Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijoi edhe këtë të hënë mbrojtjen publike ndaj akuzave që janë ngritur ndaj tip nga Prokuroria e Posaçme për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani.
Në një konferencë për media, Berisha tha se në fashikujt hetimorë SKAP ka fshehur dokumentin që tregon se Edi Rama ndryshoi destinacionin e zonës. Dhe këtë, tha ai, e bëri pa asnjë kërkesë nga pronarët apo institucionet.
Me firmën e hedhur për ndryshimin e destinacionit të zonës, ku më pas u ngritën ndërtesa, Berisha tha se Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës, “shkeli çdo ligji te vendit”.
Kryedemokrati shprehet se për aferën e Ramës, Prokuroria e Posaçme po akuzon padrejtësisht atë. Duke iu referuar akuzave të SPAK lidhur me ndryshimin e destinacionit të zonës në zonë banimi, Berisha citoi: “Kërkesat e shtetasit Fatmir Bektashi për objektivat që kërkon të arrijë nëpërmjet pushtetit të shtetasit Sali Berisha, e konkretisht ndryshimi i destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, përkundrejt përfitimit që ai do të japë si ryshfet mitë, lexohen në aktet e lidhura me shtetasin Jamarbër Malltezi. Më poshtë, këta falsifikatorë dhe mashtrues shkruajnë se me datë 22.05.2006, pala pronare e përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi lidhi kontrate me kompaninë Kontakt ku kompania mori përsipër ndërrimin e destinacionit. Sipas Skapit, kjo u realizua nga miratimi në KRTRSH e Republikës 6 muaj më pas, më datën 21.11.2006 me firmën e Sali Berishës”.
Por, sipas Berishës, me këtë akuzë, SPAK po amniston Ramën. Më tej gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh:
Qeniet mjerane të denatyruara nga krimi, Dumani i pyetjes 1 milion, Kraja i policisë sekret hoxhiste, vilave dhe ndërtimeve, Melonai, ndrikulla e bandës së Elbasanit, fshehin dokumentin zyrtar që e kanë në dosje, në të cilin del se jo Sali Berisha, por është Edi Rama që ndryshoi destinacionin e zonës nga zonë sportive ne zone urbane ndërtimi 5 muaj më herët nga sa pretendon Skapi i partisë, konkretisht me datë 08.06.2006 dhe ky është dokumenti numër 1. Ky është vendimi i KRRT-së me firmën e Edi Ramës, të cilin skapistët e paraqesin si vendim të Sali Berishës, në të cilin në datën është ndryshuar destinacioni nga zonë sportive në zonë ndërtimi.
Fshehin dokumentin zyrtar që fakton se ky ndryshim destinacioni ishte vendosur me 12.05.2006 me vendim të Këshillit Teknik të KRRT, i cili përbëhej nga 10 drejtorë të Edi Ramës dhe ajo që ishte më e veçanta e këtij vendi, ishte se ai është marrë pas asnjë kërkese të pronarëve të tokës dhe të institucioneve që administronin klubin Partizani. Ky vendim është marrë 10 ditë përpara se pronaret e tokës të lidhnin kontratë me kompaninë e ndërtimit.
“Mbi bazën e këtij ndryshimi destinacioni, Edi Rama përmes Këshillit Teknik të Bashkisë përcaktonte se cila çështje hynte në rendin e ditës të KRRT Pra, destinacionin e ndryshoi Edi Rama me datën 12.5.2006 në Këshillin Tektik të Bashkisë së Tiranës dhe pastaj 10 ditë më vonë në Këshillin e Rregullimit të Territorit, të kryesuar jo nga Sali Berisha, por nga Edi Rama”, shtoi ai.
Më tej gjatë fjalës së tij Berisha pyeti se “për llogari dhe leverdi të kujt vendosi Edi Rama të ndryshojë destinacionin e zonës pa asnjë kërkesë nga pronarët”. Një pyetje e ngriti edhe prokurorët që kanë ngritur akuzat ndaj tij, Millonai e Kraja si dhe kreun e SPAK, Dumani. “Çfarë halli i madh i shtyn mjeranët si Dumani i pyetjes 1 milionëshe, ndërtimtarin Kraja, ndrikullën e bandës së Elbasanit, Millonai të gënjejnë kaq trashë, të poshtërohen dhe të fshehin dokumente zyrtare që tregojnë të kundërtën e atyre që ata shkruajnë”, u shpreh kryedemokrati.
