Spartak Topollaj
Më 7 Prill 1939, Italia fashiste e Mussolinit, nisi pushtimin ushtarak të Shqipërisë. Mbreti Zog e lá vendin dhe së bashku me Mbretëreshën lehonë, Geraldinën, dhe djalin Lekë të porsalindur, në rrugë tokësore me autokolonën e tij , kaloi në Greqi nga Kapshtica?!
Mbreti, Mbretëresha dhe Princi trashëgimtar Leka, udhëtuan në autoveturën superluksoze “Mercedes-Benz” i kuq, 540 K, kabriolé, dhuratë e Fyhrerit, Kancelarit gjerman Hitler, për martesën e tij, mbrritur në 19 prill 1938, katër ditë para dasmës madhështore të Zogut I. Të tilla kishte vetëm tre ekzemplarë, Njërën e kishte vetë Hitleri, tjetrën po dhuratë e tij për mbretin shqiptar të Egjiptit, Faruk Fuad, i fundmi, saktësisht i dhjeti, i dinastisë së madhe shqiptare të Mehmet Ali Pashës së famshëm, që sundoi e modernizoi për 150 vite Egjiptin, mbuluar nga pluhuri i kohërave dhe rëra e Saharës!
Qysh në ditën e parë, më 7 prill 1939, Italisë fashiste musoliniane, iu bë rezistencë e armatosur, diku e organizuar nga ushtarakë të Ushtrisë Kombëtare, si major Abaz Kupi (Bazi i Canës), kapiten Kadri Rustem Bardulla, kapter Mujo Ulqinaku etj. etj., por edhe spontane, nga qytetarë të shumtë, atdhetarë të revoltuar, disa prej të cilëve, si Mujo Ulqinaku, Hamit Dollani, Haxhi Tabaku, Isak Metalia, Hysen Koçi, Ramazan Velia, Ismail Reci, Ibrahim Osmani, Hamit Vokshi, e shumë të tjerë, dhanë edhe jetën, duke luftuar heroikisht. Sipas historianit serioz gjerman Fritz Fischer, (1908 – 1999), italianët e komanduar nga gjeneralët Guzzoni dhe Messe, e paguan sulmin pesë ditor me 200-700 të vrarë.
Në ambicien për një Impero Romano të ré, (e vjetra-17 janar 27, para Krishtit prej Jul Qesarit, deri më 395 nën Perandorin Teodosi I) Benito Mussolini, nga territori i pushtuar i Jugut të Shqipërisë, më 28 Tetor 1940, sulmoi Greqinë, me 28 divizione (kundrejt 14 divizioneve greke), kuptohet, edhe me miratimin paraprak hitlerian. Si pretekst, u përdor vrasja e bariut çam Daut Hoxha, por sulmi i italianëve, dështoi me sukses të plotë, qëkur u ndal nga mesi i nëntorit, madje italianët filluan edhe tërheqjen. Ushtria greke e gjeneralit dhe njëkohësisht Kryeministrit ekstrem ju tu ist Joannis Metaxas, e ndihmuar nga britanikët e Shtabit të Mesdheut me qendër në Kajro, që dinin deri sa i ngrohtë ishte çaji në pagurët e ushtarëve italianë, përparoi dhe u soll si pushtuese në territorin shqiptar. Vetë Metaxas 70-vjeçar, vdiq pak muaj më vonë nga setticemia (gjendje sepsis – infeksion i rëndë)!
Mbreti Georges II firmosi më 10 nëntor 1940, Dekretin nr. 2636, sipas të cilit Greqia ishte në gjendje lufte me Shqipërinë?!!! Natyrshëm, ky dekret për shpallje lufte, për këdo me mend në kokë ishte një absurd, por edhe mbas 82 vitesh që mbahet ende në fuqi, patjetër që ai mbetet edhe më absurd se kurrë?! Qysh më 1922, kish filluar Lufta Greko – Turke dhe pas saj, u mbrrit ték Akordi i Lozanës, 30 nëntor 1923, ku u pranua shkëmbimi i 1.2 milionë të krishterëve ortodoksë me 400.000 myslimanë, prej të cilëve më shumë e më keq, pësuan arvanitët dhe çamët.
