Do shkruej nga kujtesa ime, sado që kanë kalue gati tri dekada nga koha. Asht ky nji tregim pak a shumë biografik, personal në të cilin, me sinqeritetin dhe respektin ma të madhë, do shkruej edhe për të tjerë persona, që fati na caktojë që t’i takojë, t’i njof dhe të ndajë përditshmërinë me ta. Unë isha i varfën. I vetmi në familje, që isha në marrdhanje pune. Kjo edhe ishte shkak që me vite i bana eskivazhe shkumjes në shërbimin ushtarak jugosllav, sa herë që merrja ftesën. Në mbrendin e shpirtit e dëshiroja që atë shërbim, kurr mos ta bajë, sepse nuk doja t’i shërbejë armatës e cila, për katër dekada më kishte pushtue dhe më sundonte. Disa herë më shkonte mendja edhe ta lëndoja veten, që pastaj të shkaktohet ndonjë handikap, invaliditet i cili, do më lironte nga shkumja në ushtrinë e pushtuesit. Zoti shpesh ndëgjonë mendjet tona.
Kështu unë pa dashje, në nji lojë futbolli derisa luaja me miqtë e mi, Xhemajl Osaj, Hamdi Gashi, Xhemë Gashi, Mustafë Krasniqi, Halil Bicaj, Sadik Zekaj, etj., etj., punëtorë dardanas në Lubjanë të Sllovenisë, lëndova shputën e kambës së majtë, me ç’rast u desht edhe nji intervenim kirurgjik. Ishte kjo diku në vjeshtën e vitit 1979.
Halil Bicaj, ishte epror ushtarak në nji kazermë në Lubjanë dhe ai pothuaj tanë kohen e tij të lirë, e kalonte me neve, sepse unë dhe ai, ishim miq nga fëmijëria, duke qenë se jemi edhe nga i njejti fshat. Ma vonë Halili, u ba epror i lartë në Sarajevë, si dhe pas viteve ’90-të, njeriu që zavendsojë Ahmet Krasniqin, në postin e Ministrit të Mbrojtjes së Dardanisë, pasi Ahmeti u vra në Tiranë.
Të këthehem te rasti i lëndimit tim. Mua më vendosen kirurgët në spitalin e njohun “ZALLOSHKA BOLLNICA” në Lubjanë, nji pllakë të platinës, me të cilën kishin lidhë eshtnat e gishtrinjve të kambës, që kishte psue lendim të vështirë e të komplikuem. Unë as që merzitesha, sepse shpresoja se kjo do më shpëtojë nga shërbimi ushtarak. Kalojë nji vit dhe unë me 28 shtator 1980, erdha në vendlindje dhe u martova. Kur papritmas në dhjetor 1980, më vjen thirrja për të shkue në sherbimin ushtarak, pa pas mundësi të shtyhet kjo, si për herat e tjera. Më kishin caktue të shkojë në Bosnje, në qytetin Bihaq.
Nuk kisha se si ti iku kësaj, por më mbante shpresa se do më lirojnë, posa ta shofin handikepin tim të cilin, unë vendosa edhe ta inskenojë dhe të luej rol sakati. Fillova të tapallojë. Disa ditë ushtrova mirë, të eci në thember dhe ashtu me 6 janar 1981, unë u nisa per në Bihaq në Kasermën “7 korriku” (“7 Juli”).
Në tren nga Beogradi, u takova me tre të rinjë nga Presheva (mund të ken qenë nga rrethi i sajë) dhe më kujtohet se njani quhej Dalip, nji tjetër Skënder dhe edhe njifar Shefketi, nga nji fshat afer Shkupit. Ata ishin të rinjë, posa kishin mbush të 17, 18, 19 vite. Pash se ishin të ndershem, por të paarsimuem, naiv dhe të shkret.
