SPARTAK TOPOLLAJ
Historia mijëravjeçare njerëzore e humbësve në luftëra nuk njeh asnjë rast të vetëm që të mundurit t’iu diktojnë kushte fituesve. Dy Luftërat Botërore të Shekullit XX e vërtetojnë më së miri këtë! Gjermania dhe fuqitë e mundura, nuk mund dhe natyrshëm, nuk duhet të merrnin asgjë si fuqi humbëse në këto dy luftëra.
Por ja që sot, në vitin e 23-të të mijëvjeçarit të tretë, po ndodh më e paimagjinueshmja! Në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XX, apo të mijëvjeçarit të dytë, konflikti i armatosur në Jugosllavinë pastitiste, shkaktoi gjenocid, krime lufte dhe masakrat më të mëdha në Europë qysh nga 9 maji 1945.
Regjimi stalinist shoven serbomadh i Sllobodan Milosheviçit, në kulmin e çmendurisë, duke dashur të mos lejojë shkëputjen e Republikave dhe Krahinave Autonome, e drejtë që ia jepte Kushtetuta e Federatës, e vitit 1974, shpërtheu konfliktin ushtarak të armatosur, duke dërguar Armatën, Milicinë dhe paramilitarët e Arkanit, që kryen gjenocid, krime lufte, masakra, përdhunime e deportim me forcë në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, e në fund (Pranverë – 1999), edhe në Kosovë.
Kështu, Vukovari, Srebrenica, Reçaku etj., etj., mbetën masakra gjenocidale të barbarëve serbë, të cilat tmerruan botën duke iu kujtuar njerëzve, terrorin dhe masakrat hitleriane e staliniste, që nuk ka se si të harrohen kurrë.
Gati 24 vite më parë, në pranverën e 1999, falë luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe ndërhyrjes së fuqishme përcaktuese të NATO-s dhe SHBA, që bombarduan Armatën e Milosheviçit, deri edhe vetë Beogradin, Serbia u gjunjëzua me turp brenda 78 ditëve, ndërsa më 17 shkurt 2008, pra, plot 15 vite më parë, Kosova shpalli edhe Pavarësinë, duke u njohur si shtet më vete, nga 117 shtete të Botës, përfshi SHBA dhe 22, nga gjithsej 27 shtete të BE-së.
Nën frymëzimin, madje diktatin e Moskës, Beogradi vazhdon të këmbëngulë në mosnjohjen e Kosovës së Pavarur dhe politika e diplomacia serbe, me mbështetjen e fuqishme edhe financiare të Kremlinit, punojnë intensivisht për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës, pranuar si e drejtë e ligjshme, edhe nga GJND, qysh më korrik 2010!!!
Duhet pranuar se edhe përgjumja, madje letargjia e diplomacisë sonë në gati 10 vitet e qeverisë rilindëse të Ramës, (këtij miku paradoksal të Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç) ka bërë që të ngecin njohjet e reja, për të mos thënë, se edhe çnjohje (absurd dhe non sens diplomatik ky) ka pasur, siç ishte së fundmi, rasti i Togos, kur po i njëjti ministër i Jashtëm, 51-vjeçari Robert Dussey, që kish firmosur më 2014 njohjen, tani cicëron për çnjohje në Beograd, prej nga ku u largua me dy valixhe (ndoshta njëra plot rubla), edhe pse kish ardhur vetëm me një të tillë?!
Serbia dhe Vuçiçi, prej gati çerek shekulli nga mbarimi i luftërave në Jugosllavi, ende nuk kanë kërkuar falje, për krimet e tmerrshme, gjë krejt normale kjo, po të ishte për burrështetas, siç ndodhi me Kancelarin e madh e dinjitoz social-demokrat gjerman, Willy Brandt (pseudonim ky, nga koha e ilegalitetit në Norvegji, si luftëtar antinazist, emri i vërtetë i të cilit ishte Herbert Ernst Karl Frahm, 1913-1992), i cili, jo vetëm kërkoi falje, por u gjunjëzua para monumentit ngritur në Varshavë në kujtim e nderim të hebrenjve të ghetos, persekutuar egërsisht nga hitlerianët!