U njoh Republika Turke, me të madhin shqiptar Mustafa Qemalin (Ataturku) në krye! Që nga Republika e Dytë Helenike (1924- 1935), Mbretëria Greke (1935-1973), ku sundoi Dinastia Schlesvig -Holstein -Sonderburg – Glüksburg dhe Republika e Tretë Helenike, nga (1974), Greqia në këto 100 vite, ka pasur një numër të madh qeverish me 77 Kryeministra, ku mes tyre, me nga disa herë në krye të qeverive greke, ishin përfaqësues prej familjeve të mëdha, që kanë sunduar jetën politike të vendit, si Venizellot, Pangallot, Micotaqët, Karamanlisët dhe Papandretë, shpesh të lidhur edhe me martesat mes tyre, si Venizellot me Micotaqët etj., etj.
Fushëbetejat mes italianëve, grekëve, gjermanëve e britanikëve shkaktuan mijëra viktima dhe po të shtojmë të vdekurit nga i ftohti dhe uria, të quajtur Holodomori grek (300.000), merret me mend se numri i tyre ishte tejet i lartë. Britanikët formuan edhe Lidhjen Kombëtare Demokratike Helene (EDES) me regjimente të armatosura, në krye të të cilëve u vu Gjenerali famëkeq ortodoks arvanitas, Napoleon Zervas, kriminel dhe urryes patologjik i shqiptarëve, që kreu masakra të tmerrshme, deri gjenocid në Çamëri.
Në Greqi pati edhe Luftë Civile mes të majtëve, kryesisht komunistë dhe të djathtëve! ELAS-i , EAMI dhe EDES-i, u përfshinë në të, por forcat e Zervës, të paralajmëruar seriozisht nga anglo-amerikanët dhe UNÇSH nuk guxuan ta kalojnë kufirin. Në fillim të 1945, u arrit Marrëveshja e turpshme e Varkizës mes forcave të të dy krahëve, të cilën andartët grekë të Zervas e shkelën, duke kryer masakra barbare ndaj popullsisë çame ! 25.000 shqiptarë u deportuan me dhunë, 2.300 u masakruan (mes tyre burra të shquar dhe krerë të popullsisë çame, 2.400 vdiqën apo u humbën rrugës , 61 fshatra me 5.800 shtëpi u dogjën, apo u shkatërruan, u rrëmbyen 17.000 krerë bagëti, 110.000 humbën apo ngordhën, 1.730.000 okë drithë dhe 620. 000 okë vaj u grabitën, por shifrat e vërteta ishin shumë herë më të mëdha!
Sikur të mos mjaftonin gjithë këto krime, Gjykata Speciale e Janinës dënoi me vdekje më 23 maj 1945, edhe 79 burra të Çamërisë nën akuzën absurde e të montuar, si bashkëpunëtorë të gjermanëve?!!! Kështu, vetëm në Pargë pranohej zyrtarisht se pas Luftës, kishin mbetur vetëm 113 çamë, 79 gra dhe 34 fëmijë. Me “ligj”, pasuritë dhe pronat e popullsisë çame u konfiskuan nga shteti grek?!!!… Populli shqiptar, i dalë i sakatuar nga Lufta, mirëpriti mijëra luftëtarë grekë, kryesisht të EAM-it, që përndiqeshin në vendin e tyre nga monarko-fashistët dhe të fundit e tyre, u riatdhesuan aty nga fundi i viteve ‘50 dhe personalisht, i kujtoj si sot, këta grekë të mirë e punëtorë.
Paradoksalisht në gusht të 1949, forcat ushtarake të monarko-fashistëve, sulmuan kufijtë tanë të Jugut, duke provokuar rëndë, por u thyen dhe u tërhoqën me turp, të mundur nga heroizmi i popullit dhe ushtrisë sonë, siç qe rasti i Postës së Vidohovës! Këto forca u komanduan nga Gjeneral Leitnanti i talentuar Petrit Dume, të cilin 25 vite më vonë, si Shef i Shtatmadhorisë, pjesë e Byrosë Politike, Hero i Popullit dhe deputet, Enver Hoxha, paranojaku patologjik, e akuzoi për Puç Ushtarak dhe Komplot, duke e ekzekutuar më 8 nëntor 1975 ?
