Kur u krijua në fillim Agjencia Kombëtare e Bregdetit u duk sikur u bë për të mbledhur në një dorë lejet për plazhet private. Në fakt, në emrin e saj qarkullojnë fonde të mëdha që zhduken si uji në rërë. Agjencia e udhëhequr nga drejtori Ledion Lako dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka lënë gjurmë të këqija në shpërdorimin e fondeve dhe keqtrajtimin e plazheve.
Ndërkohë që bregdeti vazhdon të jetë i papastër, kjo agjenci shpenzon në mënyrë të centralizuar fonde për gjoja pastrimin e plazheve, që përfundojnë në xhepat e oligarkëve. Kështu, pavarësisht shpenzimeve që bëjnë bashkitë për pastrimin e territoreve të tyre bregdetare, planifikohet buxhet edhe për Agjencinë Kombëtare të Bregdetit për pastrimin.
Kjo situatë është shfrytëzuar nga qeveria për të centralizuar paratë e dedikuara për pastrimin (përfshirë ato për djegien në incenerator). Kështu, në datën 22 tetor 2021, Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan një mbledhje me kryetarët e bashkive dhe prefektët, për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve. Aty u theksua se gjendja në të cilën ndodhet pjesa më e madhe e bashkive është e patolerushme.
Një muaj më pas nga Vlora, Kryeministri i detyroi bashkitë të grumbullojnë fonde për pastrimin.
“Fillimisht do të pastrohen të gjitha pikat e nxehta dhe më pas do të parandalojmë që të mos rikrijohen më këto pika. Nuk është hera e parë që ne bëjmë aktivitete të tilla. Jemi në rrugën e zbatimit, asnjë bashki nuk do të lejohet të bëjë asgjë tjetër nëse nuk garanton të gjitha burime financiare të nevojshme për pastrimin dhe nëse nuk garanton që ato burime përkthehen në një rezultat konkret. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë se sa i kushton pastrimi çdo bashkie dhe në bazë të kësaj do të parashikohet edhe buxheti pasardhës i bashkive”, është shprehur Rama.
Nga ana tjetër, ministrja zbuloi faktin se fondet e rezervës të qeverisë do të përdoreshin për tendera pastrimi.
“Kërkesa dhe detyrimi që ne kemi që kjo cështje të jetë prioritet do të jetë e harmonizuar me buxhetin e qeverisë, ku do të ketë një fond rezervë të dedikuar për mbetjet që do të ecë me performacën e bashkive, me prioritet ato të bregdetit. Pra kemi dy instrumente, me ndërhyrje të drejtpërdrejta, por edhe me një fond rezervë të dedikuar për këtë gjë. Në përgatitje të sezonit do të kemi një projekt të ri për rikualifikim të të gjitha pikave hyrëse në kufijtë e Shqipërisë, por edhe porta që i përcjellim ata. Prioriteti i bregdetit dhe turizmin gjetën pasqyrimin në buxhetin e vitit 2022”, ka deklaruar ministrja.
Në atë kohë, me justifikimin që ka shumë plehra për të menaxhuar, i detyruan bashkitë bregdetare të paguajnë tarifat e inceneratorit të Tiranës.
Ndërsa tani, me arsyen se bashkitë nuk e mbajnë pastër bregdetin, Kumbaro futi në lojë Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Me datë 7 mars 2023, kjo agjenci ka regjistruar tenderin me objekt “Shërbimi i Pastrimit të Zonës Bregdetare për Bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Vlorë, Himarë dhe Sarandë”, me vlerë 1.6 miliardë lekë. Tenderi është ndarë në dy lote, ku 910 milionë lekë do të shkojnë për Bashkitë Durrës, Kavajë, Rrogozhinë dhe 700 milionë lekë për Bashkitë Vlorë, Himarë, Sarandë.
Sipas dokumentit, pastrimi do të fillojë nga data 15 qershor 2023 deri në datën 15 shtator 2023. Pra punimet do të vazhdojnë edhe gjatë sezonit veror. Çka do të thotë që edhe këtë vit plazhet nuk do të jenë në gjendje të mirë për të mirëpritur pushuesit.
Duhet të theksojmë se këto 1.6 miliardë lekë janë kosto shtesë përveç fondeve të posaçme që marrin bashkitë çdo vit për shërbimin e pastrimit. Për shembull, punën e bën Komunalja e Plazhit Durrës dhe këto para nga Agjencia e Bregdetit i merr si dhuratë një oligark.
Ku i çojnë bashkitë paratë e pastrimit?!