Berisha aludoi se Dumani është korruptuar nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama. “Shko pyeteni pak Dumanin: Mos i ke marrë ndonjë çantë Olsi Ramës, Lui Vitton”, tha.
Pagesat nga vajza dhe dhëndri
Një tjetër akuzë në dosjen e SPAK që u prek gjatë konferencës për gazetarët, lidhet me shpenzimet që vajza dhe dhëndri i Berishës kanë bërë për këtë të fundit. Nga SPAK, këto renditen si përfitime që Berisha ka përfituar nga dhëndri i tij në formën e korrupsionit.
“Dhëndëri dhe vajza juaj, kanë përballuar shpenzimet tuaja nga viti 2014 deri në 2024, shpenzime të deklaruara si shpenzime për avokatët për çështjet non grata, shpenzime shëndetësore tuaja dhe zonjës tuaj dhe në jë rast, pushimet. Keni ndonjë koment për këtë”, u pyet Berisha.
Në përgjigje, kreu i PD-së tha se këtu nuk ka asnjë të jashtëligjshme.
“Së pari, po i ndajmë pak. Shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Sali Berisha ka kursimet e veta, të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Nuk është marrë kurrë me administrimin e tyre, edhe të miat edhe të Lilit, i administron vajza jonë, Argita Malltezi. Lidhur me shërbimet shëndetësore. Po ju rrëfej një sekret. Në të gjitha rastet në mënyrë absolute ajo ka marrë një porosi nga unë; këto shpenzime do ti marrësh nga kursimet e mi. Ajo nuk e ka zbatuar këtë porosi. Ajo ka gjykuar se këto shpenzime ti përballojë me kursimet e saj. Dhe unë i jam shumë mirënjohës për këtë, asaj, Abit dhe cilido që ka kontribuar. Ne jemi një familje me solidaritet të madh familjar, si çdo familje shqiptare. Unë nuk mund të them se do ta shtyja më tutje këtë problem, me fëmijët e mi”, tha Berisha.
“Përsa i përket pagesave për avoketërit. Ato janë pagesa të cilat janë bërë ashtu siç thua ti, po duhet të kuptoni një gjë: janë të gjitha hua të 4 personave që janë në procesin e shpalljes ‘non grata’ nga lotimi korruptiv i Edi Ramës, Xhorxh Soros, McGonigal dhe jo vetëm, pranë sekretarit të Shtetit, Blinken. Lidhur me ndonjë transferentë që ka bërë Jamarbër Malltezi, me porosi të Argita Malltezit, e cila nuk ka qenë në Shqipëri, ata i kanë zgjidhur problemin fill mbrapa dhe është çdo gjë në këtë kuadër. Pra nuk ka në mënyrë absolute asnjë shkelje ligjore. Dhe ata që mendojnë se, është ryshfet solidariteti familjar, ata nuk kanë familje, nuk dinë çfarë është familja. Ata edhe po të jenë prind, por prindër nuk janë. Ata mund të jenë nëna, baballarë, por të tillë se meritojnë”, u përgjigj ai.
“Solidariteti familjar, është solidaritet. E rëndësishmja është kjo; nga vijnë këta para? Dhe Argita e Jamarbër Malltezi i kanë të gjitha të deklaruara qindarkë për qindarkë në ILDKPI. Aq të deklaruara dhe të sakta i ka, sa mercenarët e Skapit duke mos pasur këkund të kapen, shkojnë e nxjerrin transaksione të 30 viteve më parë, mes Abi Malltezit që në atë kohë merrje me real estate dhe biznesmenit Damir Fazlliq. Dhe vetëm e vetëm për të krijuar lajme në media, për një akt 100% normal. Pa asnjë lidhje me klubin Partizanit dhe asgjë. Por qeniet monstra të fëmijëve tanë, qenie mjerane të Skapit, pasi kanë shitur çdo të vetes së tyre, janë të aftë të shkruajnë dhe bëjnë gjithçka”, shtoi më tej kryedemokrati.
Discussion about this post