Nga objektivat e Kombëtares në eliminatoret e Euro 2024, e ardhmja e trajnerit të Kombëtares, organizimi i suksesshëm i UEFA Conference League në Tiranë apo te revolucioni i futbollit të femrave dhe deri të inaugurimi i Shtëpisë së Futbollit.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për televizionin “Klan News” ku ka bërë një analizë të gjatë për kombëtaren, por ka folur edhe për zhvillimin e futbollit shqiptar e veçanërisht për projektet e mëdha të FSHF-së, që synojnë të transformojnë futbollin, siç janë Uniforma Ime apo edhe projekti 100 fushat që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në infrastrukturë.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka komentuar edhe vizitat e Presidentëve të UEFA-s e FIFA-s në Shqipëri, duke theksuar se tashmë Shqipëria e futbollit është një faktor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Opinionet e para për shortin e europianit i morëm, por tani pak ditë më pas me një gjykim të ftohtë, ndoshta edhe me konsultimet që mund të keni patur me stafin drejtues të kombëtares, si mund ti parashikoni ndeshjet? Shorti është një anë e medaljes, vetëm fillimi i maratonës për të shkuar deri në fund të kualifikueseve dhe për aq sa i takon shortit mendoj se na ka favorizuar, rivalet nuk janë të niveleve të papërballueshme apo të pathyeshme për objektivin që duhet të ketë kombëtarja shqiptare.
Mund të ishte akoma më i fortë, mund të kishte skuadra të nivelit më të lartë me histori të lavdishme apo me më shumë trofe si për shembull Anglia, Franca apo në të njëjtin grup edhe me Italinë, që do ta bënte objektivin të pamundur. Por kjo nuk do të thotë se shorti na ka çuar në finalet e Europianit. Shorti është një aspekt që na jep më shumë arsye dhe më shumë forcë për të synuar atë objektivin tonë për Euro 2024.
Ishte gjithsesi i mbarë sa i përket nisjes së kualifikueseve. Jemi në Grupin E, kemi 8 ndeshje gjithsej, kemi Ishujt Faroe dhe Moldavia për shumëkënd duken të lehta, por nganjëherë këto skuadrat e vogla na kanë hapur probleme… . -Janë shtatë grupe që kanë nga 8 ndeshje, kështu që nuk është ndonjë favor i madh. Padyshim që do të ishim disi më të favorizuar se në të shkuarën, sepse Shqipëria ishte në vazon e tretë këtë herë, kështu që nuk mund të kishte më shumë se sa dy skuadra më të forta se ne në grup dhe sy skuadra në të dobëta, por kjo është vetëm në letër.
Tani duhet shumë punë në fushë, duhet që të mobilizohemi totalisht dhe të tregojmë që vërtetë jemi ajo skuadër që kemi ato vlera në letër apo akoma më shumë për objektivat që ne kemi për të shkuar më përpara. Asnjë nuk mund të konsiderohet skuadër më e dobët, as Ishujt Faroe apo Moldavia, ato kanë skuadra që mund të arrijnë rezultate nëse nuk je në nivelin e duhur, nëse nuk ke mobilizimin maksimal, nëse nuk ke formën më të mirë të futbollistëve.
Së fundmi Ishujt Faroe kanë fituar një ndeshje edhe kundër Turqisë ashtu sikurse kanë humbur dhe ndeshje të tjera. Polonia dihet që është ekipi më i fortë i grupit dhe pjesëmarrës në Botëror, me të cilën jemi përballur në eliminatoret e Botërorit, por rezultatet që patëm ndaj Polonisë nuk besoj se i përgjigjen asaj që prodhoi fusha e lojës. Kjo na bën që të mendojmë se mund të arrijmë më shumë. Në futboll nëse hyn në fushë si ushtar mund të dalësh si gjeneral, por nëse hyn si gjeneral del më keq se sa ushtar.