Unë ju tregova se kamë ndërmend të bajë çmos për me u lirue, si i paaftë nga shërbimi në ushtri. Nga udhtimi Beograd – Bihaq, këta të rinjë instiktivisht, krijuen nga unë nji personalitet, nji njeri të cilit, do i mbeshteten dhe do e konsultojnë për gjithçka, gjatë kohës së sherbimit në ushtrinë jugosllave. Asnjani nga ta, nuk e dinte gjuhën serbo-kroate, që ishte gjuhë shtetnore dhe ushtarake në atë ish – kreaturë që quhej Jugosllavi.
Ma në fund, pas udhtmit tanë natën me tren, arritëm në mëngjes në Bihaq. Unë ju thash bashkudhtarve të mijë, se nuk do shkojë menjiherë në kazermë. Do e shetis pak qytetin, ta mësojë, sepse do na nevojitet njohunia me të, pergjatë qëndrimit tonë në atë qytet. Në ato vite, ishte ba praktike që ushtarët dërgoheshin në shërbim, për t’u përgatit së pari në nji qytet dhe pas përgatitjes tremujore, dërgoheshin në vende tjera, ku shërbenin deri në fund.
Shërbimi zgjaste 16 muej, për ata që kishin krye fakultete, 12 muej dhe për njerzit që konsideroheshin si ushqyes – mbajtës të familjes, poashtu 12 muej, ndërsa për studentët, ishte shërbimi 12 + 3 muej. Unë kisha dorzue lutjen, që të më pranohet statusi ushqyes – mbajtës i familjes, sepse sipas ligjit, plotsoja të gjitha kushtet. Lutja duhet të shyrtohej nga komisionet mjeksore ushtarake, në Nish në Serbi. Per këtë, do shkruej ma vonë.
Shetitem së bashku deri në orën 23.00, nëpër qytet. Bihaqi ishte nji qytet i bukur, por kishte nji klimë të ashpër, sa aty kishte mbi 1 metër bore, në atë janar të vitit 1981. Tepmeraturat ishin diku, -25 – 30 gradë celsius.
Shkuem te kaserma dhe unë pash se lartë, në dy shtylla te dera kryesore e hymjes, ishte nji pankard i bardhë, në të cilin shkruente:
“DOBRODOSHLI MLLADI VOJNICI” (MIRË SE ERDHET USHTARET E RINJË).
U futëm ngadal mbrenda dhe aty ishte nji ushtarë, i cili na përshendeti dhe na tha: “Pogledajte shta pishe, sa unutrashnje strane” (shikoni se çka shkruen nga ana e mbrendshme), u ktheva dhe pash se me shkronja ma të vogla, shkruente: “Ah, shto ste najebali”! (Ah, po ç`kan me ju shkerdhye?!).
Nuk u tregova shoqnuesve të mijë. Ata edhe ashtu dridheshin, jo aq nga të ftoftit, sa nga nji frigë e cila paspjegueshëm, kaplonte trupin dhe shpirtin. Atë natë na vendosen në nji dhomë të madhe dhe na treguen se aty, do flejmë deri në mengjes. U shtrina, por gjumi nuk më zinte, se nuk më zinte. Mendja më shkonte te familja, te baba plak, te nana e smuet dhe të vëllaznit e motra, që ndoshta do detyrohen ta ndërpresin shkollimin, sepse nuk do ken para, as për libra.
Mirpo pranojë se zemra me dridhej për nusen time, me të cilën isha martue para tre muajve dhe e cila edhe ishte tani shtatzanë, me fëmiun tonë të parë. Posa më kishte mashtrue gjumi dhe kishte mbyllë sytë, ndëgjojë nji za: “Ustaj vojsko”, hajde berzhe, ustaj jebemti boga tvoga”… (Ngrihu ushtri, hajde ngrihuni, jua shkërdhefsha zotin e juve…!).
Nuk u nervozova pse më trembi ai za i ç`jerrun e banal, sa u nervozova nga teksti i fjalve idiote, të nji njeriu për të cilin ma vonë mësova, se ishte Potporuçnik (toger) Millorad Jokanoviq, nji malazez, nji çetnik i çmëndun dhe nji karrierist i smuet, por mbi të gjitha, ai ishte edhe nji antishqiptar i përbetuem. U ngrita ashtu duke çalue dhe togeri Jokanoviq më shiqojë ashpër dhe më foli: “Hajde berzhe shta çekash, hoqesh da te ja molim” (Hajde shpejt, çka po pret, të të lusë unë a…..?).
