Në 15 vitet e fundit, asnjë drejtor i përgjithshëm policie nuk e ka kryer mandatin e tij 5-vjeçar, ashtu siç e përcakton ligji për Policinë e Shtetit. Në fakt 5 të tillë janë detyruar të lënë detyrën pa mbaruar mandatin, ku të gjithë kanë paraqitur dorëheqje për arsye shëndetësore ose familjare, pikërisht në kohën që ishte mbushur kupa, por që kanë mbrojtur deri në fund nderin e qeverisë, duke u hequr sikur po ikin vetë dhe nuk po largohen për paaftësi apo shkelje profesionale ose përplasje me drejtuesit politikë të qeverisë.
I fundit që ka kryer një mandat të plotë në krye të Policisë së Shtetit ka qenë Bajram Ibraj. Ai ka mbajtur funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga viti 2002 deri në vitin 2007, duke përballuar edhe zgjedhjet qendrore të vitit 2005, kur e majta iku nga pushteti, e cila i la vendin të djathtës. Por me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, ministri i Brendshëm i asaj kohe, i ndjeri Sokol Olldashi, nuk e shkarkoi Ibrajn, megjithëse ngriu marrëdhëniet me të, duke u fokusuar më shumë te zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ibraj, asokohe u përfol vetëm për një tender uniformash blu, ku kompania private sillte nga Kina rrobat e punonjësve të policisë me çmime të kripura. Ndërkohë, në dy vitet e ndërrimit të pushtetit, nën drejtimin e Ibrajt u goditën shumë banda të rrezikshme kriminale, sidomos në Fier, Lushnjë, Durrës dhe Vlorë, të cilat cilësoheshin si të paprekshme deri në vitin 2005, si të lidhura me pushtetin e majtë. Me ikjen e Olldashit si ministër i Brendshëm dhe ardhjen në krye të këtij dikasteri të Bujar Nishanit, duket se u plotësua dhe mandati i Ibrajt.
Në vitin 2007, kur Ibraj mbaroi mandatin 5-vjeçar në krye të Policisë së Shtetit, konkretisht në mars të atij viti, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u emërua Ahmet Prençi. Emërimi i tij erdhi me katapultë, pasi ai u rrit në grada në një periudhë dyvjeçare, në kundërshti me ligjin për gradat. Për shumë vite, Prençi kishte punuar si oficer karriere, por në vitin 2005, kur PD erdhi në pushtet, Prençi u emërua shef i hetimit të Krimeve në Policinë e Tiranës dhe pak muaj më vonë u katapultuar nëndrejtor policie në Gjirokastër. Edhe në qytetin e gurtë qëndroi vetëm pak muaj dhe u emërua drejtor i policisë së Shkodrës. Brenda dy vitesh nga fillimi i ngjitjes në karrierë, konkretisht më 30 tetor 2007, ai u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Në kohën e Prençit duhet përmendur se vijoi goditja e grupeve kriminale, por kultivimi i drogës në Lazarat nuk arriti të vihej nën kontroll. Por, ai ishte drejtori i parë, i cili pranoi të lidhte kontratë kolektive me një Sindikatë të Punonjësve të Policisë, nën presionin e misionit europian PAMECA dhe Programit amerikan ICITAP, duke i hapur rrugë mbrojtjes së të drejtave të punonjësve të policisë. Megjithatë, performanca e dobët e policisë në luftën kundër krimit dhe ndryshimi i ministrave të brendshëm e shkarkoi para kohe Ahmet Prençin nga detyra, i cili paraqiti një dorëheqje formale për arsye shëndetësore, duke i hapur rrugë kësaj procedure deri në ditët e sotme për drejtorët e përgjithshëm të policisë së shtetit. Në atë kohë u deklarua se Prençi kishte kërkuar dy herë dorëheqje te Nishani, por që ajo u pranua vetëm herën e tretë, pasi në krye të Ministrisë së Brendshme u vendos Lulzim Basha. Prençi u zëvendësua nga Hysni Burgaj pikërisht në tetor të vitit 2009, vetëm 2.5 vite pasi ishte vënë në këtë detyrë, ndërsa mandati i tij sipas Ligjit të Policisë së Shtetit ishte 5-vjeçar.