Qëndrojmë të aspekti i parashikimeve pak a shumë nëse këto dy skuadra janë të lehta në letër, pasi me dy të tjerat, Poloninë dhe Republikën Çeke jemi ndeshur dhe kanë më shumë eksperiencë. Me cilat mendoni se mund të rivalizojmë e që realisht mund t’i marrim pikë? Dy skuadrat që konsiderohen në letër më pak kualitative se Shqipëria nuk janë për t’u nënvlerësuar. Objektivi i tyre në këtë edicioni do jetë që t’i marrin pikë Shqipërisë ose të fitojnë ndaj nesh, pasi besoj se e konsiderojnë më pak të mundur marrjen e pikëve ndaj Polonisë dhe çekisë dhe nga kjo ne duhet të kemi shumë kujdes, nuk duhet të bëjmë asnjë hap fals.
Padyshim që Polonia dhe çekia do përballen edhe me njëra-tjetrën, do përballen edhe me Shqipërinë dhe unë uroj që të lënë pika edhe me Ishujt Faroe apo Moldavinë. Por nga ana tjetër ne nuk duhet të bëjmë asnjë hap fals ndaj Ishujve Faroe dhe Moldavisë. Do ta nisim edicionin ndaj Polonisë dhe mendoj se është më mirë, pasi ndeshja e parë kundër më të fortit në grup të jep më shumë mobilizim për kompeticionin padyshim, nuk është se të duhet një punë e madhe për të mobilizuar skuadrën, pasi me emrin e kundërshtari e ka mobilizimin maksimal.
Flasim për objektiva. Nëse ata kanë objektiv të na marrin pikë edhe ne sigurisht duam të arrijmë sa më shumë, siç kishim edhe objektiva në Ligën e Kombeve. Ky edicion i fundit nuk na doli ashtu siç e prisnim apo siç e kishim parashikuar…. -Padyshim që Polonia mendon që të ketë 6 pikë me Shqipërinë, të njëjtën gjë mendon edhe çekia. Objektivi ynë është i njëjtë, por në ndeshjen e parë është shumë e rëndësishme që ne të mos humbasim në Poloni. Të mos e nisim me 0 pikë garën pasi kemi edhe dy ndeshje të tjera ku në letër mund të marrim 6 pikë dhe shkojmë në shtator me 7 pikë dhe me më shumë pretendime për të pasur një vend të parë apo të dytë, që do të thotë një kualifikim të mundshëm në Gjermani 2024.
Gjithsesi, si do ta vlerësonit paraqitjen e Shqipërisë në edicionin e fundit të Ligës së Kombeve? Kishte faza të këqija dhe të mira, momente pozitive dhe negative. Kishte dhe pak mungesë fati, pasi kishim shumë mungesa gjatë ndeshjeve, gjë që vjen edhe nga fakti që futbollistët tanë luajnë nëpër klubet e tyre si titullarë, madje në ekipe të forta dhe duke pasur ka shumë ndeshje në klubet e tyre padyshim ka edhe më shumë dëmtime, gjë që na dëmton edhe neve. Krahasimisht me të shkuarën kur luanin më pak dëmtoheshin më pak dhe vinin më pak të lodhur në dispozicion të ekipit kombëtar.
Pra, mungesat bënë që të kishim rezultate më pak të pritshme, nga ana tjetër kishim më pak fat se sa të tjerët, pasi pësuam dy herë gol në minutat e fundit, qoftë në Tiranë e qoftë në Tel Aviv, por kishte të mirat dhe të këqijat e veta ky edicion. Nëse do t’i marrim të gjitha ndeshjet e Ligës së Kombeve, bëmë ndeshje shumë të mira me Islandën, por morëm vetëm dy pikë, teksa unë mendoj se meritonim gjashtë. Ndërsa me Izraelin në transfertë të paktën duhet të merrnim një pikë dhe pësuam gol për gabimet tona në minutat e fundit. Nuk arritëm objektivin, por nuk mund të them se skuadra nuk bëri edhe gjëra të mira në këtë edicion.
