ të vendosur në një pikë pranë lumit Tisa.
Luftë rivalësh për dominim terreni në Afganistan
Kontrabandistët afganë, të gjithë ata që veprojnë nga pylli i Radanovacit në veri të Suboticës dhe në Paliq, janë përfshirë në një betejë në terren për më shumë se një vit që kur një kontrabandist i njohur si Noor Aga kërkoi “pjesë të territorit” të tij nga një prej udhëheqësit në atë kohë, Shir Ali. Kur Shir Ali refuzoi, Noor Aga e mori atë terren me forcë.
“Morëm gjithçka, me 12 pushkë dhe katër a pesë pistoleta. Dhe i thamë ‘ne nuk luftojmë, por puna jote merr fund këtu’”, dëgjohet të thotë Aga në një kasetë të bërë nga një burim i BIRN.
Katër muaj më vonë, më 2 korrik, konflikti i tyre në ‘Makova sedmica’ u bë lajm kombëtar. Konflikti mes tyre pret ende për një marrëveshje.
Grupi i fragmentuar i Agës njihet me emrin “313”, sipas një batalioni elitar taleban, Badri 313.
Njësia talebane e ka marrë emrin nga legjenda e ushtrisë prej 313 vetash të Profetit Muhamed që fitoi Betejën e Bedrit. Në dhjetor të vitit 2022, policia serbe tha se kishte arrestuar Hashim Abdul, një nga komandantët e Brigadës 313 Badri. Në të njëjtin grup, policia gjeti edhe ‘Merhamzën’, një afgan i kërkuar nga policia franceze për krime të shumta. Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me Abdulin apo Merhamzën.
“Kam nevojë për të holla. Nuk kam ardhur për qejf, kam ardhur këtu për punë. Kam një familje të madhe”, thotë Aga në një nga audio kasetat të siguruara nga BIRN.
Grupi i Shir Aliut ndërkaq mban emrin ‘400/59′.
Kontrabandistët sirianë janë koncentruar prej kohësh në qytetin veriperëndimor të Somborit, afër kufirit hungarez dhe kroat, dhe kanë një prani të fortë në qendrat shtetërore të migrantëve në Sombor dhe Suboticë, thonë burimet e BIRN.
Sirianët, megjithatë, kanë qenë në defanzivë që nga një hetim i BIRN në qershor të vitit 2022 mbi aktivitetet e Alen Basil, një serbo-sirian, i cili punonte si përkthyes policie dhe i mposhti rivalët me ndihmën e policisë në listën e tij të pagave.
Sipas kontrabandistit sirian, disa anëtarë të grupit të Basilit janë burgosur që atëherë, duke përfshirë edhe dorën e tij të djathtë, Abu Omar. Burimi në fjalë i ka thënë BIRN se, pasi i kaloi gjashtë muaj në një burg serb, Omar u arratis në Itali. BIRN u përpoq ta konfirmonte këtë të dhënë me policinë serbe megjithatë nuk ka marrë asnjë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.
Sirianët që vazhdojnë të veprojnë janë kryesisht anëtarë të bandave ‘Sarawi’ dhe ‘Agedat’. Megjithatë, konfliktet e tyre udhëhiqen kryesisht nga interesa biznesore dhe jo nga përkatësitë fisnore.
Furnizuesit shqiptarë të armëve
Në pranverën e vitit të kaluar, dy burra u nisën me automjet në rrugën Braça Radic në Suboticën qendrore, duke dëgjuar muzikë me zë të lartë dhe duke pirë duhan atë që dukej të ishte kanabis. Duke filmuar automjetin e tyre, një nga burrat e ekspozon rastësisht një kallashnikov në një çantë sportive në sediljen e pasagjerit. BIRN siguroi një video të udhëtimit nga dy burime të pavarura.
