Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Në një konferencë për media, Osmani ka thënë se vendimi u mor pas dështimit të deputetëve të Kuvendit për të zgjedhur presidentin e ri.
“Jam këtu përpara jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës së Kosovës.
Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situate e ka krijuar dështimi i kuvendit për ta kryej detyrën. Këtu e sollen vendin njerëz të papërgjegjshëm, e me qëllime të rrezikshme.
Prandaj sot, në përputhje me kompetencat e mia kushtetuese, kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, ka theksuar presidentja.
Duke folur për dështimin e përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit mbrëmjen e 5 marsit, Osmani tha se kjo nuk ka qenë një situatë e rastësishme, por sipas saj një kalkulim i menduar politik.
“Në një republikë kushtetuese ka diçka që është mbi kalkulimet partiake dhe mbi interesat e momentit: Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetuta nuk është tekst ceremonial. Ajo është kontrata jonë e përbashkët si shtet. Është kufiri që politika nuk mund ta kalojë dhe busulla që institucionet nuk mund ta humbasin. Mbrëmë, përpjekjet për zgjedhjen e një presidenti të ri dështuan. Ky dështim nuk ishte as i rastësishëm, as i pamenduar, por përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar, për fat të keq”, ka theksuar Osmani.
Osmani deklaroi se Kushtetuta e thotë qartë se afati për president ka përfunduar mesnatën e së enjtes.
“Procedura për zgjedhjen e presidentit edhe pse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Afati përfundimtar është i qartë, ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij momenti”, ka shtuar ajo.
Presidentja Osmani tha se qytetarët s’kanë nevojë për vonesa, por për politikë që s’i trembet përgjegjësisë. Osmani theksoi se është e vetëdijshme që dekreti mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese, por “s’ka qenë kurrë më krenare” për një vendim.
“Pyetja nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato? Pra pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve? Qytetarët s’kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë të dëgjohet qartë zëri i tyre. Kanë nevojë për qartësi, institucione që funksionojnë dhe jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia.
Jam plotësisht e vetëdijshme se ky dekret mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dua ta them hapur: kurrë s’kam qenë më krenare sesa për këtë vendim. Jam shumë e qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj sepse në një republikë kushtetuese përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh në anën e Kushtetutës dhe interesit të republikës”, tha ajo.
Parlamenti i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme në orët e vona të ditës së enjte, (05.03.) dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit, në mungesë kuorumi të deputetëve, duke bërë që kryetarja e Kuvendit ta ndërpresë seancën që në nisje të saj. Vetëm 66 deputetë të shumicës parlamentare morën pjesë në seancë, e cila nga ana tjetër u bojkotua tërësisht nga partitë politike opozitare.










Discussion about this post