Qeveria miratoi sot një projektligj mbi kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industrial. Në këtë mënyrë, Qeveria i ka çelur dritën jeshile një nisme të lançuar nga Edi Rama rreth 1 vit më parë, që shkaktoi jo pak debate.
Në nenin 2 të projektligjit thuhet se qëllimi i këtij ligji është të rregullojë dhe të garantojë procesin e kontrollit e të mbikëqyrjes së kultivimit, prodhimit dhe qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve të saj dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.
Bazuar te projektligji i propozuar nga Qeveria, bie në sy fakti se sipërfaqja që konsiderohet “njësi prodhimi” për kanabisin mjekësor ka një sipërfaqe nga 5-10 hektarë, ndërsa në rastin e kanabisit për qëllime industriale është 1 ha.
Më konkretisht njësi prodhimi është:
- a) një sipërfaqe toke nga 5 deri në 10 hektarë, e rrethuar, në të cilën lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe në të cilën përfshihen edhe magazina dhe ambientet e tjera të posaçme, në funksion të proceseve që lidhen me kultivimin e bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve për qëllime mjekësore;
- b) një sipërfaqe toke jo më e vogël se 1 hektar, në të cilën lejohet kultivimi i bimës së cannabis-it për qëllime industriale dhe në të cilën përfshihen edhe magazina edhe ambientet e tjera të posaçme, në funksion të procesve që lidhen me kultivimin e bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it për qëllime industriale.
Ky ligj zbatohet për çdo subjekt që kryen veprimtari të licencuar për:
- a) importin e farës ose fidanit apo riprodhimin e tyre;
- b) kultivimin e bimës së cannabis-it mjekësor ose industrial;
- c) prodhimin e nënproduktit ose produktit përfundimtar;
ç) qarkullimin e bimës së cannabis-it, nënproduktit ose produktit përfundimtar.
Në draftin e propozuar për miratim në Kuvend thuhet se në Republikën e Shqipërisë është i ndaluar:
- a) kultivimi i bimës së cannabis-it mjekësor dhe prodhimi i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj, në tejkalim të dispozitave të këtij ligji;
- b) kultivimi i bimës së cannabis-it dhe prodhimi i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj për qëllime mjekësore, tregtimi dhe posedimi i tyre nëse nuk janë të shenjuara dhe të gjurmueshme, sipas përcaktimeve në këtë ligj;
- c) posedimi i mjeteve, pajisjeve dhe instrumenteve për prodhim të bimës së cannabis-it mjekësor dhe nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të saj, përveç rasteve të deklaruara nga subjekti i pajisur me licencë, të parashikuara në këtë ligj;
ç) përdorimi i nënprodukteve dhe produkteve përfundimtare të bimës së cannabis-it, përveç rasteve të parashikuara në këtë ligj dhe në legjislacionin e posaçëm në fuqi;
- d) shitja dhe shpërndarja me pakicë apo shumicë, përvetësimi ose konsumi në territorin e Republikës së Shqipërisë i nënprodukteve ose produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore;
- dh) reklamimi i bërë në formë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ose në çfarëdo mënyre tjetër, pavarësisht mediumit të publikimit, të veprimtarisë së importimit të farës ose fidanit të cannabis-it dhe kultivimit, prodhimit, shitjes, posedimit dhe përdorimit të bimës së cannabis-it mjekësor;
- e) përpunimi dhe prodhimi, transporti, tregtimi dhe eksporti i nënproduktit dhe produktit përfundimtar të cannabis-it mjekësor.
Një agjensi shtetërore për kontrollin e kanabisit
Legalizimi i kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale shoqërohet me ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Kontrollit të Cannabis-it, që do të jetë person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, që ka si mision mbikëqyrjen, kontrollin dhe inspektimin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe të prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore e industriale dhe monitorimin e zbatimit të këtij ligji.
Agjencia organizohet dhe funksionon në nivel qendror, me seli në Tiranë, dhe e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Burimet e financimit të Agjencisë janë të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e krijuara nga veprimtaria e saj, në bazë dhe për zbatim të këtij ligji. Procedura dhe mënyra e përdorimit të të ardhurave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pranë Agjencisë krijohet dhe funksionon Komisioni i Licencave, me qëllim mbështetjen e saj në ushtrimin e kompetencave, në përputhje me rolin dhe detyrat që ka, sipas parashikimeve të këtij ligji.
Agjencia ushtron kompetencat e saj, në bazë të parimeve të ligjshmërisë, profesionalizmit, përgjegjësisë, llogaridhënies, efikasitetit dhe transparencës dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Agjencia, në ushtrimin e veprimtarisë së saj, në nivel administrativ, organizon procedurat për dhënien e licencës, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe rregullave të përcaktuara nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
Gjithashtu ajo mbikqyr veprimtarinë e subjekteve të licencuara dhe të lejuara, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në licencën dhe lejen për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industrial.
