Në një studim të realizuar në vitin 2024 mbi mekanizmat publikë të financimit për artet pamore, shqetësimet kryesore të artikuluara nga komuniteti artistik ishin: niveli i ulët i financimit, mungesa e transparencës në menaxhimin e fondeve dhe centralizimi i vendimmarrjes.
Buxheti i vitit 2024 për “Artin dhe Kulturën” ishte rreth 2.9 miliardë lekë ose gati 0.4% e buxhetit total të shtetit të planifikuar në 737 miliardë lekë. Dukshëm, buxheti për artin në Shqipëri mbetet në nivele tejet të ulëta në krahasim me vendet e BE-së, ku mesatarja për vitin 2023 ishte 1.2% e PBB.
Në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, buxheti i Shqipërisë për kulturën është disa herë më i ulët, diferencë e cila theksohet edhe më shumë kur flasim për financimin e projekteve artistike. Buxheti për ish-Ministrinë e Kulturës ka qenë më i ulëti ndër dikastere, ashtu siç ka qenë tepër i ulët edhe ai i institucioneve publike në varësinë e saj. Për të fundit vlen të përmendet dorëheqja e ish-drejtorit të TKOB, Ilir Kerni, në vitin 2016 pikërisht për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm për realizimin e detyrës së tij.
Kritikat kanë qenë të shumta edhe për menaxhimin e fondeve në 12 vitet e fundit, kur vërehet një qendërzim dhe ndikim politik i tepërt në kulturë. Disa nga rastet më ilustruese janë projektet e përqendruara te vetë figura e kryeministrit ose hapësira të hapura përreth tij si ajo e COD-it, shfuqizimi i Qendrës Kombëtare të Arteve në 2014, përqendrimi i projekteve me thirrje në ish-Ministrinë e Kulturës, shembja e Teatrit Kombëtar, si dhe përdorimi politik në kohë fushate i institucioneve publike të kulturës. Vetëm vitin e fundit është vënë re një hapje e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndaj dialogut me komunitetin artistik, punonjësit e kulturës dhe organizatat e angazhuara në rekomandime për politikë-bërjen në sektorin e kulturës dhe artit. Ndërsa në fushën e trashëgimisë kulturore, qeveria ka ndjekur një strategji që prej vitit 2018 me ligjin e ri për trashëgiminë kulturore, i cili synon ta kalojë menaxhimin e trashëgimisë kulturore në duart e fondacioneve të pavarura, si rasti i Butrintit, një rast ky i paprecedent në botë.Në vijim, do të trajtojmë problematikat aktuale në politikat për kulturën dhe artin si dhe zotimet e dhëna nga subjektet politike për këtë sektor.
PS, qasje të njëjtë për kulturën
Në prezantimin e programit të PS “Shqipëria 2030” më 29 mars, kryeministri Edi Rama nuk e përmendi fare artin dhe kulturën, por ai e përmendi atë gjatë inaugurimit të një hapësire të re kulturore në ish-Kinostudio, “HangArt” së bashku me ministrin Blendi Gonxhe. Programi i PS bën bilancin e 12 viteve qeverisje me restaurimin e rreth 650 objekteve të trashëgimisë kulturore, dhe rijetëzimin e 7 qendrave historike në shërbim të zhvillimit turistik dhe ekonomik. Bilanci rikujton edhe rindërtimin e 10 teatrove dhe 20 muzeve. Në lidhje me mbështetjen për artistët, risillet si argument rritja me 60% e pagave në institucionet publike dhe mbështetja e mbi 1.800 projekteve të skenës së pavarur. Po ashtu, arritje konsiderohen edhe regjistrimet si pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s të Xhubletës, Valles së Tropojës, etj.
Për periudhën 2025-2029, Partia Socialiste lë të kuptohet vazhdimësinë e së njëjtës qasje, pa pretenduar rritje domethënëse të buxhetit, apo rishikim të proceseve vendimmarrëse mbi projektet artistike. Vëmendja i kushtohet përsëri investimeve në infrastrukturë dhe rritjes së pagave të administratës. Premtohen ngritja e hapësirave të reja kulturore (shumica projekte tashmë të nisura) dhe krijimi i 10 hapësirave të dedikuara për librin deri në 2030. PS premton po ashtu miratimin e ligjit për Statusin e Artistit, digjitalizimin e arkivave dhe trashëgimisë kulturore, si dhe ngritjen e Qendrave Kulturore Shqiptare në Diasporë. Ministri Gonxhe ka deklaruar se gjatë vitit 2025 do të përgatitet edhe Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 e cila do të hartohet në bashkëpunim me artistët dhe partnerë ndërkombëtarë.