Këtë e bëri një gjerman antinazist për krimet e nazizmit, por ai quhej Willy Brandt, ndërsa s’e bën Vuçiç, që ishte ministër i Informacionit dhe Propagandës së Kryekasapit të Ballkanit, Milosheviçit, apo më saktë Gëbelsi i tij, që dezinformoi gjithë botën për të vërtetat e tmerrshme?!!!
Duke njohur e mirënjohur përjetësisht rolin përcaktues të SHBA e NATO-s, pra Perëndimit Demokratik, shqiptarët nuk kanë si ta kuptojnë atë që vetëm mendja e një gjeniu si Kadaré e paralajmëroi vite më parë, se Perëndimi, i lodhur prej grindjeve të brendshme, mund edhe të pendohej, sidomos për bombardimin e Beogradit, ndaj politikanët shqiptarë në Kosovë duhej të ishin tejet të kujdesshëm, të linin grindjet mes vetit dhe të vinin interesin e Kosovës, mbi atë të karrierës së tyre politike.
Dhe ja tani, e konsideruar partnere, Serbia po llastohet e përkëdhelet nga disa fuqi europiane, madje guxon të vërë kushte e të imponohet në rast marrëveshjeje, sikur të mos jetë e vetmja fajtore dhe kriminele për luftërat e krimet e përbindshme që bëri në ish-Jugosllavi?!
Së fundmi, ajo, duke shfrytëzuar gabimin fatal të Hashim Thaçit, që pranonte në marrëveshjen dypalëshe të 2013-s, të drejtën që minoriteti serb të krijonte Asociacionin e Komunave serbe (paçka se ajo u hodh poshtë kategorikisht e unanimisht nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës), këmbëngul dhe e vë si kusht të detyrueshëm për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale, me logjikën dhe kapadaillëkun karakteristik, se edhe néve duhet të na jepet diçka?!!!…
Por vetëm naivët mund ta besojnë këtë djallëzi sllavo-ortodokso komuniste, që as më shumë e as më pak është litari jashtë varrit për Kosovën, që pastaj atje të kemi një Serbska Republika të re, si në Bosnjën e ndarë më tresh dhe me probleme e rreziqe pa fund për konflikt të ri.
Le ta supozojmë se kjo do të pranohet për hatër të Perëndimit dhe SHBA, që luhatet në këtë pikë, po pse askush nga Europa Fishtiane, nuk kërkon prej Serbisë që edhe ajo të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi (Medvegjë-Bujanoc e Preshevë), ku e marrë së bashku, popullsia shqiptare aty, është më e madhe, se ajo e minorancës serbe në Kosovë!!!
Lexojeni mirë analizën e thellë, logjike e të argumentuar të profesorit dhe analistit autoritar amerikan, Daniel Server, për të kuptuar të vërtetën dhe ç’rreziqe mund të sjellë ajo!
Kryeministrit Albin Kurti, ashtu si edhe njëherë më parë, kur ai dha dorëheqjen, po i bëhet presion e shantazh, që ai ta pranojë Planin Franko-Gjerman, në të cilin del se është përfshirë tani dhe krijimi i Asociacionit, si bazë për një marrëveshje serbo-kosovare, që do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve!
Por, a është e ndershme dhe e drejtë kjo?! Për të mos qenë hipokritë, na duhet të pranojmë se vetëm kjo nuk duhej të ndodhte!
