Gjatë një prej udhëtimeve të tij të shumta në Shqipëri gjatë viteve të fundit, Jared Kushner shkoi për hiking përgjatë një bregdeti mesdhetar me duna rëre të paprekura dhe plazhe të rrethuara nga shkëmbinj. Vendi, tha ai në një intervistë, ishte “madhështor” dhe “natyror.”
Ai gjithashtu e quajti atë një “kanavacë të jashtëzakonshme” për ëndrrat e tij për zhvillimin e projekteve luksoze. “Është një vend ku njerëzit do të donin të ishin,” tha Kushner.
Tani, Kushner po kërkon të shndërrojë këtë pjesë të Shqipërisë në një lloj resorti luksoz për të cilin ish-presidenti Donald Trump do të mburrej, shkruan ‘Washington Post‘.
Por, projekti i planifikuar nga Kushner po përballet me reagime negative lokale dhe ndërkombëtare për shkak të mundësisë së dëmtimit të mjedisit. Grupet për ruajtjen e mjedisit paralajmërojnë se ndërtimi i vilave mund të shkatërrojë habitatin për pelikanët, flamingot dhe disa specie të rrezikuara, si dhe të minojë përpjekjet ndërkombëtare për të ruajtur një nga ekosistemet e fundit të egra bregdetare në Mesdhe.
“Kam shqetësime të mëdha,” tha Ryan Gellert, CEO i kompanisë Patagonia, e cila ka punuar me Shqipërinë për të ruajtur lumin e fundit të egër në Europë, Vjosën, jo shumë larg vendit ku Kushner planifikon të ndërtojë vilat luksoze.
“Është një zonë mahnitëse, unike në të gjithë Mesdheun. Dhe ideja që ata ta zhvillojnë këtë, veçanërisht në mungesë të një masterplani, është një ide vërtet e keqe”, tha Gellert në një intervistë.
Ky projekt është të paktën hera e dytë që Kushner ka bashkëpunuar me qeveritë në Ballkan që janë miqësore me ish-presidentin Trump, me ndihmën e të paktën një ish-zyrtari të administratës Trump me lidhje të thella me udhëheqësit e atyre kombeve, një praktikë biznesi që shumë Demokratë dhe kritikë të tjerë e quajnë konflikt interesi.
Ish-këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka pranuar miliarda nga fondet sovrane të investimeve të vendeve me të cilat ai kishte marrëdhënie si zyrtar qeveritar dhe tani po investon në vendet me të cilat do të merrej vjehrri i tij nëse zgjidhet sërish president. Sipas një letre të fundit nga kryetari i Komisionit të Financave të Senatit, Ron Ëyden, një Demokrat nga Oregoni, Kushner fiton rreth 40 milionë dollarë në tarifat e menaxhimi, pavarësisht se çfarë ndodh me investimin, dhe mund të fitojë shumë më tepër nëse marrëveshjet janë fitimprurëse.
Kushner pranoi në një intervistë me The Washington Post se ai përfitoi nga marrëdhëniet e zhvilluara gjatë kohës që ishte në qeveri, por bëri një dallim midis shitjes së ekspertizës së tij dhe krijimit të një kompanie investimesh.
“Shumë njerëz” largohen nga qeveria dhe “ata në një farë mënyre shesin shërbimet e tyre, e dini, bazuar në marrëdhëniet e tyre. Unë nuk doja ta bëja atë,” tha Kushner. “Unë gjithmonë kam qenë një investitor.”
Kushner dhe partnerët e tij gjithashtu kundërshtojnë që projekti do të dëmtojë ekosistemin. Asher Abehsera, CEO dhe partner i Affinity Global Development, firma e zhvillimit të Kushner, tha se projekti do të “përmirësojë” zonën, jo ta kërcënojë atë. Kushner tha se projekti do të “respektojë të gjitha kërkesat mjedisore” dhe do të jetë “shumë i qëndrueshëm”.