Po paradoksalisht, mbas dekadash të tëra ndërprerjeje të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Enver Hoxha gjeti qeverinë e djathtë fashiste, Juntën e Kolonelëve, me Jorgos Papadopulosin në krye t’i rivendoste ato, më 7 maj 1971?! Ambasador të parë në Tiranë, grekët zgjodhën Denis Karajanis, e pas tij Dimitris Franxeskaqis, të dy ish Zv/ministra të Jashtëm, çka tregonte rëndësinë e madhe që grekët, i kushtonin marrëdhënieve me Shqipërinë. Në vitet e diktaturës staliniste enveriane, duhet pranuar që minoriteti grek u trajtua pa diskriminim, madje shpesh, për qëllime të kuptueshme propagandistike, edhe më mirë, se vetë ne shqiptarët kur minoritarë u zgjodhën deri në Byronë Politike, ministra (si ai i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi?!), deputetë, edhe Nënkryetarë të Kuvendit Popullor (Vitori Çurri)?!
Me përjashtim të ndonjë shkëmbimi Ansamblesh Artistikë, apo skuadrash futbolli për Kupën Ballkanike, shkëmbimet e tjera, sidomos ato ekonomiko tregtare, ishin të ulëta, ndërkohë që ato me Jugosllavinë e Titos patën apogjeun e tyre deri në 117 milionë $ USA të kohës. Marrëdhëniet shqiptaro-greke, shpesh njohën ulje-ngritjet e tyre, por, megjithë “trimëritë” e Enverit, në ndonjë fjalim, që nuk emociononte dhe impresiononte askënd, Ligji i Luftës mbetej dhe natyrisht, ende mbetet në fuqi. Si superdemagog dhe megahipokrit që ishte stalinisti Hoxha, përdorte dopio standardin.
Kështu, ndërsa në ditarin e tij, miratonte qëndrimin e disa shokëve me partishmëri të lartë, të MPB, që lanë sallën të indinjuar, nga spërdredhjet e Marinelës, në “veprën” plot gënjeshtra dyfytyrëshe, “Dy Popuj Miq”, pa u skuqur nga turpi, ai shkruante se shokët, që lanë sallën teksa këndonte, hidhej e përdridhej, këngëtarja e madhe greke Marinela, gabuan rëndë, se edhe artistët tanë, p.sh. në vallet e Tropojës, hidhen e përdridhen, më shumë se edhe vetë Marinela?!!!… Enver Hoxha vizitoi vetëm një herë fshatrat e minoritetit grek Në fund të vitit ‘90, politikanët e lartë grekë nuk ndenjën indiferentë, qysh në ditët e para të përmbysjes së regjimit karikaturë monist, ndaj s’mund të ishte rastësi që i pari Kryeministër i huaj, i cili vizitoi Shqipërinë në janar 1991, ishte ai grek, Konstantinos Micotaqis, njëkohësisht babai i Kryeministrit aktual grek, Qiriakos Micotaqis.
Më 10 prill 1994 ndodhi Masakra e Peshkëpisë nga një grup komandantësh të ushtrisë greke, veshur me kamuflazh dhe të armatosur deri në dhëmbë, të cilët vranë Komandantin Fatmir Sali Shehu dhe ushtarin roje Arsen Llazar Gjini. U arrestuan në Greqi, por pothuaj nuk u dënuan?!!! Po kështu, u arrestuan edhe grupi i spiunazhit grek me Theodhori Bezhanin, të cilët i mbrojti me forcë lobi influent grek në SHBA me drejtorin e CIA-s, Xhorxh Tenet dhe Shefin e Administratës së Shtëpisë së Bardhë, Xhorxh Stefanopulos.
Në këtë aferë pati rolin e tij edhe ish-Kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi, që çau ferrën menjëherë për në SHBA nën garancinë e dy të sipërpërmendurve?! Më 21 mars 1996, nisur nga dëshira e sinqertë për fqinjësi të mirë dhe për t’i dhënë fund ligjit absurd të Luftës, u nënshkrua nga ministrat e Jashtëm respektivë, Serreqi dhe Pangallos, Traktati i Miqësisë mes dy shteteve, i cili hyri në fuqi më 6 shkurt 1998! De facto, ky traktat hidhte poshtë Ligjin absurd grek të Luftës me Shqipërinë! Natyrisht, si Traktat që prekte disa çështje sensitive në marrëdhëniet mes dy vendeve, mes rreshtave, kuptohet që grekët u janë shmangur me luks atyre, ashtu si edhe Shqipëria, po me luks dhe tolerancë, paraqiste kërkesat e saj. Më 29 prill 2009, u nënshkrua “Marrëveshja për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që iu përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”.