Lojtarët në fund të ndeshjes ia vunë fajin disi edhe frymës së grupit, që ende nuk është krijuar. Nëse ne kemi lojtarë klasi, janë më individualistë se sa të bashkuar në grup siç ndodhi ndoshta në eliminatorët e Francë 2016. -Kur nuk ka rezultat emocionet apo mërzia akoma pa u tharë djersa janë të mëdha dhe nuk mendoj se deklaratat e tyre duhen marrë si një analizë e qenësishme pas ndeshjes. Padyshim të gjithë e dimë dhe lojtarët e dinë, që jo vetëm ekipi Kombëtar, por futbolli duke qenë një sport kolektiv kërkon impenjim maksimal dhe bashkëpunim maksimal. Pra, duhet jo vetëm kualitet, por duhet të vraposh shumë, të ndihmosh shokët, të bësh të pamundurën për të bërë qoftë edhe një milimetër më shumë në fushë, jo më një centimetër apo një hap dhe nëse dikush nga futbollistët nuk e kë bërë këtë, në momentin që sapo kanë dalë nga fushë patjetër që dikush nga lojtarët mund të jenë të mërzitur.
Unë nuk mendoj që është faji i vetëm një individi që ne nuk fituam apo nuk zumë vendin e parë apo të dytë në grup, por është faji i të gjithëve. Kjo është një lojë kolektive dhe faji është kolektiv, kështu që të gjithë bashkë duhet të bëjmë më mirë për të pasur rezultate më të mira. Sigurisht na duhet edhe pak më shumë fat.
Kur flasim për arritje vlerësojmë të gjithë skuadrën, nga i pari tek i fundit. Por kur flasim për ndeshje të humbura të gjithë drejtojmë gishtin tek trajneri. Ju personalisht kujt ia drejtoni gishtin apo a e mendoni në këtë mënyrë? – Kështu ndodh në përgjithësi në futboll, kur ka fitore merita është e futbollistëve, kur ka humbje më shumë faji kërkohet te trajneri që nuk ka arritur t’i mobilizojë apo t’i marrë maksimumin futbollistëve në fushë. Kështu që nuk është ndonjë gjë e veçantë. Nëse do të flasim për trajnerin e Kombëtares, nuk ka bërë vetëm një edicion në Ligën e Kombeve, por dy të tilla në drejtimin e Shqipërisë. Me Edi Rejën në njërin edicion kemi dalë në vendin e parë në grup dhe është ngjitur në Ligën B, por këtu shkalla e vështirësisë është akoma më e madhe, nuk mund të jetë e njëjta. Pavarësisht mërzisë së të gjithë neve, të trajnerit, të futbollistëve, timit personal apo të çdo tifozi shqiptar që nuk arritëm në vendin e parë të grupit, por nuk duhet të harrojmë që ishim në Ligën B dhe u renditëm në përfundim të edicionit në vendin e 27-të në Europë.
Nga kjo renditje u bë edhe shorti i eliminatoreve të Europianit, duhet të kemi parasysh që në renditje kishte poshtë nesh skuadra me histori në futboll, me rezultate të kënaqshme, pjesëmarrëse në kompeticionet europiane apo botërore, si Suedia, Rumania, Greqia, Turqia apo Maqedonia e Veriut, që u shortuan në vazo më të ulëta. Nuk arritëm objektivin, por unë do ta konsideroja sukses që Kombëtarja e futbollit aktualisht është në vendin e 27-të në Europë.
President më lejoni t’iu bëj një pyetje të drejtpërdrejtë, pasi shumë tifozë shqiptarë janë kuriozë rinovimit të mundshëm ose jo të kontratës së trajnerit Edy Reja. – Ne kemi tani edhe tre ndeshje miqësore që duhet t’i bëjmë dhe pas ose edhe para ndeshjes me Italinë do të ulemi me trajnerin dhe të bisedojmë për të ardhmen, qoftë për të vazhduar një kontratë të mundshme për eliminatoret e Euro 2024 apo për ta ndërprerë atë. Unë kam thënë gjithmonë fjalë pozitive për trajnerin, vazhdoj të them të njëjtën gjë, jo vetëm në aspektin profesional dhe sportiv, por edhe në aspektin human dhe të marrëdhënieve njerëzore, siç ka edhe marrëdhënie fantastike për ekipin.
Është një njeri që i kupton shumë mirë situatat dhe unë nuk besoj se ne do të kemi vështirësi për të arritur një konsensus për të mirën e ekipit Kombëtar në të ardhmen. Pavarësisht të gjitha kritikave dhe hamendësive, më vjen mirë që trajneri sillet sikur do të jetë në këtë post edhe për 20 vitet e ardhshme. Kështu që kjo është vërtetë profesionalizëm, pavarësisht nëse ndërpritet apo jo kontrata, ai është profesionist deri në sekondën e fundit dhe do të bëjë maksimumin për të ndihmuar ekipin që të rritet nga pikëpamja sportive e në të gjitha këndvështrimet.