Kushner është ndihmuar nga fakti se Shqipëria po përpiqet të përfitojë nga bum turistik që po pasuron Evropën Jugore, përfshirë fqinjët në Ballkan. Dhe Shqipëria drejtohet nga një kryeministër që kishte kërkuar të punonte ngushtë me Trump gjatë mandatit të tij të parë dhe do të kishte një shans të dytë nëse Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri, socialist Edi Rama, gjithashtu ishte takuar disa herë me të dërguarin e atëhershëm të posaçëm të Trump për Ballkanin, Richard Grenell, i cili tani punon për kompaninë e Kushner për të zhvilluar marrëveshje në Evropën Lindore.
Kushner po planifikon dy projekte në Shqipëri, por ai më i diskutuar është në zonën e Zvernecit, një parajsë e fshehur me plazhe dhe shkëmbinj, me Detin Adriatik në njërën anë dhe një lagunë në anën tjetër. Zona është parë prej kohësh si një thesar për investitorët potencialë. Gjithashtu ka qenë e ndaluar si një peizazh i mbrojtur, ku një shenjë paralajmëron madje edhe kundër kampingut.
Por, qeveria shqiptare kohët e fundit ndryshoi një ligj për të hapur ‘derën’ për turizmin luksoz, në objekte me “5 yje ose më shumë”, në zona të tilla të mbrojtura. Zyrtarët thonë se është jorealiste të izolohesh nga pjesë potencialisht fitimprurëse të një vendi që po përpiqet të arrijë ekonomikisht pas dekadash izolimi.
Një muaj pas ndryshimit të atij ligji, Kushner ndau në rrjetet sociale ambiciet për projektin: Një sërë resortesh të lakuara ose komplekse vilash, të ndërtuara me gurë, dru dhe xham.
Pamjet madje përfshinin një avion që fluturonte, pasi në Vlorë pritet të ndërtohet edhe një aeroport.
“Është shumë e vështirë të thuash jo për zhvillimin ekonomik,” tha Besjana Guri, një nga themelueset e EcoAlbania, një organizatë joqeveritare mjedisore. Por, tha ajo, Shqipëria ka “diçka që vendet e tjera nuk e kanë, kështu që duhet ta mbash ashtu dhe të përfitosh prej saj në një mënyrë të ndryshme. Shqipëria ka ende natyrë.”
Shfrytëzimi i fondeve sovrane saudite
Kushner krijoi kompaninë e tij private, Affinity Partners, menjëherë pas humbjes së Trump. Ai punësoi ish-zyrtarë të tjerë të Trump dhe siguroi 3 miliardë dollarë fonde, sipas dosjes së kompanisë në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve, duke përfshirë 2 miliardë dollarë nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite.
Kjo u mundësua nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, me të cilin Kushner kishte punuar ngushtë. Siç raportoi për herë të parë The Neë York Times, katër anëtarë të një paneli këshillues prej pesë personash në Fondin Publik të Investimeve të Arabisë Saudite fillimisht nuk ishin në favor të sigurimit të parave për Kushner për shkak të mungesës së përvojës në investime, por menjëherë pas atij takimi, princi miratoi e marrëveshjen. Kushner gjithashtu mori qindra miliona dollarë nga fondet në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kjo marrëveshje ka tërhequr vëmendjen e hetuesve në Komisionin e Financave të Senatit, të cilët kanë kërkuar informacione nga Kushner dhe Affinity Partners. Zëdhënësi i Kushner, Elliott Suthers, nuk pranoi të komentonte mbi kërkesën e fundit të Kryetarit të Komitetit të Financave të Senatit, Ron Wyden, për informacione të tilla.
Wyden vuri në dukje ato burime financimi për të ngritur shqetësimet nëse Kushner ka shfrytëzuar qëndrimin e tij Shtëpinë e Bardhë dhe lidhjet me Trump për të arritur këtë marrëveshje. Ai shkroi në letrën e tij se financimi i Kushnerit nga burime kryesisht të huaja “krijon një pamje që investitorët e Affinity nuk janë të motivuar nga interesat komerciale për të kërkuar një kthim nga investimi, por nga konsideratat strategjike të shtetasve të huaj që kërkojnë të derdhin para për individët amerikanë me lidhje me ish-presidentit Trump”.
Kushner fillimisht sugjeroi se ai do të investonte një sasi të konsiderueshme të parave saudite në Izrael, por janë arritur vetëm dy marrëveshje, që përfshijnë një kompani automobilistike dhe një firmë sigurimesh. Kushner është fokusuar në dy vende në Ballkan, Serbi dhe Shqipëri, si dhe marrëveshjet në Shtetet e Bashkuara.
