Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mori pjesë në aktivitetin e zhvilluar sot në Korçë, ku u bë prezantimi publik i propozimeve arkitektonike për rizhvillimin e stadiumit “Skënderbeu” dhe rikonstruksionin e Pallatit të Sportit nga 3 studiot ndërkombëtare të përzgjedhura për Fazën e Dytë të Konkursit Ndërkombëtar të Projektimit.
Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me tre bashkitë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, ka nisur një proces për rikonceptualizimin dhe rizhvillimin e komplekseve sportive dhe të stadiumeve të futbollit në qytetet e Durrësit, Korçës dhe Vlorës.
Në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për projektin e stadiumit “Skënderbeu”, u prezantuan 3 finalistë me prestigj në skenën bashkëkohore të arkitekturës, ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë).
Në fjalën e tij, Presidentit Duka u shpreh i kënaqur për këtë nismë, teksa vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë shqiptare për investimet në disa prej stadiumeve kryesore në vend dhe siguroi se falë këtyre zhvillimeve madhore Shqipëria mund të sigurojë organizimin e finaleve të një Kampionati Europian për të rinj.
Presidenti Duka i bërë një thirrje Kryeminstri Rama për të punuar së bashku në ndërtimin e tregut të sportit në Shqipëri me ekonominë shqiptare që do të ishte përfituesja më e madhe.
Ndërsa, kreu i qeverisë e uroi publikisht Presidentin e FSHF-së për rizgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ndërkohë që shprehu hapur mbështetjen për të qenë krah FSHF-së për organizimin e një tjetër eventi të rëndësishëm.
“Po shfrytëzoj këtë moment për të uruar presidentin e FSHF Armand Duka për zgjedhjen e tij për herë të dytë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Nuk është e rastit dhe është nder për Shqipërinë që të jetë pjesë e vendimmarrjes në qeverisjen e futbollit”, – tha Rama gjatë ceremonisë së përzgjedhjes së projektit të stadiumit të ri të Korçës, që u lançua në janar të këtij viti.
Kryeministri Rama tha se mbështet ambicien e FSHF për të mundësuar pritjen e Kampionatit Europian të të rinjve, organizuar nga UEFA. FSHF ka aplikuar për këtë projekt gjigant dhe pret vendimin e UEFA-s. “Ky është një projekt gjigant dhe ndaj duhet të jemi gati për të në vitin 2025”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Korçë për projektin madhor.
Ndër të tjera, Kryeministri Rama u shpreh se “Sinergjia midis Qeverisë Shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit është baza, themeli, për të arritur që të kemi një Shqipëri me fytyrë tjetër edhe në këtë fushë ku sëbashku me këto tre stadiume të reja që po nisim kemi infrastrukturën më moderne rajon”.
Më poshtë, fjala e plotë e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka mbajtur në këtë aktivitet:
I nderuar zoti Kryeministër, Edi Rama
E nderuar zonja Ministre, Evis Kushi
I nderuar kryetar i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo
Të nderuar arkitektë, përfaqësues të studiove që keni punuar për këtë aktivitet, miq e të ftuar, mirëdita.
Jam shumë i kënaqur të jem mes jush në një ditë vërtetë historike për Korçën, për futbollin e futbollistët e këtij qyteti, për tifozët e qytetëruar korçarë e mbi të gjitha, për të gjithë banorët e këtij rajoni.
Është një histori suksesi nuk fillon sot, por daton në vitin 2015, kur kombëtarja shqiptare e futbollit ishte vërtetë në vështirësi, ose e thënë ndryshe në hall, pasi nuk kishte ku të zhvillonte ndeshjet e saj ndërkombëtare. Dhe këtë hall Federata Shqiptare e Futbollit e çoi në Kryeministri, në zyrën e Kryeministrit Rama dhe bashkë me qeverinë nën kujdesin e Kryeministrit në një kohë rekord projektuam, ndërtuam dhe përfunduam “Elbasan Arenan”, stadium nga ku nisi rruga për të shkuar në finalet e Euro “Francë 2016”. Çdo shqiptar besoj se e kujton me kënaqësi pjesëmarrjen historike të Shqipërisë në finalet e Europianit.
Vitet që pasuan ndërtuam edhe dy stadiume të tjera me të njëjtin bashkëpunim me qeverinë shqiptare, atë të Shkodrës dhe të Kukësit.
Të tre këto stadiume kanë ndryshuar faqen e kampionateve shqiptare të futbollit. Futbollistët janë ndjerë më mirë, më të vlerësuar e kanë perfomuar më mirë, por edhe spektatorët e shtuar tashmë në shkallët e stadiumeve janë ndjerë më komodë e më komfort.
