Avokati i Popullit në Kosovë i është drejtuar me një letër Dhomave të Specializuara në Hagë, ku ngre shqetësime për proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai thotë se ka shkelje të të drejtave themelore, duke kritikuar pranimin e provave nga Serbia dhe mospranimin e disa provave nga mbrojtja.
Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, ka kritikuar hapur Dhomat e Specializuara në Hagë, ku po gjykohen ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Në një letër drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, Avokati i Popullit thekson se janë shfaqur mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore.
Ndër të tjera shprehet shqetësim për refuzimin e procedurave dhe paraqitjen e provave nga mbrojtja.
QELAJ: “Po aq shqetësuese është edhe mënyra se si janë pranuar disa prova. Për ilustrim, po përmend dy shembuj. Së pari, kam vërejtur pranimin e dokumenteve zyrtare që pretendohet se burojnë nga autoritetet serbe, të cilat pretendojnë ushtrim juridiksioni mbi territorin e Kosovës pas qershorit të vitit 1999. Kjo periudhë përkon me vendosjen e administratës së përkohshme ndërkombëtare të autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, gjatë së cilës funksionimi i institucioneve gjyqësore serbe në Kosovë ishte i paligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare, siç është përcaktuar qartë edhe në vendimet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Rrjedhimisht, pranimi i këtyre dokumenteve ngre shqetësime serioze si për ligjshmërinë e tyre (përfshirë sipas së drejtës ndërkombëtare publike, dhe jo vetëm sipas Kushtetutës), ashtu edhe për besueshmërinë e tyre provuese”
Sipas Avokatit të Popullit në Kosovë, është shqetësuese të shohësh këtë gjykatë të refuzojë pothuajse të gjitha kërkesat procedurale nga mbrojtja.
QELAJ: “Një model kaq i qëndrueshëm ngrit shqetësime legjitime për çekuilibër procedural dhe paragjykim të mundshëm, të cilat mund të minojnë seriozisht besueshmërinë e procedurave gjyqësore dhe të vënë në pikëpyetje trajtimin e paanshëm të të akuzuarve”.
Në letër theksohet edhe zgjatja e paraburgimit.
QELAJ: “Praktika e vazhdueshme e mbajtjes së të gjithë të akuzuarve në paraburgim të zgjatur dhe të pandërprerë, pa shqyrtim kuptimplotë të masave alternative, duket në papajtueshmëri si me kornizën e zbatueshme ligjore, ashtu edhe me standardet e konsoliduara që rrjedhin nga jurisprudenca e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore. Vlerësimit të rrezikut të ikjes si uniformisht “i lartë”, siç parashtrohet nga Prokuroria dhe miratohet vazhdimisht nga Dhomat, i mungon një arsyetim bindës, veçanërisht duke pasur parasysh se të gjithë të akuzuarit janë vetëdorëzuar dhe se nuk ka prova të besueshme që sugjerojnë rrezik për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve”.
Avokati i Popullit në Kosovë po ashtu ngre shqetësim edhe për monitorimin e komunikimit dhe vizitave familjare. Sipas tij është e vështirë që të gjendet ndonjë përputhje ndërmjet një regjimi kaq të ashpër të paraburgimit me parimet që rregullojnë privimin nga liria sipas standardeve të drejtësisë penale ndërkombëtare.










Discussion about this post