Asociacioni monoetnik i Komunave me shumicë serbe do të ishte “litari jashtë varrit” për Kosovën. Pavarësisht fjalëve të bukura, të cilave, çuditërisht iu bashkuan së fundmi, edhe disa qarqe e autoritete të administratës së majtë sorosiane demokrate të Presidentit Biden, sidomos në DASH, duke parë rezistencën e ligjshme kushtetuese të Kryeministrit Kurti, po ia rrisin presionin atij, duke e detyruar ta pranojë para Kuvendit të Kosovës më 2 shkurt, se kjo mund të ndodhë, vetëm nëse plotësohen gjashtë kushtet dhe ka reciprocitet të plotë!!!
I papranueshëm është edhe qëndrimi aktual i opozitës politike në Kosovë (PDK – LDK – AAK), e cila, ashtu si edhe mazhoranca e sotme në Shqipëri po përgjërohet nga “dashuria” për Amerikën?!!!
Por, si qëndron e vërteta ?
Serbia dhe Vuçiç ende nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin, masakrat, krimet e luftës, përdhunimet, djegiet, shkatërrimet, përdhunimet dhe deportimin me dhunë!
13.000 të vrarë (gati 2.000 ende të pagjetur, 20.000 gra e vajza të përdhunuara, 188.000 shtëpi e objekte të djegura apo të shkatërruara dhe rreth 750.000 të deportuar dhunshëm, por zero falje deri më tash, nga liderët shkaktarë kriminelë serbë, përfshi vetë Presidentin aktual serb, Vuçiç, Gëbelsin e Milosheviçit, apo Karaxhiçin, Mlladiçin, Shesheljin etj., etj.?!
A kemi të drejtë të bëjmë pyetjen supozuese: a do ta pranonte Otto Jozef Gëbelsin e Adolf Hitlerit për President, Gjermania apo BE e sotme?!!!
Pse u dashka konsideruar partner dhe madje i përkëdhelur e i llastuar nga BE, Vuçiç?! Për më keq akoma, si mund t’i pranohen pretendimet absurde deri idiote të këtij farë Presidenti, të cilin, pa u skuqur nga turpi, Kryeministri ynë Rama e konsideron mik special ?!!!…
Ndaj serbëve, pas gjëmave dhe kobeve që shkaktuan në ish-Jugosllavi, në asnjë rast e mënyrë, nuk iu duhet dhënë asgjë e jo më të shpërblehen. Boll shfrytëzuan, grabitën dhe përfituan nga pasuritë e mëdha e të jashtëzakonshme të Kosovës, boll i mbajtën dhe ende i mbajnë, ato që i takonin dhe i takojnë Kosovës, si pjesë konstituive e administrative e Federatës Jugosllave deri më 1999.
Pengesat dhe vonesat me vite për linjën e Interkonjeksionit të tensionit të lartë të energjisë elektrike, mospranimi ndër vite i prefiksit të veçantë telefonik, pretendimet absurde për Ujmanin, reciprociteti i targave të makinave, mbajtja e depozitave bankare të kosovarëve nga bankat serbe, shfrytëzimit pa kriter të xeherorëve dhe pasurive të pafund në Mitrovicë, i duhet thënë me forcë mjaft! Pra, Kosova, ka shumë për të marrë nga Serbia, dhe nuk ka asgjë për t’i dhënë asaj!!!
BE dhe SHBA nuk mund dhe nuk duhet të përsëritin më padrejtësitë historike të bëra nga fuqitë e mëdha europiane ndaj kombit shqiptar, nëse nuk duan pastaj që shqiptarët t’i konsiderojnë ashtu si i quajti Fishta i madh! Qeveria Rama dhe Ministria jonë për Europën e Punët e Jashtme, për turp, ende nuk ka asnjë prononcim e jo më të mbrojë, siç i takon kombëtarisht, në këto javë kur po vlon çështja e Asociacionit, KOSOVËN në të drejtën e saj dhe të ZOTIT!!!
Me sa duket, qenka vështirë për Ramën të prishet me mikun për kokë, Aleksandar Vuçiç!!!
*Historian & Diplomat
Discussion about this post