Situata e shkaktuar nga pandemia në vitin 2020 ka sjellë ndryshime në strukturën e shpenzimeve për familjen.
Rritjen më të ndjeshme e kanë shënuar shpenzimet për shëndetin, duke reflektuar faktin që shumë njerëz u detyruan që ta përballonin virusin me fondet e veta. Sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndetin u rrit në 5.4% në vitin 2020, nga 4.3% vitin e mëparshëm. Në vlerë, shpenzimet për shëndetin u rritën me 28%, duke arritur në rreth 4,500 lekë në muaj. Sipas shpejgimit të INSTAT, Shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” në vitin 2020 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 28,0 %, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “vitamina”.
Edhe për ushqime ka një rritje të lehtë, me totalin e shpenzimeve që ka arritur në 41.6% nga 41.3% që ishte vitin e mëparshëm. Shqiptarët janë popullsi që shpenzojnë më shumë për ushqime, ndërsa në vendet e Bashkimit Europian, kjo peshë është 13% dhe në rajon më e ulët se 40%.
Karantina ka ulur ndërkohë shpenzimet për kulturë dhe argëtim, pesha e të cilave ka zbritur në 2.8%, nga 3.8% një vit më parë.
Ndonëse baret e restorantet ishin të mbylluara për disa muaj, INSTAT raporton një rritje te peshës së shpenzimeve për to, në 5.6%, nga 4.8% vitin e mëparshëm. Sipas INSTT, Shpenzimet e bëra në grupin “Restorante dhe hotele” kanë shënuar rritje prej 17,1 %, krahasuar me vitin 2019, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupet: “qëndrime dhe shërbime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike, kampingje brenda vendit” si dhe shpenzime për “ushqim të shpejtë përfshirë edhe shërbimet taxi të ofruesve të ushqimit”.
Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve të INSTAT, Në vitin 2020, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një NjEF, të përbërë mesatarisht nga 3,6 persona, janë 83.475 lekë. Totali i shpenzimeve për konsum është 64,2 miliardë lekë në muaj për 768.963 familje. Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2020, është 1,5 % më i lartë se në vitin 2019. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, është 1,6 %. Uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2020, e ka shënuar grupi “Argëtim dhe kulturë” me 26,4 %, krahasuar me vitin 2019, ndërsa rritja më e madhe është shënuar në grupin “Shëndet” me 28,0 %.
Shpenzimet e bëra në grupin “Transport” kanë shënuar një rritje prej 5,7 %, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupeve: “shpenzime për qira të garazheve/hapësirave të parkimit si dhe “shërbimet taxi”. Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve, sipas 12 grupeve kryesore të konsumit, peshën më të madhe e zënë grupet:
Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 34.713 lekë, i cili zë një peshë prej 41,6 % në buxhetin familjar. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë “mish dhe nënprodukte” me 23,7 %, “perimet” me 16,8 %, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 13,8 %, ndjekur nga “frutat” me 9,6 %.
Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.357 lekë, përbën 10,0 % të totalit të buxhetit familjar.
Grupi “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 5.794 lekë, zë 6,9 % të buxhetit gjithsej, rritja më e lartë është shënuar në shpenzimet për nëngrupet “produkte për pastrim dhe mirëmbajtje shtëpiake”.
Vetëm Tirana ka konsum mbi mesataren
Në vitin 2020, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një NjEF në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 98.737 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 83.160 lekë dhe Fieri me 79.839 lekë në muaj për NjEF. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 70.252 dhe i Dibrës me 71.135 lekë në muaj për NjEF. Rritjen më të madhe të shpenzimeve e paraqet qarku i Elbasanit me 7,0 %, ndjekur nga qarku i Dibrës me 4,9 %.
Në vitin 2020, numri mesatar i anëtarëve të NjEF është 3,6. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve të NjEF është Kukësi me 4,2 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e NjEF, me 2,9 anëtarë.
Shpenzimet sipas llojit të familjes
Në 2020, në NjEF-të e përbëra nga një person i vetëm me fëmijë në varësi, grupi ushqim zë peshën më të madhe prej 46,4 %, krahasuar me tipet e tjera. Pesha më e lartë për shpenzimet për transport është regjistruar në strukturën e buxhetit të NjEF- ve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur me fëmijë, 7,3 %. Në NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa fëmijë në varësi pesha që zënë shpenzimet për arsim është më e lartë krahasuar me tipet e tjera.