Asambleja Popullore e Republikës Sërpska (RS) të premten (10 dhjetor) ka miratuar një seri hapash që fuqizon një nismë për të transferuar disa kompentenca nga institucionet shtetërore, megjithë paralajmërimet nga Perëndimi.
Deputetët e kësaj asambleje, votuan me 49 vota për dhe 3 kundër për të nisur një procedurë që entiteti me shumicë serbe brenda Bosnje dhe Hercegovinës të tërhiqet nga ushtria boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemi i taksave dhe sistemi juridik.
Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja para votimit.
Bosnja ka qenë në një krizë të stërzgjatur politike lidhur me lëvizjet ndarëse nga Republika Srpska, duke ringjallur frikën se marrëveshja e paqes që i dha fund një lufte të viteve 1992-95 mund të shpërbëhet dhe të kërcënojë stabilitetin rajonal.
Më poshtë mund të lexoni zhvillimet gjatë ditës lidhur me këtë ngjarje:
Asambleja Popullore e Republikës Sërpska (RS), organ ky legjislativ, ombrellë e këtij entiteti në Bosnjë e Hercegovinë, sot (10 dhjetor) ka diskutuar “transferimin e kompetencave nga Bosnjë e Hercegovina në nivelin e Republikës Sërpska”, në fushën e taksave indirekte, drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë.
Në rend të ditës ishte edhe Deklarata mbi parimet kushtetuese të Republikës Sërpska, e cila udhëzon institucionet e këtij entiteti që të hartojnë një kushtetutë, sipas së cilës Banja Lluka do të ishte kryeqyteti i entitetit, ndërkaq Palle, që është jo shumë larg kryeqytetit, Sarajevës, të jetë kryeqyteti historik.
Deklarata saktëson se “të gjitha ligjet e vendosura nga Përfaqësuesi i Lartë, janë antikushtetuese”. Pas dokumenteve të propozuara qëndrojnë presidenti i Republikës Sërpska, kryeministri i këtij entiteti, anëtari serb i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe shumica parlamentare e kryesuar nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) e Millorad Dodikut.
Në Seancën e Asamblesë, Dodik tha se pas përfundimit të debatit, populli do të vendosë me referendum për Kushtetutën e re të Republikës Sërpska.
“Bosnjë e Hercegovina po lëviz në një drejtim, për të cilin nuk kemi rënë dakord që nga përfundimi i Marrëveshjes së Dejtonit. Ne kemi një ndjenjë se Bosnjë e Hercegovina po shkon në drejtim të gabuar. Një nga një, kompetencat po ndryshojnë në favor të Bosnjë e Hercegovinës, pa u penduar askush për këtë”, tha Dodik.
Duke folur për çështjen e ushtrisë, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, theksoi se Republika Sërpska dëshiron që të tërheqë pëlqimin për Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës
“Kjo nuk do të thotë se serbët duhet të largohen menjëherë nga to, por ne do të vazhdojmë të negociojmë se cilët janë hapat e ardhshëm”, tha Dodik.
Ai veçoi tri opsione – reduktimin e ushtrisë së Bosnjë e Hercegovinës, miratimin e një ligji mbi ushtrinë e Republikës Sërpska ose një ligj për çmilitarizimin e Republikës Sërpska.
“Ne duam ta lëmë afatin prej gjashtë muajsh dhe të negociojmë për forcat e armatosura dhe se nuk do të ketë kurrë forca myslimane, si dhe që gjithmonë do të ketë komponentin serb, por edhe atë kroat”, deklaroi Dodik.
“Po vijmë në pozicionin që një ditë do të kemi një ushtri myslimane nën komandën e strukturave myslimane në Bosnjë e Hercegovinë. Ne duhet të refuzojmë dhe të rishikojmë këtë”, theksoi Dodik.
Ai shtoi se në Republikën Sërpska ka nisur rishikimi i transferimit të kompetencave në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që të shihet se a mundet “të justifikohet numri i institucioneve të shtrenjta të Bosnjë e Hercegovinës dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve të administratës në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës”.
