Nuk mjaftojnë çmimet më të larta në botë, por “Kastrati Group” dhe disa importues të naftës, po sjellin karburante të cilësisë së fundit. Gijotina. com zbulon se në vend po shitet naftë e ndaluar, analizat e karburanteve nuk bëhen sipas ligjit, kontrollet nga Inspektoriati Shtetëror janë të pakta, si dhe Laboratori i Doganave për këto kontrolle është i paakredituar.
Rikthehet importi i naftës D2
Nga 1 janari 2009 është ndaluar me ligj përdorimi për automjete dhe gjeneratorë i naftës D2 në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg). Ky është një detyrim i MSA-së me BE-në dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Por Kastrati si çdo ligj tjetër, e kapëercen me ndihmën e qeverisë.
Në buletinin e datës 14 nëntor 2022 të publikuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, janë publikuar të dhënat e naftës që importohet në vendin tonë. Vihet re se në Doganën tonë, përmes Portit të dhënë me koncesion Kastratit në Porto Romano, hyn naftë e kategorisë D2. Kjo tregohet e shënuar tek tabelat e importit dhe çmimet e karburanteve.
Sigurisht importuesi i saj është kompania që ka krijuar monopol në treg, “Kastrati Group”. Kjo shpjegon arsyet pse automjetet në kur djegin karburant ndotin mjedisin me tymin e zi. Jo vetëm që po prish automjetet, por po shkakton sëmundje të rënda tek popullsia.
Kështu, Çeti e merr naftë me çmim më të ulët për cilësinë e dobët dhe e shet me çmim stratosferë duke ia kaluar edhe bursës. Por, për çmimet justifikohet se ka “bordin” e Qeverisë Rama. Ja të dhënat zyrtare të importit të karburanteve, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në datën 14 nëntor 2022, ku shënohet Naftë D2:
Naftë kontrabandë
Edhe raporti i Ministrisë së Financave mbi koncesionarin “Për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve”, e pranon se ka abuzime. Sipas raportimeve, aktiviteti koncesionarit ka vijuar normalisht edhe gjatë vitit 2021. Gjatë këtij viti, janë markuar 762.295.630 litra karburant dhe janë kontrolluar 3,448 pika në terren, prej ku 27 raste janë evidentuar me shkelje. Konkretisht në këto raste është konstatuar naftë kontrabandë ose përzierje me lëndë të paligjshme. Këto janë falsfikime të standardeve të cilësisë kryesisht përmes përzierjes së karburanteve me produkte hidrokarbure të rënda me përmbajtje të lartë zifti, vajrash dhe squfuri.
Për këtë shkak, konstatohet se, vlera e investimit nuk është realizuar plotësisht, për shkak të mosrealizimit ende të markimit të naftës bruto dhe mosmonitorimit të produktit. Për ta shpjeguar, kjo do të thotë se nafta bruto, solari apo mazuti mund të qarkullojnë lirshëm, të përzihen me dizelin e importit dhe të shiten nëpër pikat e karburanteve.
Çfarë është ky koncesion?
Me anë të këtij koncesioni detyrohen kompanitë importuese dhe prodhuese të naftës në vend të marrin nga e vetmja kompani koncesionare shënjuesin (bojën), kundrejt pagesës 6.5 euro për 1 mijë litra. Kjo tarifë, e llogaritur me sasitë e karburanteve të qarkulluara në tregun tonë, pritet të gjenerojë për subjektin monopol të këtij shërbimi më e pakta 150 milionë euro.
Në vendimin e qeverisë Berisha botuar në Fletoren Zyrtare më 12 prill 2013, thuhet: “Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G”.
Lufta e “Kastratit” për neutralizmin e kontrollit nga Koncesioni i markimit
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila kontrollohet nga “Kastrati Group” ka ngritur asokohe një padi në Gjykatën Kushtetuese, gjoja se po krijohej monopol i bojës që përdoret për markimin.
Sipas kushteve të kontratës së koncesionit, “Kontrata është nënshkruar për një periudhë 10 vjeçare, duke i dhënë të drejta ekskluzive koncesionarit, shoqërisë GFI Albania shpk për ofrimin e këtij shërbimi. Sipas kontratës, shërbimi i markimit konsiston në injektimin e markeuesit tek karburantet, ndërsa shërbimi i monitorimit konsiston në kontrollin për shmangien e evazionit fiskal të subjekteve që operojnë në këtë sektor”.
Për këtë pikë, Shoqata e Hidrokarbureve në padinë e saj pretendoi anti-kushtetueshmërinë e VKM-së, pasi detyrimi për të realizuar markimin pranë koncesionit si subjekt i vetëm për këtë shërbim cenon konkurrencën dhe krijon pozitë dominuese në treg. “Sipas ligjit për markimin, shteti mund të krijojë situatë monopol te një veprimtarie ekonomike të ushtruar prej tij, por jo te privati”, argumenton Shoqata në padinë e saj.
Nga ana e tyre, dy kompanitë koncesionare “Global Fluids International” dhe “Petroleum Consulting Partners” kanë kundërshtuar pretendimet e ankimuesve me argumentin që nuk cenohet liria ekonomike dhe që kontrata e firmosur e koncesionit është akt individual dhe është jashtë juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata vendosi të hedhë poshtë kërkesën e Shoqatës së Hidrokarbureve, e mbojtur në atë kohë nga një eksponent i Partisë Socialiste, Alket Hyseni në rolin e studion së avokatisë. Megjithatë, koncesionari mori mesazhin politik, që të vazhdonte të njyroste karburantin, por të mos turbullonte punët e “Kastratit”.
