Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë në Vizionplus ka zbuluar të vërtetat e arrestimit, akuzave që rëndojnë ndaj tij dhe gjendjes shëndetësore në qeli.
Ai thotë se ndodhet në qeli për shkak të bindjeve të veta politike dhe kërcënimit që përfaqëson ky regjim të cilin ai e quan mafioz.
E teksa ndodhet i izoluar në qelinë e burgut “313” në kryeqytet, ish-Presidenti i Republikës u pyet nëse ka një as nën mëngë.
Pranvera Borakaj: A ka një as nën mëngë Ilir Meta?
“Asi im është patriotizmi dhe atdhedashuria”, u përgjigj Meta shkurt.
Meta iu përgjigj dhe deklaratave të tij të mëparshme para arrestimit. Ai duke iu drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani, kërcënoi se do ta shkatërronte SPAK-un edhe nga qelia. Meta tha se Partia e Lirisë do të dalë shumë më e fortë dhe e fuqishme nga kjo betejë duke mos dhënë më tepër detaje.
Intervisat e plotë:
Borakaj: Zoti Meta u bë mbi dy jave nga arrestimi juaj. Si po kalojnë këto ditë në qeli? Si është trajtimi? Përveç fëmijëve dhe motrës tuaj cilët janë personat e tjerë që kanë shprehur interes dhe deshirë për t’ju vizituar? Në media është aluduar herë pas here nga persona të caktuar që ju nuk po i perballoni mirë emocionalisht këto dite… keni një koment?
Meta: Unë po kaloj shumë mirë, sepse lexoj shumë dhe stërvitem sa mundem për Maratonën. Po kështu kam kohë të shkruaj dhe shkëmbej mesazhe e letra me miq të dashur e të vërtetë. Ka shumë persona, gazetarë e miq që kanë kërkuar të takohen, por vetëm një takim në javë lejohet me familjarët. Ana emocionale është shumë pozitive. Ata që më kanë matur tensionin (për procedurë) kanë mbetur të habitur se janë parametra piloti. Thashethemet e gazetarëve të SPAK-ut nuk do mbarojnë dhe s’më çudisin, si ajo se unë kisha kërkuar palestër. Unë vetëm kam pyetur a ka palestër. Por bëj çdo ditë në qeli ushtrimet që më ka mësuar Ylli Bodinaku nga përvoja në Spaç. Edhe orën e dorës që ma morën kur më rrëmbyen, ma kthyen pas 10 ditësh. Por unë nuk mërzitem. Me qetësi.
Borakaj: Ju akuzoni ish-bashkëshorten tuaj Monika Kryemadhi si njeriun që ju ka tradhtuar para SPAK, kur e kuptuat se pas krahëve tuaj po luhej “pisët”?
Meta: Për mua ka rëndësi të mos tradhtoj njeri sidomos kur bëhet fjalë për kauza të mëdha dhe jo vetëm për interesa personale. Dhe unë kurrë nuk i kam tradhtuar kauzat e mia dhe mbështetësit e mi të sinqertë. Askush nuk ka mundësi të më tradhtojë mua te SPAK-u sepse unë kurrë s’kam bërë diçka të paligjshme. Problemi është kur SPAK-u si një organizatë policeske antiopozitë merr peng njerëz të opozitës për t’i përdorur për llogari të regjimit, siç ka ndodhur edhe me Partinë e Lirisë tani edhe me Partinë Demokratike më parë.
Borakaj: Nga ana tjetër Kryemadhi ka shprehur admirim dhe dashuri të madhe ndaj jush, madje ka kërkuar edhe që të hyjë në qeli në vendin tuaj, si e shikoni këtë pozicionim?
Meta: Unë jam në qeli për shkak të bindjeve të mia politike dhe kërcënimit që përfaqësoj për këtë regjim mafioz që ka si agjendë kryesore shpopullimin e vendit dhe zhbërjen e identitetit kombëtar dhe cënimin e interesave kombëtare siç është edhe shitja e qëllimshme e Detit dhe pasurive të tij nga Rama në interes të Greqisë.
Borakaj: Zonja Kryemadhi thotë se “peshku i madh” fshihet në telefonin e saj. Ju z. Meta keni ndonje dijeni për “peshkun e madh”?
Meta: S’dua të luaj me “telefoni i prishur”. Kemi luajtur shumë kur kemi qenë fëmijë këtë lojë.
Borakaj: A ka një as nën mëngë Ilir Meta?
Meta: Asi im është patriotizmi dhe atdhedashuria.
Borakaj: Ju tremb e ardhmja juaj por dhe e PL tashmë që jeni në qeli? A mendoni ju se Edi Rama e realizoi atë që është konsideruar si pakt me Lulzim Bashën për ta çuar për skrap partinë tuaj… Tani që kanë kaluar ca kohe dhe ndoshta e mendoni dhe më ftohtë, ku mendoni se keni gabuar?
Meta: E ardhmja nuk më tremb aspak. Të tmerruar nga e ardhmja janë ata që kryen këtë akt kriminal sepse janë të ndërgjegjshëm për krimet monstruoze që kanë bërë, jo vetëm përsa i takon korrupsionit, që është skizofrenik, por edhe ndaj çështjes kombëtare dhe interesave kombëtare. Nuk kam gabuar politikisht, por thjesht jam tradhtuar pabesisht nga njerëzit që kam besuar më shumë. Ata hiqeshin besnikë thjesht për të realizuar nevojat e tyre nën autoritetin tim, por s’kishin asnjë lidhje me kauzat e mia. E ardhmja do të jetë më e mirë dhe do t’u përkasë guximtarëve, jo tradhtarëve.
