GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

Negociatat me Shqipërinë, BE: Lufta kundër korrupsionit ende e pamjaftueshme

09:22 - 16/10/24
në Aktualitet, KRYESORE, Politikë
Kohë leximi: 4 min
A A
Negociatat me Shqipërinë, BE: Lufta kundër korrupsionit ende e pamjaftueshme
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën të martën në Luksemburg konferencën e dytë Ndërqeveritare, që shënon dhe çeljen e grup-kapitullit “Themeloret” në negociatat për anëtarësim.

Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë, e cila mban presidencën e radhës dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, e konsideruan këtë moment një hap të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të ardhmen e zgjerimit të Unionit.

“Pesëmbëdhjetë vjet pritje është e papërshtatshme, na duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani,” tha ministri hungarez, duke folur gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Kryeministri Rama e cilësoi këtë moment si “një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor europian” dhe tha se ky është i vetmi plan për të ardhmen e Shqipërisë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Rama shpalli ambicien për ta përmbyllur deri në vitin 2030 procesin.

Qeveria shqiptare kërkon integrim të përshpejtuar për disa kapituj, ku përfshihet funksioni i institucioneve demokratike; reforma në Administratën Publike; Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; Drejtësia, Liria dhe Siguria si dhe Prokurimet Publike.

Por sipas pozicionit negociues të Bashkimit Evropian, i cili u bë publik, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë në lidhje me luftën kundër korrupsionit, me lirinë e medias apo me regjistrimin dhe transparencën e pronësisë.BE nënvizon gjithashtu se ecuria e ekonomisë shqiptare ka qenë “nën potencial” dhe konvergjenca, pra afrimi i nivelit ekonomik të Shqipërisë me mesataren e BE-së, është “i ngadaltë”.

Kritikat më të mëdha lidhen me zhvillimin në dukje më domethënës të viteve të fundit, luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, me disa ministra dhe dy dyzina me zyrtarë të lartë të akuzuar apo të dënuar, përfshirë një ish-zëvendëskryeministër dhe një ish-kryeministër. Ndërsa këto zhvillime duken të mëdha në krahasim me pothuajse zero të dënuar më parë, për zyrtarët e Brukselit rezultati është jo më shumë se sa inkurajues, por gjithsesi “i pamjaftueshëm”.

Kryeministri Edi Rama, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó dhe komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi gjatë konferencës së përbashkët në Luksemburg. Foto kortezi: Komisioni Europian.

“BE mban shënim si pozitive disa dënime finale për akuza për korrupsion kundër zytarëve të lartë,” thuhet në pozicionin negociues të BE-së. “BE nënvijëson gjithsesi se korrupsioni është i gjithëpërhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe të biznesit, përfshirë të gjitha degët e qeverisjes qendrore dhe vendore dhe institucionet dhe kjo mbetet një fushë shqetësimesh serioze,” shkruhet më tej në dokument.

“BE mban shënim gjithashtu se masat anti-korrupsion kanë pasur në përgjithësi ndikim të kufizuar deri tani në sektorët më të rrezikuar nga korrupsioni.”

Shqipëria ndërmorri Reformën në Drejtësi në vitin 2016 dhe që nga ajo kohë, suksesi i arritur në pastrimin e sistemit përmes procesit të vetingut dhe rastet e para të akuzave dhe dënimeve për korrupsion nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka shërbyer si argument kyç për përparimin e Shqipërisë në arritjen e kritereve të kërkuara për anëtarësim. Por ndryshe nga kjo, BE duket se ka shtruar pyetjen nëse suksesi i deritanishëm është apo jo i mjaftueshëm për të konkluduar se korrupsioni po luftohet siç duhet dhe ka dalë në konkluzionin se ndikimi real ka qenë “i kufizuar”.

Krahas vlerësimit të përgjithshëm për gjendjen e korrupsionit, BE bën thirrje veçanërisht për hipotekat që të “ndërmarrin masa të shëndosha kundër korrupsionit” si dhe të kujdeset që kërkesat të trajtohen tërësisht brenda afatit ligjor 45 ditor. Dokumenti vëren se mungesa e të drejtave të pronësisë në vend dhe vështirësitë në regjistrimin e pronave “vijojnë të kufizojnë funksionimin efikas të ekonomisë së tregut”.

