Rrjeti SafeJournalists, partnerët e Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe organizatat partnere kanë reaguar njëzëri për mbylljen e palajmëruar e të padrejtë të shumë profileve në rrjetet sociale, që transmetonin në hapësirën e tyre protestën që po zhvillohet prej 103 ditësh në Tiranë.
Në një reagim publik, organizatat për mbrojtjen e medias dhe gazetarëve, theksojnë se kompania mëmë e disa rrjeteve sociale, Meta, duhet t’u sigurojë reporterëve të kenë akses në një kanal të qartë dhe të shpejtë eskalimi, në rast sulmesh të koordinuara ndaj llogarive të tyre, dhe ankesat t’u trajtohen në kohë më shpejtë, që të mos varen vetëm nga mekanizmat standardë të raportimit dhe apelimit të caktuar për përdoruesit e zakonshëm.
Reagimi i plotë:
Rrjeti SafeJournalists (SJN), partnerët e Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR) dhe organizatat partnere shprehin shqetësim për incidentet e fundit në Shqipëri, ku media, gazetarë, nisma qytetare dhe llogari të tjera me interes publik janë përballur me kufizime dhe heqje të pashpjeguara, si dhe me përpjekje të dukshme për manipulimin e sistemeve të zbatimit të rregullave në platformat e mediave sociale.
Ditët e fundit, një numër llogarish janë bërë të paaksesueshme ose janë kufizuar në platformat e Meta-s. Më pas, Meta pranoi se disa llogari ishin hequr gabimisht, riktheu llogari të prekura dhe bëri të ditur se po zbatoheshin masa shtesë mbrojtëse. Ne i mirëpresim këto masa korrigjuese dhe angazhimin e Meta-s me mediat dhe aktorët e shoqërisë civile të prekur.
Megjithatë, incidentet e mëvonshme, përfshirë shtimin e papritur të mijëra ndjekësve në dukje të rremë dhe tregues të tjerë të veprimtarisë së koordinuar ose abuzive që synon llogari me interes publik, tregojnë se cenueshmëria themelore mbetet. Taktika të ngjashme kanë prekur më parë mediat e pavarura në Serbi, ku aktiviteti i koordinuar i bot-eve dhe raportimet dashakeqe kontribuuan në pezullimin e llogarive.
Në këtë fazë, nuk ka prova të verifikuara që identifikojnë se kush qëndron pas aktivitetit të fundit në Shqipëri, as prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se të gjitha llogaritë e prekura janë shënjestruar përmes të njëjtit mekanizëm ose si pjesë e një operacioni të vetëm. Për këtë arsye, çdo atribim ndaj aktorëve politikë, shtetërorë apo aktorëve të tjerë duhet të mbështetet në prova të verifikuara në mënyrë të pavarur.
Megjithatë, shqetësimi më i gjerë për lirinë e medias është i qartë. Mënyra se si janë ndërtuar mekanizmat e raportimit, të të drejtave të autorit dhe të integritetit të automatizuar në platformat online nuk duhet të lejojë që ato të përdoren si armë kundër vetë gazetarëve, mediave dhe zërave qytetarë që këto sisteme synojnë të mbrojnë. Kur një aktivitet dashakeq i drejtuar kundër një llogarie çon në kufizimin ose heqjen e asaj llogarie, zbatimi i rregullave nga platforma rrezikon të amplifikojë vetë sulmin fillestar. Në këtë mënyrë, ndërprerja e këtyre kanaleve mund të ndikojë në lirinë e shprehjes, pluralizmin mediatik dhe aksesin e publikut në informacion. Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA) pasqyron rëndësinë e masave mbrojtëse në këtë fushë, duke kërkuar që, për ofruesit e kualifikuar të shërbimeve mediatike në platformat shumë të mëdha online, kufizimet të shoqërohen me arsye paraprake, të ekzistojë mundësia për t’u përgjigjur, ankesat të trajtohen me përparësi dhe, në rastet e kufizimeve të përsëritura, të zhvillohet dialog kuptimplotë. Edhe pse Shqipëria nuk është ende shtet anëtar i BE-së, këto masa mbrojtëse përbëjnë një pikë të rëndësishme reference për përgjegjësinë e platformave dhe për standardet drejt të cilave po afrohen vendet kandidate.
