Një vendim gjyqësor u ekzekutua dy herë me shuma të ndryshme, “ABI Bank” denoncoi pasi Ilir Thana shmagu detyrimet e kredisë.
Dëshira për të vjelur nga buxheti i Ministrisë së Financave, shumën prej 1.2 milion euro, ka çuar në prangat e Policisë së Tiranës, sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, Arlind Gjokutaj, Drejtorin Juridik Fatmir Hoxhën, përmbaruesin Alban Ruli dhe shtetasin Ilir Thana.
Rreth këtij skandali mësohen detaje të reja për dosjen penale.
E cila që flet mbi një skemë abuzimi financiar, duke pasur si qëllim ekzekutimin, dy herë të një vendimi gjyqësore, në emër të shtetasit Ilir Thana.
Sipas dosjes hetimore, për herë të parë vendimi civil me Nr. 9150 i dhjetorit 1996 me kreditor Ilir Thana, është ekzekutuar në vitin 2015 nga Ministria e Financave. Ku të arrestuarit Ilir Thana, i është kaluar nga ministria në llogarinë e tij, shuma prej 2 milion e 840 mijë lekë të vjetra. Ky kalim shume është shoqëruar dhe me një faturë të Ministrisë së Financave që është urdhëri i shpenzimit.
Kjo shumë financiare ka rrjedhur si rezultat i vlerësimit të INSTAT, sipas indeksit të rritjes së lekut nga viti 1992 e deri në muajin shkurt 2015. Ku dhe është ekzekutuar vendimi i gjykatës. Vendimi gjyqësor i vitit 1996 dhe i lënë në fuqi në vitin 2000, përcaktonte pavleshmërinë e një kontratë blerje të një prone prej 200 metra katror. Të lidhur mes Blerësit Ilir Thana dhe Shitësit Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
Gjykata i njihte pronën familjes Libohova, por në kushtet kur kjo pasuri ishte blerë në 1992 nga Ilir Thana. Në të njëjtin vendim gjykata ka urdhëruar, që Thana të dëmshpërblehet për vlerën 103.046 lekë, duke vlerësuar indeksin e rritjes së kësaj shume sipas indeksit të rritjes së lekut në viti. Në dosjen hetimore thuhet se nga vlerësimi i kryer i shumës prej 103.056 lekë, është arritur në përfundimin se kjo financiare sipas forcimit të lekut është rritur në vlerën prej 2 milion e 840 mijë lekë të vjetra.
Kjo shumë është likujduar nga ministria në 24 shkurt 2015 dhe është tërhequr në bankë nga Ilir Thana.
Për likkujdimin e kësaj vlere është vënë në dijeni dhe përbaruesja Suela Ndreca. Por disa vite më vonë në 2020, Ilir Thana rimer sërisht të njëjtin vedim gjykate dhe kërkon ekzekutimin e tij, përmes përmbaruesit Baftjan Neli.
Ky i fundit ka kërkuar vlerësimin e pronës prej 200 metra katror të blerë në 1992 nga Thana me çmimin real të tregut. Duke shkuar në shifrën prej 800 milion lekë të vjetra dëmshpërblim.
Por pas disa tratativave të dështuara për ekzekutimin e kësaj shume, Ilir Thana, ka tërhequr dosjen përmbarimore nga Baftjan Neli. Duke e transferuar atë tek një përmbarues tjetër, i quajtur Alban Ruli.
Sipas prokurorisë ky përmbarues në vitin 2022, ka bërë një rivlerësim të objektit dhe pronës me çmimin real të tregut, duke tejkaluar dhe vendimin e gjykatës së vitit 1996, që caktonte përllogaritjen e dëmit financiar sipas shumës prej 103.056 lekë.
Shuma financiare që ka dalë nga ky akt-ekspertimi vlerësues, ka shkuar në shifrën 145.867.920 lekë ose 1.2 milion euro.
Pra 650 milion lekë të vjetra më shumë se vlerësimi i kryer nga përmbaruesi tjetër, Baftjar Neli.
Mbi këtë akt-vlerësimi, Alban Ruli, ka kërkuar ekzekutimin për herë të dytë të vendimin gjyqësor civil të vitit 1996. Ku këtë herë nga ministria e Financave, nuk kërkohej shuma 2 milion e 840 mijë lekë të vjetra, por shifra prej 1.2 milion euro.
Megjithëse ekzekutimi i këtij vendimi është kundërshtuar nga një financiere e Ministrisë. E cila ka lënë shënimin e saj të argumentuar, sërisht Drejtori Juridik Fatmir Hoxha dhe Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Arlind Gjokutaj, kanë vijuar me çeljen e kësteve të pagesave.
Nga transaksionet e kryera, prokuroria ka provuar se janë bërë dy pagesa në shumën prej 48.118.366 lekë të reja.
Pagesa kryhej në llogarinë e motrës së Ilir Thanës në “ABI Bank”. Por përshkrimi i kësaj pagese është kryr me emrin e kreditorit Ilir Thana.
Përmes pamjeve filmike, prokuroria e Tiranës ka provuar se Thana së bashku me motrën e tij, është shfaqur në ambjentet e “ABI Bank”. Duke tërhequr shumën financiare prej 250 milion lekë të vjetra dhe çantën ja dorëzon një personi tjetër.
Të vënë në dijeni të këtyre lëvizjeve financiare oficerët e kredive, kanë mësuar se Ilir Thana debitor prej 20 mijë eurosh në një bankë të nivelit të dytë, tërhiqte shuma parash pikërisht tek llogaritë e “ABI Bank”.
Kjo bankë ka bllokuar llogarinë pas kalimit të shumës së dytë nga Ministria e Financave. Duke i vënë si kusht Ilir Thanës, të paguante 20 mijë eurot e pasura borxh.
Për të kryer zhbllokimin e llogarisë, përmbaruesi Alban Ruli, rezulton të ketë gjobitur disa punonjës të “ABI Bank” me 500 mijë lekë të vjetra. Me argumentin e pengimit të ekzekutimit të vendimit gjyqësor.
Për shkak të kësaj situate, “ABI Bank” i drejtohet me një kallëzim penal prokurorisë së Tiranës. Duke kërkuar ndjekje penale për përmbaruesin Alban Ruli dhe Ilir Thanës.
Hetimet e zhvilluara nxorën në sipërfaqe një skemë më të gjerë vjedhjesh. Duke çuar fillimisht në pranga Ilir Thanën dhe pas tij në muajin Janar 2023 prokuroria e Tiranës arrestoi, drejtorin Juridik të Ministrisë së Financave Fatmir Hoxhën, sekretarin e Përgjithshëm, Arlind Gjokutaj dhe përmbaruesin Alban Rulin.
Ndaj katër personave gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë personale “arrest në burg”.
Lexo edhe : Dokument/ Shuma që iu kalua Ilir Thanës nga “ujqërit” e Financave
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post