Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, para interesit të qytetarëve që duhet të përfaqësojë, zgjodhi që tokën t’ia falë familjes se Fatmir Xhafajt, veprim të cilin KLSH e cilëson shkelje të rëndë e deri në grabitje të pronës shtetërore.
Për 70 mijë metra katrorë tokë që iu morën banorëve të zonës dhe iu dhanë dy kompanive Dion Energy dhe Amel Energy, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një audit të posaçëm në vitin 2022 dhe ka konstatuar paligjshmëri të plotë, favorizim dhe deri në kryerje veprash penale nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, që për t’u dhënë tokën ka përvetësuar kompetencat e qeverisë dhe Ministrit të Ekonomisë.
Auditimi Financiar dhe i Përputhshmërisë shtrihet në periudhën 01.01.2022 – 31.12.2022, ku janë kontrolluar edhe 15 kontrata qeraje për tokat publike të lidhura nga Bashkia Fier me subjekte private për ndërtimin e Centraleve Fotovoltaike.
Të gjitha kontratat janë lidhur në kundërshtim flagrant me ligjin dhe VKM 54 e cila përcakton procedurën e dhënies me qera të tokave, por mbi të gjitha përcakton edhe autoritetin që mund t’i lidhë këto kontrata. Në këtë emision do të trajtojmë me detaje pasuritë 288/7 dhe 288/8 dhe kontratat e lidhura nga Bashkia Fier me Amel Energy dhe Dion Energji, objekt investigimi i këtij emisioni.
Kontrata e lidhur me shoqërinë “Dion Energji”, ku pronarë janë të afërmit e Fatmir Xhafajt, është nënshkruar në maj të vitit 2022, ku përfshihet dhënia me qera për 20 vjet e një sipërfaqe prej 35,245 m2 ose 3,5 ha ranishte, në pronësi shtet. Nga auditimi i KLSH konstatohet se dhënia me qira e pasurisë me nr. 288/7 është dhënë pa miratuar nga Këshilli Bashkiak Fier.
Për të shmangur pengesën e marrjes së një vendimi nga Këshilli Bashkiak, Armando Subashi dhe Kompania Dion Energji kanë përdorur si referencë një prej vendimeve të Këshillit Bashkiak nr. 101 datë 19.12.2017 “Për miratimin e fillimit të procedurave të dhënies me qira të sipërfaqeve tokë pa frut në Fshatin Sheq Marinas, Njësia Administrative Topojë, Bashkia Fier”.
Por nga verifikimet, konstatohet se sipërfaqja e tokës që i është dhënë me qera kësaj kompanie, as nuk rezulton si pjesë e listës së sipërfaqeve të tokës për të cilat Këshilli vendosi që të jepen me qera.
Siç citohet në Raportin e KLSH, është e qartë se Këshilli Bashkiak nuk ka miratuar dhënien me qera të pasurisë 288/7 dhe Kryetari i Bashkisë Armando Subashi ka lidhur një kontratë në kundërshtim me ligjin për Vetëqeverisjen Vendore. Por shkeljet nuk përfundojnë me kaq. Raporti vijon me gjetje edhe më skandaloze të cilat duhet ta çonin në pranga kryetarin e Bashkisë e jo më në një mandat të 3-të.
KLSH relaton:
Nuk janë ngritur grupe pune nga titullari për vlerësimin e dokumentacionit për dhënie me qira të pronës sipas zërave, veprime në kundërshtim me udhëzimin nr. 12 datë 30.07.2018 në zbatim të tij.
Nuk ka relacione për miratimin e dhënies me qira, është përcaktuar çmimi/lekë në vit. Në zbatim të VKM nr. 54/2014, sipas Kreu III, pika (c), për tokat e pafrytshme, sipas përkufizimit të ligjit nr. 8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, tarifat dysheme të qirasë mujore duhet të jenë të njëjta me ato për tokat bujqësore.