Burgaj u cilësua në atë kohë si drejtor i përgjithshëm “kukull”, pasi punonjësit e policisë shpreheshin se vendimet merreshin kryesisht nga zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj, i cili ishte krahu i djathtë i Berishës, ndërsa Burgaj ishte vendosur nga Basha. Edhe ardhja e Burgajt në krye të Policisë së Shtetit ishte e orkestruar për dy vite, ku ai i ngjiti shpejt e shpejt shkallët e karrierës. Burgaj kishte kryer detyra të ndryshme në polici, por jo në nivele drejtuese që nga viti 1984. Por nga viti 2005 deri në vitin 2008, ai u emërua Drejtor i Policisë së Qarkut të Kukësit, Gjirokastrës. Në mesin e vitit 2008, ai u transferua nga Policia e Qarkut të Gjirokastrës, në detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për Mbështetjen Logjistike.
Megjithatë, me ndryshimin e pushtetit, 8 vite më parë, kur e majta mori drejtimin, Hysni Burgaj u lëviz në detyrë dhe vendin e tij e zuri Artan Didi. Në atë kohë u tha se ai lëvizi me kërkesën e tij.
Artan Didi vinte nga radhët e RENEA-s, ku mbante si sukses operacionin për kapjen e një terroristi, por që mbi supe rëndonte dhe vrasja e një personi të pafajshëm shumë vite më parë gjatë pengmarrjes së një autobusi që vinte nga Greqia. Ngjarja ndodhi në vitin 1999, kur Flamur Pisli, 24-vjeçari matjan u ekzekutua nga snajperi i policisë shqiptare gjatë tentativës për të eliminuar pengmarrësin. Por një tjetër fakt ishte se Didi ishte shkëputur nga policia në vitin 2005 dhe rikthehej pas 8 vitesh, duke u vendosur në krye të saj. Nën drejtimin e tij, policia ndërhyri në Lazarat, me qëllim goditjen e grupeve të drogës, por që brenda dy vitesh, kur ministër ishte Saimir Tahiri, u kanabizua i gjithë vendi. Pikërisht për luftën e dobët ndaj drogës, në mars të 2015, ai dorëzoi kapelën e kryepolicit përmes një letre ku njoftonte dorëheqjen, pa u shuar ende zhurmat për mos ekzekutimin e urdhër arrestit për Mark Frrokun, një shkresë që u harrua në tavolinat e Policisë së Shtetit.
Me dorëheqje u largua edhe Haki Çako, një oficer policie që kishte prekur disa komisariate dhe së fundmi edhe drejtor i policisë së Lazaratit që siç duket spikati gjatë rënies së këtij fshati dhe mori stafetën në prill 2015 deri në janar 2018, ku u lirua mbas dorëheqjes kur ministër i Brendshëm ishte Fatmir Xhafaj. 54 vjeçari nga Lushnja u përfol dhe u vendos nën hetim për skandalin e Imsi Catcher, një hetim që përfundoi në gjykatë dhe dërgoi disa oficerë. Çako u zëvendësua për një periudhë tranzitore nga Rebani Jaupaj që qëndroi i komanduar derisa me propozim të Xhafës, mori drejtimin e policisë shqiptare Ardi Veliu, që ishte kataplutuar nga policia rrugore, në krye të policisë më të madhe në vend atë të kryeqytetit dhe më pas iu vendosën spaletat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Veliu mund të thuhet se ishte një nga drejtorët e përgjithshëm të policisë, i cili u akuzua më shumë se gjithë të tjerët për rezultatet e dobëta, të cilat u pasuan me numër të lartë viktimash dhe shkelje të shumta ligjore nga uniformat blu dhe nga vetë ai. Vlen për t’u përmendur që nga vrasja e Klodian Rashës nga policia në kushte flagrante e deri te ndërhyrja për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ku policia në shkelje të ligjit nuk përdori numra identifikues, por si një bandë me maska dhunuan dhjetëra qytetarë, me qëllim që t’i hapnin rrugë projektit shumë të diskutuar për Teatrin e ri Kombëtar. Por sikur të mos mjaftonin këto, Veliu akuzoi dhe nënën e një djali të dhunuar nga policia për moral, duke e diskretituar me disa foto, ku ajo shfaqej me një armë në dorë, ndërkohë që fotografia ishte bërë gjatë xhirimeve të një filmi. Pas këtyre skandaleve të njëpasnjëshme, Rama i dha ultimatumin 100 ditësh në korrik të këtij viti dhe në krye të tyre, ai paraqiti një dorëheqje formale, ashtu si paraardhësit e tij, por ndoshta, duke u larguar më me turp se gjithë të tjerët.
gijotina.com