Në vitin 2017 filluam projektin ëndërr të Stadiumit Kombëtar, që e realizuam në dy vite dhe e inauguruam në nëntor 2019. Padyshim, një ndër veprat më të mira të realizuara ndonjëherë në Shqipëri, një stadium e një qendër atraksioni për Shqipërinë.
Falë kësaj kryevepre 25 maji 2022 do të mbahet mend gjatë, me organizimin e finales së UEFA Conference League në Tiranë, ku Arena jonë kombëtare solli Shqipërinë në qendër të opinionit mbarëbotëror dhe në një organizim perfekt.
Përveç tyre, kemi bërë ndërhyrje në shumë stadiume të tjera të vendit e kemi ndërtuar me dhjetëra fusha të reja stërvitjeje. Gjithë këto investime e kanë futur Shqipërinë në hartën e vendeve me infrastrukturë të zhvilluar, çka çoi në besimin që UEFA pati ndaj nesh duke na besuar organizimin e disa turneve ndërkombëtarë në Shqipëri dhe vetëm për vitin 2023 plot 10 të tilla.
Historia e suksesit vazhdon. Kryeministri në fillim të këtij viti lançoi idenë e ndërtimit të 3 stadiumeve të reja në Korçë, Durrës e Vlorë.
Puna nga Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit e Sporteve dhe Bashkia Korçë filloi që në shkurt të këtij viti e për këtë do të doja të falënderoja Ministren Kushi e kryebashkiakun e Korçës, Soriraq Filo për bashkëpunimin e shkëlqyer.
Do të doja të falënderoja gjithashtu edhe studiot projektuese që pranuan ftesën tonë për të marrë pjesë në garën e përzgjedhjes së projektit më të mirë për stadiumin e ri në këtë qytet.
Nisur nga investimet e bëra, projektet e reja që po nisim, por edhe eksperienca e fituar në organizimin e eventeve të rëndësishme ndërkombëtare, FSHF ka aplikuar dhe do të jetë pjesë e garës për të organizuar në vendin tonë finalet e Kampionatit Europian për të rinj, në vitin 2025.
Jam i bindur që në bashkëpunim me qeverinë dhe me të gjitha faktorët e tjera, do t’ia dalim që ta fitojmë këtë garë dhe të kemi këtë event të rëndësishëm në Shqipëri. Do jetë vërtetë një ngjarje madhore shumë e rëndësishme për ne.
Me përfundimin e këtyre tre stadiumeve të reja, ndoshta dhe një të katërti në Tiranë, stadiumit “Selman Stërmasi”, marrim vendin e parë në rajon sa i përket infrastrukturës futbollistike.
Çka mbetet sfidë për të ardhmen janë ndërtimi i fushave të stërvitjeve në çdo qytet e fshat të Shqipërisë. Sepse nëse kemi ecur shumë përpara sa i përket stadiumeve, nuk mund ta themi të njëjtën gjë për fushat stërvitore, madje, mund të them se kemi mbetur shumë prapa.
Ne si FSHF kemi lançuar projektin e “100 fushave” dhe gjej rastin edhe njëherë, t’ju bëj thirrje të gjitha njësive vendore që të vënë në dispozicion të këtyre projekteve sipërfaqet e pronave dhe të investojmë së bashku. Meqë jemi në Korçë, në bashkëpunim me Bashkinë, nëse ndërtojmë 3 apo 4 fusha të reja, e theksoj të reja, jo rikonstruksione, ato do t’i shërbenin më së miri zhvillimit të futbollit në këtë qytet. Dhe meqë jemi tek kjo temë: Urime Skënderbeut për rikthimin në kategorinë Abissnet Superiore, urime presidentit Takaj dhe uroj që sa më parë ta shohim Skënderbeun në të njëjta kompeticione europiane.
I nderuar zoti Kryeministër,
Do të shfrytëzoj çdo moment e mundësi për të bindur ju, qeverinë dhe parlamentin për Ligjin e Sponsorizimit. Ju garantoj, – duke qenë edhe i fushës, – nuk do të jetë një peshë e përhershme në buxhetin e shtetit, jo një shpenzim i pakthyeshëm, por përkundrazi një investim shumë i suksesshëm.
Ky ligj do mund të hedhë themele të forta për industrinë e futbollit, duke sjellë më shumë taksa në buxhet. Edhe sot që flasim, futbolli ka një ndikim pozitiv në ekonomi me 146 milionë euro në vit. E nëse e kthejmë në një “industri të rëndë” si në shumë vende të Europës, ato taksa do të shumëfishohen.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot jemi këtu për të parë e vlerësuar bashkërisht propozimet e studiove të arkitekturës më në zë në vend dhe Europë e të përzgjedhim më të mirin e më të përshtatshmin për qytetin e Korçës. Jam i bindur dhe shumë i sigurt se do të marrim vendimin e duhur për arenën korçare.
Ju faleminderit!
Discussion about this post