Në mungesë të procedurave të sipërcituara, me shkresën nr. 9444/1, dt. 18.12.2020, është nënshkruar një Akt-Marrëveshje midis Bashkisë Fier, përfaqësuar nga Kryetari i Bashkisë z. Armando Subashi dhe z. Spartak Isakaj, administrator i shoqërisë “Dion Energji” Sh.P.K. Nënshkrimi i kësaj Akt-Marrëveshje është në kundërshtim me VKM nr. 54, që përcakton se të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë dhe të përcaktimit të afateve të dhënies me qira e ka ministria për ekonominë.
Sipas kësaj VKM-je, Bashkia Fier dhe Armando Subashi kanë për detyrë përgatitjen e dokumentacionit për gjendjen e tokës që do të jepet me qera dhe pas kësaj i adresohen Ministrisë së Ekonomisë, që është organi që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore. Por e gjithë kjo procedurë ligjore është shmangur dhe ka vijuar me mbylljen e procedurave dhe firmosjen e kontratës për t’i dhënë pronën shtetërore kompanisë Dion Energji.
Gjithashtu, nga Bashkia nuk janë respektuar kërkesat e Udhëzimit të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 13, datë 26.4.2018 “Për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 54, datë 05.02.2014 ‘Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore’, të ndryshuar”, pika 17, ku përcaktohet:
“Në zbatim të pikës 6-c të kreut I të VKM-së, institucioni që përgatit dokumentacionin merr konfirmimin se pasuria është ‘tokë e pafrytshme’ nga Drejtoria e Administrimit të Mbrojtjes së Tokës në Qarkun përkatës. Tokat e pafrytshme lejohet të jepen me qira për qëllime blegtorale, bujqësore, kulturore, industriale etj., sipas objektit të veprimtarisë së subjektit qiramarrës. Të drejtën e lidhjes së kontratës për pasurinë ‘tokë e pafrytshme’ e ka ministria përgjegjëse për ekonominë”.
Por ligjet dhe vendimet e Këshillit të Ministrave të shkelura për këtë rast duket se janë të pafundme. Sipas Raportit të KLSH-së, kompania Dion Energji, që mori 35 mijë metra katrorë sipërfaqe tokë shtetërore, as nuk kishte plotësuar dokumentacionin e nevojshëm. E kjo vërtetohet edhe nga leja e marrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që i dha lejen me kusht që për 6 muaj duhet të plotësonte kushtet e mëposhtme:
(Lista e kushteve – e korrigjuar sipas drejtshkrimit):
Shoqëria “Dion Energji” Sh.P.K ka marrë Miratimin Paraprak nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me nr. 3095/3 dt. 30.12.2021 për ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet të instaluar 2 MW dhe vepra ndihmëse. Për vazhdimin e procedurave të mëtejshme për pajisjen me autorizim dhe lejet përkatëse, duhet që brenda 6 (gjashtë) muajve të përfundojë dhe dorëzojë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dokumentacionin si më poshtë vijon:
- a) studimin e plotë të fizibilitetit teknik, ekonomik, financiar, mjedisor e social, bazuar në të dhëna dhe matje reale të kryera në zonat e zbatimit të projektit;
b) planin e biznesit të projektit;
c) grafikun e zbatimit të projektit;
ç) miratimin e OST-së ose OSSH-së për pikën e lidhjes me rrjetin e transmetimit ose të shpërndarjes;
d) lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore;
dh) dokumentacionin ligjor, në përputhje me Kodin Civil, që provon marrëdhënien afatgjatë mbi pasurinë që do të përdoret për ndërtimin e burimit gjenerues.
Por këto kritere të vendosura nga Ministria e Infrastrukturës, me VKM të Këshillit të Ministrave, janë gjithashtu kusht që kjo kompani të konsiderohej si pretendente për të përfituar tokën me qera. KLSH konstaton se kontrata mes Armando Subashit dhe Dion Energji është firmosur më 30.05.2022 e për pasojë nuk ka plotësuar pikërisht kushtet që Ministria e Infrastrukturës i kishte kushtëzuar lejen për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik.
