Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar një shkresë kryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, ku kërkon mbështetje për sigurimin e 265.4 milionë lekëve shtesë, të cilat kanë mbetur të pambuluara në projektbuxhetin e vitit 2027.
Në shkresën drejtuar Xhafajt, Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, bën me dije se nga kërkesa shtesë prej 364.7 milionë lekësh, në projektbuxhet janë përfshirë vetëm 99.3 milionë lekë. Pjesa e mbetur lidhet kryesisht me përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Ndër zërat për të cilët kërkohet financim janë 51.7 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe rinovimin e licencave, 33.7 milionë lekë për qiranë e magazinave në Vaqarr dhe 180 milionë lekë për projektin e magazinës dhe shërbimin e supervizimit.
KQZ paralajmëron se mungesa e fondeve për teknologjinë mund të vonojë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve kritike, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe cenimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor. Një tjetër problem i evidentuar është edhe Platforma Elektronike e Raportimit Financiar (PERF), e cila ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare.
Për përmirësimin e saj nevojiten rreth 20 milionë lekë, për të cilat KQZ pret financim nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë. Në rast se donatori nuk e mbulon këtë shumë, institucioni kërkon që ajo të financohet nga buxheti i shtetit. Në të njëjtën shkresë, KQZ raporton edhe mbi ecurinë e rekomandimeve të Kuvendit, duke evidentuar se programi për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është ende në hartim, ndërsa fushatat informuese nuk kanë nisur.
LETRA E PLOTË-:
Drejtuar: Z. Fatmir XHAFAJ
Kryetar, Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
KUVENDIT TË SHQIPËRISË
I nderuar z. Kryetar,
I nderuar z. Kryetar,
Në përgjigje të shkresës suaj me nr. 606/1 prot., datë 27.10.2026, lidhur me shqyrtimin e
projektbuxhetit për vitin 2027, ju përcjellim informacionin e kërkuar mbi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit, relacionin mbi realizimin e buxhetit të vitit 2026, si dhe kërkesat buxhetore për vitin 2027.
1. Ky raportim mbulon informacionin për statusin e zbatimit të rekomandimeve nr. 3, 4, 7, 8, 10 dhe 14, sipas materialeve të administruara deri në datën e përgatitjes së kësaj përgjigjeje.
Për rekomandimin nr. 3, përmirësimi i Platformës Elektronike të Raportimit Financiar (PERF) është në proces, ndërsa platforma ende nuk është funksionale për paraqitjen e raporteve financiare.
Për rekomandimin nr. 4, raporti i gjetjeve nga auditimi i financimit të fushatës për zgjedhjet e 11 majit 2025 është miratuar me Vendimin nr. 49, datë 23.07.2026, të ndryshuar me Vendimin nr. 57, datë 04.09.2026. Propozimet për vendosjen e masave administrative iu përcollën për shqyrtim Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve. Me Vendimin nr. 8, datë 02.11.2026, KAS vendosi pranimin e kërkesës nr. 01, datë 03.10.2026, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për vendosjen e
sanksioneve administrative. Ndërkohë, auditimi i raporteve financiare vjetore të partive politike për vitin 2025 vijon.
Për rekomandimin nr. 7, janë inventarizuar dhe klasifikuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it sipas përgjegjësive institucionale, janë përgatitur tabelat e ndjekjes së statusit të zbatimit dhe masat përkatëse janë përfshirë në procesin e monitorimit. Pasqyrimi i tyre në raportin vjetor të KQZ-së është në proces.
Për rekomandimin nr. 8, programi i standardizuar për informimin dhe edukimin e zgjedhësve është në proces hartimi, ndërsa fushatat e informimit dhe matja e nivelit të njohurive para dhe pas zhvillimit të tyre ende nuk kanë nisur.
Për rekomandimin nr. 10, KQZ ka përgatitur një analizë të mekanizmave të monitorimit, verifikimit, administrimit të provave dhe vendosjes së sanksioneve administrative, të shoqëruar me propozime për ndryshime në aktet nënligjore. Dokumentet bashkëlidhur përbëjnë produktin analitik për hartimin e projekt-ndryshimeve përkatëse.
Për rekomandimin nr. 14, KQZ i është drejtuar AKSK-së, AMA-s dhe AKEP-it për caktimin e pikave të kontaktit për koordinimin ndërinstitucional. Përgjigjet e institucioneve përkatëse janë administruar në dokumentacionin bashkëlidhur dhe pikat e kontaktit janë përcaktuar për të vijuar koordinimin në funksion të zbatimit të këtij rekomandimi.
Materialet dhe dokumentet provuese për ecurinë e zbatimit të secilit prej rekomandimeve të sipërcituara janë renditur në shtojcën bashkëlidhur kësaj shkrese.
Në Planin e Veprimit për zbatimin e Rezolutës së Kuvendit janë identifikuar masa që vijojnë gjatë vitit 2027, një pjesë e të cilave do të duhet të zbatohen përpara zgjedhjeve vendore. Lidhur me rekomandimet me ndikim financiar, paraqesim sa vijon:
Rekomandimi nr. 2 – Teknologjia e informacionit
Fondi shtesë prej 51.700.000 lekësh, i kërkuar dhe ende i pambuluar në projektbuxhet, ka si destinacion mirëmbajtjen e infrastrukturës TIK dhe rinovimin e licencave. Masat për vitin 2027 përfshijnë mirëmbajtjen, testimin dhe garantimin e sigurisë së sistemeve kritike, në përputhje me objektivat e Planit Strategjik 2027-2031 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Rezultati i pritshëm është garantimi i gatishmërisë dhe vazhdimësisë së shërbimeve digjitale gjatë procesit zgjedhor.