Komisioni i Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave të paraqitura për marrjen e licencës për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore, ka 7 anëtarë dhe ka këtë përbërje:
- a) 3 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;
- b) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike;
- c) 2 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për bujqësinë;
ç) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për ekonominë.
Referuar projektligjit, licenca për prodhimin e cannabis-it për qëllime mjekësore mund të përmbajë veprimtaritë e mëposhtme:
- a) Kultivimin, prodhimin dhe përpunimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore;
- b) Transportimin e farërave, bimëve dhe produkteve e nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore në territorin e Republikës së Shqipërisë;
- c) Eksportin e bimëve, produkteve dhe nënprodukteve të cannabis-it për qëllime mjekësore.
Si jepet licenca
Licenca jepet për një ose disa veprimtari, për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi me kërkesë për secilin nga aktivitetet dhe bazuar në procedurën përzgjedhëse të organizuar nga Agjencia. Formati i licencës për ushtrimin e aktiviteteve të lidhura me prodhimin e cannabis-it për qëllime mjekësore miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Licenca i jepet vetëm subjektit që plotëson kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj si dhe vetëm për njësitë dhe aktivitetin e kërkuar e të përcaktuar në planzhvillimin e saj, duke përcaktuar koordinatat e vendndodhjes së njësive dhe marrëdhënien e subjektit me tokën.
Licenca jepet vetëm në emër të subjektit dhe është e patransferueshme dhe e patjetërsueshme. Licenca ka si pjesë përbërëse të saj aktivitetet për të cilat subjekti licencohet, me plotësimin e kërkesave të përcaktuara në këtë ligj.
Nëse në licencë është përcaktuar se aktivitete të caktuara, të parashikuara në licencë, mund të kryhen tërësisht apo pjesërisht nga subjekte të tjera, këto subjekte do të verifikohen në lidhje me plotësimin e kushtit të pastërtisë së figurës si dhe përcaktohen shprehimisht në licencë. Ndryshimet që lidhen me tjetërsimin e pronësisë së këtyre subjekteve kërkojnë miratimin paraprak me shkrim të Komisionit të Licencimit. Komisioni jep ose refuzon miratimin paraprak, brenda 3 muajve nga paraqitja e plotë e kërkesës, mbështetur në dokumentacionin e përcaktuar në lidhje me verifikimin e pastërtisë së figurës.
Licenca përcakton një ose disa njësi për të cilat subjekti ka plotësuar kriteret. Nëse subjekti licencohet për më shumë se një njësi, ato duhet të jenë kufitare me njëra-tjetrën dhe, në çdo rast, jo më shumë se 4 njësi, në të njëjtën licencë.
Licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e mëdhe se 10 hektarë.
Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.
Në projektligj thuhet se çdo 3 vjet, kushtet e licencës rivlerësohen nga Agjencia, e cila, nëse konstaton mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve, propozon, sipas rastit, pezullimin ose shfuqizimin e licencës apo i kërkon subjektit plotësimin e kushteve brenda një afati 30-ditor.
Kushtet për pajisjen me licencë
Me licence, bazuar në projektligjin e propozuar nga Qeveria, mund të pajiset çdo person juridik, që kërkon të pajiset me licencë, duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme për çdo aktivitet të kërkuar për licencim:
- a) Të ketë eksperiencë 3-vjeçare në të paktën 3 nga aktivitetet kryesore, si prodhimi, kultivimi dhe qarkullimi i bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore;
- b) Subjekti ose një aksionar i tij, i cili zotëron 51% të aksioneve të shoqërisë, duhet:
- të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim për të paktën 5 vite;
- të jetë zotërues i praktikave të mira të prodhimit, të lëshuar nga Agjencia Evropiane e Barnave ose Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat për të paktën 3 vite.
iii. të ketë kapital të shoqërisë jo më të vogël se 100 000 000 (njëqind milionë) lekë.
