Komuniteti rom i qytetit të Korçës ka zhvilluar një protestë sot para Gjykatës, duke shprehur mbështetje për Dritson Kurtin, i cili është akuzuar për marrëdhënie me një të mitur, me të cilën kishte bashkëjetuar dhe kishte sjellë në jetë një fëmijë.
Kryetari i Shoqatës së Komunitetit Rom të Korçës, Avni Kallo, kërkoi nga gjykata lirimin e 21-vjeçarit, duke theksuar se martesa në moshë të re është një traditë në komunitetin rom.
“Po e mbajnë në burg të padrejtë. Por ne e kemi si kanun, si traditë që na e kanë lënë pleqtë. Ne e dimë ligjin, por avash avash do e rregullojmë. Ne e kemi që martohemi që në djep. Ça ke lindur ti, djal. Ça ke lindur ti, vajzë. Do ti fejojmë. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë e Gjykatës që ky të shkojnë në shtëpi se ka një fëmijë për të rritur. E ëma i ka vdekur, i ati e ka braktisur”.
Po kështu, edhe gjyshja dhe bashkëjetuesja 13-vjeçare e Dritson Kurtit kërkuan që ai të lirohet nga burgu.
“Të lutem më lironi burrin. Ai nuk më ka marrë me dhunë mua, më ka marrë te familja. Ai nuk më ka nxjerrë në rrugë. Ai më ka marrë me krijuar familje. As atësinë e fëmijës nuk e kam vetë. Gjykatësja ka kërkuar 25 vite burg. Çfarë ka bërë ai që ta dënojnë 25 vite burg. Unë një krah pune e kisha, ai punonte dy punë dhe sillte për të ngrënë”.
Një e afërme e 21 vjeçarit është shprehur se edhe ajo është martuar në moshën 13 vjeçare dhe ka ndërtuar një familje të shëndetshme, por nuk është dënuar për një gjë të tillë.
“Unë 13 vjeç u martova dhe bëra një familje të shëndetshme e të fortë dhe rroj si zonjë. E kemi traditë. Po të shkonte çupa 19-20 vjeçe, nuk do e merrte njeri. Të merrte një burrë me fëmijë. Unë burrin e mora me dashuri. Po bëri çupa tre klasë, e merr tjetri nga shkolla”, tha ajo.
Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet me akuzën e “marrëdhënies seksuale me të mitur” dhe në bazë të kësaj akuze, 21 vjeçari rrezikon deri në 25 vite burg.
Discussion about this post