Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, deklaroi nga Kuvendi se teksa shumë vende po ndërmarrin masa urgjente për të përballuar rritjen e çmimeve të naftës, qeveria shqiptare nuk ka paraqitur asnjë iniciativë konkrete.
Bozdo tha se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka miratuar planin për të hedhur në treg 400 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike, ndërsa vende si Gjermania, Austria dhe Japonia kanë nisur të përdorin rezervat e tyre për të stabilizuar tregun. Ai shtoi se edhe vendet e rajonit, si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, kanë marrë masa për të kontrolluar çmimet dhe për të përballuar krizën energjetike.
Sipas tij, edhe Komisioni Evropian ka kërkuar uljen e taksave për energjinë, ndërsa Italia po shqyrton rikthimin e mekanizmit të akcizës së ndryshueshme për të ulur çmimin e karburanteve.
Bozdo kritikoi qeverinë shqiptare duke thënë se ajo përfiton më shumë të ardhura nga rritja e çmimeve, por nuk po i përdor këto të ardhura për të ndihmuar qytetarët dhe ekonominë. Ai ngriti shqetësimin edhe për rezervat strategjike të naftës në vend dhe kërkoi nga Autoriteti i Konkurrencës të hetojë rritjen e njëkohshme të çmimeve nga kompanitë e tregtimit të karburanteve.
Deputeti demokrat bëri të ditur se të hënën grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në Kuvend një projektligj që synon të detyrojë qeverinë të marrë masa automatike për kontrollin e çmimeve të karburanteve në raste krizash energjetike globale.
Deklarata
Në një vendim urgjent, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë miraton planin për të lëshuar 400 milionë fuçi nafte nga rezervat strategjike të saj. Kësaj kërkese ju bashkuan menjëherë Gjermania dhe Austria, duke zyrtarizuar lëshimin e rezervave strategjike të naftës. Japonia gjithashtu, ka ndërmarrë hapat e saj duke lëshuar dhe ajo këto rezerva me qëllim normalizimin e furnizimit me lëndë djegëse si dhe qetësimin e çmimeve të naftës në bursën ndërkombëtare. Por gjithashtu masa të menjëhershme dhe efikase po marrin vendet fqinj me ne.
Greqia ka ngritur borde të cilat kontrollojnë dhe minimizojnë fitimet e kompanive të tregtimit të karburanteve dhe ushqimeve bazë të shportës. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka shpallur emergjencën energjetike dhe po lëshon në treg rezervat e saj të naftës. Ndërkaq, komisioneri evropian për energjinë, Dan Jørgensen, doli publikisht me një thirrje të fortë drejtuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që ato të ulin menjëherë taksat për energjinë, përfshirë akcizën mbi karburantet, për të përballuar rritjen e çmimeve të shkaktuara nga lufta në Iran dhe bllokimi i ngushticës së Hormuzit.
Qeveria italiane njoftoi zyrtarisht se po punon për të riaktivizuar mekanizmin e njohur si akciza e ndryshueshme, mekanizëm i cili ul automatikisht akcizën kur rritet çmimi i naftës bruto. Ky mekanizëm funksionon duke përdorur të ardhurat shtesë nga TVSH-ja që kur rritet çmimi i naftës, ku qeveria është përfitues i vetëm. Nga ana tjetër qëndron qeveria shqiptare, e cila për momentin nuk ka asnjë ide dhe nuk dimë të ketë shprehur ndonjë iniciativë për të bërë në zbatim këto mekanizma që vendet e Bashkimit Evropian dhe fqinjët tanë në rajon po ndërmarrin me shpejtësi.
Është shumë shqetësues fakti se qeveria shqiptare, edhe pse fiton më shumë kur çmimi i naftës rritet, dhe kjo gjë po ndodh, nuk ka ndërmend t’i përdorë këto të ardhura shtesë, të pamerituara për qytetarët e saj dhe ekonominë e saj. Por ka një fakt tjetër po aq shqetësues, rezervat e naftës. Angazhimi ynë pranë agjencisë ndërkombëtare të energjisë si dhe ndaj direktivës përkatëse të Bashkimit Evropian sanksionon detyrimin ligjor që kompanitë shqiptare të mbajnë një rezervë nafte të barabartë me 61 ditë konsum apo 90 ditë importe. Për fat të keq është e vështirë sot të imagjinohet se një rezervë e tillë ekziston dhe aq më tepër se mund të aktivizohet me kërkesën më të parë nga qeveria në kushtet e emergjencës energjetike.
Pra, ndërsa të gjitha vendet e Bashkimit Evropian praktikisht po vrapojnë të ngrenë pa humbur kohë, instrumentet për t’u përballur me krizën që tashmë po troket. Me synimin e vetëm të mbrojtjes së qytetarëve të tyre dhe ekonomisë kombëtare, qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të bëjë asgjë të tillë. Ditët e fundit, rritjet e menjëhershme dhe të njëkohshme të çmimit të naftës nga të gjithë tregtarët në Shqipëri, treguan se kjo rritje është e organizuar dhe me shumë gjasa përmban elementë të kundraligjshëm. Për këtë i bëjmë thirrje autoritetit të konkurrencës të monitorojë sjelljen e kompanive në këtë treg nga shumë afër dhe të ndërhyjë menjëherë në rast se verifikohen situata kartel dhe abuzimi me çmimin e naftës si dhe të ushqimeve bazë të shportës.
Nuk është hera e parë që përballë krizave botërore qeveria e Edi Ramës nuk reagon. Rasti i fundit ishte pandemia COVID, ku përveç ndalim qarkullimit masat e tjera ishin inekzistente. Për pasojë gjatë pandemisë qeveria u pasurua vërtet nga rritja e çmimeve, por vetëm pak përqind e këtyre të ardhurave ju kthyen qytetarëve dhe ekonomisë mbrapsht. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë dot kështu. Përgjigja ndaj krizave nuk mund të jetë humor i qeverisë së Edi Ramës.
Qytetarët paguajnë taksa për t’u mbrojtur në situata të tilla dhe për të mos u lënë në mëshirë të fatit. Për këtë arsye, ditën e hënë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të depozitojë në kuvend një projektligj që do ta detyrojë qeverinë në në rastin e krizave energjetike të shkaktuara nga situata globale, nga forca madhore, të marrë automatikisht masa për të mbajtur nën kontroll çmimin e karburantit. Me anë të këtij projektligji ne synojmë të zgjidhim atë që të gjitha qeveritë e rajonit dhe të Bashkimit Evropian e dhe zgjidhin si pasojë e detyrimit të tyre për t’i shërbyer qytetarëve të tyre. Sepse kur qeveritë, kur qeverisë nuk ja ndjen, ne duhet të kemi një mekanizëm detyrues që ndihmon shqiptarët dhe ekonominë kombëtare. Është detyrim i opozitës t’ju japë zgjidhje ligjore situatave të tilla kur qartazi mungon vullneti i qeverisë tonë për këtë gjë.










Discussion about this post