“Jo – i thash – por unë jamë i smuet, jamë sakat në kambë…! Mirpo ai ashpër tue piskat, mu afrue drejt para hundve dhe duke folë e duke pshtye, fillojë të më piskat: “Ne priçaj, dok ja priçam ti mashi repom”. (Mos folë, derisa unë flasë, ti lëviz bishtin). Kjo më irritojë. Unë dija se, derisa nuk e kisha ba betimin, ligji ushtarak nuk mund të më kapte, andaj pa ngurrue e shtyva at idiot dhe i thash me nji za kumbues, që u ndëgjue gjithandej ndërteses:
“Nemoj da viçesh, nisam ja tvoja zhena, niti tvoj robijash. Ja sam doshao da slluzhim vojni rok ali niko neçe da me ponizhava, ne jer ja znam da se branim i to dobra tako da oni koji meni provociraju duboko që da zhalle za to”. (Mos piskat, nuk jamë unë grueja e jote, as robi yt, unë kamë ardhë të kryej shërbimin ushtarak, por askush nuk do më poshtëroj jo, sepse unë di të mbrohem, edhe mirë bile, sa që ata që më provokojnë, do bahen pishman.)
Për çudi u qesh, m’i nguli syt e tij, si shigjeta helmi dhe ashtu me nji buzqeshje të akullt më tha: “Dobro ajde sada… nego kako se ti zovesh i od dakle si”! (Mirë tani…por më thuej se si quhesh dhe nga je). Kur unë ja thash emnin dhe i thash se jamë nga Istogu i Kosovës, ai u zverdhë; “Ovo danas qesh da zapamtish i imash da se pokajash”. (Këtë të sodit, do ta mbash mend dhe do të bahesh pishman).
Kishte pas mendue idioti, se unë jamë serb, për shkak të mënyres së rrjedhshme të folmes time, në serbo-kroatishte. Mirpo ai e dinte, se nuk mund të merrte masa kunder meje, përderisa unë ende, nuk kisha ba betimin si ushtarë.
Na rreshtuen në oborr, në nji vend që e thirrnin; “PISTA”. Aty fillonte cirkusi. Eprorët, nga dhetari e tutje, deri te gjenerali, kishin dalë t’i shofin ushtarët e rinjë. Mbanin fjalime të kota, fjalime që ma shumë ishin kërcnime, se sa ligjërata, për të na mësue zejen e ushtarit.
Nuk harruen pa folë edhe për “VËLLAZNIM-BASHKIMIN”, por nuk harruen të na rikujtojnë neve ushtarve të kombit shqiptatë (ata na thirrnin: “nacionalna manjina”, pakicë kombtare), se neve nuk guxojmë të tubohemi mes veti, as të rrim vetëm, neve duhet me u shoqnue me të tjerët, por jo me njani tjetrin.
Jo, sepse, kjo frigon ushtarët e tjerë dhe paraqet rrezik, për sigurin dhe jetën në ushtri. Ndëgjoja dhe zemra më rrifte ashpër, sa frigohesha se do më dal nga krahnori. Ishin diku 200 e ma shumë ushtarë të rinj, të ardhun nga anë dhe kombe e kombsi të ndryshme dhe ne ishim vetm 8 shqiptarë, por koloneli Rade Llukaq, me tanë atë arsenal armësh dhe tanë ata ushtar serbo- jugosllav, frigohej nga neve.
Ky ishte komandant i kasermës. Nji nëntoger boshnjak, me emnin Rasim Deliq, shifej se nuk i pëlqente fjalët e kolegve të vetë epror, mirpo nuk kish se çka ba. Fjalimi që na mbajti Komandanti i kasermës, koloneli Rade Llukaq, nuk ishte fare fjalim, fjalim që zakonisht mbahet para masës të panjoftueme, të cilës i shpjegohen gjanat.
