Nga Luciano Bozzo*
Argumenti kryesor i paraqitur nga ata që synojnë të shpjegojnë agresionin kundër Ukrainës, si pasojë e zgjerimit të NATO-s në lindje, është rritja e perceptimit të pasigurisë që do të kishte prodhuar zgjerimi i saj në Moskë.
Fakti që Rusia vuan, dhe sigurisht jo që nga fundi i Luftës së Ftohtë, nga një kompleks rrethimi, është diçka shumë e njohur dhe e debatuar.
Gjeopolitikanët e vërtetë kanë argumentuar gjithmonë se një ndjenjë e ngjashme pasigurie është tipike për fuqitë kontinentale, të cilave u mungon mbrojtja natyrore që ofron deti.
Fushat e pakufishme të stepës pa mbrojtje natyrore dhe përvojë historike, agresionet e pësuar nga Rusia në fillim dhe Bashkimi Sovjetik më vonë, janë origjina e besueshme e këtij perceptimi.
Sidoqoftë, është kurioze që ata, të cilët shqetësohen aq shumë për këtë, nuk i kushtojnë po aq vëmendje perceptimit të pasigurisë së vendeve shumë më të vogla dhe më të dobëta në kufi me Rusinë: tre shteteve baltike, pa thellësi strategjike, Polonisë, po aq e ndërgjegjshme për historinë e vet, ose Finlandës.
Megjithatë, ka pak kohë që kjo e fundit është bërë papritur e famshme në analiza dhe gjithashtu në debatin publik mbi konfliktin në Ukrainë.
Qëllimi përfundimtar i luftës është në fakt, sipas fjalëve të Putin-it, angazhimi formal i Kievit për të mos u anëtarësuar në NATO dhe BE në të ardhmen.
Në Perëndim, ky status eventual shpesh është referuar duke rikuperuar një term të dashur për debatin politik dhe akademik të viteve të Luftës së Ftohtë: “finlandizim”.
Herë duke nënçmuar implikimet e saj ose herë duke nënvizuar meritat e saj, pikërisht siç ndodhi në ato vite.
Në fakt, termit i atribuohen dy kuptime të kundërta. Me “finlandizim” nënkuptojmë kushtëzimin e veçantë që Finlanda pati në marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë gjithë Luftës së Ftohtë.
Në ato vite, në vendet perëndimore termi përdorej shpesh de facto si sinonim i varësisë, kufizimit thelbësor të sovranitetit kombëtar, vasalitetit.
Finlanda u akuzua, shpesh pa mëshirë, për sjellje të paqarta në skenën ndërkombëtare, për shkak të frikës nga sovjetikët, e heshtur ose e qartë.
U theksua se vendit i ndalohej të merrte anë në kampin perëndimor, se duhej të hiqte dorë nga çdo kritikë e hapur ndaj politikës së jashtme sovjetike, të ruante ekuilibrin midis Lindjes dhe Perëndimit në marrëdhëniet ekonomike dhe kulturore dhe, në fund, të ushtronte një autocensurë të imët për çdo temë që prekte Bashkimin Sovjetik.
Në periudhën e menjëhershme të pas Luftës së Ftohtë, përkundrazi, “modeli finlandez” u pa nga shumë njerëz si një referencë e mundshme pozitive në procesin e ndërtimit të marrëdhënieve midis Federatës Ruse dhe disa prej shteteve evropiane që sapo kishin dalë nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik.
Vitet e fundit, gjithashtu ka pasur njerëz të ndryshëm që kanë propozuar zbatimin e atij modeli në marrëdhëniet e ardhshme midis Kinës dhe Tajvanit.
Modeli do të ofronte avantazhin për t’i siguruar partnerit minor të marrëdhënies një shkallë të mjaftueshme të pavarësisë politike, autonomisë, pa qenë kjo një kërcënim për sigurinë e partnerit më të fuqishëm.
E zbatuar në rastin e Ukrainës, ajo do të përfaqësonte kështu një mënyrë të ekuilibruar për zgjidhjen e dilemës midis autonomisë së mjaftueshme të Ukrainës dhe sigurisë ruse.
Termin “finlandizim” e prezanton në fillim shkencëtari politik gjerman, Richard Löwenthal, si rezultat i krizës së Murit të Berlinit të vitit 1961.
Gjithsesi libri i ministrit të Jashtëm të atëhershëm austriak Karl Gruber, “Zwischen Befreitung und Freiheit”, botuar në vitin 1953, tërhiqte vëmendjen në mënyrë kritike kundër rrezikut të “finnische Politik” (politikës finlandeze).
Në kontekstin e debatit mbi drejtimin e politikës së jashtme kombëtare, pasi regjimi katërpalësh pushtues kishte përfunduar, Gruber argumentoi se statusi i neutralitetit mund ta linte Austrinë të ekspozuar ndaj presionit dhe kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik.
