Nga Arben Malaj*
Parandalimi është strate-gjia më e mirë antikrizë por që kushtëzohet ndjeshëm nga efikasiteti dhe integriteti i enteve rregullatorë, të cilat kanë statusin e rojeve të stabilitetit financiar. “Po rojet kush do ti ruaj?” është pyetja kritike lidhur me pasojat kur autoritetet rregullatore dështojnë. Kjo pyetje vjen që nga Greqia e lashtë dhe shtrohej për rastin kur burrat shkonin në luftë. Ata ju vishnin grave mbathje metalike të kyçura me çelës. Për rastet kur ato kishin nevojë të shkonin në banjë rojet i hapnin dhe i mbyllnin veshjet metalike. Pas pak kohe u shtrua pyetja kritike: Po rojet kush do t’i ruajë? Po autoritetet rregullatore: Kush do t’i kontrollojë? Rëndësia e autoriteteve licencuese dhe rregullatore sa vjen dhe rritet, kjo edhe sepse krizat bankare janë më te shpeshta, më të ashpra, me goditëse ndaj stabiliteti financiar. Parandalimi mbetet strategjia më e mirë. Për sfidat e autoriteteve rregullatore është shprehur në vitin 2010, pra dy vite pas krizës financiare 2008 Ben Bernanke, ish-kryetar i Bordit të Rezervës Federale (2006-2014). Ai theksoi se: “Përgjigja më e mirë ndaj flluskës së banesave do të kishte qenë rregullatore, jo monetare. Rregullimi dhe mbikëqyrja më e fortë që synon problemet me praktikat e nënshkrimit dhe menaxhimin e rrezikut të huadhënësve do të kishte qenë qasja më efektive dhe më kirurgjikale për të kufizuar flluskën e banesave sesa një rritje e përgjithshme e normave të interesit”. Falimentimi i SVB në SHBA, i “Credit Suisse” në Zvicër dhe problematikat e “Deutsche Bank AG”, çojnë në rrezikun potencial të efektit domino të falimentimit të bankave në vendet e tjera.
I. Asnjë krizë bankare sado e frikshme nuk do të jetë një depresion i madh 1929-1923. Jo pak prej studiuesve paralajmërojnë se një krizë e re mund të jetë e ngjashme me depresionin e madh. Ndoshta ky paralajmërim i frikshëm duket se është i tepruar. Kur kemi parasysh pasojat e rënda sociale dhe ekonomike të depresionit të madh. Kjo për tri arsye kryesore: (i) Depresioni i madh (1929- 1939) ishte një goditje ekonomike që preku shumicën e vendeve në mbarë botën. Ishte depresioni më i gjatë, më i thellë dhe më i përhapur i shekullit të 20. Më konkretisht, treguesit kryesorë ekonomikë për periudhën 1929–1932 paraqiten në tabelën e mësipërme.
Studiuesit kanë përllogaritur se ekonomitë goditen nga kriza ekonomike financiare mesatarisht në çdo tre vite e gjysmë. Ndërsa krizat e rënda shfaqen e godasin në çdo 20 vite. Pas viteve 30 kemi pasur disa kriza të herëpashershme, por ato janë lokalizuar shpejt; (ii) Ndërhyrjet për të ndalur përhapjen e flakëve të krizave bankare e kanë qenë të shpejta të qarta dhe të vendosura me objektivin për të ndalur fenomenin “bank run”. Zjarrfikësit kanë venë shpejt nën kontroll flakët përvëluese të fenomenit të tërheqjes masive të depozitave; (iii) Skemat e sigurimit të depozitave të ngritura së pari në SHBA pikërisht pas krizës së rëndë sot veprojnë në të gjitha vendet dhe shkalla e mbrojtjes se llogarive depozituese të çdo individi është 250.000 $, në eurozonë 150 000 euro dhe në Shqipëri u rrit nga 500.000 lekë, për çdo llogari në momentin e aplikimit të saj në 2.500.000 lekë/llogari ose 5 herë më shumë se pikënisja e kësaj skeme.