Ai ishte nji fjalim kërcnues, nënçmues dhe poshtrues. Pran këtij, duke aprovue me kokë, qëndronte me duert mas shpine, togeri Jokanoviq. Pranë meje, vërejta se nji ushtarë zeshkan, me hundë shqiponjë, ofshante dhe ndëgjova se shau në heshtje në gjuhën shqipe, ato bisha njerzish. Nuk bëzana. Prita që këtë njeri, ta njoftojë, pasi të perfundon ky cirkus.
Togeri Jokanoviq, më shiqonte me neveri dhe edhe unë ja ngula sytë për t’i dhanë shenjë, se nuk do i frigohem, as nënshtrohem. Ma në fund, na u dhanë dhetë minuta pushim. Unë pasi shiqova se ku janë Dalipi, Skënderi, Shefketi, ai preshevari tjetër (që tani nuk më kujtohet emni) dhe kur u sigurova se i dallova, ngadal ju afrova ati zeshkanit dhe i fola shqip:
“Tungjatjeta, unë jamë Selim Hasanaj, nga Istogu. Po kush jeni juve dhe nga jeni”?!
“Unë jamë Adem Zekaj, jamë nga fshati Lëbushë e Deqanit, por jetojë në Junik”, ma këthej ai burr dhe njikohësishtë ma zgjati paketën me cigare.
E ndeza cigaren dhe i thash se në fshatin e tij, kamë disa tezak e, kur i tregova se cilët, ai më kapi për qafe. “Janë kushërinjët e mi ata”, – më tha. Filluem të flisnim kur papritmas ndegjova; “Hajde zbor… brzhe, berzhe, u stroj po dva. (Hajde tani tubohuni, shpejt, shpejt, në rresht per dy…). Ademi shau prap, derisa shukte cigaren e posandezun. Shamjen e tij, e ndegjojë togeri Jokanoviq.
“Shta ti to psujesh mangupe jedan”, i tha dhe me hapa të shpejt, ju drejtue Ademit, duke i ardh drejt para ftyre:
“Çka po shanë ti o mangup”?!
Ademi pa i ba syni ferrk, lëshojë nji buzqeshje ironike dhe i tha; “Psujem boga shto me rodio pa da sad dollazim ovde”. (Shajë Zotin pse më¨lindi, që tash të jem edhe këtu). Jokanoviqi dridhej nga inati.
“Do mësoni juve, se çka asht komanda e Armatës Popullore e Jugosllavisë, do ju bajë të urtë si qingja, sa edhe nëse dikush do ju shkërdhej, nuk do bëzani. Ku keni ndëgjue e mësue juve të shani, derisa jeni në rresht ushtarak”?!
Adem Zekaj e nderpreu: “Shoku toger, neve shqiptarët kemi kulturë dhe nuk kemi sha kurr, shamjet i mësova nga juve, që mbramë kur erdha, dhe tani e tutje, perderisa do jem me uniformën SMB, do shajë. Këtë kulturë juve na predikuet, që nga dita e djeshme”.
Mbretnoi qetësi varri, por kur togeri Jokanoviq, deshi të thotë diçka, ndërhyni koloneli Llukaq. “Mirë, mir shoku toger, janë ushtar të ri dhe nuk i dinë rregullat, do i mësojnë ma vonë, hajdeni tash ma sillni listën”. Nji ushtar i solli nji listë dhe nga ajo listë, koloneli Rade Llukaq, fillojë të lexojë.
“Ata emna që do i lexojë tani, të dalin në anën e majtë timen këtu dhe tregojë me dorë hapsinën”. Lexojë gjysmën e të pranishmëve. Pashë se ai lexojë emnat e Dalipit, Skënderit, Shefketit dhe ati tjetrit. Juve do jeni njësia e kuzhinjerve. Pra juve do e mësoni zanatin e gjellbamjes.