Shpesh herë dëgjojmë opinione që ka ardhur koha për trajner shqiptar. Këtë refren duhet ta keni dëgjuar ju më shumë se kushdo tjetër. A ka Shqipëria kandidatë që të plotësojë kriteret e mundshme të FSHF për postin e trajnerit të kombëtares? – Padyshim që ka në nivelin teknik trajnerë që kanë arritur suksese në futbollin shqiptar, pak në futbollin ndërkombëtar, por dhe vetë ndonjë nga ata nuk arrijnë të marrin përgjegjësi, sepse ne kemi bërë edhe diskutime me trajnerë të ndryshëm në Shqipëri dhe nuk arrijnë të marrin përsipër barrën e ekipit Kombëtar. Vërtetë është e rëndësishme dhe përveç kësaj kërkon një eksperiencë ndërkombëtare në kompeticione ndërkombëtare. Gjithsesi nuk është e thënë që trajneri do të jetë Edy Reja ose jo, do të jetë shqiptar apo i huaj në të ardhmen.
Apo sërish italian? Sepse kjo është një tjetër pyetje që bëhet shpesh, një pëlqim i juaji i veçantë për trajnerët italianë ose ndoshta është rastësi? A do të ndryshojë muzika këtë herë? – Në fakt ne kemi pasur trajnerë të kombësive të ndryshme, por në fakt italianët na përshtaten pak më shumë për arsye sepse kemi pothuajse gjysmën e skuadrës aktualisht që luan në Itali. Kemi më shumë se 60% të skuadrës që flet italisht kështu që është disi më e përshtatshme dhe më afër skuadrës, më afër mentalitetit të tyre, sepse duke luajtur në kampionatin italian padyshim kanë edhe një mentaliteti më të përafërt. Por nuk është e thënë asnjëherë që duhet të jetë trajner italian, zviceran, shqiptar apo gjerman.
Në fakt, FSHF nuk ka pasur ngjarje vetëm sa i përket aktivitetit të ekipit Kombëtar, por kemi pasur finalen UEFA Conference League që u zhvillua me sukses në Tiranë. Me herët kemi pasur për vizitë Presidentin e UEFA-s apo së fundmi edhe vizitën e Presidenti të FIFA-s, Infantino. Sa është rritur FSHF në këto vite të fundit dhe a jemi tashmë faktorë të rëndësishëm në Europë? – Unë mendoj që Shqipëria tashmë është vërtetë një anëtare e denjë e FIFA-s dhe UEFA-s e është një anëtare e denjë e futbollit europian e botëror, që ka vendin e vet në të gjitha këndvështrimet, qoftë edhe të bërjes së politikave të futbollit europian, qoftë dhe me kontributin sportiv. Duke qenë me një ekip kombëtar në vendin e 27-të apo kur kenjë ekip shqiptar vajzash që merr pjesë në fazën e grupeve të Champions League dhe për fatin e mirë të tifozëve shkodranë do të presin rivalë si real Madrid, PSG dhe Chelsea në një kohë që deri në vitin 2008 nuk kishim futboll vajzash.
Kemi ekipet kombëtare të vajzave që kanë marrë rezultatet pozitive, kanë bërë hapa shumë të mëdha përpara, jo vetëm Kombëtarja A. Ne tashmë kemi krijuar të gjitha kombëtaret e moshave për vajza, kemi Kombëtaren U-19 që sapo përfunduan një turne europian dhe u renditën në vendin e dytë në grup pas Rumanisë, pra ka hapa pozitive. Qoftë edhe vizitat e presidentëve të FIFA-s dhe UEFA-s tregojnë që Shqipëria llogaritet në futbollin europian dhe botëror, ndërsa finalja e Conference League e organizuar në Tiranë, një ngjarje historike jo vetëm për futbollin shqiptar, por ishte ngjarja më e bukur e viteve të fundit në Shqipëri. Kurrë Shqipëria nuk ka pasur rastin dhe fatin të organizojë një finale të tillë dhe të tregojë që jo vetëm FSHF, por e gjithë shoqëria shqiptare, dinë dhe janë të aftë të organizojnë gjithçka mirë. Mbase më mirë sa edhe Europa perëndimore apo Europa e zhvilluar.