Mungesa e financimit mund të shtyjë mirëmbajtjen dhe testimin e sistemeve, duke rritur rrezikun e ndërprerjeve të shërbimeve dhe të cenimit të sigurisë.
Rekomandimi nr. 3 – Sistemi elektronik i raportimit financiar (PERF)
Nevojitet mbështetje për përshtatjen me regjimin juridik dhe funksional të platformës PERF, standardizimin e kategorive të raportimit, validimin e të dhënave, testimin dhe publikimin e raporteve në format të hapur. Për këtë masë, fondet i janë kërkuar Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë dhe
KQZ mbetet në pritje të konfirmimit nëse fondi prej rreth 20.000.000 lekësh do të alokohet nga donatori. Do të vlerësonim që në rast pamundësie financimi nga donatori, kjo kërkesë shtesë e pambuluar të konsiderohej për mbulim me fonde buxhetore. Rezultati i synuar është një sistem funksional dhe një raportim financiar më i verifikueshëm. Pa mbulimin e nevojës teknike, vënia në përdorim e përmirësimeve mund të vonohet.
Rekomandimi nr. 6 – Aksesueshmëria e votimit
Masat përfshijnë verifikimin paraprak të qendrave të votimit, përgatitjen e materialeve në formate të aksesueshme, trajnimin për votimin e asistuar dhe hartimin e një plani për përshtatjen e objekteve në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore. Plani synon vlerësimin e të gjitha qendrave të votimit përpara zgjedhjeve dhe garantimin e materialeve në të paktën tri formate të aksesueshme. Nuk
është përcaktuar një kosto e veçantë, pasi realizimi i këtyre masave përbën përgjegjësi ligjore të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe financohet nga buxhetet e tyre. Pa mbështetjen e nevojshme financiare, pengesat e identifikuara mund të mos adresohen në kohë.
Nevojat logjistike me ndikim ndërsektorial
Përveç fondit për TIK-un, kërkesa buxhetore evidenton 33.767.232 lekë të pambuluara për qiranë e magazinave në Vaqarr dhe 180.000.000 lekë diferencë të pambuluar për projektin e magazinës dhe shërbimin e supervizimit. Këto nevoja mbështesin ruajtjen dhe administrimin e materialeve dhe pajisjeve zgjedhore, por nuk janë identifikuar në dokumentet burimore si fond i dedikuar për një rekomandim të vetëm. Shuma e përgjithshme e nevojave të pambuluara në projektbuxhetin e zakonshëm është 265.467.232 lekë. Mosmbulimi i tyre mund të kufizojë kapacitetet magazinuese dhe
gatishmërinë logjistike për procesin zgjedhor të vitit 2027.
2. Në përgjigje të kërkesës për informacion buxhetor, ju përcjellim të dhënat e përgatitura nga Drejtoria e Financave dhe Menaxhimit të Buxhetit mbi realizimin e buxhetit për procesin zgjedhor të vitit 2025, realizimin e buxhetit të KQZ-së deri më datë 30.10.2026 dhe parashikimin deri në fund të vitit, si dhe kërkesat buxhetore për vitin 2027 kundrejt fondeve të reflektuara në projektligjin e buxhetit. Për vitin 2027, nga kërkesa shtesë prej 364.767.232 lekësh mbi tavanin e Programit Buxhetor Afatmesëm, në projektligj janë reflektuar 99.300.000 lekë, ndërsa 265.467.232 lekë mbeten të pambuluara. Kjo diferencë lidhet me nevojat për mirëmbajtjen e infrastrukturës TIK dhe rinovimin e licencave, qiranë e magazinave, si dhe investimin për zgjerimin e infrastrukturës së magazinimit të
materialeve dhe pajisjeve zgjedhore.
3. Për vitin 2027, përparësia kryesore e KQZ-së është përgatitja dhe administrimi i zgjedhjeve vendore. Në këtë kuadër, KQZ do të përqendrohet në trajnimin e administratës zgjedhore, garantimin e gatishmërisë dhe sigurisë së sistemeve e pajisjeve zgjedhore, informimin e zgjedhësve dhe përmirësimin e aksesueshmërisë së qendrave të votimit. Në funksion të procesit të integrimit evropian, KQZ do të vijojë ndjekjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që lidhen me kompetencat e saj. Gjithashtu, në përputhje me gjetjet e Raportit të Komisionit
Evropian për Shqipërinë 2026, do të kontribuojë me analiza dhe propozime teknike për reformën zgjedhore, mbikëqyrjen e financimit politik, transparencën e reklamimit politik, si dhe përballimin e dezinformimit dhe kërcënimeve hibride.
Sa u përket burimeve njerëzore, me strukturën organizative të KQZ-së të miratuar nga Kuvendi, nuk paraqitet nevoja për shtesa në personel për përmbushjen e prioriteteve të mësipërme. Nevojat financiare janë adresuar në kërkesën buxhetore për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe zbatimi i aktiviteteve do të mbështetet në fondet që do të alokohen për këtë proces. Rezultatet e synuara janë administrimi i sigurt dhe transparent i zgjedhjeve, përgatitja në kohë e administratës zgjedhore dhe ndjekja e dokumentuar e rekomandimeve ndërkombëtare.
Bashkëlidhur kësaj shkrese gjenden shtojca me materialet dhe dokumentet provuese që lidhen me informacionin e përcjellë më sipër.

gijotina.com/










Discussion about this post