Juve që jeni mbet aty, jeni njisia e bukpjeksve dhe edhe juve do e mësoni atë zanat. Koha që juve duhet t’i mësoni këto zeje, asht nji muej e gjysëm, juve do qëndroni këtu, gjithsejtë tre muej, por veç zanatit, juve do mësoni edhe profesionet e tjera të armatës, pastaj do mbani roje, do keni alarme, do keni ligjerata marksiste, etj., etj. Tash, para se me e marr komandën togeri Jokanoviq, a ka dikush ndonji pyetje”?
Askush nuk bëzani. “Mirë, toger Jokanoviq, fjalën e ke ti tash e tutje, me këta ushtar”.
“Gaditu”- u ndëgjue komanda e togerit Jokanoviq. Përshendeti kolonelin dhe ai u largue, ndërsa Jokanoviqi na tha se; “tani do shkojmë nëpër depo, për t;u pajisë me uniforma dhe gjanat e mjetet e tjera ushtarake të nevojshme”. Më dukej qesharake komanda ushtarake, me njerz në rroba civile.
Pasi u pajisem me të gjitha, na dërguen te frizeri. Ishin tre ushtar, që pritnin me makina të rojes, per t’i qeth, 200 veta. Dihej se çfar qethje do ishte ajo. Unë nuk e kisha kompleks atë punë, por kishte të tjerë, që donin t’i qethin mirë normal, e jo me shlem.
Kështu thojshin për qethjen ushtarake, që sipas gojdhanës, për ta dënue ushtarin, e kishin pas dërgue te frizeri dhe ai i kishte qit helmetën në kokë dhe e kishte qeth në zero, për rreth saj. Kur i kishin hjek helmetën, qethja ishte e shëmtueme.
Tash ishim të lirë dhe unë ju afrova Adem Zekajt. Bisedë pas bisede dhe mora vesh se ai, ishte dajë i vjehrrit tim. Ai njifte komplet familjen e bashkshortes time dhe më tha se më paska dhandërr.
Pasi na qethën, Ademi edhe aty bani pak poterë sepse, ai kishte flokë të bukura, të zeza korb dhe donte ta qethnin normal. Na dërguen në banjo, për të ba dush e tek pastaj, për t’u vesh me uniforma ushtarake. Ç’ka të shofim! Ishte nji dhomë e madhe dhe në tavanin e saj, ishin të kacavaruna disa dusha.
“Hajde zdeshuni shpejt”, fillojë të zgervallet togeri Jokanoviq. Fillojë zdeshja, njerzit janë sikur shtaza, në disa raste. I nënshtrohen kërkesave të tjerve, pa kundershtim, nuk hezitojnë të jenë të komanduem, e të nepërkambun. Unë qëndrova pa lëvizë.
Kur të gjithë u zdeshën dhe u futen mbrenda asaj dhome, togeri Jokanoviq, pau se unë nuk jamë zdesh dhe se qendrojë te dera.
“Ç’ka dreqin po pret, a mos po don me t’ lutë?! Zdeshu shpejtë dhe futu nën dush”.
“Jo – i thash, – unë këso shtazarakhone, nuk kam pa! Unë nuk zdeshem para të tjerve, para njerzve, që kurr nuk i kamë pa! Nuk jamë njeri i paftyrë unë, çfarë ushtrie qenka kjo, ushtri e homoseksualve, që detyrojnë të tjeret të zdishen, për t’u kënaq epshet e veta, tue shique prapanica të djemve të ri. Turp, turp i botës”!
Për çudi, Jokanoviqi nuk u nevrikos, ai si duket më dha të drejtë, ashtu heshtazi.
“Mirë mirë – më tha. – Ama ti, duhet të pastrohesh. Ke udhtue nga Kosova, ka tri katër ditë, që nuk ke ba dush, asht me randësi kjo për shëndetin tand”.
“Ashtu asht – ja këtheva, – por pse të lahemi si robë lufte, në Aushvic. Pse nuk ban të lahemi nji e nga nji, pa prezencën e të tjerve”?! Memorie.al
Discussion about this post