II. Paniku bankar. Një nga specifikat e krizave bankare është paniku që përhapet me shpejtësinë e një orteku ose të një zjarri që mund të djeg gjithçka që gjen përpara. Për këtë arsye, për të ndalur shpërthimin e panikut, skemat e sigurimit të depozitave synojnë të sigurojnë deri në 75% të numrit të depozituesve. Kjo ndihmon që të mos përhapen flakët e zjarreve/tërheqja masive e depozitave, çka përshpejton një krizë me të thellë dhe më të rëndë bankare ku viktimat janë pikërisht depozituesit që përfshihen në panik. Për shkak se krizat bankare janë shtuar, bankat qendrore dhe qeveritë (siç ndodhi në Qipro dhe në Greqi gjatë krizave financiare) bllokojnë përkohësisht tërheqjen e parave nga bankat, limitojnë tërheqjet ditore e mujore dhe ndalojnë daljen jashtë vendit të kapitaleve. Kur një bankë ka ndikim të madh në sistemin bankar të një vendi arrihet deri te shtetëzimi i përkohshëm i saj. Kjo ndodhi me Gordon Brown dhe ministrin e tij të financave Alister Darling. Kur banka “Northrock” rrezikohej të falimentonte dhe rrezikonte të përhapje zjarrin e panikut në sistemin bankar të UK, ata aplikuan shtetëzimin e përkohshëm edhe pse Toni Blair dhe Gordon Brown u cilësuan si “laburistë të rinj” edhe sepse hoqën fjalën shtetëzim nga dokumentet themeltare të laburistëve, pasi konceptin shtetëzim/nacionalizim sipas tyre i përkiste marksistëve.
III. Rrezik moral dhe fenomeni “‘too big to fail’/shumë i madh për të dështuar”. Siguria që u jepet bankave në rastet e dështimit të tyre që të mos përhapet kriza shoqërohet me rritjen e rrezikut moral/moral hazard. Më thjesht, rreziku moral nënkupton që kur dikujt i jepet një siguri/garanci e plotë ai tenton të tolerojë rreziqet. Kjo qartësohet në rastin e sigurimit të shtëpive nga zjarri pasi ul vëmendjen e banuesve për risqet reale nga zjarret. Apo “sigurimi kasko” i makinave ku çdo dëm i çdo madhësie dhe i çdo natyre kompensohet 100 % nga kompanitë e sigurimeve. Kjo ul kujdesin dhe vëmendjen e disa shoferëve ndaj çdo aksidenti. Kjo ndodh edhe me bankat, duke qenë se ato janë të sigurta se qeveritë do të ndërhynë për të mos i lënë të falimentojnë, duke qenë se ato mbrohen nga falimentimi nga “dorëzanësi i fundit” që është buxheti i shtetit, menaxherët e tyre orientohen nga fitime personale afatshkurtra. Pagat dhe bonuset e tyre arrijnë në disa dhjetëra milionë në vit. Por, në afatmesëm dhe afatgjatë ata me lakminë e tyre apo shkeljet e vetdijshme të parimeve dhe rregullave bazë të menaxhimit të bankave prodhojnë kosto shumë të rënda për depozituesit, ekonominë dhe stabilitetin financiar. Për të reduktuar presionin që bankat bëjnë ndaj organeve rregullatore dhe qeverive me pasoja të rënda zinxhir mbi ekonominë, papunësinë dhe buxhetin është diskutuar që të reduktohej pesha e bankave të mëdha, të cilat mbrohen nga falimentimi i tyre për shkak të peshës së madhe që kanë në sistemin bankar kombëtar e global. “Too big to fail”/shumë të mëdha për të falimentuar nënkupton mbrojtje. Kjo mbrojtje bëhet me paratë e taksapaguesve.
IV. Shqipëria me dhimbje ka mësuar nga krizat e vendeve te tjera dhe nga kriza e saj e vitit 1997. Pas rënies se piramidave, ku depozituesit humbën rreth 850 milionë dollarë, kur vendi mbërriti në pragun e një lufte civile dhe ku rreth 2000 vetë u vranë u bë detyrueshme dhe e kushtëzuar nga bashkëpunimi me FMN, ngritja e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD). Ngritja e kësaj agjencie u luftua ashpër nga opozita e asaj kohe duke akuzuar se bankat po falimentonin dhe depozitat e shqiptareve ishin të pasigurta. Sulmi ashpër i opozitës tentonte të krijonte panik, të nxiste tërheqje masive të depozitave me synimin e vetëm krijimin e një krize bankare, si pararendëse e një krize politike, që do t’i ndihmonte për të ri ardhur në pushtet. Reagimi i FMN dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë e detyruan opozitën të tërhiqej. ASD-ja vepron prej vitit 2002 dhe e ka rritur shumën e çdo llogarie të siguruar nga 500.000 në 2.500.000 lekë.
