Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë shënuar një rënie të fortë, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi pezullimin e përkohshëm të sulmeve ndaj Iranit dhe përmendi zhvillimin e bisedimeve “produktive” mes palëve.
Nafta ra nga mbi 100 dollarë për fuçi në rreth 84 dollarë, një rënie e konsiderueshme brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.
Reagimi i tregjeve ka qenë i menjëhershëm. Investitorët kanë interpretuar sinjalet për de-përshkallëzim si një lehtësim të rrezikut për furnizimin global me energji, çka ka reflektuar edhe në rritjen e kontratave të aksioneve në bursat ndërkombëtare.
Gazetari ekonomik i Sky News, Ed Conëay, e përshkroi këtë zhvillim si një lëvizje të pazakontë në tregje, duke theksuar shpejtësinë e rënies së çmimeve dhe ndryshimin e menjëhershëm të sentimentit ekonomik. Sipas tij, tregjet kanë reaguar me një “shkëndijë shprese”, ndërsa përveç naftës kanë rënë edhe yield-et e obligacioneve shtetërore në disa vende.
Megjithatë, pasiguria mbetet e lartë. Një nga çështjet kryesore lidhet me sigurinë e kalimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Rreth 20% e furnizimit global me naftë kalon përmes kësaj zone strategjike, çka e bën atë vendimtare për stabilitetin e tregjeve.
Zhvillimet e fundit vijnë pas një periudhe tensioni të lartë, ku çmimet e naftës kishin kaluar edhe mbi 110 dollarë për fuçi për shkak të frikës nga ndërprerja e furnizimit dhe përshkallëzimi i konfliktit.
Konflikti mes SHBA-së dhe Iranitka shkaktuar luhatje të forta në tregjet globale të energjisë. Sulmet ndaj objektivave strategjike dhe kërcënimet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit kanë kufizuar qarkullimin e naftës dhe gazit, duke rritur çmimet dhe duke shtuar rrezikun për inflacion global dhe ngadalësim ekonomik.
Në këtë kontekst, çdo sinjal për ulje tensionesh reflektohet menjëherë në tregje. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se situata mbetet e paqëndrueshme dhe se zhvillimet politike dhe ushtarake në rajon do të vijojnë të kenë ndikim të drejtpërdrejtë mbi çmimet e energjisë në nivel global.










Discussion about this post