Një lojtar kyç në marrëveshjet ballkanike është Grenell, i cili ka folur publikisht për rolin e tij në lidhjen e Kushnerit me liderët në Serbi dhe Shqipëri. Ai ka shërbyer më parë si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare, përveç punës në Ballkan. Ai përmendet shpesh si sekretar i mundshëm i shtetit nëse Trump zgjidhet sërish, që do të thotë se ai mund të ketë të bëjë me zyrtarë të huaj me të cilët po kërkon të marrëveshje tani.
Një pronë e brishtë dhe potencialisht fitimprurëse
Në Shqipëri, prona ku Kushner kërkon të ndërtojë vilat luksoze, tani për tani, tokë e pa-rrethuar, e arritshme në këmbë. Prej aty, përtej një plazhi gjysmë-milje të gjatë, ke disa kodrina. Lopët ushqehen me bar të ashpër. Insektet gumëzhijnë përreth shkurreve. Rrugët e këmbësorëve të çojnë edhe më lart, në një kreshtë të përqafuar nga dielli që, nga njëra anë, bie thikë drejt Adriatikut dhe, nga ana tjetër, zbret butë drejt lagunës. Ky vend quhet Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Dhe është vendi ku Kushneri është përfshirë në një debat të nxehtë në Shqipëri mbi nevojën për ta ruajtur këtë zonë të egër apo për ta zhvilluar. Argumenti për ta ruajtur vjen edhe nga historia e trazuar e Shqipërisë. Deri në vitin 1990, vendi ishte nën kontrollin e diktaturës. Qeveritë e huaja paralajmëruan kundër udhëtimeve në Shqipëri. Ekonomia ishte prapa fqinjëve të Mesdheut. Ndoshta e vetmja përparësi, kur ‘perdja e hekurt’ ra, ishte se Shqipëria u gjet, pothuajse rastësisht,me një pasuri të natyrës së paprekur.
Përcaktimi se sa prej kësaj natyre duhet të ruhet, ka qenë një sfidë kryesore për Ramën, i cili është në pushtet që nga viti 2013. Vitin e kaluar, duke punuar me grupet mjedisore dhe Patagonian, qeveria e Ramës shpalli Vjosën Park Kombëtar, lumi i fundit i egër në Europë. Rama e quajti parkun një “trashëgimi për brezat e ardhshëm.”
Por, Rama gjithashtu ka udhëhequr një zhvillim të shpejtë për turizmin dhe ekonominë e vendit. Qeveria e tij ka ofruar lehtësira tatimore dhe stimuj të tjerë për investitorët. Nën drejtimin e tij, përgjatë bregdetit, ndërtuesit kanë kthyer zona të qeta me pisha apo duna rëre, në hotele, apartamente dhe vila. Kohët e fundit, ndërsa Shqipëria ka fituar një reputacion si destinacion me kosto të ulët, ai ka bërë përpjekje që vendi gjithashtu të ketë “turizëm të profilit të lartë.”
Rama dhe zyra e tij e shtypit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, shkruan Washington Post. Por në një deklaratë vitin e kaluar, ai tha se “çfarë mund të gjenerojnë 400 jahte është e barabartë me atë që mund të fitohet nga 40,000 vizitorë me kosto të ulët.”
Shqipëria u shfaq në ‘radarët’ e Kushner në vitin 2021, kur një mik ia përshkroi Shqipërinë si një destinacion që duhet parë. Kushner shkoi. Ai u takua me Ramën gjatë atij udhëtimi, tha ai në një intervistë, por nuk diskutoi për ndonjë sipërmarrje të veçantë biznesi. Bumi turistik në Shqipëri mbeti në mendjen e tij, megjithatë, kur u kthye në Shtetet e Bashkuara filloi të mendojë dhe kështu ai dërgoi partnerin e tij të biznesit, Abehsera, për të parë vendin dhe për të zhvilluar idenë për një projekt. Kushner kujtoi se Rama i tha se “nëse mund të zhvilloni diçka shumë speciale, jam mendjehapur.”