“Ata e bënë videon si një reklamë,” thotë një kontrabandist që pretendon se atij iu ofrua arma për ta blerë. “Pushka ka ardhur nga Kosova. Kam dëgjuar se e kanë shitur më vonë te afganët.”
Ai i ka dhënë emrat e personave në video dhe një informator policie e ka konfirmuar identitetin e tyre.
Dëshmitë e mbledhura nga BIRN, duke përfshirë video, audio dhe korrespondencë me shkrim, si dhe pretendimet e kontrabandistëve, policisë dhe burimeve brenda shërbimit inteligjent serb BIA, tregojnë për bandat kriminale shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe rajonet e Rashkës dhe Preshevës të Serbisë si burimi kryesor i armëve tani në duart e kontrabandistëve në Serbinë veriore.
Pas përleshjeve në Horgosh në nëntor të vitit 2022, policia serbe tha se, përveç armëve, kishte gjetur edhe kapele, shalle si dhe kapele me shenjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcës guerilase shqiptare etnike që kapi armët në fund të viteve 1990 në luftë për pavarësi nga Serbia.
Një kontrabandist sirian tha se bandat filluan të armatoseshin më seriozisht në vitin 2021. Në atë kohë, thotë ai për BIRN, një kontrabandist maroken i njohur si Yaseen ndërmjetësoi një marrëveshje me shqiptarët e Kosovës.
“Kishte disa armë, por një vit e tetë muaj më parë ishte hera e parë që sollën shtatë kallashnikovë në Suboticë,” thotë kontrabandisti në fillim të qershorit. “Yaseen shkoi në Kosovë dhe bëri një marrëveshje me një grup shqiptarësh. Më vonë shqiptarët i dorëzuan armët”.
Në një inçizim të siguruar nga BIRN, një anëtar i bandës afgane 400/59 dëgjohet duke thënë: “Po, të gjithë njerëzit kanë lidhje me shqiptarët”.
Burimi i BIRN nga bandat e kontrabandimit e kundwrshton përdorimin masiv të armëve, ndërsa thotë se nuk janë veçse disa kallashnikovë.
“E dini sa sjellin? Minimumi 100 kallashnikovë. Tetwani, afganët, çdo ekuipazh, të paktën 20-30 kallashnikovë secili.”
Një tjetër kontrabandist i paraqitur në një nga inçizimet e korrikut 2022 mburret para një ndërmjetësi policie: “Tani mund të marr 50 kallashnikovë nga kufiri me Kosovën. E kupton? (…)Ka një telefon për një person në Kosovë, vëllai im. Ai sjell në Serbi 50 kallashnikovë. Nuk është problem. Unë kam kontakte me ata njerëz.”
BIRN siguroi një video të bërë nga kontrabandistët marokenë të 18 kallashnikovëve në dyshemenë e një dhome, me flamurin maroken të shënuar në shirit. Një burim i BIRN i shpjegoi rrethanat se si dhe ku u krijua videoja në fjalë. Duke e shkëputur një kornizë të veçantë nga videoja dhe duke e kërkuar atë përmes pamjeve në Google, BIRN nuk ka arritur të gjejë asnjë provë që videoja ishte postuar ndonjëherë në internet.
Çmime të larta
Kryesisht bandat kriminale të shqiptarëve të Kosovës kanë vepruar në Suboticë për dekada të tëra, përfshirë aktivitetin e tyre në trafikimin e narkotikëve dhe qenieve njerëzore, kryesisht turq si dhe shqiptarë të Kosovës që për vite me radhë hasnin në vështirësi për të hyrë në BE.
Tani ata kanë futur në kontroll tregun e furnizimeve me armë për kontrabandistët, duke paguar deri në 1,700-1,800 euro për pushkët automatike dhe 900 euro për pistoletat, sipas një informatori të inteligjencës. Policia e Kosovës tha se “nuk posedon informacion zyrtar për shtetasit e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë dhe furnizojnë grupet kriminale”, por se ka informacione për shtetas të vendeve të tjera që hyjnë në Serbi nga Kosova për të marrë pjesë në aktivitete të tilla.