Ne patëm një finale fantastike, nuk është një ngjarje që vjen shpesh, por ne do të vazhdojmë punën për të kërkuar të kemi në të ardhmen edhe aktivitete të tjera, në mos finalen Conference League mbase një finale të Superkupës së Europës apo finalet e një kampionati europian për moshat e reja. Sot ne kemi katër stadiume shumë të mira në të cilat mund të luhet një Europian për shembull i 19-vjeçarëve, pra kemi stadiumet e Shkodrës, Kukësit, Tiranës dhe Elbasanit të licencuara nga UEFA.
Padyshim që do të tentojmë dhe organizmi i kësaj finaleje na ka dhënë një pasaportë dhe një të drejtë për të kërkuar akoma më shumë. Kemi mundur edhe të gjithë skeptikët, të cilët mendonin se Shqipëria nuk mund të bëjë një finale të tillë ose dikush thoshte “ç’është kjo çmenduri që caktohet finalja në Tiranë? Ja që finalja erdhi në Tiranë dhe gjysma e Europës thanë “më mirë në Tiranë se sa në Paris”.
Edhe vetë Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, e ka përmendur gjatë një interviste të ditëve të fundit finalen e Conference League në Tiranë si një nga sukseset e këtij edicioni… – Zgjerimi i hartës së Europës për zhvillimin dhe organizimin e aktiviteteve të tilla të rëndësishme padyshim që është një kurajo e lidershipit të saj, që është Presidenti apo Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe pikërisht e kanë ndjerë si përgjegjësi. Mesazhi në deklaratën e Presidentit Ceferin është “ja që ne mund të bëjmë mirë në të gjithë Europën” dhe është një sukses padyshim, sepse ishin vetë drejtuesit e UEFA-s që na dhanë shansin ne të tregojmë veten.
U inaugurua së fundmi shtëpia e futbollit. Përgëzime për gjithë atë strukturë që do të jetë e dobishme për kombëtaret shqiptare dhe të gjithë futbollin e vendit. Ishte i pranishëm presidenti i FIFA-s Gianni Infantino. Pak muaj më parë erdhi edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin. Duket se organizmi i drejtuar nga ju ka një vëmendje të veçantë nga dy institucionet më të mëdha të futbollit. – Së fundmi, jo pak, por edhe realizimi i mirë i projekteve ka bërë që të tërheqin vëmendjen e tyre drejt nesh, siç ishte edhe rasti i fundit i inaugurimit të “Shtëpisë së Futbollit” që besoj se shumica e ka ndjekur dhe e ka parë nëpërmjet ekraneve.
Një qendër jo vetëm moderne, e bukur, funksionale, në të cilën ka ambiente të domosdoshme për të gjitha ekipet kombëtare për t’u stërvitur, jo vetëm fusha futbolli, por edhe palestra, por edhe në një vend shumë të bukur dhe një projekt shumë i bukur dhe që në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, pasi ishte kjo e fundit ajo që na vuri në dispozicion tokën dhe pozicionin në qendër të Tiranës. Që tregon se jo vetëm që ne kemi ndërtuar këtë shtëpi, por është edhe një mesazh i rëndësishëm i dhënë nga të gjithë aktorët, FSHF, qeveria shqiptare, FIFA, për të gjithë shqiptarët se sa i rëndësishëm është futbolli.
Shqiptarët e duan futbollin, fatmirësisht është sporti numër 1 në Shqipëri, por edhe mbështetja që i jepet nga institucionet për të plotësuar ëndrrat e fëmijëve që duan të bëhen futbollistë profesionistë apo të prindërve që duan të ndihmojnë fëmijët e tyre.