Kushner ishte përsëri në Shqipëri vitin e kaluar, tha ai, duke kaluar disa ditë me gruan e tij, Ivanka,. Së bashku me Grenell, ai vizitoi një muze kombëtar me Ramën, sipas fotografive të publikuara në mediat shqiptare.
Disa politikanë shqiptarë thanë se Rama ka kohë që e ka ngritur idenë e zhvillimit të ishullit të Sazan. Ajo zonë ka më pak debate për dëmtimin e mjedisit, sepse nuk është zona e përcaktuar si e mbrojtur.
Me Zvernecin, Abehsera, partneri i Kushner në biznes, tha se mundësia për ta zhvilluar atë u hodh fillimisht nga Kastrati Group, i cili dominon disa industri kryesore në Shqipëri, përfshirë naftën. Abehsera tha se Kastrati Group do të ishte potencialisht “partneri ynë lokal i ndërtimit në terren.” Zyrtarët e Kastrati Group nuk iu përgjigjën një kërkese për intervistë, shkruan Washington Post.
Shqipëria ende nuk ka marrë një propozim zyrtar nga Kushner për projektin në Zvernec. Por Kushner tha se Rama e ka parë personalisht projektin dhe është “shumë, shumë i emocionuar.”
Ambientalistët kundërshtojnë pasi kjo zonë bregdetare është një nga habitatet më të rëndësishme në Evropë, e jashtëzakonshme për diversitetin e saj natyror: Ajo ka dunat e rërës që strehon breshka deti dhe një lagunë që shërben si një strehë për zogjtë e ujit. Një raport i vitit 2021 nga Andrej Sovinc, një ekspert mbi zonat e mbrojtura që punon në emër të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, tha se laguna kishte “vlerë të konsiderueshme ruajtjeje në shkallë kombëtare dhe madje globale.”
Zona e planifikuar për zhvillim është vetëm tetë milje në jug të grykës së Vjosës. Aleko Miho, një biolog në Universitetin e Tiranës, thotë se dy vendet janë të lidhura: Lumi ndër shekuj formoi lagunën duke depozituar sedimentet. Në raportin e tij, Sovinc ngriti idenë që laguna gjithashtu të bëhet park kombëtar, një status më i lartë se ai që mban aktualisht. Sovinc kujtoi që zyrtarët shqiptarë, në takime, e quajtën një lëvizje të tillë të panevojshme; zona, përfundimisht, ishte tashmë e mbrojtur.
Ambientalistët flasin edhe për aeroportin, i planifikuar të hapet vitin e ardhshëm, i cili gjithashtu ishte pjesë e zonës së mbrojtur. Pak para se të niste ndërtimi, qeveria zvogëloi kufijtë e zonës së mbrojtur.
“Është një mbrojtje në letër, por jo në realitet,” tha Ulrich Eichelmann, themeluesi i organizatës Riverwatch.
Pastaj, në shkurt, ndërsa OJQ-të protestuan jashtë parlamentit, qeveria ndryshoi ligjin mbi zonat e mbrojtura, duke hequr një pengesë të mundshme për planet e Kushnerit.
Disa ligjvënës, të cilët folën në kushtet e anonimitetit për të ndarë detaje të legjislacionit, thanë se qeveria nuk e kishte ndryshuar ligjin specifikisht për Kushnerin. Ata thanë se disa politikanë shqiptarë zotërojnë tokë në zonat e mbrojtura dhe do të përfitonin nga ndryshimet. Rama tha në mediat sociale se ky ndryshim ishte pjesë e “rrugës ambicioze të Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm.”
Ministrja e Shqipërisë për Turizmin dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro Furxhi, tha në një intervistë se “gjithë Shqipëria është e hapur për zhvillim.” Ajo tha se “një vend i vogël nuk mund të përballojë të mbrojë sipërfaqe të gjera toke, zyrtarisht më shumë se 21 përqind e territorit të Shqipërisë, për të parandaluar përparimin ekonomik”. Në dekadat e fundit, të rinjtë kanë ikur nga vendi në kërkim të punëve diku tjetër. Shumë nga fshatrat përreth vendeve ku Kushner planifikon ndërtimin e resorteve janë të banuara pothuajse tërësisht nga pensionistë dhe mund të përfitojnë nga një rritje e mundësive për punë.
gijotina.com/
Discussion about this post