Një kontrabandist tha se çmimi i një kallashnikovi është rritur pas kaq shumë përleshjeve të armatosura, duke arritur në rreth 2,000 euro. Kontrabandisti e përmend një marrëveshje të bërë nga një maroken me një furnizues shqiptar për tetë kallashnikovë, 4000 fishekë dhe tre pistoleta. “Çmimi i dakorduar ishte 24,000 euro,” thotë ai për BIRN.
Binjakët Xhemshiti nga Prishtina, besohet se janë ‘lojtarë’ të rëndësishëm.
Korrespondenca të përgjuara, të cilat iu treguan BIRN nga informatori, i identifikojnë binjakët teksa ofronin armë për shitje.
Në një korrespondencë të veçantë nga fillimi i shkurtit, kontrabandistët sirianë diskutonin për dorëzimin e tetë kallashnikovëve të dyshuar nga Amar Xhemshiti në motelin ‘Simke’ në Suboticë.
“Marrëveshja dështoi të arrihej sepse kontrabandistët sirianë kishin frikë se do të vinte policia,” tha për BIRN një kontrabandist në dijeni të transaksionit.
Një burim i BIA-s ka thënë se policia e ka lënë Amir Xhemshitin të largohej kur një numër shqiptarësh të tjerë u arrestuan në mars. Policia nuk iu përgjigj kërkesës për konfirmim.
Amir Xhemshiti tha se kishte qenë i arrestuar nga policia e Kosovës para dy muajve. Kur ata e pyetën nëse kishte dërguar ndonjëherë armë në Serbi, Amiri tha se iu përgjigj atyre: “A jeni në rregull? Kallashnikovët prodhohen në Kragujevc”.
Amiri tha se ka kaluar 14 ditë në mbajtje, sepse tabelat vjeneze të automjetit të tij ishin false. Ai tha se nuk e dinte nëse do të vazhdonte hetimi ndaj tij.
Vëllezërit Xhemshiti kanë një të kaluar penale në Kosovë. Avokati i tyre, Mentor Neziri, tha për BIRN se një rast ndaj tyre për kontrabandë me drogë është duke vazhduar. Sipas aktakuzës në këtë rast, gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre, policia gjeti më shumë se një kilogram marihuanë.
Mediat në Kosovë më parë kanë raportuar se Amir Xhemshiti ishte i akuzuar për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve. Në akuzën për armë, ai u deklarua fajtor dhe pagoi gjobën prej 500 euro.
Këto akuza nuk janë të vetmet.
Në nëntor të vitit të kaluar, 36-vjeçarit nga Kosova, Dine Hetaj, iu gjetën pesë kallashnikovë, nëntë pistoleta dhe mbi 500 fishekë në një shtëpi në Suboticë. Në prill të vitit 2023, Prokuroria e Lartë në Suboticë ngriti aktakuzë ndaj Hetës, duke e akuzuar atë për veprën penale të prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse. Hetaj, i cili më parë kishte kaluar 11 vite burg në Prishtinë për vrasje, i mohoi akuzat duke thënë se armët nuk ishin të tijat.
Duke e hedhur poshtë shpjegimin e Hetajt si të pabesueshëm, policia serbe tha se “beson se i pandehuri erdhi në Suboticë për t’u shitur armë dhe municione migrantëve që jetojnë në Suboticë dhe rrethinë, afër kufirit me Hungarinë”.
Sipas aktakuzës të siguruar nga BIRN, në momentin që policia e arrestoi Hetajn në shtëpinë të cilën e kishte marrë me qira, Hetaj po takohej me një afgan të quajtur Salam Khan Ahmadzaiа, i cili dyshohet se donte ta merrte me qira një vend nga Hetaj. Një ndërmjetës policie me të cilin BIRN bisedoi dhe që e monitoroi rastin, e ndërlidh Salam Khan me një grup kontrabandë njerëzish pranë bandës ‘400/59′.
