Një i vdekur dhe tre të plagosur është bilanci i breshëri automatike që u shkrehën paraditen e sotme në qendër të Rrëshenit, rreth 50 metra larg komisariatit të Policisë dhe Spitalit.
Viktimë e breshërive mbeti Martin Bardhi, që duket se ishte objektivi i atentatorëve, ndërsa të plagosurit sipas policisë ishin pranë vendit të ngjarjes.
Të tre personat e mbetur të plagosur, njëri prej të cilëve i afërt me viktimën, janë transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për mjekin të specializuar.
Dyshohet se ngjarja e sotme ka lidhje me përplasjet dhe hasmëritë mes fiseve Bardhi e Reçi. Kjo për faktin se në mars të 2020, Martin Bardhi dhe djali i tij tentuan të vrasin me armë Sajmir Reçin, nipin e Kastriot Reçit, i ekzekutuar në janar të 2020 me snajper.
Sajmir Reçi arriti të shpëtojë nga atentati që i bënë për shkak se automjeti me të cilën lëvizte ishte i blinduar. Për ngjarjen e ndodhur 6 muaj më parë policia arrestoi Martin Bardhin, të cilin më pas e liruan duke i caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Krimi i sotëm sipas Policisë ka ndodhur rreth orës 10:40 , kur Martin Marku Bardhi së bashku me tre persona të tjerë ishte në një nga lokalet e qendrës së Rrëshenit.
Në drejtim të tyre është qëlluar me breshëri nga dy persona të maskuar. Këta të fundit ndodheshin në një automjet tip Jeep, për të cilin u tha se ishte gjetur duke u djegur rreth 12 km larg vendit të ngjarjes. Policia njoftoi se automjeti, me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët është djegur në fshatin Gëziq.
Referuar të dhënave të mbledhura nga grupi hetimor, pasi kanë qëlluar në drejtim të objektivit, autorët kanë shtënë edhe në ajër, duke siguruar kështu largimin nga vendi i krimit.
Bardhi, i cili ka qenë edhe objektivi i atentatit ka humbur jetën, ndërsa personat e tjerë në të njëjtën tavolinë janë plagosur.
Sakaq, policia ka ngritur grupe kontrolli për kapjen e dy personave ende të paidentifikuar që qëlluan me armë zjarri ndaj viktimës.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimin duke mbledhur pamjet filmike të kamerave përreth zonës.
Dinamika
Personat që mbetën të plagosur Olti Gjini, Ilir Bardhoku, Indrit Bardhi (djali i xhaxhait të viktimës) janë dërguar në spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Sipas policisë njëri prej të plagosurve ka plagë në krah, tjetri në shpinë dhe i treti në gjoks.
“Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrëshen, ku nga shtetas ende të paidentifikuar, u vra me armë zjarri shtetasi Martin Marku Bardhi, ju informojmë se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, shtetasit Ilir Bardhoku, Indrit Bardhi dhe Olti Gjini, të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore.
Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes.
Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.
Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftonte Policia lidhur me ngjarjen.
Plagosja e Sajmir Reçit
Në mars të këtij viti Martin Bardhi u arrestua pasi bashkë me të birin Erind Bardhi si dhe nipin qëlluan me armë zjarri drejt makinës së Sajmir Reçit, 41 vjeç.
Shënjestra është nipi i biznesmenit Kastriot Reçi, i vrarë në janar 2020, si vijim i një sage vrasjesh e atentatesh me familjen Gjini.
“Si rezultat i veprimeve profesionale operacionale dhe policore të kryera për një rast të ndodhur rreth orës 19:00, të datës 26.03.2023, në Rrëshen, ku nga këto hetime, dyshohet se shtetasi M. M. (alias M. B.) 59 vjeç dhe shtetasit E. V. (alias E. B. alias E. M.), 31 vjeç e K. M. (alias K. B.), 28 vjeç, përkatësisht djali dhe nipi i shtetasit M. M, të tre banues në Mirditë, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit të shtetasit S. R., 41 vjeç, banues në Mirditë, u bë i mundur lokalizimin dhe kapja e shtetasit të kërkuar:
-M. M. (alias M. B.), 59 vjeç, banues në Rrëshen, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njoftonte policia për atë ngjarje.
Lexo edhe:
Saga e vrasjeve në Rrëshen nisi në 2016. Ja ngjarjet e bujshme
Discussion about this post