“The Conversation”
Shumë nga njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm në botë, janë vendosur sërish në qendër të vëmendjes për përdorimin e parajsave fiskale dhe strukturave të tjera të korporatave, për të fshehur pasurinë dhe shmangur pagimin e taksave.
“Pandora Papers”, janë të tretat në një seri dekonspirimesh pas “Panama Papers” në vitin 2016, dhe “Paradise Papers” në vitin 2017. Dhe që nga ajo kohë duket se shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Në zbulimet e reja, përfshihen udhëheqësit e Republikës Çeke, Qipros, Jordanisë dhe Ukrainës, plus anëtarët e familjes sunduese në Azerbajxhan, dhe figura të afërta me presidentin rus Vladimir Putin.
Thuhet se në dokumentet e siguruara nga investigimi gazetaresk, dalin më shumë se 100 miliarderë, me transaksione që variojnë nga pronat me vlera miliona dollarë, deri tek fondet e mëdha dhe super jahtet. Ne pyetëm mbi këtë çështje profesorin Ronen Palan, ekspert mbi parajsat fiskale nga Universiteti i Londrës.
Profesor, çfarë mendoni mbi zbulimet e fundit?
Unë nuk jam aspak i befasuar nga zbulimet e fundit. Nuk ka asnjë provë që të sugjerojë, se vëllimi i transaksioneve që ndodhin përmes këtyre kompanive off-shore është në rënie. Prandaj për të fshehur pasuritë, janë përdorur të njëjtat struktura financiare, për të cilat kemi dëgjuar edhe tek “Panama Papers” dhe ‘Paradise Papers”.
Është mbresëlënës fakti që kaq shumë nga këta njerëz të famshëm, duhet ta kenë ditur se në fund aktivitetet e tyre do të merren vesh nga të gjithë, e megjithatë ata zgjodhën gjithsesi parajsat fiskale. Unë mendoj se çdo shqetësim mund të jetë tejkaluar ndoshta nga lakmia dhe garancia se ata nuk do të pengoheshin për ta bërë këtë gjë.
Në disa raste po flasim për evazion fiskal (të paligjshëm), dhe në disa raste është shmangie legale nga taksat. Dallimi qëndron tek fakti nëse këta njerëzit do t’i kenë njoftuar plotësisht autoritetet në vendet e tyre, në lidhje me kompanitë off-shore që po përdorin. Në rastet kur lexoj se mediat kërkojnë reagimin e tyre, dhe ata refuzojnë të përgjigjen, kjo të krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me evazion, edhe pse kjo gjë mbetet e paprovuar.
Pse duket sikur gjërat nuk po përmirësohen aspak në këtë fushë?
Gjatë 20-30 viteve të fundit, rregulloret ndërkombëtare janë fokusuar në krijimin e mjeteve, të cilat u japin mundësi autoriteteve tatimore të sigurojnë që tatimpaguesit të mos i shmangen taksimit. Në këtë periudhë janë zbatuar sisteme që fokusohen në motot “Njih klientin tënd” (KYC), duke synuar identifikimin e njerëzve që bëjnë transaksione në juridiksione të veçanta, në mënyrë që pastaj ky informacion të ndahet me juridiksione të tjera.
Kjo garanton në thelb transparencë, në mënyrë që të dihet se kush ka para dhe ku i ka ato, dhe që autoritetet tatimore ta përdorin këtë informacion për t’u siguruar që qytetarët e tyre të mos i shmangen taksimit. Por ndërsa kjo mund të jetë efektive në vendet ku autoriteti tatimor vepron në mënyrë të pavarur nga qeveria dhe politika, kjo sigurisht që nuk do të funksionojë në Rusi apo Kinë apo shumë vende të tjera në zhvillim. Prandaj nuk është për t’u habitur që shumë nga zbulimet, kanë të bëjnë me aktivitetet jashtë botës së zhvilluar.
Pse transparenca nuk i ka detyruar parajsat fiskale të ndryshojnë qasjen e tyre?