Sipas të dhënave të publikuara nga vetë bashkitë tregohet se në çdo vit fondi për pastrimin është shtuar. Bashkitë Durrës, Himarë dhe Vlorë për vitin që lamë pas kanë marrë 100 milionë lekë më shumë se në vitin 2021, por sërish janë këto njësi që ankohen më shumë se nuk i mbulojnë shpenzimet.
Gjatë vitit të kaluar nga të gjitha bashkitë u hapën tenderë për pastrim. Madje Bashkia Himarë dhe Durrës zhvillojnë tender më vete për pastrimin e bregdetit dhe rezultate nuk shohim. Pesë muaj më parë kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka akorduar rreth 100 mijë euro për të pastruar disa plazhe. Por, bregdeti i Durrësit vazhdon të mbetet më i ndoturi në vend.
Edhe Bashkia Vlorë në tenderin e fundit me objekt “Shërbimin e pastrimit të Njësisë Administrative Orikum” ka shpenzuar 70 milionë lekë të reja. Më herët ishte mbyllur një tender me vlerë 65 milionë lekë për të njëjtin objekt.
Pavarësisht se këto fonde janë barrë mbi xhepat e taksapaguesve, bashkitë vazhdojnë të ankohen për mungesë buxheti. Qeveria ua kalon atyre përgjegjësinë duke thënë se “kanë mjaftueshëm para”.
Agjencia e Korruptuar (Kombëtare) e Bregdetit?
T’i japësh këtë buxhet Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) është si “t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë”. Fondet e vogla në këtë institucion i shpërdoron drejtori dhe ministrja, ndërsa shumën e madhe “për pastrimin” e bregdetit me siguri e ka porositur kryeministri Rama për ndonjë oligark.
Sipas auditimit të kryer në AKB nga KLSH në korrik të vitit 2022, të paktën në 5 raste procedurat e prokurimit janë zhvilluar me mangësi gjatë vlerësimit të ofertave dhe hartimit të dokumenteve. Dëmi në arkën e shtetit i konstatuar nga audituesit rezulton 3 633 974 lekë. Jo vetëm që drejtori i kësaj agjencie firmos tenderë më shkelje, por nga raporti i KLSH, del se qenka edhe i paaftë. “Institucioni (AKB) nuk ka patur performancë të mirë në zbatimin e projekteve IPA të BE-së dhe nuk janë përthithur fondet me vlerë 356,698 euro nga tre projekte. Procedurat e tenderimit për ekspertizë të jashtme(për projekte të financuara nga BE), nuk janë zhvilluar në përputhje të plotë me rregullat e Guidës praktike për procedurat kontraktues të jashtme të BE-së”, nënvizohet në raport.
Gjithsesi, kaq lekë sa raporton KLSH, nuk i hyjnë në sy as ministres Kumbaro dhe as drejtorit Lako. Ata merren me tenderë të mëdhenj si ky i pastrimit të bregdetit.
Verën e kaluar, Ledion Lako i firmosi kontratën 1 milionë dollarë kompanisë “Fusha” për pastrimin e bregdetit.
Sipas dokumenteve, Agjencia Kombëtare e Bregdetit finalizoi tenderin e hapur, mbi kufirin e lartë monetar, me objekt “shërbim pastrimi i zonës bregdetare, për Bashkitë Durrës, Sarandë, Kavajë, Himarë”. “Me anë të këtij njoftimi ju informojmë se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë “FUSHA” me ofertë në vlerën 86.411.340 lekë pa TVSH”, citojmë dokumentin.
Në këtë tender, mungonte vija bregdetare e Vlorës, por me siguri këto para shkuan për pastrimin e fshatit turistik të oligarkut Saimir Mane në Palasë të Himarës. Në fakt, bregdeti u pastrua nga vullnetarët, ushtarët dhe shoqëria civile, ndërsa paratë e buxhetit i arkëtoi “Fusha” dhe inceneratorët.
Tenderi i sivjetmë për pastrimin e bregdetit ka disa ndryshime. Së pari, fondi është shtuar me 600 milionë lekë. Nuk argumentohet përse duhet kjo shtesë prej 60% e këtij fondi për thuajse të njëjtën vijë bregdetare. Së dyti, në tender janë hequr plazhet e Lezhës dhe të Shkodrës. Përse nuk pastrohet vija veriore e bregdetit, kur buxheti është shtuar? Kjo me siguri do të kuptohet kur të marrim vesh për cilin oligark e ka përgatitur tenderin ministrja e Turizmit!
Esmeralda Hida
Lexo edhe: Vjedhje me pastrimin/ Humbi, Kapri denoncon tenderin 1 mln euro
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Discussion about this post