Puna e Komisionit shqiptar mund të jetë e diskutueshme, por të mos harrojmë, se Shqipëria dhe gjithë Shqiptarët, mezi po prisnin heqjen e vizave , ku një veto greke, do të thoshte jo dhe nga ana tjetër, Greqia sapo kish dhënë miratimin, edhe për futjen e Shqipërisë në NATO, evenimente historike këto të dyja për Kombin Shqiptar. Kuptohet opozita antiperëndimore dhe anti-NATO (që sot përgjërohet nga dashuria për SHBA dhe NATO-n) do ta përdorte këtë kartë dhe e ankimoi Marrëveshjen për Detin në Gjykatën Kushtetuese, që nuk e miratoi atë, vendim i cili nuk mund të diskutohet më. Interesant mbetet shantazhi dhe kërcënimi i PS-së ndaj anëtarëve të Komisionit, të cilët madje edhe do t’i çonte për ndjekje penale?!!!
Por sapo erdhi në pushtet, Rilindja e Ramës, çuditërisht, jo vetëm nuk i denoncoi, por përkundrazi, të gjithë të “kërcënuarit” i ngriti në përgjegjësi, duke i emëruar ambasadorë, madje në Ambasadat kryesore, ku vazhdojnë e janë paradoksalisht pas gati 10 vitesh, edhe sot e kësaj dite?!!! Po qeveritarët dhe diplomatët tanë aktualë, a janë të sinqertë?! Gjithashtu, a janë të sinqertë politikanët grekë të të gjitha krahëve të politikës, në të gjithë këto plot 82 vite nga dekretimi i tij, në mosheqjen e ligjit absurd të Luftës me Shqipërinë?!!! Natyrisht, kurrë jo! Naiviteti fëminor i alibive të tyre fyen rëndë inteligjencën e kujtdo në këtë rast, akoma më tepër të shqiptarëve!!!
Mendoj se nuk ishte e udhës, që kjo Marrëveshje të kalohej në Gjykatën Ndërkombëtare, ku merret me mend se Greqia, si pjesë e organizmave të larta të gjykimit europian apo botëror, shumë më herët se ne ka një sërë përparësish. Po ashtu, nuk duket e rastësishme që në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, i vetmi Kryeministër që takoi dhe bisedoi me Ramën, ishte ai grek, Qirjako Micotaqis, të cilit, ashtu, si dy ministrave të Jashtëm, Koçias dhe Dendias, duhet t’u jemi mirënjohës që të paktën na i bëjnë të ditura ato që bisedohen, se po të jetë për tanët, ruhet fshehtësia e atyre që diskutohen, çka kuptohet lehtë se Komisioni ynë duhet të ketë një arsye të fortë, teksa ruan konspiracionin, apo më keq akoma, si ish-ministri Bushati, i cili kujtohet vetëm tani kur Rama e ka shkarkuar, të hapë gojën dhe të na japë mend se si duhen zgjidhur problemet më grekët?!!!…
Si konkluzion, mund të themi vetëm kaq: Abrogimi i Ligjit absurd të Luftës së Greqisë me Shqipërinë është imperativ i kohës. Përndryshe, nëse vazhdon të zvarritet ky abrogim, kjo, vetëm se do të vërtetojë që politikanët grekë për turpin e tyre 82-vjeçar më kot përpiqen të mbështeten té famëkeqja histori e Kalendave Greke, të cilat për ata nuk do të duhej të vinin kurrë?!!! Shqipëria dhe Greqia, dy vende e popuj miq e fqinj prej mijëra vitesh, e po ashtu anëtarë të NATO-s, duhet të rrojnë në paqe dhe mirëkuptim ! Shënim : Shprehja deri në Kalendat Greke, sipas Svetonit, (Gaius Suetonius Tranquillis, 69-122 e.s.), historian dhe biograf i famshëm romak i epokës perandorake, i atribuohet Perandorit Oktavian August, i cili sipas kalendarit roman, kish përcaktuar ditën e parë të çdo muaji për shlyerjen e detyrimeve, e meqë grekët në kalendarin e tyre nuk e kishin këtë, nxori shprehjen, deri në Kalendat Greke, pra, detyrime apo pagesa, që shtyheshin pafund apo që nuk do të bëheshin kurrë!/Panorama/
Discussion about this post