Disa ndryshime kanë ndodhur, por disa juridiksione i respektojnë më shumë rregullat e reja sesa të tjerat. Kështu, ne kemi disa juridiksione britanike si Xhersi ose Ishujt Kajman, që janë shumë më transparente se dikur. Në pamje të parë, ato mund të pretendojnë se janë më transparente sesa të themi, Danimarka ose Suedia.
Por profesionistët që kanë ekspertizën për të krijuar struktura që mundësojnë evazionin fiskal, janë ende të fokusuar në këto vende, dhe ata krijojnë struktura që do të regjistrohen pjesërisht në këto juridiksione, dhe pjesërisht në ato me rregulla më liberale për transparencën siç janë Ishujt British Virgin apo Panamaja, pra duke zbatuar ligjin formalisht, por jo frymën e tij. Kjo e bën shumë të vështirë të shohësh se çfarë po ndodh dhe paratë e dikujt që është përfshirë në këtë skemë.
Si mund ta përmirësojmë situatën aktuale?
“Pandora Papers” po tregon se ne po arrijmë me limitet e saj që mund të bëhet me transparencën e të dhënave. Nëse nuk gjejmë mënyra të tjera për ta shtrënguar rrjetën, ky nuk do të jetë zbulimi i fundit i këtij lloji. Kjo pranohet të paktën në mënyrë të nënkuptuar nga OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, që kanë një interes në rritje për të ndjekur penalisht arkitektët e parajsave fiskale, dhe jo vetëm të përqendrohen vetëm tek shmangësit e taksave.
Ndoshta ka ardhur koha të ngrihet diçka e ngjashme me atë që zbatohet në mjekësi, në mënyrë që nëse arkitektët e parajsave fiskale kundërshtojnë standarde të caktuara, ata
mund të ndiqen penalisht, madje edhe tek vendet që nuk preken direkt nga aktivitetet e tyre.
Nëse ata do të shkonin në një vend të tillë, mund të arrestohen sapo të mbërrijnë atje.
A duhet të krijojmë një institucion të ri ndërkombëtar, që të merret me luftën kundër evazionin fiskal?
Në aspektin praktik, tre vendet që kanë rëndësi kur bëhet fjalë për krijimin e rregulloreve ndërkombëtare janë SHBA-ja, BE-ja dhe Kina. Mjerisht për momentin ata nuk po bien dakord me njëri-tjetrin për shumë gjëra, ndaj do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje për një institucion të tillë.
Por edhe nëse bien dakord, do të akuzoheshin për imperializëm nga vendet më të vogla, apo se po veprojnë si diktatorë. Sigurisht, këta 3 lojtarë globalë do të duhet të bien dakord për një nismë për të hetuar dhe ndjekur penalisht ata që mundësojnë funksionimin e parajsave fiskale. Prandaj ju mund të bëni të njëjtën kritikë ndaj kësaj strategjie. Por të paktën ajo është më modeste në fushëveprimin e saj, dhe kësisoj potencialisht më realiste.
A janë vërtet të dobishme të gjitha këto zbulime?
Sigurisht që ekziston rreziku i ngopjes nga media, në të cilën publiku di shumë për këto lloj aktivitetesh, dhe gradualisht mund të jetë më pak i interesuar. Por ne duhet të theksojmë se pasojat e kësaj veprimtarie nuk po zhduken:drejtimi i një shteti modern, është shumë i kushtueshëm.
Që të kesh një sistem arsimor dhe shëndetësor të mirë, një infrastrukturë që funksionon siç duhet dhe kështu me radhë, dikush duhet të paguajë për të. Nëse të pasurit janë duke shmangur pagimin e pjesës së tyre, atëherë këtë po e bën dikush tjetër, dhe kjo është shtresa e varfër ose ajo e mesme. Pra, edhe nëse publiku është i tronditur nga gjithë ky skandal, kjo nuk ndryshon faktin, se është po ai që po vuan për shkak të tij.