Borakaj: Cili është komenti juaj zoti Meta, për dosjen voluminoze të SPAK, për akuzat dhe ‘fundosjen’ që konsiderohet se ju ka bërë çifti Ismailaj, por jo vetëm, dhe për ato zëra në media që flasin se fëmijet tuaj kanë qarkulluar miliona euro në dy vitet e fundit?
Meta: Një fletërrufe qësharake të SPAK-ut, asnjë provë kundër meje, asnjë shkelje ligji por vetëm deklarata mashtruesish që kanë patur problem me drejtësinë dhe ligjin dhe që përdoren nga DumDumani si Lej Feni i “Drejtësisë së Re”, që punon me ligje të vjetra e të neveritshme që s’kanë lidhje me shtetin e së drejtës, procesin e rregullt ligjor dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Lidhur me fëmijët e mi hera e parë që po dëgjoj një përrallë të tillë. Por ata janë në moshë madhore dhe i dinë përgjegjësitë e tyre.
Borakaj: A është e vërtetë që ditën që jeni arrestuar keni qenë në Kosovë për të kërkuar ndihmë për t’u larguar nga vendi?
Meta: Gazetarët e SPAK-ut kanë fantazi të lodhur shumë. Unë kam qenë në vendin tim më të preferuar, Prevallë dhe ju mund t’i referoheni postimeve të mia nga pyjet dhe lumenjtë e mrekullueshëm të saj.
Borakaj: Zoti Meta jeni ndjerë i braktisur nga Partia Demokratike? A keni pasur komunikim me Sali Berishën përmes personave të tretë? Tashmë që motorët e fushatës janë ndezur dhe pse jo zyrtarisht, cilat do jenë lëvizjet e Ilir Metës nga qelia? A do kërkoni ju të jeni në lista të përbashketa me PD?
Meta: Jam në komunikim të vazhdueshëm me z.Berisha për të fuqizuar veprimin opozitar sa më shumë. Partia e Lirisë do vazhdojë përgatitjet e saj dhe unë jam çdo ditë në komunikim me Sekretarin e Përgjithshëm, z.Tedi Blushi dhe drejtuesit e tjerë për të ecur me agjendën tonë të organizimit për zgjedhjet që po vijnë. Ne e kemi programin tonë, 5 Prioritetet për 4 milion shqiptarë plus. Tani kryefjala është organizimi në terren. Po kështu qëndrimi i prerë ndaj të gjithë të kapurve peng nga SPAK-u e regjimi është i domosdoshëm për të çliruar energji pozitive. Përpjekjet mafioze të grupit që ka kapur peng SPAK-u për të manipuluar forumet e Partisë së Lirisë dhe për të blerë e shantazhuar anëtarët e Kryesisë dhe Komitetit Drejtues Kombëtar do përfundojnë në koshin e plehrave bashkë me skenarin e orkestruar nga Edi Rama për të goditur Tedi Blushin si përfaqësuesin më të përkushtuar të Partisë së Lirisë pas Ilir Metës për kauzën tonë madhore të sovranitetit dhe si dëshmitarin kryesor të aferës së Detit nga Edi Rama dhe sivëllai i tij pa vulë. Partia e Lirisë do të bëhet një kështjellë më e madhe dhe më e fuqishme e mbrojtjes së sovranitetit të popullit dhe të shtetit, si edhe kundërshtare edhe më e ashpër e Narkoregjimit sorosist. Këlyshët dhe këlyshet e SPAK-ut të krijojnë partiçka fake që i bëjnë fresk SPAK-ut. Partia e Lirisë është në luftë me Narkoregjimin sepse i kanë rrëmbyer në mënyrë kriminale Presidentin e saj. Por jo vetëm për këtë, por se kanë marrë peng të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe minojnë çdo ditë interesat kombëtare dhe publike.
Borakaj: Ju keni deklaruar në media se do ta shkatërroni SPAK-un nga qelia, si do ta arrini qëllimin?
Meta: Është e sigurt se në këtë vend nuk do të shkatërrohet as pluralizmi politik dhe as do të shuhet atdhedashuria. SPAK me Dumanin në krye do hyjë në histori si një organizatë sorosiane në shërbim të mafies ndërkombëtare me qëllim shkatërrimin e sovranitetit të popullit shqiptar të shtetit tonë. Lej Feni i “Drejtësisë së Re” do ketë vendin e tij në histori duke ia kaluar edhe “heroit” botëror kundër korrupsionit, Dvoranit, që Edi Rama e la vetëm me 7 vota për në Gjykatën Kushtetuese. Tradhtarët i përdorin të gjithë, por edhe i përbuzin të gjithë dhe pastaj i flakin me kënaqësi. Partia e Lirisë do të dalë shumë më e fortë dhe e fuqishme nga kjo betejë. Do skarcohen hipokritët dhe të kapurit nga regjimi dhe do të afirmohen qëndrestarët dhe patriotët.
Discussion about this post