Ndikimi i një keqpërdorimi të tillë të mekanizmave të platformave online është veçanërisht serioz në mjedise politikisht të ndjeshme ose represive, ku gazetarët, mediat e pavarura dhe aktorët qytetarë raportojnë mbi protesta, llogaridhënien e qeverisë dhe çështje të tjera me rëndësi të madhe publike. Për mediat më të vogla dhe nismat qytetare, platformat e mediave sociale mund të përbëjnë gjithashtu mjetin kryesor për të arritur audiencat. Kontekste të tilla kërkojnë që platformat online të veprojnë me kujdes dhe përgjegjshmëri të shtuar.
Rikthimi i llogarive të hequra gabimisht është i domosdoshëm, por vetëm rikthimi nuk mjafton. Platformat, sistemet e të cilave ndikojnë gjithnjë e më shumë në shtrirjen e gazetarisë dhe të shprehjes me interes publik, kanë përgjegjësinë të sigurojnë që këto sisteme të jenë të sigurta, transparente, rezistente ndaj manipulimit dhe të afta për të mbrojtur ata që shënjestrohen nga sulme digjitale të koordinuara, si dhe aksesin në informacion të besueshëm. Akti i Shërbimeve Digjitale i BE-së (DSA) pasqyron këtë parim, duke u kërkuar platformave shumë të mëdha online të zbusin rreziqet sistemike që prekin të drejtat themelore dhe diskursin qytetar. Edhe pse Shqipëria mbetet vend kandidat për anëtarësim në BE, këto standarde përbëjnë një pikë të rëndësishme reference për përgjegjësinë e platformave.
MFRR dhe SafeJournalists i bëjnë thirrje Meta-s dhe platformave të tjera të mëdha që të sigurojnë se:
gazetarët, mediat dhe llogaritë me interes publik që shënjestrohen nga veprimtari dashakeqe të palëve të treta nuk penalizohen si pasojë e kësaj veprimtarie;
kufizimet potencialisht të gabuara të përmbajtjeve ose llogarive t’i nënshtrohen një shqyrtimi njerëzor të shpejtë dhe kuptimplotë;
gazetarët dhe organizatat mediatike që përballen me pezullime llogarish, sulme të koordinuara ose kufizime të tjera që mund të pengojnë raportimin me interes publik të kenë akses në një kanal të qartë dhe të shpejtë eskalimi, me shqyrtim njerëzor me përparësi dhe vendime të arsyetuara, në vend që të varen vetëm nga mekanizmat standardë të raportimit dhe apelimit për përdoruesit;
platformat të hetojnë raportimet e koordinuara, sulmet me bot-e, abuzimin me të drejtat e autorit dhe përpjekje të tjera për manipulimin e sistemeve të zbatimit të rregullave; dhe
të vendosin masa të përshtatshme parandaluese dhe masa për zbutjen e rrezikut për të mbrojtur mediat dhe llogaritë me interes publik që përballen me rrezik të shtuar.
Ne gjithashtu inkurajojmë Meta-n që të komunikojë, të paktën në mënyrë të përmbledhur, rezultatet e shqyrtimit të rasteve të fundit në Shqipëri dhe masat e marra për të parandaluar incidente të ngjashme.
Rrjeti SafeJournalists dhe partnerët e MFRR do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor në tërësi, si dhe të mbështesin gazetarët, punonjësit e medias dhe aktorët qytetarë që përballen me kërcënime, intimidim ose ndërhyrje.
Nënshkruesit
Partnerët e Mekanizmit të Reagimit të Shpejtë për Lirinë e Medias (MFRR)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Free Press Unlimited (FPU)
Observatori Ballkan-Kaukaz Transeuropa (OBCT)
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)
Rrjeti SafeJournalists
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi
Reporterët pa Kufinj (RSF)
Rrjeti për Raportimin e Diversitetit (RDN)
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ)










Discussion about this post