Duke filluar nga vitet 1960 dhe veçanërisht në dekadën e ardhshme, ishte pikërisht në këtë kuptim që koncepti u përdor brenda NATO-s.
Një rrezik të ngjashëm, u argumentua, mund ta kishin edhe vende të tjera evropiane, duke marrë parasysh gjithashtu rritjen e partive nacional-komuniste përkatëse.
Pas Luftës së Ftohtë, mundësia e aplikimit të opsionit finlandez për krizën ukrainase u sugjerua për herë të parë në “Financial Times” më 23 shkurt 2014 nga Zbigniew Brzezinski, politolog, ish-këshilltar për sigurinë kombëtare në administratën e Presidentit amerikan, Jimmy Carter. Artikulli doli një ditë pas përfundimit të protestave në sheshin “Euromaidan” të Kiev-it, me Presidentin Janukovych në arrati dhe disa ditë pak para fillimit të pushtimit të Krimesë.
Brzezinski sugjeroi që përgjigja ndaj dhunës ruse duhet të ishte zbatimi i modelit finlandez si në rastin e Ukrainës, duke garantuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial në këmbim të heqjes dorë nga anëtarësimi në NATO, po ashtu edhe në ndërtimin e një sistemi të ri të marrëdhënieve Lindje-Perëndim.
Në një artikull të botuar në “Washington Post” më 5 mars, Henry Kissinger mbajti të njëjtën linjë, duke argumentuar se anëtarësimi në BE mund të ishte një homolog i vlefshëm për heqjen dorë nga anëtarësimi në NATO.
Për të mbijetuar, Ukraina nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të kthehej në një “urë” midis Rusisë dhe Perëndimit.
Dy artikujve autoritativë iu përgjigj Jaakko Iloniemi, ish-ambasadori finlandez në Shtetet e Bashkuara, në “Financial Times” më 10 mars të po atij viti. Diplomati vuri në dukje, saktësisht sipas mendimit tim, sa e gabuar ishte të zbatohej një model i prodhuar nga historia dhe kultura politike finlandeze në marrëdhëniet me fqinjin e madh në një kontekst kaq të ndryshëm.
Ishte e njëjta lloj kritike që, gjatë viteve, akademikët dhe politikanët finlandezë patën ndaj konceptit të “finlandizimit”. Fakti është se avokatët bashkëkohorë më entuziastë të teorisë së “finlandizimit”, njësoj si ata që e përdorën atë në kuptimin negativ në të kaluarën, zakonisht dinë pak ose aspak për Finlandën.
Gjatë gjithë historisë së saj, Finlandës i është dashur gjithmonë të veprojë brenda një trekëndëshi fuqish: Rusisë, Suedisë dhe Gjermanisë. Secila prej tyre ka dhënë një kontribut në kulturën finlandeze. Secila prej tyre përfaqësonte një aleat të mundshëm dhe/ose një burim kërcënimi.
Ndalemi tek marrëdhënia me Bashkimin Sovjetik
Revolucioni Bolshevik krijoi kushtet e favorshme për shpalljen e pavarësisë së Dukatit të Madh, më 6 dhjetor 1917. Në pranverë, Garda e Bardhë mbizotëroi mbi Gardën e Kuqe, falë edhe gjeneralit Gustaf Mannerheim, ish-gjeneral-lejtnant carist, më pas Field Marshall i Finlandës në Luftën e Dytë Botërore dhe më në fund President i Republikës Finlandeze (1944-46).
Në vitin 1932 u nënshkrua një pakt mossulmimi me Bashkimin Sovjetik, i cili, megjithatë, më 29 nëntor 1939, pasi hodhi poshtë kërkesat e ashpra të paraqitura në Helsinki, sulmoi me forcë vendin e vogël që atëherë kishte vetëm 3 milionë banorë.
Ishte fillimi i Talvisotës, “luftës së dimrit”, e cila do të bëhet pjesë e eposit kombëtar. Pavarësisht epërsisë së madhe sovjetike në njerëz dhe mjete, Finlanda rezistoi me forcat e saj për tre muaj, duke u shkaktuar humbje të rënda rusëve. Më në fund u detyrua të dorëzohej në fillim të marsit 1940 dhe iu desh të hiqte dorë nga Isthmusi Karelian me qytetin Viipuri (Viborg), bazën detare të Hanko-s dhe Petsamo-s, me daljen në detin Barents.
Në “luftën e vazhdimit” (fundi i qershorit 1941-19 shtator 1944) finlandezët, në aleancë me gjermanët, luftuan për të rifituar territoret e humbura. Kërkesa e Hitler-it që ata të merrnin pjesë në rrethimin e Leningradit gjithsesi u refuzua. Mannerheim, në realitet nuk kishte ndërmend të lidhej me aleatin gjerman, duke e përkeqësuar konfrontimin me rusët.