Kryetari i Partisë Demokratike Serbe në opozitë, Mirko Sharoviq, në fjalimin e tij para deputetëve të Asamblesë së Republikës Sërpska ka thënë se rruga që po zgjidhet nga partitë në pushtet është katastrofale.
“A do të jetojnë njerëzit në paqe si më parë, a mund të riformohet Ushtria e Republikës Sërpska pa luftë dhe ndërhyrje të NATO-s?”, pyeti Sharoviq.
Ai theksoi se kompetencat, për të cilat po diskutohet, nuk mund të kthehen në nivelin e Republikës Sërpska pa luftë.
“Mendoj se kjo është futje e Republikës Sërpska në një spirale të rrezikshme konflikti me mundësinë e shpërthimit të luftës dhe këtë dua t’ia përcjell anëtarit të Presidencës, Dodikut”, tha Sharoviq, i cili i ka porositur deputetët që t’u thonë “Jo” vendimeve që mund ta vënë në pikëpyetje paqen, sigurinë dhe Marrëveshjen e Dejtonit.
Presidentja e Republikës Serbe, Zhelka Cvijanoviq, duke folur në Asamblenë e Republikës Sërpska, akuzoi opozitën se mbante një pjesë të përgjegjësisë për mungesën e unitetit dhe se opozita po pret zgjidhje të gatshme.
Ajo tha se nuk ishin të sakta vlerësimet se shteti po shtyhej buzë greminës.
“Çfarë lufte? Askush nga ne nuk tha se do të ketë luftë. Ju jeni radhitur në anën e atyre që janë në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës që flasin për luftën”, tha Cvijanoviq.
Edhe Milorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, akuzoi partitë opozitare se “fshihen” dhe janë “frikacakë”.
Pas kritikave dhe akuzave nga presidentja e Republikës Srpska, Cvijanoviq, dhe anëtari i Presidencës së BeH, Milorad Dodik, ligjvënësit e opozitës në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska e kanë braktisur seancën ku po diskutohej transferimi i kompetencave nga Bosnjë e Hercegovina tek entiteti Republika Sërpska.
“Ne dëgjuam propozuesit dhe përfundimi ynë është se nuk do t’i mbështesim ata në qëllimin e tyre, sepse ne besojmë se kjo është një farsë politike dhe përgatitje për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022”, u tha gazetarëve në sallën e Asamblesë, kryetari i Partisë opozitare Demokratike Serbe, Mirko Sharoviq.
Bartjen e disa prej përgjegjësive, të cilat sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Dejtonit i takojnë Bosnjës ndaj Republikës Sërpska, kohëve të fundit e kishte paralajmëruar Dodiku, pasi që në Bosnje me ligj u ndalua mohimi i gjenocidit.
Politikanët nga Republika Sërpska e kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko, dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore.
Çka parashohin konkluzionet që pritet të votohen?
Disa prej konkluzioneve që janë propozuar të votohen nga deputetët e Asamblesë së Republikës Sërpska, parapanë tërheqjen e pajtimin për konkluzionet e Asamblesë Popullore të Republikës Sërpska të vitit 2004, të cilat e kishin autorizuar Qeverinë e këtij entiteti për nënshkrimin e marrëveshjes për transferimin e disa përgjegjësive të subjekteve përmes krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës.
Asambleja udhëzon Qeverinë e Republikës Sërpska të dërgojë Ligjin për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të RS-së në Asamble për shqyrtim dhe miratim brenda gjashtë muajve.
Ligji për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnjë e Hercegovinës nuk do të zbatohet në territorin e RS-së nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska.
