Elseid Hysaj është i përzgjedhuri nga lojtarët e kombëtares shqiptare për konferencën për shtypin të ditës së sotme. Nga Kaiserau, qendra stërvitore e Shqipërisë në Euro 2024, anësori i djathtë që luan me Lazion, u shpreh:
“Kemi punuar shumë fizikisht. Nuk kemi qenë në 100%-n tonë në dy ndeshjet miqësore. Treguam se jemi në formë të mirë dhe po stërvitemi akoma më shumë që të jemi gati për ndeshjen me Italinë.
Theksi në stërvitje nuk vihet në një pikë. Po punojmë që të jemi sa më kompaktë dhe të mos lëmë shumë hapësira për kundërshtarët. Po punojmë në aspektin e kompaktësisë, të jemi sa më afër njëri-tjetrit në fushë.
Janë tri ndeshje shumë të forta, por edhe shumë të bukura. Duhet ta gëzojmë këtë Europian, nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë. Dikush mund të mos thirret pas Europianit, por ndodh në futboll. Të kemi besim te vetja, mund të jemi një nga surprizat e Europianit. Jemi të gjithë të qetë, jemi të sigurt në vlerat tona.
Italia? Duket nga jashtë si një skuadër në vështirësi, por nuk është ashtu siç duket. Unë e njoh Italinë. Është skuadër shumë e fortë, ka individë të fortë. I njoh, pasi kam luajtur ndaj tyre, një pjesë i kam edhe shokë skuadre. Ta marrim seriozisht, sepse Italia nuk është ashtu siç duket në miqësore.
Euro 2024? Në 2016 ishte një skuadër dhe event komplet tjetër. Tani është hera e dytë për mua, Berishën dhe Abrashin. E dimë që mund të bëjmë më tepër. Nuk është gjë e mirë nëse humbim, është problem nëse humbim ne Italinë.
Të jemi më seriozë, mund dhe duhet ta provojmë kalimin e grupit. Që të jemi të qetë sa i përket dhënies së maksimumit dhe të dalim me kokën lart.
E njohim njëri-tjetrin, por nuk do të thotë se mund ta ndalësh kundërshtarin ngaqë e njeh. Nuk më pëlqen fraza që Italia nuk ka lojtarë të fortë. Është një skuadër ndër më të fortat. Edhe Europianin e fundit e fitoi pavarësisht se askush nuk besonte tek Italia.
Ndihem më mirë kur më thonë që ne nuk jemi favoritët. Na motivon, është më bukur. Presioni kalon tek ata. Ne i dimë vlerat tona, mund të arrijmë diçka, mund të fitojmë edhe ndaj skuadrave të forta. Futbollit nuk i dihet kurrë.
Miqësorja ndaj Azerbajxhanit? Ne kemi punuar shumë fizikisht. Kemi futur shumë vrapime dhe forcë në këmbët tona, normal që minutat e fundit do të ishin të vështira për ne.
Jam i kënaqur me atë që bëmë. U bënë gati 12 vite që luaj në Serie A. E di forcën time dhe se ku gaboj apo bëj mirë. Do të jem edhe më shumë i përqendruar.
Do të bëj më mirën për fanellën kuqezi. Duhet të bëhesh pjesë e familjes dhe të japësh kontributin tënd, brenda dhe jashtë familjes. Tani është moment i bukur, momentet e vështira i kemi kaluar. Dua ta shijoj.
Duhet të flasim në fushë kundër Italisë, jo me fjalë. I duam edhe ne pikët. Kemi ardhur këtu për t’i marrë.
Barazimi? Rëndësi ka të mos humbim, edhe pika është e mira. Më mirë një sesa asnjë. Portugalia fitoi Europianin me barazime.
Stërvitja e parë? Besoj që kemi bërë një ndërrim në mendje. Më parë ishim më të relaksuar, jemi më të përqendruar në fushë.
Krahasimi? Kam kaluar shumë momente të bukura në 2016, për pak ishim duke u kualifikuar. Me këtë grup është përsëri si familje. Të gjithë djemtë e rinj janë përshtatur mjaft mirë. Është grup fantastik, jemi në të njëjtin mendim dhe të gjithë të kënaqur.
Patëm një pritje mjaft të ngrohtë, tifozët shqiptarë e duan shumë Kombëtaren. Ata do e mbushin stadiumin ndaj Italisë si në Euro 2016. Jemi një skuadër e re, po punojmë mirë. Rëndësi ka të ruajmë qetësinë në fushë, pasi Italia është ekip i rrezikshëm.
Pika e dobët e Italisë? Të gjithë skuadrat kanë pika të dobëta. Do përpiqemi të gjejmë dobësi tek Italia, do na ndihmojë edhe trajneri. Italisë i mungon një bomber. Immobile është kampion, prisja të luaja përballë tij, më vjen keq që nuk është, por sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për të.
Tani jam një Hysaj me më shumë eksperiencë, me shumë gjëra në kokë. Nuk kemi ardhur për të kaluar kohën këtu. Nuk kënaqem me pak bukë, dua bukën e madhe. Të mos kemi pengje në fund.
Në 2016 isha i ri, isha shumë i kënaqur, tani dua të arrij më shumë. Shpresoj që të gjithë të kemi urinë e duhur.
Arritja do të jetë që gjithë Shqipëria të na duartrokasë pas ndeshjeve. Të jemi krenarë, si në humbje dhe në fitore. Të kthehemi në shtëpi me kokën lart”, përfundoi shkodrani.
Discussion about this post