Buxheti i viti 2022 i prezantuar nga qeveria është i mbushur plot me paradokse, pasi janë fryrë fondet për privatët dhe janë reduktuar për qytetarët. Në prezantimin paraprak të projektbuxhetit qeveria tha se nuk parashikonte rritje pensionesh për vitin 2022, ndërsa ditën e sotme pas kritikave të shumta deklaroi se do të ketë një rritje. Por të dhënat e publikuara, tregojnë qartë që ky indeksim është tallës, pasi ajo vlerë është e papërfillshme dhe nuk i ndihmon pensionistët as të blejnë një bukë. Konkretisht, qeveria ka parashikuar në buxhet një fond prej 2.6 miliardë lekësh për indeksimin e pensioneve. Ndërsa ka akorduar gjithashtu një fond tjetër prej 3.5 miliardë lekësh me qëllim dhënien e një bonusi ndaj pensionistëve për festat e fund vitit, shumë kjo që parashikon një shpërblim prej 3 mijë lekësh në fundivit.
Ndërkohë, vihet re një rritje e pagesave për koncesionet me 11.5 milionë euro. Sipas tabelave që tregojnë shpërndarjen e buxhetit, për vitin e ardhshëm është parashikuar që qeveria të paguaj 13.8 miliardë lekë për kontratat koncesionare nga 12.4 miliardë lekë që është vlera këtij viti.
“Për vitin 2022, kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionarë/PPP, prej 5% i të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2021, është rreth 22.95 miliardë lekë. Referuar Tabelës 9, për vitin 2022 pagesat vjetore neto që parashikohen të kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme për kontratat koncesionare apo PPP, kapin vlerën rreth 13.82 miliardë”, thuhet në relacion. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, u shpreh sot në komision se e kanë të vështirë të bëjnë indeksim në vlera të larta për pensionet, për të përndjekurit politik apo për naftëtarët që përfitojnë pension suplementar për shkak të luhatjeve të inflacionit. Por nga ana tjetër, qeveria nuk po kursehet dhe ka arritur të gjejë hapësirë për fryrjen e fondit për koncesionet. Jo vetëm kaq, është parashikuar që gjatë viti 2022 të shtohen në program edhe pagesa për 7 koncesione të reja, të cilat do të kapin vlerat e 214,488 miliardë lekë është vlera e kontratave të reja të parashikuara për koncesionet.
Një koncesion i ri që shtohet është ai për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të Sarandës me 4,29 miliardë lekë. Koncesioni i dytë që do të hapet është ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e portit të integruar ‘Triport Vlorë’ me 5,612 miliardë lekë. Ndërsa, koncesioni më i kushtueshëm që pritet të hapet në vitin që vjen është dhënia me koncesion e një segmenti rrugor Milot-Fier në Autostradën Adriatiko-Joniane me 178,2miliardë lekë. Një tjetër koncesion i përfolur edhe në vitin e kaluar është edhe ndërtimi i infrastrukturës së bazës së të dhënave dhe mbikëqyrja e qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore me vlerë 20,295 miliardë lekë. Ofrimi i shërbimit të infrastrukturës së çelësave publik është koncesioni tjetër 208.8 milionë lekë. Gjithashtu, Do të jepet me koncesion përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe rekreative të blloqeve të banimit në disa lagje të qytetit Elbasan 882 milionë lekë dhe 5 miliardë lekë do të jenë për koncesionin e sigurisë rrugore.
Pra 214 miliardë lekë për koncesione të reja, sipas qeverisë, nuk ndikohen nga luhatjet e inflacionit, ndërsa për pensionistët bën rritje sa për lëmoshë.
Ndërkohë, ajo që bie në sy është se, ministrja Delina Ibarahimaj deklaroi sot se, programi i ndihmës ekonomike do të ketë një rritje të masës 10% për të gjitha familjet përfituese. Në të vërtet kjo është propagandë sepse i bie që këtyre familjeve t’u shtohen vetëm10 mijë lekë të vjetra në pagesën që marrin. Një familje në nevojë në Shqipëri merr minimalisht 10 mijë lekë të reja, ose 100 mijë lekë të vjetra. Sipas përllogaritjeve 10% i 100 mijë lekëshit i bie 10 mijë lekë të vjetra. Pra vetëm mundësinë për të blerë një bukë do i rrisë qeveria këtyre familjeve.
Edhe më absurd duket fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për kompensimin e pronave, pasi parashikon në total vetëm 5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB, ndërsa koncesionet do zënë më shumë se 3% të PBB. Në këtë kushte, qeveria le të kuptohet se ata pronarë që po zvarriten ndër vite për të marrë kompensimin e merituar nuk do shpërblehen as këtë vit. Qeveria vazhdon të neglizhojë këtë kategori, pavarësisht se në një vendim të viti 2020, Gjykata e Strasburgut i kërkonte Agjencisë së Pronave që të rishqyrtonte dosjet për disa pronarë dhe t’u jepte atyre shpërblim 100%. Në 2021 ky vendim nuk u zbatua me justifikimin se jemi në proces rimëkëmbje pas pandemisë. Ndërsa të dhënat e buxhetit tregojnë që shpërblimet nuk do arrihen as për këtë vit.
E.H/ gijotina.com/