“Ata duhet të kenë mbrojtje”
Insajderët dhe ekspertët thonë se ka shumë pak gjasa që grupet kriminale të shqiptarëve të Kosovës të mund të veprojnë në Serbinë veriore pa bashkëpunimin e policisë.
“Ata duhet të kenë mbrojtje. Përndryshe, si mund të punojnë kështu?” pyet një kontrabandist.
Duke iu referuar Suboticës, informatori i BIA-s i tha BIRN: “Ata po takohen në vende publike në qendër të qytetit. Ata e dinë se kush është në kafene, të gjitha shërbimet [e sigurisë], kush është me veshje civile etj. Ata përshendeten me zyrtarët e policisë.”
Ndërkohë, të shtëna armësh dëgjohen rregullisht në pyjet në veri të Suboticës.
“Jetoj afër ‘Makova sedmica’, – tha një banor. “Dritarja ime është e hapur dhe dëgjoj vazhdimisht të shtëna, madje edhe në orën dy të mëngjesit.”
Në regjistrimet e telefonatave dhe korrespondencës në WhatsApp të siguruara nga BIRN pas përleshjes së 2 korrikut, një ndërmjetës policie u kërkon kontrabandistëve afganë t’i dorëzojnë armët e tyre në këmbim të imunitetit dhe vazhdimit të operacioneve të tyre.
“Më jepni kriminelë. Pastroni armët. Krejt kufiri është i yti. Vendosni njeriun të cilit i besoni dhe punoni”, thotë ndërmjetësi në një mesazh në whatsApp, të shkruar në anglisht.
Korrespondenca dhe audio regjistrime të tjera të siguruara nga BIRN tregojnë për një përpjekje të xhandarmërisë serbe për t’i inkurajuar kontrabandistët të çarmatosen, ndonëse pa shumë sukses. Mirëpo nuk ka asnjë provë për ndonjë dorëzim të rëndësishëm të armëve.
Ndërmjetësi i policisë tha se disa në xhandarmëri donin ta bënin siç duhet punën e çarmatimit, porse u sabotuan. Ai i bën fajtorë zyrtarët e korruptuar të kufirit dhe zyrtarët e policisë lokale në Suboticë.
“Unë madje kisha disa prova,” thotë ai. “Disa kontrabandistë më treguan emrat dhe numrin e një polici që mori para. I njëjti polic nuk u hetua.” duke ia treguar BIRN-it një printscreen të provës.
Më 1 korrik, mediat raportuan se udhëheqësi i Departamentit të Policisë së Suboticës, Borivoje Mucalj, u shkarkua. Mediat e ndërlidhën shkarkimin e tij me dy shkëmbime zjarri në muajin qershor ku përfshiheshin kontrabandistë afganë.
I pyetur për grupet e armatosura që kontrabandojnë njerëz në kufirin me Hungarinë, Frontex tha për BIRN se “nuk kanë asnjë informacion për këtë çështje”.
“Ne, si agjenci e BE-së, nuk kemi kompetenca për të kryer hetime të tilla”.
Interpoli nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN për këtë çështje. EUROJUST, organizata që punon me autoritetet kombëtare për të hetuar hetime serioze kriminale ndërkufitare, i tha BIRN-it se ata “do ta shqyrtojnë këtë dhe do të kontrollojnë nëse ky është një rast ku Eurojust është i përfshirë”.
“Jo të gjitha rastet e bashkëpunimit kriminal ndërkufitar trajtohen domosdoshmërisht përmes Eurojust-it. Zakonisht veprojmë vetëm sipas kërkesave specifike të autoriteteve kombëtare”, deklaroi zëdhënësi i EUROJUST për BIRN. /Reporter.al/
Discussion about this post