Qeveria mashtron për “investimet” e Shefqet Kastratit në Aeroportin e Rinasit. Nga 38 milionë euro që reklamoi kryeministri Edi rama dhe ministrja Belinda Balluku, “Kastrati” ka investuar në aeroport deri tani vetëm 141 milionë lekë. Edhe këto s’janë të sigurta! Gijotina.com ka mbledhur faktet të dokumentuara që nga viti 2019, para se Kastrati të blinte koncesionin e Rinasit. Në një raport të publikuar ditët e fundit, nga Ministria e Financave mbi Monitorimin e Performancës së Kontratave të Koncesionit për vitin 2021, evidentohet se investimi ishte projektuar dhe zbatuar qysh para blerjes së Rinasit nga Kastrati.
“Përgjatë dy fazave është realizuar ripërtëritja, vënia në punë dhe mirëmbajtja e terminalit ekzistues, ka përfunduar ndërtimi dhe vënia në punë e qendrës së re së kargos, si dhe është realizuar mirëmbajtja e Perimetrit të Rrethimit të sigurisë së Aeroportit në përputhje me detyrimet e marrëveshjes koncesionare”. Kjo është punë që është mbyllur deri në fund të vitit 2021, sipas Ministrisë së Financave.
Theksojmë se Kastrati ka marrë në dorë aeroportin duke u angazhuar në kontratë se do të bëjë 100 milionë euro investime. Në fakt ky është një mashtrim! Në të vërtetë, investimi për të cilin raportohet, është kryer nga shitësi kinez i koncesionit “Real Fortress Private Limited”. Këto po paraqiten sikur janë bërë nga Kastrati. Madje, për t’i bërë “piar-in”, në verën e këtij viti (korrik 2022) ka shkuar vetë kryeministri në aeroport, për të treguar “punimet” e Kastratit. Nga pamjet, duket qartë pista e vjetër e Rinasit ku shkel Rama dhe Balluku gjatë shëtitjes promocionale.
Gënjeshtrat e Ramës dhe Kastratit, si dhe fakti që aty nuk ka investime vërtetohet edhe nga fotot dhe njoftimet e vetë faqes zyrtare të Aeroportit të Rinasit në 2020 (Kastrati e ka blerë në dhjetor 2020) dhe në vitin 2022, ku serish paraqiten të njëjtat pamje, si të vitit 2020, të shtrimeve me bitum të rrugëve në pistën e Rinasit.
Vetë njoftimet e bërë nga TIA, në prill të vitit 2020 verifikojnë se po kryheshin punimet për pistën dhe rrugën lidhëse për ngritjen e avionëve. Këto punime përfshijnë, rrugën, ndryshimin e pistës, ndriçimin dhe fasadat, që sot Rama i paraqiti si punë e Kastratit.
Siç duket dhe në dokument, projekti është emërtuar “Airfield 2020”. Pista ishte planifikuar në detaje, sëbashku me financimin që të përfundohej brenda vitit 2020, kur Kastratit akoma nuk e kishte futur në listën e tij aeroportin. E qartë, çdo gjë ka qenë gati! Rama dhe Kastrati vetëm u mburrën me punën e të tjerëve.
“TIA “Airfield 2020”: Rehabilitimi i Pistës Ajrore – Punimet përfundimtare të Fazës së Parë. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) është duke përfunduar Fazën e Parë të një prej projekteve më të rëndësishme të quajtur “Airfield 2020” i cili ka të bëjë me rehabilitimin e pistës dhe rrugëve lidhëse që mundësojnë lëvizjen e avionëve në zonën ajrore.
Projekti “Airfield 2020” synon të përballojë kërkesën e lëvizjeve të ardhshme të trafikut ajror duke siguruar pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare të ICAO, EASA dhe rregulloreve shqiptare. Punimet në këtë fazë të parë përfshijnë rikonstruksionin e plotë të rrugëve lidhëse Ë dhe B dhe të gjithë punën në sistemin e ndriçimit”, citohet në njoftimin 24 prill 2020 të TIA-s.