Shihet qartë se Armando Subashi nuk ka pyetur jo vetëm për procedurën ligjore të përcaktuar në VKM 54 dhe Udhëzimin e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 13, por mbi të gjitha ka marrë kompetencat e Ministrit përgjegjës për Ekonominë, pasi sipas VKM është i vetmi AUTORITET që mund të lidhë kontratat për tokat PAFRYT, ku hyjnë edhe tokat e përcaktuara si RANISHTE. E për më tepër, kur kompania Dion Energji nuk kishte plotësuar ende kushtet e nevojshme për ta përfituar atë pronë.
E njëjta situatë është dhe me pasurinë tjetër 288/8 dhe kontratën e lidhur me Amel Energy të bashkëshortes së Artan Sakos. E për habi tonën, por që do duhet të hetohet mirë nga SPAK, kontrata e “Dion Energji” ku ortak janë Artan Sako dhe familjarët e Fatmir Xhafaj, është lidhur në datën 30.05.2022, kurse kontrata e komshiut “Amel Energy” në pronësi të gruas së Artan Sakos është lidhur në datën 31.05.2022. Çka për ne është e qartë se këto dy impiante janë miratuar për të funksionuar si të ndarë, por realisht do të jenë një impiant i vetëm dhe e gjithë kjo piruetë bëhet vetëm që këto kontrata të lidhen me firmën e Belindës, pa pasur nevojën për procedura shtesë.
Por vijojmë me gjetjet e KLSH për kontratën e lidhur nga Armando Subashi me “Amel Energy” sh.p.k.
Edhe në këtë rast, sipërfaqja e pronës shtetërore është e njëjtë — 35 mijë metra katrorë apo 3.5 hektarë — dhe janë dhënë me qera për 20 vite. Nga auditimi i KLSH konstatohet se dhënia me qira është bërë gjithashtu pa miratuar nga Këshilli Bashkiak Fier. Edhe në këtë rast, sërish ka falsifikim të vendimit të Këshillit Bashkiak, pasi në kontratë përdoret një vendim Këshilli për dhënie tokash me qera që s’ka asnjë lidhje me sipërfaqen në objekt investigimi.
Sipas KLSH-së, kontrata e lidhur me shoqërinë “Amel Energy” Sh.P.K dt. 31.05.2022 me afat 20 vjet, është në kundërshtim me nenin 54 pika e, të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” ku citohet: “Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të të tretëve.”
Pra edhe në këtë rast, Armando Subashi ka lidhur një kontratë qeraje për një pronë publike pa marrë miratimin e Këshillit Bashkiak.
KLSH:
– Nuk janë ngritur grupe pune nga titullari për vlerësimin e dokumentacionit për dhënie me qira të pronës sipas zërave, veprime në kundërshtim me udhëzimin nr. 12, datë 30.07.2018.
– Nuk ka relacione për miratimin e dhënies me qira për përcaktimin e çmimit / lekë në vit.
Në mungesë të procedurave ligjore, me shkresën nr. 9526/1, dt. 18.12.2020, është nënshkruar një Akt-Marrëveshje midis Bashkisë Fier, përfaqësuar nga Kryetari i Bashkisë z. Armando Subashi, dhe z. Elian Shena, administrator i shoqërisë “Amel Energy” Sh.P.K.
Nënshkrimi i kësaj Akt-Marrëveshje është në kundërshtim me VKM nr. 54, datë 05.02.2014, Kreu I, pika 6, ku përcaktohet se “Të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë dhe të përcaktimit të afateve të dhënies me qira e ka Ministria për Ekonominë.”
Si edhe në rastin e kontratës së lidhur me kompaninë “Dion Energji”, edhe kompania “Amel Energy” nuk kishte plotësuar ende dokumentacionin e nevojshëm që të hynte në procedurën e marrjes së tokës me qera. Por edhe në këtë rast, Armando Subashi duket se ka mbyllur të dy sytë dhe ka firmosur kontratën, pa menduar se ky veprim e bën atë subjekt të SPAK.










Discussion about this post