ISHTI nuk zbardh falsfikimet e cilësisë së karburanteve
Deri në këtë pikë që flasim, të dhënat e institucioneve bien në kontradiktë me njëra-tjetrën. Pasi Ministria e Financave ka konstatuar probleme me cilësinë e naftës, ndërsa Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial, me shkresën e lëshuar për “Kastratin” në 22 gusht 2022 je jep “fletë lavdërimi” për cilësinë. Aty nënvizohet se nuk është konstatuar asnjë shkelje për cilësinë e karburanteve nga viti 2021 deri në datë 19.08.2022. Prandaj nuk ka marrë asnjë masë për “Kastratin”. “Nga të dhënat që disponohen në Institucionin Tonë, rezulton që Operatori ekonomik, “KASTRATI” SH.P.K, me NIPT J61813529P , rezulton se nuk ka asnjë masë administrative për shkelje cilësisë së karburanteve, deri ne date 19.08.2022”, thuhet në certifikatën e lëshuar nga ISHTI.
Ndërsa po në një informacion tjetër, gjithashtu zyrtar të dhënë nga ISHTI me datë 10 shkurt 2022 për mediat, në lidhje me numrin e gjobave të vëna nga 2017-2021 për cilësinë e naftës, dalin në dritë të dhëna të tjera. Në këtë informacion rezulton se të paktën gjatë vitit 2021 janë vendosur 4 gjoba mungesë të cilësisë së karburanteve që importohej në tregun vendas.
“Analizimi i mostrave të produkteve të tregtimit Gazoil dhe Benzinë. Gjatë vitit 2017 janë mbajtur 32 sanksione me gjobë për shmangie të cilësisë së karburanteve. Gjatë vitit 2018 janë mbajtur 18 sanksione me gjobë për shmangie të cilësisë së karburanteve. Gjatë vitit 2019 janë mbajtur 11 sanksione me gjobë për shmangie të cilësisë së karburanteve. Gjatë vitit 2020 janë mbajtur 10 sanksione me gjobë për shmangie të cilësisë së karburanteve. Gjatë vitit 2021 janë mbajtur 4 sanksione me gjobë për shmangie të cilësisë”, thuhet në raport.
Laboratorit të Doganave i paakredituar!
Skandali me cilësinë së karburantev vuloset me një tjetër fakt: Laboratori i Doganave që kontrollon produktet e naftës para futjes përmes portit të “Kastratit” në Porto Romano është akutualisht i paakredituar. Pra, ky laborator po funksionon formalisht.
Në foton me poshtë duket qartë se Laboratorit i ka mbaruar akreditimi para një muaji, me 24 tetor 2022. Ndërkohë që në këtë dokument përcaktohet se, për arritjen e standardeve të këtij Laboratori, si në modernizimin e aparaturave dhe në trajnimin e punonjësve, janë investuar në total rreth 2.3 milionë euro nga BE dhe Qeveria Shqiptare.
Këto para po shkojnë dëm pasi cilësia e karburanteve në treg nxjerr zbuluar që analizat nuk kryhen, por mbushen shkresat formalisht, ashtu si i dëshiron “Kastrati” dhe disa oligarkë të tjerë të importit të karburanteve.
Edhe KLSH nuk e fsheh skandalin
KLSH ka treguar se edhe laboratori i Inspektoriatit ISHTI nuk funksionon për kontrollin e karburanteve. Raporti i KLSH i vitit 2018 zbulon skandalin me analizat e këtij laboratori. Pas autidimeve KLSH ka ngritur pyetjen; A i ka shërbyer laboratori i ISHTI-it rritjes së cilësisë së karburanteve? Nga ku rezultuar se, jo. KLSH konstaton se nga viti në vit është rritur përzierja e naftës me lëndë të jashtëligjshme, si dhe tregtimi i naftës D2, i ndaluar ligjërisht në tregun vendas.
“Nga luhatjet e përmbajtjes së squfurit prej 1 % e lart në vitin 2015, i cili rezultonte në 6.3 % të totalit të analizave jashtë standardit, pothuajse trefishohet në 2016 dhe është treguesi më i lartë në 2017, i cili përfaqëson 45.5 % të mostrave me tregues jashtë standardit, që mund të tregojë për një mos-orientim të mirë të punës midis DING dhe DLQK”, thuhet në raport.
Nga KLSH është konstatuar se Laboratori i ISHTI nuk ka nxjerrë rezultate analizash për këto raste, ku kemi të bëjmë me nivel rrezikshmërie të lartë. Prandaj këshillon që ISHTI të përqendrojë aktivitetin e tij për mostër-marrjen rastësore në subjektet që konsumojnë lëndë djegëse, duke marrë masa të ashpra ndëshkuese ndaj atyre me tregues jashtë standardit deri në mbylljen e tyre. Gjithashtu DLQK (Drejtoria e Kontrollit të Cilësisë së Karburanteve) duhet të bashkëpunojë me drejtoritë e tjera për të analizuar shkaqet e prirjes së këtij treguesi.
Duke parë, se otapodi “Kastrati” i ka kapur për gryke Ministrinë e Financave, të Energjisë, Doganat, ISHTI-në, koncesionarin e ngjyrimit, nuk ka asnjë dyshim se tymi që na djeg sytë nëpër rrugë e ka origjinën “Made in Kastrati”. / Esmeralda Hida/
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post