- Personi juridik, që paraqet kërkesë për licencë për prodhimin e cannabis-it mjekësor, duhet, ndër të tjera,:
- a) të përcaktojë në mënyrë taksative aktivitetin apo aktivitetet për të cilat kërkon të licencohet;
- b) të paraqesë njësitë në të cilat do të zhvillojë aktivitetin me koordinata si dhe marrëdhënien juridike me tokën;
- c) të paraqesë planin e zhvillimit të biznesit, duke identifikuar modelin e kultivimit dhe qëllimin e kultivimit si dhe sipërfaqen minimale e maksimale të njësisë së zhvillimit;
ç) të paraqesë planin e përpunimit të mjediseve për tharjen, prerjen dhe magazinimin, të pajisura në përputhje me kapacitetin prodhues, të parashikuara paraprakisht në planin e zhvillimit të prodhimit;
- d) të paraqesë planin e sigurisë për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim, duke përcaktuar elementet e mbrojtjes, rrethimit, sigurisë me telekamera dhe sigurimit fizik për 24 orë, elementet penguese përpara hyrjes dhe tel me gjemba mbi gardhin, sipas standardeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
- dh) të paraqesë vetëdeklarim për punësimin për të paktën 10 persona për çdo njësi, 2 prej të cilëve duhet të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierisë, me përvojë pune jo më pak se 3 vjet në fushën përkatëse;
- e) të paraqesë vetëdeklarim për gatishmërinë për të lidhur marrëveshje me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për të garantuar aksesin për inspektim ndaj shoqërisë private të sigurisë fizike që mbikëqyr mjediset e kultivimit të bimës së cannabis-it dhe nënprodukteve të saj si dhe lëvizjes së automjeteve të dedikuara të tregtimit të lëndëve të para dhe produkteve, sipas rregullave dhe tarifave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave;
ë) të paraqesë vetëdeklarim për fillimin e ushtrimit të veprimtarive të përshkruara në licencë brenda 12 muajve nga miratimi i saj;
- f) të paraqesë vetëdeklarim se pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5 % të qarkullimit vjetor, por, në çdo rast, jo më pak se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë;
- g) të paraqesë garanci bankare në masën 10% të vlerës së investimit;
- gj) të paraqesë vetëdeklarim se do të plotësojë të gjitha kërkesat për gjurmueshmërinë, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
- h) të paraqesë vetëdeklarim për proceset që kryhen nga subjekte të treta dhe identifikimin e tyre me të dhëna të sakta me qëllim vlerësimin dhe verifikimin e tyre;
- i) të paraqesë vetëdeklarim për disponibilitetin e pagesave të tarifave të sistemit të gjurmimit.
Dokumentet
Kërkesa për pajisje me licencë paraqitet pranë Agjencisë së bashku me dokumentacionin dhe të dhënat e mëposhtme:
- a) Certifikatën e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit;
- b) Ekstraktin historik të subjektit juridik edhe, sipas rastit, edhe aktin e themelimit e statutin e shoqërisë dhe listën e pronarëve përfitues, nëse ka;
- c) Të dhënat e përfaqësuesit ligjor apo të personit të autorizuar për të ndjekur procedurën e licencimit;
ç) Vërtetime të lëshuara nga organet kompetente, si:
- certifikata e sigurisë së subjektit, e lëshuar nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për shtetasit shqiptarë, dhe certifikata e njësuar me të, për shtetasit e huaj, e lëshuar nga autoritetet kompetente të vendit ku ata janë rezidentë;
- vërtetimi i lëshuar nga organi i prokurorisë që provon se subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk janë në ndjekje penale;
iii. vërtetimi i lëshuar nga organi gjyqësor që provon se subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk janë në gjykim për ndonjë vepër penale;
- certifikata e gjendjes gjyqësore që provon se subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk janë të dënuar penalisht me vendim gjyqësor të formës së prerë;
- vërtetimi nga organi përmbarues që provon se subjekti nuk është në proces ekzekutimi të detyrueshëm për detyrime pasurore të pashlyera;
- vërtetimi që provon se subjekti kërkues, ortakët apo aksionarët e subjektit kërkues nuk janë në procedurë falimentimi;
vii. pasqyrat financiare të subjektit kërkues si dhe të aksionarëve të tij për 3 vitet e fundit përpara paraqitjes së kërkesës;
viii. dokumente që vërtetojnë përvojën në aktivitetet përkatëse, sipas kërkesave të përcaktuara në këtë ligj;
- vërtetimi nga organet tatimore për shlyerjen e detyrimeve tatimore, si nga subjekti, ashtu edhe nga çdo subjekt juridik në rast bashkimi shoqërish;
- vërtetimi mbi disponimin e personelit të kualifikuar në ushtrimin e veprimtarisë, sipas kërkesave të këtij ligji;
- d) Rregulloren përkatëse për rregullat dhe mënyrën e funksionimit të aktivitetit apo aktiviteteve për të cilat kërkon të licencohet;
- dh) Vetëdeklarimin për lidhjen e marrëveshjes paraprake për ruajtjen dhe sigurinë fizike, sipas dispozitave të këtij ligji;
- e) Vetëdeklarimin për pagesën e garancisë bankare, sipas përcaktimeve të këtij ligji.
Discussion about this post