Pamje të publikuara së fundmi nga Televizioni Dukagjini, zbulojnë momentet që i paraprinë vdekjes së 30-vjeçarit Agon Zejnullahu më 7 korrik në Lipjan.
Videoja nis rreth 15 minuta përpara arrestimit fatal, dhe dokumenton në mënyrë të qartë sjelljen e zyrtarëve policorë në raport me të ndjerin.
Vëllai i Agonit, Albani, ka thënë për Dukagjinin se fillimisht familja nuk është njoftuar me asnjë raport zyrtar dhe se rasti është tentuar të prezantohet në një mënyrë që nuk përputhet me realitetin.
Për pasojë, Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar pesë zyrtarë policorë të përfshirë në këtë rast, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.
Videon e plotë e cila nis rreth 15 minuta para arrestimit të Agon Zejnullahut dhe dokumenton ndërhyrjen policore, mund ta shihni në linkun më poshtë:
Versioni i Policisë:
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vdekjes së një 27-vjeçari në Lipjan, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes së zyrtarëve policorë.
Sipas njoftimit zyrtar, më 7 korrik rreth orës 00:12, Policia kishte pranuar gjashtë telefonata nga qytetarë të ndryshëm, që raportuan për një person me sjellje agresive në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
Sipas tyre, personi në fjalë paraqiste rrezik të përgjithshëm për kalimtarët, pasi po i sulmonte ata, ndiqte automjete dhe tentonte të futej në to.
Policia njoftoi se, për shkak të rezistencës aktive dhe tentimit për sulm ndaj zyrtarëve, ishte përdorur sprej mbrojtës për ta neutralizuar atë.
Sipas policisë, para arrestimit, zyrtarët policorë kishin tentuar për rreth pesë deri në gjashtë minuta të komunikonin dhe negocionin me të riun për ta bindur që të shoqërohej në stacionin policor.
“Mbikëqyrësi i ndërrimit kishte thirrur edhe ndihmën e shpejtë, duke vërejtur gjendjen e tij psikologjike dhe shëndetësore. Megjithë tentativën për t’iu larguar policisë, i riu ishte arrestuar. Ambulanca kishte mbërritur pas tre minutash në vendin e ngjarjes, por ekipi mjekësor kishte konstatuar vdekjen e tij”, deklaron policia.
Sipas PK-së, në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gjësende personale dhe një substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike.
“E njëjta është dërguar për ekzaminim”.
Policia bën të ditur se, përveç njësive hetimore dhe Prokurorit për Krime të Rënda, në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
“Të gjitha provat, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë, janë dorëzuar për hetim”.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal dhe trupi i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Katër zyrtarë policorë dhe një rreshter janë suspenduar me rekomandim të IPK-së dhe janë dërguar në mbajtje pas ri-kualifikimit të veprës.
Policia e Kosovës thotë se është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rastit, dhe se rezultatet përfundimtare do të dihen pas përfundimit të hetimeve dhe raportit të obduksionit.
Versioni i avokatit të policit
Pas arrestimit dhe caktimit të masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin që përfundoi me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, njëri nga avokatët mbrojtës, Urim Vokshi, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.
Në një deklaratë për televizionin Dukagjini, Vokshi mohoi se vdekja e Zejnullahut ka ardhur si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policorë dhe theksoi se viktima kishte sjellje agresive si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj policisë, pa ndonjë arsye të qartë.
“Përveç që ka sulmuar shumë qytetarë, ka sulmuar edhe policinë, pa qenë i preokupuar, pa pasur asnjë arsye. Edhe derisa policia ishte duke vozitur veturën, ai reagonte me sprej. Kur ndalet vetura, ai përsëri tenton ta sulmojë policinë,” tha Vokshi.
Ai shtoi se pas incidentit fillestar, Zejnullahu ishte futur vetë në veturën e policisë dhe kishte qëndruar aty për më shumë se tetë minuta, pa ndonjë dhunë apo presion nga zyrtarët policorë.
“Sipas deklaratave të policëve, ata vetëm kanë biseduar me të dhe i kanë thënë se autoambulanca ishte në rrugë. Duket se i ndjeri ka qenë nën ndikimin e substancave të caktuara. Më pas, ai del vetë nga vetura dhe tenton të ikë. Zyrtarët e ndalojnë për ta prangosur dhe qëndrojnë mbi të vetëm për kohën sa po e prangonin. Nuk ka pasur presion të zgjatur,” ka deklaruar Vokshi.
Ai përfundoi se sipas tij, Agon Zejnullahu nuk ka ndërruar jetë si pasojë e veprimeve të policisë.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, me thirrje për transparencë të plotë, ndërsa institucionet janë duke zhvilluar hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes së të riut.

gijotina.com/










Discussion about this post