Konkluzionet në lidhje me informacionin për transferimin e kompetencave nga Republika Sërpska në nivelin e BeH në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, thanë që Asambleja e Republikës Sërpska e udhëzon Qeverinë e Republiës Sërpska të tërheqë pëlqimin e saj, të vitit 2005, për marrëveshjen për transferimin e kompetencave në fushën e mbrojtjes tek institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, të nënshkruar me Qeverinë e Federatës së Bosnjë e Hercegovinës.
Gjithashtu, thuhet që në afat prej gjashtë muajsh duhet të dërgohen për shqyrtim dhe miratim në Asamblenë Popullore të Republikës Sërpska ligjet e fushës së mbrojtjes dhe sigurisë.
“Ligji për mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës, Ligji për shërbimin në Forcat e Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës, Ligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës dhe Ligji për Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës nuk do të zbatohen në territorin e Republikës Sërpska, ligjet e mbrojtjes dhe sigurisë”, thuhet në konkluzion.
Asambleja Popullore e Republikës Sërpska e udhëzon Qeverinë e këtij entiteti që brenda gjashtë muajve t’i dërgojë për shqyrtim dhe miratim në këtë kuvend ligjet dhe rregulloret e tjera që do të mundësojnë funksionimin e qetë të Republikës Sërpska.
“Ligjet dhe rregulloret e tjera që transferojnë kompetencat nga Republika Sërpska tek institucionet e Bosnjë e Hercegovinës nuk do të zbatohen në territorin e Republikës Sërpska nga dita e hyrjes në fuqi të ligjeve dhe rregulloreve të tjera”, thuhet në konkluzion.
Ambasada e SHBA-së në BeH: Të gjithë do t’i ndiejnë pasojat e cenimit të Marrëveshjes së Dejtonit e SHBA-së
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk do të mbështesin aktivitetet e njëanshme që janë jashtë rendit kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe që minojnë funksionalitetin në nivel shtetëror. Kështu thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë për Radion Evropa e Lirë, lidhur me atë se çfarë mekanizmash ka SHBA-ja kur bëhet fjalë për kushtëzimin e mbështetjes financiare, në rast të shkeljes së Marrëveshjes kornizë të paqes.
“Kërcënimet ndaj aktiviteteve të tilla tashmë po dëmtojnë klimën e investimeve dhe nëse zbatohen, do të komplikojnë më tej sektorin tashmë kompleks të biznesit, duke e larguar më tej Bosnjë e Hercegovinën nga katër liritë në Bashkimin Evropian, që janë kyçe për prosperitetin e saj të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.
Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, më 8 dhjetor, pas një sesioni dyditor të Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) në Bosnjë e Hercegovinë, ka thënë se anëtarët e këtij bordi ishin “të përkushtuar ndaj të gjitha masave të nevojshme”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, anëtarët e Bashkimit Evropian dhe Organizata e Konferencës Islamike, e udhëhequr nga Turqia, njoftuan kushtëzimin e mundshëm të mbështetjes financiare, si dhe sanksionet.
Ambasada e SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë tha se ky vend, si anëtar i Këshillit për zbatimin e paqes, vë në dukje komunikatën e Këshillit për Zbatimin e Paqes të datës 8 dhjetor, duke përfshirë mesazhin se “Bosnjë e Hercegovina rrezikon të ketë pasoja të rënda për buxhetet e qeverive, qasjen në fonde dhe projekteve për ndihma të huaja, për shkak të veprimtarisë destabilizuese politike”.
“Të gjithë në Bosnjë e Hercegovinë do t’i ndiejnë pasojat e veprimeve të cilësdo palë që synojnë të minojnë Marrëveshjen e paqes së Dejtonit. SHBA-ja do të vazhdojë të konsultohet me anëtarët e bordit të tyre në institucionet financiare ndërkombëtare që i mbështesim, që të sigurojmë që ndihma dhe financimi të mbështesin zhvillimin dhe të mos e minojnë Marrëveshjen e paqes së Dejtonit”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.
Gjithashtu, theksohet se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe se janë “këtu për të mbështetur të gjithë qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës, të cilët duan të ndërtojnë një të ardhme të pangarkuar me korrupsion dhe ndarje”.
