Aldo Bare (Alfred Shkurti), i dënuar me burgim të përjetshëm si drejtues i Bandës së Lushnjes, humbi përfundimisht betejën me drejtësinë në Shqipëri.
Pas më shumë se 16 vitesh procese gjyqësore në të gjitha shkallët e drejtësisë, së fundi, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e tij dhe të avokatit mbrojtës për shkelje të të drejtave të njeriut.
Diçitura: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Aldo Bare (Alfred Shkurti)
Gjykata Kushtetuese ka vendosur mos-pranimin e padisë së Aldo Bares në 14 Korrik të vitit 2023. Argumentat e vendimit janë zbardhur në fillim të muajit gusht.
Historia e Aldo Bares
Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri.
Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.
Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale.
Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të “kokës” së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti.
Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.
Me mbledhjen e këtyre “ushtarëve” përreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.
Ndryshe nga të gjitha bandat që vepronin në vitin 1997 në vend, banda e Lushnjes, që u drejtua nga Aldo Bare, arriti të krijonte një komisariat të vetin në qytet, atë që mbahet mend edhe si “Komisariati Nr. 2”.
Diçitura: Aldo Bare u arrestua në Maqedoni, në vitin 2006
Mbretërimi i tij në qytet zgjati për gati 10 vjet, deri në vitin 2006 ku u godit dhe koka e bandës, Aldo Bare i cili u arrestua në Maqedoni.
Aldo Bare qëndroi për shumë kohë në arrati, por në vitin 2006 dhe arrestua në Turqi dhe tri vite më vonë u ekstradua në Tiranë ku edhe u përball me drejtësinë.
Ping-pongu në gjykata
Aldo Bare alias Alfred Shkurti është proceduar penalisht për disa vepra penale të lidhura me ngjarjet e ndodhura në Lushnjë në vitet 1997-1998, si drejtues i grupit kriminal “Banda e Lushnjës”.
Pas bashkimit të procedimeve, kthimit dhe pushimit të hetimeve nga prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë, Prokurori i Përgjithshëm ka vendosur rifillimin e hetimeve dhe ia ka dërguar aktet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
Kjo e fundit ka regjistruar procedimin penal nr. 15, viti 2006 dhe në përfundim të hetimeve paraprake e ka dërguar në gjyq çështjen penale, duke e akuzuar kërkuesin për veprat penale “Vrasja me paramendim në dëm të katër shtetasve”, “Vrasja me paramendim në tentativë në dëm të tre shtetasve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Shkatërrimi i pronës së një shtetasi me zjarr”, “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
– Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr. 17, datë 28.03.2011, ka vendosur deklarimin fajtor, duke e dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm. Kundër këtij vendimi kanë ushtruar ankim prokurori dhe kërkuesi.
– Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr. 54, datë 03.10.2011, ka vendosur prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë, me arsyetimin se kërkuesit i është cenuar e drejta e mbrojtjes.
Po kështu, sipas gjykatës së apelit, gjykata e shkallës së parë ka lejuar shkelje edhe në marrjen dhe administrimin e provave. Kundër këtij vendimi kanë ushtruar rekurs prokurori dhe kërkuesi. Kundër këtij vendimi prokurori dhe kërkuesi kanë ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë.
Diçitura: Seria e vendimeve për dosjen e Aldo Bares
– Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 24, datë 25.01.2012, ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me arsyetimin se vendimi është rrjedhojë e interpretimit dhe zbatimit të gabuar të ligjit procedural penal.
– Në rigjykim, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin nr. 49, datë 16.07.2012, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit me burgim të përjetshëm të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë në vitin 2011. Kundër këtij vendimi kanë ushtruar rekurs Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe Aldo Bare.
– Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2015-2087, datë 02.07.2015, në dhomë këshillimi, ka vendosur mospranimin e rekurseve, me arsyetimin se nuk përmbajnë shkaqe ligjore, duke lënë në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga shkallët më të ulta.
– Më tej, Aldo Bare ka paraqitur ankim në Gjykatën Kushtetuese, me pretendimin se gjykatat i kanë cënuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor, në drejtim të së drejtës së mbrojtjes, së drejtës për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm, së drejtës për t’u proceduar me gjykim të shkurtuar, etj.
Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 27, datë 27.03.2017, ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesës, duke shfuqizuar si të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin nr. 00-2015-2087, datë 02.07.2015 të Gjykatës së Lartë dhe e ka dërguar çështjen për rishqyrtim pranë saj.
Zhurma publike e politike
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shkaktoi reagim politik dhe publik.
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në atë kohë: “Lirimi i vrasësit serial Aldo Bare, një akt kriminal i pashembullt i kreut të banditokracisë Edvin Kristaq Ramës! Duke përdorur vettingun si hanxhar, ashtu siç ishte paralajmëruar ai urdhëroi Gjykatën Kushtetuese të heqë dënimin përjetë të kreut të bandës më të rrezikshme të Europës, bandës që priste dhe lozte futboll me kokën e viktimës në rrugët e Lushnjës”.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama u përgjigj kësaj situate, nëpërmjet dialogut me një qytetar në rrjete sociale, i cili e pyeti kreun e qeverisë: “A mos u teprua pak me faljen e këtij Aldo Bares?”
Rama i ktheu përgjigje: “Po pse po me bie goja mua Vetingu, Vetingu, si thua ti?!”- duke aluduar se faji dhe përgjegjësia ishte e gjyqtarëve “të korruptuar dhe të paaftë”.
Diçitura: Kryeministri Edi Rama debaton në rrjete sociale për Aldo Baren
Në këtë zhurmë politike, ndërhyri edhe vetë Gjykata Kushtetuese.
Në një njoftim publik, gjykata deklaroi në atë kohë: “Sqarojmë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe e ka dërguar çështjen për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Vendimi i saj nuk ka cenuar vendimarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit për Krimet e Rënda, nga ku rezulton se kërkuesi është dënuar me burgim të përjetshëm”.
Rikthimi në gjykata
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çështja e Aldo Bares u rikthye për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Kolegji Penal i kësaj gjykate, me vendimin nr. 358, datë 22.12.2022, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 49, datë 16.07.2012 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, pra, dënimin me burgim të përjetshëm për Aldo Baren.
Në datën 08 maj 2023, Aldo Bare, nëpërmjet avokatit, i është drejtuar sërish Gjykatës me ankim kushtetues, duke kërkuar krahas shfuqizimin si antikushtetues të të gjithë vendimeve të marra kundër tij në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor.
Diçitura: Gjykata Kushtetuese vendosi moskalimin në gjykim të ankimit të Aldo Bares
Trupa e plotë e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga 9 gjyqtarët e saj, mori në shqyrtim paraprakisht kërkesën e Aldo Bares dhe përfaqësuesit të tij ligjor.
Në përfundim, pasi u analizuan të gjithë shkaqet e ngritura në ankesën e Bares, Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht që të të mos e kalonte për shqyrtim në seancë themeli, me argumentin se nuk plotësohen kriteret ligjore paraprake për kalimin në seancë gjyqësore.
Hapi i radhës, Strasburgu
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i mbylli përfundimisht rrugët Aldo Bares dhe avokatëve të tij për të kërkuar lirinë në sistemin e brendshëm të drejtësisë në Shqipëri.
Hapi i radhës duket se do të jetë padia në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Strasburg.
Një ide e tillë u artikulua më herët për mediat nga Oligert Kume, avokati i Aldo Bares. Sipas deklaratave të tij në media, ai thotë se klientit të tij i janë shkelur të drejtat për një proces të rregullt ligjor.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
Discussion about this post