Kalojmë pak në futbollin shqiptar edhe pse herë pas herë nuk ka suksesin që dëshirojmë në arenën ndërkombëtare, po prodhon shumë rivalitet. Jo më kot në “Abissnet Superiore” janë ngjitur skuadra si Erzeni dhe Egnatia që këtë sezon premtojnë konkurrencë. Po në optikën tuaj, sa të forta janë klubet shqiptare, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për ekipet në fushën e lojës. Por ekonomikisht, struktura e klubit, profesionalizmi etj… – Kampionati është goxha i luftuar, edhe ky i këtij edicioni. Unë nuk mund të them që nuk kanë patur edhe rezultate ndërkombëtare, sepse është viti i parë që nuk u kualifikuan për të shkuar më lart, por kam besim që viti tjetër do të jetë ndryshe. Është viti i parë pas shumë edicionesh kur ne kemi parë skuadrat tona të kalojnë një apo dy ture apo të kalojnë të gjitha skuadrat në turin e dytë e të tretë. Ai është niveli real që meriton kampionati shqiptar apo klubet shqiptare.
Sot ka skuadra me më pak histori e trofe në Abissnet Superiore, si Erzeni, Bylis apo Egnatia që po bëjnë shumë mirë. Egnatia jo vetëm në futboll, por pothuajse plotësisht me financat e veta ka bërë investime të rëndësishme, qoftë në stadium, apo edhe në fusha stërvitje. Ka organizuar një akademi shumë të mirë futbolli dhe pavarësisht se me pak histori, ka hedhur themele të forta dhe për të ardhmen në futboll. Dhe kam përshtypjen se do jetë gjatë në historinë e futbollit shqiptar në skuadrat elitare.
– Federata ka qenë një nga zërat më të fortë për ligjin e sponsorizimit. Besoj nuk keni hequr ende dorë nga kërkesa për të drejtën tuaj? -Absolutisht, ne kemi vazhduar ta kërkojmë, vazhdojmë të negociojmë me të gjitha institucionet shtetërore apo me politikën në përgjithësi në Shqipëri që sporti dhe futbolli në veçanti ka nevojë për incentiva, shtyrje, mbështetje financiare. Kur flasim për futboll, nuk është thjesht kategoria Abissnet Superiore, Tirana apo Partizani, por edhe Egnatia, Erseka, Kopliku dhe skuadra të tjera që nuk mund të prodhojnë për t’u zhvilluar. Ligji i sponsorizimit që ne kemi kërkuar nuk e kemi shpikur, por kemi propozuar të kopjojmë të tjerët. Nuk kemi një dritë jeshile ende dhe nëse nuk do kemi një mbështetje financiare në mënyra të ndryshme, qoftë përmes këtij ligji, por edhe përmes buxhetit të shtetit, që është zero sot, ose mbështetjen në një formë tjetër, do të jetë e vështirë për futbollin në Shqipëri të zhvillohet.
Sot numërojmë rreth 16.161 fëmijë të regjistruar në futboll sot. Numri është i saktë pasi Federata nëpërmjet projekteve të saj të “Topi yt” apo “Uniforma ime” i ka të evidentuar vajzat dhe djemtë që luajnë futboll. Të gjithë këta kërkojnë mbështetje, nuk mjaftohen me uniformat dhe topat që i dhuron Federata, por i duhet patjetër infrastrukturë, që duhet bërë në bashkëpunim me qeverinë. Së fundmi, ka sinjale shumë pozitive nga qeveria që do t’i bashkohet projektit tonë për të ndërtuar fusha futbolli në Shqipëri. Por duhet dhe mbështetje financiare.
Nëse më duhet të bëj një krahasim, besoj se ambienti futbollistik e di më mirë që para një jave, 19-vjeçarët e Apolonisë u ndeshën me 19 vjeçarët e Astanës dhe u kualifikuan me Hajdukun e Splitit. Vetëm akademia e Astanas kishte një buxhet nga buxheti i shtetit 2.5 milionë euro në vit. Pra vetëm kësaj akademie të të rinjve. Nëse do shkojmë në Gjeorgji, shteti financon mbi 50 milionë euro në vit, në Kosovë, 30% të të ardhurave mund t’i sponsorizosh në sport dhe në art. Edhe në Maqedoni e njëjta gjë. Kështu që edhe Shqipëria, nëse nuk bën këtë, vendet e tjera do ta parakalojnë.