Ndërsa fati i luftës kundër Gjermanisë u kthye mbrapsht, Mannerheim, i cili u bë president në gusht 1944, e shkëputi vendin nga aleati i tij gjerman duke nënshkruar një armëpushim në nëntor. Forcat finlandeze vazhduan të luftojnë, por kësaj radhe kundër gjermanëve, për t’i dëbuar nga Laponia.
Ishte përkthimi i parë në praktikë i drejtimit të ri të politikës së jashtme të mbrojtur nga Ministri i Brendshëm finalndez, Urho Kekkonen, “Linja Paasikivi-Kekkonen”, e cila parashikonte heqjen dorë në mënyrë përfundimtare nga rimarrja e territoreve të humbura në 1940 dhe një marrëveshje me sovjetikët.
Pas luftës, Kekkonen do të bëhet një nga presidentët historikë dhe do të qëndrojë në detyrë nga marsi 1956 deri në fillim të vitit 1982. Do të jetë ai që do të japë një kontribut vendimtar në formimin e një imazhi të ri të rolit të vendit në plan ndërkombëtar, duke mbështetur “neutralitetin aktiv dhe paqësor”.
Me marrëveshjet e paqes, Finlanda humbi përfundimisht territoret e ripushtuara dhe në vitin 1948 nënshkroi një Traktat të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjellë me Bashkimin Sovjetik.
Gjatë Luftës së Ftohtë, duke ruajtur mos angazhimin, vendi përjetoi një zhvillim ekonomik që përfundimisht e bëri atë të tejkalonte të ardhurat vjetore suedeze për frymë, duke ruajtur pavarësinë, edhe pse me kufijtë e përmendur dhe lidhjet e veçanta me komunitetin skandinav, sidomos marrëdhëniet politiko-diplomatike me Suedinë.
Dy pyetje mbeten për t’u përgjigjur.
Pse Finlanda nuk pësoi fatin e tre shteteve baltike, përkatësisht aneksimin në Bashkimin Sovjetik, as imponimin e një regjimi komunist dhe aderimin në Paktin e Varshavës?
A mundet modeli finlandez të merret ende si një referencë për strukturën e ardhshme të marrëdhënieve ruse-ukrainase?
Dy nga teoritë e ndryshme të avancuara për t’iu përgjigjur pyetjes së parë duket se janë më të besueshmet.
E para thekson rezistencën e guximshme të finlandezëve, të përcaktuar nga Edward Luttwak si ushtarët më të mirë në botë, ndaj ofensivave sovjetike në dy luftërat e zhvilluara midis viteve 1939 dhe 1944. Por çfarë kosto do të kishte dhe sa do të kishte qenë e qëndrueshme, duke pasur parasysh edhe situatën klimatiko-mjedisore, pushtimi i mundshëm i vendit?
Teza e dytë në vend të kësaj i referohet sistemit të balancës rajonale, të ashtuquajturit “Balanca Nordike”. Ndryshe nga Danimarka dhe Norvegjia, Suedia nuk u bashkua me NATO-n në vitin 1949, duke zgjedhur neutralitetin. Mos bashkimi në aleancë do të përbënte kundërpeshën, baraspeshën për një tjetër heqje dorë, atë të Bashkimit Sovjetik kundrejt kontrollit të plotë të Finlandës.
Këto konsiderata të fundit paraqesin përgjigjen për pyetjen e dytë.
Kushtet historike, kulturore dhe ato të vetë sistemit brenda të cilave u zhvillua modeli finlandez ishin shumë të ndryshme nga ato që, deri më 24 shkurtin e kaluar, kushtëzuan marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Ukrainës. Finlanda ishte tashmë një pjesë relativisht autonome e Rusisë për vetëm pak më shumë se një shekull. Sidoqoftë, qeveria cariste u tregua relativisht dashamirëse me një vend, ku gjuha dhe kultura fino-ugike e të cilit janë rrënjësisht të ndryshme nga ajo ruse, edhe pse mjaft të dallueshme, me ato të shteteve skandinave.
Finlanda u detyrua gjithashtu në historinë e saj të lëvizte, duke bërë zgjedhje të vështira, por edhe duke përfituar prej tyre, në një sistem rajonal trepolar (Nordic Balance): Suedi-Rusi-Gjermani, kjo e fundit e zëvendësuar pas luftës së dytë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët.
Mbetet një faktor i vetëm, i cili në të ardhmen mund të bashkojë përvojën e marrëdhënieve të vështira mes dy vendeve me fuqinë e madhe fqinje, duke ndikuar në natyrën e vetë marrëdhënies: rezistenca e ashpër ndaj agresionit të pësuar.
*Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Firences, Itali
Discussion about this post