Qeverisja e PS-së është kritikuar vazhdimisht për keq-menaxhim dhe privatizim të trashëgimisë kulturore si në rastin e Fondacionit për Butrintin, për prishje të institucioneve historike si Teatri Kombëtar, për nën-financim për skenën e pavarur, për nepotizëm dhe keqpërdorim të fondeve nga institucionet e artit dhe kulturës (rasti i ish -drejtorit të Teatrit Kombëtar, Basha), si dhe për kapjen politike në nivel qendror dhe lokal të skenës e pavarur (rasti i COD dhe Harabel). Në ligjërimin aktual elektoral të PS-së nuk reflektohet asnjë adresim i këtyre problematikave.
fitimprurëse propozohen lehtësime fiskale për ato hapësira që ekspozojnë vepra të artit dhe trashëgimisë kulturore, ndërsa për artizanët sigurimi i lëndës së parë me çmim të ulët dhe mundësia e zhvillimit të aktivitetit në infrastrukturë publike pa pagesë. Programi përmban edhe miratimin e ligjit për statusin e artistit, i cili do të trajtojë çështje të sigurimeve shoqërore, pensionimit dhe mundësisë për t’u organizuar në shoqata artistike, si dhe miratimin e një ligji të veçantë për pronësinë intelektuale artistike. Po ashtu, propozohet edhe themelimi i institucionit të Komisionerit për punën artistike/kulturore të lirë, i cili do të monitorojë kushtet e punës për punën freelance.
Në infrastrukturë shihen të nevojshme investime mes të cilave: ndërtimi i dy sallave të reja koncertesh në Tiranë dhe rrethe, ndërtimi i hapësirave për prodhime artistike i një rrjeti me objekte publike dedikuar artit bashkëkohor, si dhe Krijimi i Kinematekës Kombëtare me salla kinemaje në të gjithë vendin. LB po ashtu parasheh reformimin e QKK-së njëkohësisht me rritjen e buxhetit të saj vjetor.
nga vetë komuniteti, asnjë nga subjektet politike nuk e thekson dialogun dhe nuk përfshin një vizion të qartë për zhvillimin e tij.
Në lidhje me kostot financiare të premtimeve të tyre, shumica e subjekteve politike (me përjashtim të PS dhe LB) premtojnë rritje të shpenzimeve për kulturën dhe njëkohësisht me ulje taksash. P.sh., Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ASHM, premton taksim të sheshtë 10% dhe rritje të buxhetit për kulturën në 2% të PBB-së pa shpjeguar sesa do të ndikohen mbledhja e të ardhurave buxhetore dhe se si do të bëhet shpërndarja e buxhetit. Këtë sqarim, nuk e jep as Lëvizja Bashkë, e cila premton taksim progresiv.
Në lidhje me trashëgiminë kulturore, vetëm ASHM ka një vizion të qartë për ta menaxhuar këtë trashëgimi bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe rekomandimet e UNESCO-s. Problematika e pranisë së madhe të prekaritetit dhe informalitetit në punësimet e artistëve dhe punëtorëve të kulturës është adresuar nga LB, ndërsa zotimi për miratimin e ligjit për Statusin e Artistit përmendet nga thuajse të gjitha subjektet. Mirëpo, nuk jepen detaje se çfarë do të përmbajë ky Status i Artistit.
Përsa i përket proceseve vendimmarrëse, propozimet për krijimin e qendrave kombëtare për menaxhimin e projekteve artistike dhe kulturore nuk janë shoqëruar me modelet që do të ndjekin këto qendra dhe me ndërhyrjet ligjore që do të jenë të nevojshme për formimin e tyre.
Ndër problematikat të cilat nuk trajtohen nga programet politike mund të përmendet situata e vështirë e tregut të librit dhe financimi mesatar vjetor i botimeve nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në nivelin e pa dinjitetshëm prej 4.000.000 lekë në vit. Po ashtu, programet nuk trajtojnë problematikat e ligjit për OJF-të të cilat nuk parashikojnë klauzola mbështetëse për organizatat e artit, ashtu siç pamundësojnë formalizimin e unioneve, asambleve, apo forumeve të cilat do të mund të organizonin skenën e pavarur duke përfshirë artistët freelance, ata të vetëpunësuar, si dhe ata informalë. Një problematikë tjetër e patrajtuar lidhet me taksimin e lartë mbi burim prej 15% për punët e zhvilluara me kontrata shërbimi. Ndërkohë në lidhje me infrastrukturën, përpos mosfunksionimit aktual të Muzeut Kombëtar, Galerisë Kombëtare, dhe një Teatri dinjitoz Kombëtar, asnjë nga subjektet nuk përmend nevojën për krijimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, një kërkesë edhe kjo prej vitesh e shtruar nga komuniteti artistik./BIRN
Discussion about this post