Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijuan protestën për të tretën ditë radhazi. Në Tiranë mbërritën edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit.
Në orën 08:03 të mëngjesit të së enjtes (15.10.2026), pas dy ditësh protestash studentore të shoqëruara me tensione dhe dhunë në rrugët e Tiranës, kryeministri Edi Rama theu heshtjen. Nga godina e djegur e Kolegjit të Europës, vetëm pak metra larg zyrës së tij, Rama publikoi një videomesazh, duke fajësuar opozitën për dhunën dhe shkatërrimet në kryeqytet. “Këto janë duart e një opozite që me maska të verbërish përpara kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku nuk do të rikthehet kurrë” deklaroi ai.
Por përgjigjja ndaj kërkesës kryesore të protestuesve erdhi më vonë gjatë ditës. Në një deklaratë për agjencinë Reuters, Rama e bëri të qartë se dorëheqje nuk do të ketë.
Kryeministri e përjashtoi dorëheqjen, por studentët e vijojntë protestën dhe në Tiranë mbërriten edhe të rinj nga qytete të tjera të vendit. Protesta ka pasur gjithashtu edhe në qytete të tejra. Protesta u shoqërua me përplasje të dhunshme me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe zjarre, ndërsa pati të plagosur dhe dëme në ndërtesa e biznese.
Revoltë kundër klasës politike
Në themel të revoltës qëndron pakënaqësia e të rinjve me qeverisjen, vështirësitë ekonomike dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. “Ne nuk kemi ku studiojmë, ne nuk kemi të ardhura, jetojmë me qira, nuk mbulojmë dot shpenzimet tona. Qeveritarët na kanë pirë gjakun me vite dhe nuk ndiejnë përgjegjësi për të gjithë këta njerëz që janë në shesh”, shprehet një studente për DW.
Për Rigels Xhemollarin, nga Qëndresa Qytetare, revolta studentore është e lidhur me pakënaqësitë e shprehura gjatë muajve të lëvizjes”Flamingo Revolution”. “Mungesa e reflektimit të kryeministrit gjatë katër muajve protestë në bulevard dhe tallja e tij me protestuesit. Pastaj arsyet e tjera lidhen me situatën ekonomike, aferat korruptive dhe skandalet e njëpasnjëshme”, shprehet ai për DW.
Por pakënaqësia e studentëve nuk kufizohet vetëm te qeveria. Krahas kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës, në shesh janë dëgjuar thirrje edhe kundër opozitës, ndonëse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën.
A ka një rrugëdalje politike?
Analisti politik Mark Marku, njëherësh dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, e sheh protestën e studentëve si reagimin e një brezi që zgjoi shoqërinë dhe riktheu debatin për ndryshimin. Por ai paralajmëron se dorëheqja e qeverisë dhe zgjedhjet e reja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht ndryshim politik. “Një veprim politik nuk matet nga qëllimet, por nga rezultati” – shprehet Marku.
Për këtë arsye, ai thekson nevojën që protesta të ketë një platformë dhe një alternativë politike që qytetarët të mund ta votojnë, nëse vendi do të shkonte në zgjedhje. “Protesta nuk votohet” – thotë analisti.
Ndërsa Xhemollari, e sheh dorëheqjen e kryeministrit si të vetmen mënyrë për t’i dhënë fund revoltës. “Protesta ka vetëm një kërkesë politike, e cila kërkon një zgjidhje politike, dorëheqjen e kryeministrit” shprehet ai për DW.
Sipas aktivistit, pas largimit të Ramës, Presidenti i Republikës duhet të mbledhë partitë politike për krijimin e një qeverie kujdestare me kryeministër apartiak, për t’i hapur rrugë zgjedhjevelokale dhe parlamentare në maj të vitit 2027.
Në vitin 2018, Shqipëria u përfshi nga protesta masive studentore, të përqendruara kryesisht te problemet e arsimit të lartë. Tetë vjet më vonë, studentët janë rikthyer në rrugë, këtë herë duke kërkuar ndryshim politik./DW










Discussion about this post