Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë detaje nga pjesëmarrja në samitin e 50-vjetorit të Partisë Popullore Europiane, duke theksuar mbështetjen që, sipas tij, opozita shqiptare ka marrë nga liderët europianë.
Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, ai u ndal te situata politike në vend, procesi i integrimit dhe zhvillimet e fundit, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e radhës, duke e cilësuar atë si një moment kyç për reagimin qytetar.
Pjesë nga bashkëbisedimi me qytetarët:
Mirëdita të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë bisedë timen në rrjetet sociale.
Së pari edhe njëherë gëzuar Fitër Bajramin, nga zemra uroj që Zoti i madh t’ua kthejë të gjithë sakrificat në mirësi dhe mbarësi për ju dhe familjen tuaj.
Sapo kthehem nga samiti i 50-vjetorit të Partisë Popullore Evropiane, një ngjarje jashtëzakonsisht e rëndësishme për këtë parti, e cila ka qenë më anëtarët e saj, lokomotivë kryesore e zhvillimit, prosperitetit, demokracisë në Evropë dhe ka rrezatuar fuqishëm në mbarë botën.
PD, anëtare e asociuar e PPE, ishte e ftuar në të gjitha evenimentet ku u morën vendime shumë të mëdha, të rëndësishme së pari për vetë BE-në dhe për kompeticionin brenda këtij bashkimi ose kompeticionin e këtij bashkimi me rregulla të reja lehtësuese të mëdha për garën dhe biznesin.
Diskutime të mëdha dhe vendime për Ukrainën, mbështetjen e saj të plotë si dhe rrugët e përballimit të krizës energjetike të krijuar tashmë nga lufta në Lindjen e Mesme dhe dëmtimet e mëdha që Irani u ka shkaktuar instalimeve të naftës dhe gazit në rajonin më nevralgjik sa i përket energjisë në planet, rajonin e Gjirit Persik.
Natyrisht në këto aktivitete unë takova shumë miq të hershëm, por edhe të rinj, takova kryeministra, kryetarë partish, personalitete të shquara.
Diskutimi ishte sigurisht mbi gjendjen e Shqipërisë.
Ajo që mund t’u them qytetarëve është se njohuritë janë të plota për rrëshqitjen e Shqipërisë në një narkoshtet apo një narkodiktaturë dhe Edi Rrama sot është një diktator në rreth të kuq, pa të ardhme në Shqipëri dhe në Evropë.
Mbështetja për opozitën dhe përpjekjet e saj është e plotë nga PPE, nga liderët e këtyre partive, nga partitë e mëdha, CDU, partitë e tjera të qendrës së djathtë në Evropë.
Diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin me këto parti si dhe i njoha me vendosmërinë tonë, rezistencën tonë, kryengritjen tonë paqësore për të përmbysur këtë regjim të paligjshëm, zhvillimet dramatike të javëve të fundit, në të cilat Edi Rama mori përsipër të gjithë fajësinë, siç e ka, duke bllokuar sistemin e drejtësisë në mënyrë përfundimtare, paketën ligjore që po përgatit si mburojë për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve.
Pra, mund të them se në këtë samit, PD pati vendin e saj të merituar dhe mori mbështetje shumë të madhe.
Bëmë takime në parlamentin belg dhe në parlamentin e kryeqytetit të Belgjikës, në të cilat ne informuam bashkëbiseduesit, miqtë tanë për të gjithë situatën dramatike që kalon Shqipëria.
Me këtë rast unë shpreh mirënjohje të thellë për Partinë Popullore Evropiane, kryetarin Ueber, Sekretarin e Përgjithshëm Montserrat dhe të gjithë ata që mbështetën partinë gjatë këtyre viteve dhe e mbështesin sot fuqishëm në përpjekjet e saj për një Shqipëri ku qytetarët të votojnë të lirë, një Shqipëri demokratike.
Falënderoj shumë të gjithë miqtë që takova aty për dashamirësinë që treguan, mbështetjen që treguan si dhe përfaqësuesit e parlamentit belg dhe parlamentit të Brukselit.
Pra mund të themi se demokracia shqiptare sot ka miq dhe mbështetës të mëdhenj dhe të vërtetë, opozita shqiptare ka miq të mëdhenj dhe të vërtetë, të cilët e mbështesin PD-në.
Duhet t’u them këtu se ai që dikur pranohej apo shpallej në mënyrë absolute të paqenë si sukses, tani ylli i tij është shuar, është një figurë e nxirë.
Rastisi, por ishte koincidencë, por gjatë kohës që ne ishim në Bruksel, Mali i Zi u votua për të mbyllur kapitujt e rëndësishëm, kurse Shqipëria mbeti në klasë dhe nuk i mbylli dot.
Dhe i garantoj shqiptarët se me Edi Ramën nuk ka asnjë progres drejt BE, përkundrazi ka kthim mbrapa gjithnjë e më të madh.
Pra, këto doja të informoja në këtë bisedë shkurtimisht dhe të shfrytëzoj rastin të bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të përmbushim detyrën tonë ndaj këtij regjimi, të ngrihemi fuqishëm kundër Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, e cila më së fundmi mbylli edhe dyert e Evropës për Shqipërinë me mburojën që krijon për vjedhjet e tij dhe të organizatës së tij kriminale.
Sot është një detyrë e çdo qytetari shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij, se unë jam i bindur se shqiptarët votojnë për një Shqipëri në Evropë, një Shqipëri që integrohet në BE, votojnë për një Shqipëri që respekton shtetin ligjor, që lufton në mënyrë të vendosur dhe ligjore korrupsionin, të bashkohemi nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës për të treguar forcën tonë, shpirtin tonë të pamposhtur me kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana.










Discussion about this post