Edhe ajo e drejtë që kishte mbetur për vajzat në Afganistan tani nuk është më. Kanë kaluar gjashtë javë që kur talebanët mbyllën derën për arsimimin e vajzave në të gjithë vëndin dhe gjurmët e fundit të shpresës së Zeinës për të ardhmen e saj vdiqën. Një jetë shumë e ndryshme tani pret për 20-vjeçaren, një jetë e lodhshme shtëpiake, mërzie dhe izolimi që ajo nuk ka fuqi ta ndryshojë.
Që kur talebanët morën kontrollin në gusht 2021, Zeina kishte arritur të bindte familjen e saj të frikësuar që ta linin të qëndronte në shkollë. Ajo mbajti besimin se do të gjente disi një mënyrë për të përfunduar arsimin e saj dhe për të arritur ëndrrën e saj për të marrë një master në mjekësi. Kjo ëndërr tashmë ka marrë fund.
“Kur shkollat u mbyllën nga talebanët, babai im më tha se nuk mund ta duronte më varfërinë. Ai duhej të më martonte me dikë. Nëse nuk do të mbylleshin shkollat, kjo nuk do të kishte ndodhur. Doja të mbaroja studimet dhe të isha në gjendje të bëja diçka nga jeta ime për veten dhe familjen time, por të gjitha këto ëndrra kanë dalë në asgjë,” thotë ajo.
E gjithë jeta e Zeinës është përcaktuar nga lufta dhe dhuna. E lindur në provincën Badghis, tre vjet më parë familja e saj u zhvendos në Herat për t’i shpëtuar dhunës në rritje dhe luftimeve midis talebanëve dhe forcave të ish-qeverisë afgane. Jeta si refugjate ka qenë e vështirë për familjen e Zeinës. Tashmë, Zeina ishte përballur me presionin e babait të saj për tu martuar për shkak të borxhit dhe varfërisë me të cilën po përballeshin. Tani, vetëm disa javë pas mbylljes së të gjitha shkollave të mesme dhe universiteteve për vajza, martesa e Zeinës tashmë është rregulluar.
Kur vajzat ndiqnin shkollat dhe universitetet, shkalla e martesave të detyruara u ul. Babai i saj ka shpenzuar pjesën më të madhe të pajës së saj prej 200,000 afgane (1,840 £), duke përdorur 150,000 për të shlyer borxhet e tij. Tani, ndërsa përgatitet për ditën e saj të dasmës, Zeina po lufton me depresionin dhe ankthin. Por nuk ka rrugëdalje për të.
“Unë jam mbërthyer në një vorbull fati. Nuk ka shpëtim,” thotë ajo.
Që nga ndalimi i arsimit, raportet e vajzave dhe studentëve të universitetit në të gjithë vendin që detyrohen të martohen janë shtuar. Në dhjetor 2021, një dekret nga udhëheqësi suprem i talebanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, shpalli të jashtëligjshme martesën e detyruar dhe kërkoi pëlqimin e grave për martesë. Megjithatë, një prokuror i ish-qeverisë afgane, i cili nuk donte të emërohej për arsye sigurie, thotë se kjo nuk po zbatohet dhe numri i martesave të detyruara është rritur ndjeshëm që kur talebanët sulmuan të drejtën e vajzave për arsimim.
“Ne jemi dëshmitarë të martesave të detyruara në provinca dhe Kabul. Situata shumë e rëndë ekonomike në të gjithë vendin bën që më shumë vajza të martohen nga familjet e tyre.“Gjatë qeverisjes së kaluar, kur vajzat ndiqnin shkollat dhe universitetet, shkalla e martesave të detyruara ishte ulur. Tani ata po ngrihen përsëri,” tha ai.
Discussion about this post