Kjo nuk ndodh as për mua, as për FSHF-në, kjo nuk ndodh as për presidentët e Superiores, apo kategorive të para e të dyta, por kjo ndodh për fëmijët dhe për ne që duam ta shohim futbollin. Futbolli nuk është thjesht veç sport e garë, nuk është thjesht “shkuam në kampionat europian apo nuk shkuam”, luajtën apo jo klubet tona, por është shëndet për fëmijët dhe edukim. Edukimi nëpëtmjet futbollit është më i arritshëm se gjërat e tjera sepse është një gjë që fëmijët e dashurojnë dhe nëpërmjet tij i bëjmë më të shëndetshëm, i edukojmë më mirë, kanë frymën e grupit.
Uniforma Ime, çdo fëmijë qe luan futboll vishet nga FSHF. Çfarë është ky projekt? Sa kushton dhe çfarë do të thotë për futbollin e moshave? – Të gjithë fëmijët janë të përfshirë në projektin “Uniforma ime” që ka nisur të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Nuk janë shpërndarë ende të gjitha, por objektivi ynë është t’i shpërndajmë brenda javës tjetër. Kemi shpërndarë gati 50% të materialeve dhe më pas do të nisim edhe përgatitjet për edicionin e ardhshëm që t’i shpërndajmë akoma më shpejt dhe fëmijët t’i kenë gati.
Janë dhënë sinjalet e para dhe ka filluar të rritet numri i fëmijëve dhe numri i skuadrave vetëm nga uniformat dhe topat që ne japim falas. Nëse do të ketë edhe një infrastrukturë më të mirë që vërtetë është përmirësuar, por nuk ka numrin e domosdoshëm për kaq fëmijë. Objektivi ynë është që të dyfishojmë numrin e fëmijëve. Në 2030 kemi si qëllim që futbolli shqiptar të arrijë në 30 mijë fëmijë, por nëse nuk kemi fusha, objektivi vështirësohet ose bëhet i pamundur.
Një projekt shumë i madh që prek mbi 15 mijë fëmijë që luajnë futboll. Do të mbështesë një numër mjaft të madh klubesh ka dhe një kosto financiare pa të cilën nuk do të ishte e mundur. Për çfarë vlerash flasim? – Kostot e projekteve “Uniforma ime” dhe “Topi yt” i kalojnë shifrat e 1.5 milionë euro. Prioritetet tona janë futbolli i fëmijëve dhe futbolli i vajzave, kështu që kemi alokuar buxhetet tona kryesisht në këto dy drejtime: vajza e djem, e për vajzat në veçanti. Përveçse paguajmë uniformat dhe topat për të gjithë ekipet e fëmijëve, për vajzat akoma më shumë. Paguan jo vetëm bazën materiale, por edhe pagat e tyre. Klubet nuk paguajnë, por i paguan Federata vajzat që luajnë në ekipet e Superiores së tyre. Ka ndonjë klub që shton mbi atë pagë, siç është Vllaznia, për të arritur rezultate akoma më shumë. Por niveli bazë paguhet nga FSHF dhe rreth 50% e buxhetit të Federatës janë për fëmijët dhe vajzat.
Federata i nënshtrohet auditit të Deloite, por më lejoni t’iu pyes me cilat të ardhura e mbështesni projektin “Uniforma Ime”? – Projektet tona bëhen nga të ardhurat e vetë Federatës, që vijnë nga sponsorat, biletat e stadiumit dhe të drejtat televizive dhe reklamat, që krahasimisht me vendet rrotull, jemi shumë herë më lart. Qoftë për kampionatin shqiptar në edicionin e fundit, kemi arritur një shifër rekord, rreth 1.2 milionë euro në sezon. Për kombëtaren gjithashtu , për reklamat.
Por kemi edhe projektet e FIFA-s dhe të UEFA-s ku ne aplikojmë dhe në përgjithësi kemi qenë të suksesshëm për të bërë këto projekte në rinovimin e stadiumeve, ndriçimin e tyre, fushat e stërvitjes etj. Bashkëpunim kemi bërë shumë herë të suksesshëm me projektet vendore dhe me qeverinë qendrore, me të cilën kemi ndërtuar stadiumet “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe Kukës Arena” me investime të përbashkëta 50-50 dhe me bashkitë e qyteteve duke bashkëinvestuar.
