Kryeministri Edi Rama ka bërë një koment të gjatë, duke iu përgjigjur të gjithë kritikëve për kampionen shqiptare të Europës, Luiza Gega. Qeveria dhe kryeministri u kritikuan për shfaqjen e tyre pasi Gega u shpall kampione, ndërkohë që për të ka munguar më herët mbështetja.
Lidhur me këtë, Rama shprehet se “mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!”. Kryeministri ka renditur sipas tij faktet që sot sportistet po mbështeten.
Reagimi i plotë:
TRIUMFI HISTORIK I LUIZA GEGËS SI PASQYRË E MEXHELISIT TONË SOCIAL-POLITIK
Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!
Kjo s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës. Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë. Qeveria e poshtër e kishte braktisur e syrgjynosur deri në Afrikë, vajzën e shkretë të jetimores së sportit shqiptar – ndërkohë që në fakt Luiza është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës, për t’u stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.
Por shpërthimi çmendurak mori dhenë, kur kampionia e re e Europës u prit në kryeministri, për t’u nderuar siç i takonte pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar. Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi!…
Foli më shumë se njëherë kampionia me gojën e saj, për si dhe sa shumë kanë ndryshuar gjërat, si është mbështetur sporti dhe ajo vetë vitet e fundit, e qysh mbështetja financiare ia ka bërë më të lehtë rrugëtimin e saj drejt majës. Madje ajo, vajzë e rrallë, me një mirësjellje mbresëlënëse, nuk harroi të dërgonte mesazhi falenderimi nga Mynihu, kur në fakt falenderimet i takonin vetëm e vetëm asaj. Po ku kanë veshë të dëgjojnë ata që edhe Amerikën duan ta mbrojnë nga ambasadorja amerikane, jo më Luiza Gegën nga unë!
Halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik. Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme. Kur thua të vemë ndonjë rregull ligjor, se ky ortek llumi do të fundosë çdo vlerë njerzillëku e normë bashkëjetese shoqërore, duke e varrosur si qen të ngordhur, mundin e prindërve e përpjekjen e shkollës për edukimin e fëmijëve, të ngrihen e të thonë jo! Duhet veç vetërregullim, po se si e qysh do të ndodhë ky vetërregullimi nuk ta thotë dot kush! Nejse, s’është ky qëllimi i këtij shënimi të gjatë.
Sot unë dua të këmbëngul tek faktet! Pa asnjë shpresë se do të dalë kush e t’i kërkojë falje Luiza Gegës, se për falje lexuesve as bëhet fjalë. Por me bindjen që sidoqoftë, faktet u duhen atyre që kanë ende respekt për veten e për të vërtetën e mbështetur mbi fakte.
E PARA, sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë dhe në bazë të të cilit:
Për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën.
E DYTA, sot nuk ka më shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka më as harresa, për të paguar detyrimet që burojnë nga vendimi përkatës i qeverisë. Bashkëngjitur vendimi, të cilin jam i bindur që urrejtësit profesionistë të ekraneve e të portaleve, të cilët e duan me zor çdo gjë në Shqipëri sa më zi, e që edhe triumfin e Luiza Gegës e përdorën si zift për ta derdhur mbi armikun politik, nuk do ta lexojnë https://qbz.gov.al/…/024170e9-1ddf-429b-b0f6-8705f4bd33ff
E TRETA, sot nuk ka më vetëm shpërblime për rezultatet më të larta, po edhe trajtim të përhershëm për kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar si më poshtë nga Ministria e Mbrojtjes:
1.Atletja Luiza GEGA.
Peshëngritësi Briken CALJA.
Xhudistja Nora GJAKOVA.
Xhudistja Distria KRASNIQI.
Xhudisti Indrit ÇULLHAJ.
Atleti Ilir KËLLEZI.
Peshëngritësi Ilirian SULI.
E KATËRTA, sot nuk ka më ndalesë në rrugën e progresit, që nënkupton edhe përmirësime e korrigjime të vazhdueshme të punës sonë, në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi. Ministria e Mbrojtjes ka propozuar disa kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagën sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë njohjes së kontributit të sportistëve në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare.
Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:
Luiza GEGA – “Kolonel”
Briken CALJA – “Kolonel”
Nora GJAKOVA – “Kolonel”
Distria KRASNIQI – “Kolonel”
DHE E FUNDIT, kur flitet për sportin të gjithë jemi në borxh, me këtë vend dhe rininë e këtij vendi, por ama kur flitet me fakte për mbështetjen për sportin, nuk ka asnjë krahasim të imagjinueshëm, se të mundshëm jo e jo, mes këtyre viteve të qeverisë sonë dhe të gjitha viteve të tjera bashkë. Pa ekzagjerim, as dita me natën nuk dallojnë kaq shumë sa këto dy periudha për sportin. Natyrisht do të kishim dashur të bënim më shumë më shpejt, por kur kujtoj se nga jemi nisur, them lavdi Zotit që ia kemi dalë të bëjmë sa kemi bërë. Ndërkohë që patjetër, padiskutim, edhe në sport dallimi mes ku jemi dhe ku duhet e duam të jemi është ende shumë i madh.
Si përfundim, jam i bindur që as tërë këto fakte nuk do të hedhin dot dritë mbi shpirtrat katran, ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip. Por s’kemi ç’bëjmë tjetër përveçse të marrim shembull nga Luiza Gega:
TË VRAPOJMË MË SHPEJT
Discussion about this post