V. Thellimi i integrimit në sektorin bankar është një domosdoshmëri. Krizat bankare po bëhen më të shpeshta, më të rënda dhe me risqe më të larta për të përhapur flakët e tyre në sistemin bankar kombëtar dhe global. Përhapja e tyre bëhet më e lehtë në kushtet e nivelit të lartë të ndërthurjes dhe ndërvarësisë së sistemeve financiare. Shuarja e flakëve kërkon një reagim të shpejtë në nivel kombëtar dhe koordinim e bashkëpunim të menjëhershëm dhe efektiv në nivel evropian dhe global. Përballë krizave në rritje, thellimi i integrimit evropian është opsioni efektiv i vetëm. Pikërisht për këtë avantazh të thellimit të integrimit, BE-ja ka vite që po punon për themelimin e “Unionit Bankar”, i cili ka tri kolona mbështetëse: (i) Mbikëqyrja e bankave të bëhet nga një autoritet evropian pasi autoritetet rregullatore kombëtare ndodhen shpesh nën trysnitë politike apo korruptive; (ii) ndërtimi i “spitalit” për trajtimin e bankave me probleme. Kjo është e dobishme sepse një bankë në falimentim mund të tronditi sistemin bankar të një vendi por jo atë të BE-së; (iii) Unifikimi i sigurimit të depozitave. Kur shkalla e sigurimit të tyre ndryshon nga vendet problematike me vendet me sistem bankar të shëndetshëm, në kushtet e lirisë së lëvizjes së depozitave dhe kapitaleve në vendet e dobëta kur shfaqet një krizë bankare. Depozituesit dhe investitorët kërkojnë t’i tërheqin depozitat e tyre dhe t’i transferojnë ato në bankat evropiane. Por, tërheqja e depozitave e thellon dhe e zgjat një krizë bankare. Unioni bankar, ndërsa ecën mirë në dy shtyllat e para, por ka vështirësi në shtyllën e tretë/sigurimin në të njëjtën madhësi të gjithë depozitave/depozituesve. Kjo sepse debatohet se kush do ta paguaj koston e rritjes së nivelit të sigurimit të depozitave për vendet me sistem bankar të dobët.
VI. Nga “Wall Street to Main Street”. Kriza financiare 2008 solli reagimin e publikut dhe të studiuesve. Lëvizja “We are 99%” u ndje e fortë në New York. Protestuesit kërkonin reforma të thella dhe penalizmin e përgjegjësve për këtë krizë. Reformat duhet të synonin ndalimin e pabarazisë në rritje midis “Ujqërve të ‘Wall Street’”-it dhe shtresave e tjera të shoqërisë. Disa propozime përfshinin: (i) ndalimin e përqendrimit të bankave me peshë të madhe/”too big to fail”; (ii) Reduktim të pagave dhe bonuseve stratosferike; (iii) U kërkua që bonuset të mos ishin pjesë e pagesave periodike, por të jepeshin si aksione të bankës. Kjo reduktonte riskun e fitimeve të mëdha në kohë të shkurtër por të paqëndrueshme
VII. Sistemi bankar shqiptar dhe sfidat e mbikëqyrjes. “Një nga problemet e shoqërisë sonë është se harxhojmë shumë kohë duke menduar për ndëshkimin dhe jo mjaftueshëm për parandalimin”. Ky mësim vlen shumë për situatën aktuale. Sistemi bankar shqiptar sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë dhe FMN-së, krahasuar me kriteret e Bazelit rezulton i mirë kapitalizuar dhe likuid. Disa analiza dhe rekomandime janë shumë konkrete edhe në raportet e fundit të FMN-së, ato nuk duhen spostuar, por duhen analizuar, vlerësuar dhe adresuar pa vonesë dhe me përgjegjësi. Ligji i ri i Bankës së Shqipërisë nuk duhet vonuar më edhe sepse rezulton në rezolutën e BE-së si një detyre e pa plotësuar nga qeveria shqiptare. Edhe në rastin tonë shtrohet pyetja: “Po rojet kush do t’i ruajë? Kjo përgjegjësi i mbetet kontrollit parlamentar, i cili duhet të diskutojë në dinamikë dhe me përgjegjësi raportet e FMN-së, BERZH-it, BB-së dhe BE-së për sfidat e sistemit tonë bankar. Komisioni parlamentar i financave dhe ekonomisë nuk duhet ta reduktojë detyrimin e tij thjesht në raportimin vjetor të BSH-së dhe rezolutën vjetore të Kuvendit të Shqipërisë, por duhet të ndjek në dinamikë zhvillimet dhe sfidat e sistemit tonë bankar, duke bërë rregullimet dhe plotësimet e nevojshme në kornizën ligjore dhe institucionale të pjesës rregullatore.
* Ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
Discussion about this post