Amir B. Ahmeti*
4 Korriku, dita e pavarësisë së ShBA
Rikujtimi i historisë i bënë mirë çdo shoqërie. Kur kujtohet 4 Korriku, dita e pavarësisë së ShBA, duhet të mësojmë edhe nga sakrificat dhe sfidat në të cilat kaloi ajo datë dhe ajo shpallje.
Si gjithëherë që për liri dhe pavarësi duhet të luftohet e sakrifikohet, ditës së pavarësisë së ShBA-së i paraprinë viti revolucionar paraprak ai i 1775, kur fillon edhe Revolucioni Amerikan, me ç’rast në Concord të Massachusetts u konfrontuan forcat britaneze me paramilitar amerikan. Këto përleshje lanë pas 250 ushtarë britanez të vrarë dhe të plagosur kurse amerikanët humbën 93 njerëz. Në të njëjtën kohë Kongresi Kontinental u takua në Philadelphia dhe votoi pro luftës. Vendosën që paramilitarët e kolonive të hynin në shërbimin kontinental dhe unanimisht emëruan George Washington-in komandant të Forcave Amerikane.
Edhe pse me 1776 shpallet pavarësia e ShBA, vetëm në vitin 1782 në Paris nënshkruhet një traktat, i cili njeh Shtetet Amerikane të pavarura. Ky tarktat miratohet nga Kongresi Amerikan më 1784 ku Thomas Mifflin nënshkruhet si kryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa pasi që kryeqendra amerikane u vendos në Washington, më saktësisht gjatë presidencës së James Madisonit, presidentit të katërt të ShBA-së, britanezët luftuan me forcat amerikane, I mundën ato në vendin e quajtur Bladensburg dhe i vunë flakën kryeqytetit amerikan Washingtonit. Ata nuk kishin ndërmend të okuponin kryeqytetin por bënë dëme të jashtëzakonshme shtetit të ri, me ç’rast dogjën shumë ndërtesa qeveritare, si ndërtesën e Departamentit të Thesarit, Departamentit të Luftës (Departamenti i Mbrojtjes sot) dhe Shtëpinë e Bardhë.
Sivjet është vit i zgjedhjeve presidenciale në ShBA. Intensiteti i fushatës zgjedhore po rritet, por edhe shumë ngjarje të reja po ndodhin. Për këtë arsye edhe është një përvjetor më ndryshe i ditës së pavarësisë së ShBA.
Kampi anti-Biden brenda DNC dhe debati i parë presidencial
Për dallim të herave tjera, ku debatet presidenciale kryesisht janë mbajtur në muajin Shtator dhe Tetor, kësaj radhe debati i parë presidencial u mbajtë shumë më herët, madje edhe para nominimeve zyrtare.
Nga të dy partitë, si demokratët ashtu edhe republikanët, janë bërë kalkulimet e tyre për të regjistruar këtë debat në favor të tyre. Republikanët konsiderojnë se vetë pranimi për debat publik nga Presidenti aktual Biden me ish Presidentin Trump, është fitore ne vete, ngase ai vazhdimisht vlerësohej nga demokratët si kandidat jolegjitim për shkak se është ende në proces gjyqësor. Por tani që demokratët kanë pranuar debatin, madje ende edhe pa përfunduar konventat partiake, po vlerësohet se është argument në favor të kandidatit Trump. Poashtu edhe në anën tjetër, demokratët, debatin e hershëm po e konsiderojnë si strategjik, duke parë se Trump-i po avancon në sondazhe, atëherë ky debat do të shfaqte pikat e dobëta të Biden në këtë periudhë, kështu që ai do të ketë kohë disa muaj deri në Nëntor për të përmirësuar performancën e tij.