“Për shkak të ngërçit politik dhe mungesës së standardeve të përshtatshme, Bosnjë e Hercegovina po dështon të shfrytëzojë potencialin e madh ekonomik të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në vend të përpjekjeve që të kthejnë Bosnjë e Hercegovinën në të kaluarën, është detyrë e politikanëve të marrin pjesë në punën e vështirë të qeverisjes dhe të zbatojnë reforma kuptimplota që do t’u japin shpresë të gjithë qytetarëve”, është thënë ë përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Bosnjë e Hercegovinë për Radion Evropa e Lirë.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë: Asambleja e Republikës Sërpska hapur nuk e respekton Dejtonin
Veprimi i Asamblesë së Republikës Sërpska, për të mos i lejuar përfaqësuesit e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) të marrin pjesë në sesionin e së premtes, më 10 dhjetor, është “mospërfillje e hapur për Marrëveshjen e paqes së Dejtonit”, ka thënë Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë për Radio Evropa e Lirë .
“Të gjitha palët kanë detyrimin të respektojnë plotësisht Marrëveshjen kornizë të përgjithshme për paqen. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë kërkon që Asambleja Republikës Sërpska të respektojë mandatin e OHR-së”, ka thënë Zyra e Përfaqësuesit të Lartë.
Paralajmërimit të anëtarëve të Këshillit të PIC-it iu bashkua Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), përfaqësuesi i të cilit theksoi se “tërheqja e entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska nga Autoriteti i taksave indirekte të Bosnjë e Hercegovinës, do të shkaktonte pasoja të mëdha ekonomike”.
Më 20 tetor 2021, Parlamenti i RS-së miratoi ligjin për ilaçet dhe mjetet medicinale që parasheh themelimin e agjencisë së entitetit për ilaçe, e cila që nga viti 2009 vepron në nivel shtetëror.
Themelimi i agjencisë së këtillë nuk është në përputhje me Kushtetutën e BeH-së, pjesë e Marrëveshjes së Dejtonit nga viti 1995, me të cilin është definuar që entitetet nuk mund të marrin përgjegjësi të shtetit ose përgjegjësitë që janë në përputhje me Kushtetutë të bartura në nivel të shtetit.
Zhelka Cvijanoviq, presidente e RS-së, në tetor solli vendimin sipas të cilit për këtë entitet nuk vlejnë ndryshimet e Kodit Penal të BeH-së, me të cilin dënohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të tjera.
Në ndërkohë, Dodik paralajmëroi edhe bartjen e përgjegjësive kur bëhet fjalë për Forcat e Armatosura të BeH-së, Gjykatës Supreme dhe Këshillin Prokurorial si dhe Administratën për Tatim të BeH-së.
Planet e Dodikut për “ligjin e ri për ushtrinë e RS-së”
Më 7 dhjetor, Dodik paralajmëroi se tashmë është përpiluar edhe “ligji i ri për ushtrinë e Republikës Sërpska dhe ligji për demilitarizim” nëse nuk do të ketë gatishmëri që të pranohet propozimi për “përgjysmimin e Forcave të Armatosura të BeH-së”.
“Nga Forcat e Armatosura të BeH-së nuk kemi asgjë, serbët atje nuk shkojnë, mungojnë 40 për qind e kroatëve e myslimanët duan që të plotësojnë kuotat. Buxheti i Bosnje e Hercegovinës ndahet më së shumti për Forcat e Armatosura dhe është rreth 1,879,378 euro (370 milionë marka konvertibile) e që thënë sinqerisht nuk është kurrfarë ushtrie, por vetëm shpenzues i madh”, tha Dodik gjatë qëndrimit në Beograd.
Sipas Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska dhe Federata e BeH nuk munden individualisht të bartin përgjegjësitë, të cilat në periudhën e shkuar u bartën ndaj shtetit./REL
Discussion about this post