Më poshtë janë fotot e punimeve në vitin 2020 dhe 2022:
Mashtrimi me financimet
Investimet 100 milionë euroshe të zhvilluara nga Kastrati si koncesionar përgjegjës janë vetëm në letrën e kontratës së zgjatjes së afatit të koncesionit. Dhe kështu, vazhdojnë manipulimet për shifrat e investuara në aeroport. Sikur përmendëm pak më lart, me 31 korrik 2022, Rama dhe Balluku inauguruan terminalin e ri.
Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u inaugurua sot Terminali i ri, prej 5 mijë metër katrorë. Për të cilin Rama tha se “ këto punime janë pjesë e një investimi të përgjithshëm prej rreth 38 milionë euro të kryer në 1 vit e gjysmë, me objektivin për ta shndërruar Aeroportin e Rinasit në portën hyrëse për të gjithë rajonin”.
Kjo është një gënjeshtër, që e nxjerrin zbuluar të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave në raportin përmbledhës të vitit 2021. Aty del se Kastrati nuk ka derdhur kaq para për Aeroportin. Pjesa më e madhe e punimeve të pistës kanë nisur që në 2019. Ato punime që, mbetën të pakryera nga koncesionari, u mbyllën në 2021, për shkak se u shtynë nga pandemia në 2020.
Nga pasqyra financiare e vitit 2021 duken qartë se sa është investimi i kryer nga shitësit e koncesionit gjatë vitit 2020 dhe sa është pjesa që ka hedhur në zërin “ndërtim” Kastrati në vitin 2021. Në tabelën më poshtë, në vitin 2021, ku aeroporti ka qenë në duart e Kastratit janë investuar vetëm 141 milionë lekë. Ndërsa në 2020, ku projektet kryesore ishin investuar nga koncesionari kinez, janë investuar 740 milionë lekë.
Pra një diferencë prej 500 milionë lekësh më pak nga ana e Kastratit. Por, sërish një tjetër dokument nga pasqyrat financiare të TIA- tregojnë se pagesat për punimet e kryera ishin bërë nga vlera 740 milionë lekë e investuar më herët nga “Real Fortress Private Limited”. Vallë çfarë investimesh ka bërë Kastrati për aeroportin?!
Mashtrimi me investimin 100 milionë euro
Faktet më sipër tregojnë që Kastrati nuk ka imvestuar 38 milionë euro sikur e reklamoi kryeministri, por vetëm po shfrytëzon mirë kontratën 35- vjeçare që i është bërë dhuratë.
Kujtojmë se, mё 18 prill 2016, Kuvendi i Republikës sё Shqipërisë aprovoi zgjatjen e Kontratës sё Koncesionit me 2 vite shtesё, d.m.th. qё data e përfundimit shtyhej mё 23 prill 2027. Ky vendim u publikua nё Fletoren Zyrtare mё 29 qershor 2016 dhe hyri nё fuqi mё 15 korrik 2016. Më tej, më 8 shkurt 2021, Parlamenti i Shqipërisë propozoi zgjatjen e afatit të Kontratës së Koncesionit edhe për 13 vite të tjera. Kjo nënkupton se afati i maturimit të kësaj kontrate është shtyrë deri më datë 23 prill 2040.
Në vendim thuhet se, Shoqëria ka si detyrim të mirëmbajë pistën e uljes së avionëve sipas Shtojcës Nr. 23 të Kontratës së Koncesionit. Si rezultat i rishikimit të planit të investimeve kapitale në planin afatgjatë të kryer gjatё vitit 2019, Shoqëria koncesionare ka vlerësuar qё shuma e nevojshme pёr kёtё mirëmbajtje ёshtё 5.5 milionë Euro.
Gjatё vitit 2021, Shoqëria e re koncesionare (Kastrati) ka kryer njё rishikim tjetër tё vlerёs sё parashikuar. I cili rezulton që vlerat e ngritura deri në fund të vitit 2019 nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar kostot e nevojshme për kryerjen e këtyre punimeve. Si rrjedhojë, provigjoni është rritur në shumën 7.1 milionë euro. Një pjesë e punimeve me fond të paracaktuar që u bënë në 2019 janë kryer gjatë vitit 2021 dhe pjesa tjetër pritet të kryhet gjatë vitit 2022. Vallë, ku është investimi 100 milionë euro i premtuar nga Kastrati?
Lexo edhe : Skandal me kullat tek Sheratoni/ “Kastrati” s’ka paguar tarifën, e pavlefshme leja e ndërtimit
Discussion about this post