Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka folur mbrëmjen e sotme për zhvillimet e fundit politike në vend. Në një intervistë për “Ora News”, i pyetur në lidhje me përkrahjen ndërkombëtare të kryeministrit Rama pavarësisht pretendimeve të opozitës, Meta shprehet se Rama i blen ndërkombëtarët dhe se drejtësia sipas tij është e kapur.
Pyetje: Rama gëzon përkrahje ndërkombëtare pavarësisht pretendimeve të opozitës. A keni një koment?
Sa më vendosmërisht të përballet opozita me regjimin aq më shumë ndërkombëtarët do jenë të detyruar të pranojnë dhe denoncojnë devijimet e rënda që sollën instalimin e këtij regjimi antidemokratik.
Për Ndryshimin faktor vendimtar do të mbetet vendosmëria dhe lufta e opozitës dhe vetë shoqërisë. Për ndërkombëtarët një demokraci fasadë që pranohet nga shqiptarët nuk përbën shqetësim. Po kështu për europianët largimi i të rinjve tanë drejt BE nuk përbën shqetësim sepse ata do të preferonin më mirë shqiptarë e ballkanas sesa bangladeshas apo sudanë.
Po këto që s’janë problem i madh për ndërkombëtar janë çështje ekzistenciale për kombin tonë.
I pyetur më tej për rekursin e dërguar nga avokati i tij kundër arrestit me paraburgim, Meta shprehet se nuk i beson sistemit të drejtësisë pasi sipas tij është i kapur.
Pyetje: Avokati juaj ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë kundër arrestit tuaj me paraburgim. A keni besim në një vendim pozitiv?
Meta: Unë nuk jam naiv që të besoj në një sistem drejtësie gjerësisht të kapur. Por ne jemi të detyruar të shterojmë të gjitha hapat brenda vendit në mënyrë që ta ndjekim këtë çështje në Gjykatën Europiane.
Aq më tepër që unë i kam denoncuar si askush tjetër edhe për shkak të pozicioneve (si Kryetar Kuvendi dhe President i Republikës) të gjitha momentet kyçe të kapjes së Reformës në Drejtësi, që nga zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota e deri te betimet te “Lana” të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Para pak ditësh dëgjova një lajm shumë korrekt në media se një person i vetdorëzuar në Shqipëri dhe pjesëtar i një grupi të strukturar kriminal me urdhër të SPAK-ut ishte arrestuar nga forcat RENEA.
Lind pyetja si shpjegohet që Presidenti i forcës së dytë opozitare rrëmbehet në mes të ditës nga persona me maska pa iu paraqitur asnjë urdhërarrest apo shkresë zyrtare sipas ligjit dhe futet në makinë private?
Çdo gjë është e qartë se kemi të bëjmë me një regjim mafioz ku ligji, Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk kanë pikë rëndësie.
Po kështu duhet “mirëkuptuar” edhe sjellja e SPAK-ut. Ata nuk janë vetëm në shërbim të Edi Ramës për të garantuar një tjetër mandate 4-vjeçar përmes arrestimeve të opozitës por janë në fushatë edhe për veten e tyre për të garantuar mandatet e përjetshme në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Por sado të zgjasë nata, agimi është i pashmangshëm.
Ne jemi një vend që jemi mësuar me fatkeqësi të zgjatura por unë jam shumë optimist se 12 vitet e “Rilindjes” janë të mjaftueshme për ta gjykuar atë si fatkeqësinë më të rëndë se çdo pushtim që në një kohë të tillë përgjysmoi popullsinë aktive të Shqipërisë. Jam besimplotë edhe te reagimi i Diasporës tonë që ka një mundësi historike për të shpëtuar vendin e të ardhmen e tij. Vota e tyre është shumë më e rëndësishme se remitancat e tyre që dërgojnë për prindërit, vlera e të cilave është përgjysmuar për shkak të zhvlerësimit kriminal të euros dhe dollarit.
Discussion about this post