Së fundmi kemi inauguruar një fushë stërvitje në Lushnje, që është e para nga tre të tjerat rreth stadiumit që kemi nisur bashkarisht. Kemi inauguruar në Durrës dy fusha stërvitje. Kemi inauguruar për klubin e Tiranës në kompleksin “Skënder Halili” tre fusha me bar artificial. Nesër do jemi në Kukës për të inauguruar një fushë ngjitur me stadiumin. Kemi inauguruar një tjetër fushë stërvitje në Shkodër dhe do të vazhdojmë kështu në të gjithë Shqipërinë.
Cili është vendi më i largët ku keni menduar të ndërtoni një fushë përmes projektit 100 fushat? – Kemi menduar të ndërtojmë fusha edhe në Valbonë, në Tropojë dhe në Has. Në çdo vend që do kemi mundësi, ne jemi aty për të ndërtuar fusha futbolli. Çdo individ apo bashki që ka një sipërfaqe të lirë dhe mendon të bëjë fushë futbolli, ne investojmë 50% të ndërtimit të fushës. Fusha është e atij që do ketë hapësirën.
Së fundmi kemi sinjale pozitive nga qeveria që mund t’i bashkohet projektit tonë. Në mbledhjet e fundit që kishte kryeministri me bashkitë, i ka kërkuar kryetarëve të bashkive që të gjejnë sipërfaqe të lira për të ndërtuar fusha futbolli. Unë besoj se do ta realizojmë edhe këtë objektiv. E rëndësishme është që të bëjmë sa më shumë fusha futbolli.
I kam thënë një ditë dikujt që nëse Shqipëria do të bëjë vërtetë jo këto 100 fusha, në fakt duhen 200 fusha, por këto janë të parat dhe ligjin e sponsorizimit, Shqipëria do të renditej në futbollin europian jo më poshtë se vendi i 15-të. Nuk e them sepse kam dëshirë, por shoh dashurinë e shqiptarëve për futbollin, sakrificën që bëjnë fëmijët dhe prindërit shqiptarë për futbollin dhe futbolli është një lojë që do njerëz që sakrifikojnë.
Ne i kemi këta fëmijë, le t’i mbështesim ata, t’u japim fusha, financa dhe ky futbolli do t’i kthejë shumë para qoftë edhe buxhetit të shtetit. Paratë e investuara në futboll nuk janë shpenzime, janë investime që kthehen shumë më shpejt se çdo gjë tjetër. Sot në llogaritje “të trasha” me kaq futboll sa ka Shqipëria, ka një impakt në buxhetin e shtetit rreth 50 milionë euro. Nëse investojmë, do të dyfishohet apo trefishohet shumë shpejt.
Në gjithë këto vite vite në drejtimin e federatës kemi parë ndryshimin e Abissnet Superiore, një ngritje të nivelit të kampionatit, qoftë edhe Kategorisë së Parë, cila do të ishte ajo që ju do të quanit arritjen tuaj më të madhe në FSHF? – Janë disa, do të konsideroja sukses të futbollit shqiptar të paktën konsolidimin e institucionit, arritjen e Shqipërisë në EURO 2016 për herë të parë, por që nuk duhet të jetë e fundit kurrë dhe krijimin pretendimit për të qenë sërish pjesë e një kompeticioni të rëndësishëm. Themelimin dhe zhvillimin e futbollit të vajzave në Shqipëri që nuk ekzistonte dhe ka qenë një luftë e vështirë me mentalitetin, ndërsa tashmë e kemi fituar dhe duhet ta zhvillojmë akoma më shumë. Pse jo, ndërtimin e stadiumit dhe Shtëpinë e Futbollit që mund t’i konsideroj perla të infrastrukturës shqiptare dhe organizimi i finales në Tiranë.
Këto i japin një vend të rëndësishëm Shqipërisë dhe i japin shembuj pozitivë atyre që duan të merren me futboll. Ndërsa pjesëmarrja në një kampionat botëror është një objektiv shumë i vështirë, por nëse këto që thashë do të realizohen, Shqipëria do të jetë pjesë e Botërorit një ditë.
Discussion about this post