Probleme të mëdha me lirinë e shprehjes

Pika e dytë në pozicionin negociues ku Shqipëria ka marrë kritika veçanërisht të forta ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Ajo gjithsesi vëren në këtë pikë si “fakt pozitiv” se Shqipëria ka shprehur vullnetin të ndërmarrë reforma të thella në kuadrin ligjor dhe rregullativ. Shqipëria, sipas BE-së, duhet të “forcojë transparencën e pronësisë së medias, pluralizmin e medias dhe pavarësinë editoriale, të forcojë transparencën e financimit të medias nga burimet private dhe shtetërore dhe të forcojë autonominë e rregullatorit të medias dhe pavarësinë e transmetuesit publik”.

Shqipëria ka një treg televiziv të dominuar nga pak operatorë, të cilët kanë interesa të shumëfishta me qeverinë, përfshirë kontrata të partneritetit publik-privat apo prokurime publike ndërsa natyra e pronësisë në këto televizione, zakonisht me një pronar apo nën pronësinë e një familjeje, pakëson mundësinë e pasjes së një stafi editorial në të cilin vendimet editoriale ndërmerren mbi bazën e parimeve të gazetarisë së pavarur dhe jo të interesave të pronarit.

“BE vëren se atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave shpifëse dhe padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike që shënjestrojnë gazetarët nuk është përmirësuar dhe mbetet një problem për t’u adresuar,” thuhet në dokument. “BE nënvijëzon rëndësinë që Shqipëria të shfuqizojë tërësisht parashikimet penale për fyerjen dhe shpifjen dhe të përafrojë aspektet civile të shpifjes me standardet evropiane,” thekson dokumenti.

/Reporter.al/

Etiketa: BEEdi RamaintegrimKryesore1Negociata

Lajme të lidhura

Vlorë/ Deti “pushton” Radhimën, uji i detit përmbyt zonat e ankorimit dhe magazinat
Aktualitet

Vlorë/ Deti “pushton” Radhimën, uji i detit përmbyt zonat e ankorimit dhe magazinat

08:47 - 01/02/26
“Të vetëm nuk e mundim dot Ramën”, Lapaj flet mbi rrugët e bashkimit me Berishën
Aktualitet

“Të vetëm nuk e mundim dot Ramën”, Lapaj flet mbi rrugët e bashkimit me Berishën

23:16 - 31/01/26
Ndarja nga jeta e Fitim Makashit, reagon aktori Robert Ndrenika: La gjurmë të paharrueshme…
Aktualitet

Ndarja nga jeta e Fitim Makashit, reagon aktori Robert Ndrenika: La gjurmë të paharrueshme…

22:43 - 31/01/26
Para
Brazili triumfon me rezultat të thellë ndaj Perusë

Brazili triumfon me rezultat të thellë ndaj Perusë

Discussion about this post

TË FUNDIT

Vlorë/ Deti “pushton” Radhimën, uji i detit përmbyt zonat e ankorimit dhe magazinat
Aktualitet

Vlorë/ Deti “pushton” Radhimën, uji i detit përmbyt zonat e ankorimit dhe magazinat

08:47 - 01/02/26

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:45, në qytetin e Vlorës është regjistruar një rritje e...

Lexo më shumë
Parashikimi i horoskopit, ja ç’ thonë yjet për sot

Parashikimi i horoskopit, ja ç’ thonë yjet për sot

07:45 - 01/02/26
Parashikimi i motit për sot: Vranësira dhe shira

Parashikimi i motit për sot: Vranësira dhe shira

07:31 - 01/02/26
“Të vetëm nuk e mundim dot Ramën”, Lapaj flet mbi rrugët e bashkimit me Berishën

“Të vetëm nuk e mundim dot Ramën”, Lapaj flet mbi rrugët e bashkimit me Berishën

23:16 - 31/01/26
Ndarja nga jeta e Fitim Makashit, reagon aktori Robert Ndrenika: La gjurmë të paharrueshme…

Ndarja nga jeta e Fitim Makashit, reagon aktori Robert Ndrenika: La gjurmë të paharrueshme…

22:43 - 31/01/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com