Por pikërisht këtu fshihet krejt marifeti i organizatorëve të debatit të parë presidencial, sepse performanca e dobët e Biden në këtë periudhë, si rezultat i moshës së shtyer dhe problemeve shëndetësore, ishte e njohur edhe te bashkëpartikët e tij dhe nuk kishte nevojë për një debakël si debati i javës së kaluar për të vërtetuar një gjë të tillë. Por për shkak se njerëzit afër Biden nuk e kishin guximin ta këshillojnë gjatë kësaj kohe për t’u tërhequr nga gara presidenciale, debati i hershëm ishte i nxitur nga eksponentë të DNC të cilët herët kishin shfaqur dyshime për aftësinë e Biden për të qenë edhe një herë kandidat presidencail. Ata nxitën këtë debat për “t’ua hapur sytë” njerëzve afër Biden se ai nuk është më i aftë për të vazhduar tutje dhe duhet të ndalet, para se humbja presidenciale të jetë fakt, e bashkë me te edhe pozita tjera në Kongres dhe nivelet tjera neper shtete.
Konventat kombëtare dhe përzgjedhja e kandidatit presidencial
Derisa republikanët kanë ndarë mendjen për kandidatin e tyre për president, ish-presidentin Trump, i cili pritet të konfirmohet në konventën kombëtare të republikanëve pas dy jave në shtetin Wisconsin, demokratët janë në dilemën më të madhe që mbahet mend rreth kandidaturës presidenciale.
Konventa kombëtare e demokratëve është planifikuar prej 18-22 Gusht ne shtetin Illinois, ku edhe pritej konfirmimi zyrtar i Biden si kandidat i demokratëve për zgjedhjet presidenciale të Nentorit. Por debati i parë, javën e kaluar, mes Biden dhe Trump shkaktoi një termet të fuqishëm në radhët e demokratëve. Performanca e dobët e Biden në debat ishte dëshpëruese për të gjithë lidershipin demokrat, e edhe më gjerë. Po atë natë filluan zërat frustrues brenda DNC se me Biden si kandidat, zgjedhjet janë sigurisht të humbura. Pra duhet zëvendësimi i kandidatit presidencial, por janë disa pengesa teknike që e bëjnë të vështirë këtë zëvendësim. E para dhe kryesorja është se zgjedhjet preliminare brendapartiake kanë përfunduar, dhe nga të gjithë kandidatët, Biden ka fituar shumicën dërmuese të delegatëve që do të votojnë në konventën e Gushtit, respektivisht 3,894 delegatë, e ku për të fituar nominimin nevojiten 1,968 delegatë, sipas rregullores së brendshme partiake.
Nëse Biden nuk tërhiqet personalisht nga gara, sipas rregullores së brendshme të DNC ka pak hapësirë për alternativë tjetër të largimit të tij. Këtu fillon dhe ngërçi i demokratëve, sepse varianti tjetër i demokratëve është që delegatët në konventë të ndryshojnë vullnetin e votuesve të tyre dhe të votojnë për ndonjë kandidat tjetër demokrat, por kjo është jashtë rregullave partiake dhe do të shkaktoj çarje tjetër brenda kampit demokrat, të cilët edhe ashtu janë thyer mjaftë në periudhën e fundit, e sidomos prej luftës në Gaza, mes përkrahësve dhe kritikuesve të Izraelit. E shqetësimi i demokratëve në të njëjtë periudhë është edhe mbetja e Biden në garë.
Sot ShBA i gëzohet 248 vjetorit të pavarësisë. Zakonisht presidentët amerikan organizojnë pritje për veteranët dhe familjet e tyre në Shtepinë e Bardhë, i adresohen popullit amerikan me ndonjë fjalim, etj.
Tani po pritet me shumë interes se çfarë mesazhi do të jap presidenti në këtë përvjetor; a do të shpallë tërheqjen nga gara presidenciale apo do të vazhdoj tutje, edhe përkundër thirrjeve brenda Partisë Demokratike për tërheqje.
* Autori është kandidat për PhD në të drejtën ndërkomëtare, njëherit autor i librit “Zgjedhjet Presidenciale në ShBA, drejt kontinuitetit apo ndryshimit të këtij sistemi elektoral”.
Discussion about this post