Gjyqtari i Gjykatës së Shkodrës, Andri Ymeri i paraqiti Komisionit të Pavarur të Kualifikimit disa kërkesa paraprake njëra pas tjetrës, ndërsa trupa njoftoi shtyrje pa datë të seancës së radhës, për t’i dhënë kohë Ymerit dhe dy avokatëve të sillnin me shkrim kërkesat për përjashtim të dy anëtarëve.
Menjëherë sapo mori fjalën pas përshëndetjeve të kortezisë, gjyqtari Andri Ymeri i vuri në dukje trupës së KPK-së se kishte një sërë kërkesash paraprake.
“I doni një e nga një apo me breshëri,” tha Ymeri duke iu drejtuar kryesueses së seancës dëgjimore, Pamela Qirko. Pas disa vërejtjesh për shpejtësinë e leximit, Qirko ia la në dorë atij të zgjidhte.
Ymeri më pas lexoi një material të detajuar nga lap topi që e mbante të hapur mbi tavolinë, në të cilin ngriheshin dyshime mbi njëanshmërinë e trupës dhe aftësinë e saj. Ai po ashtu lexoi të plota disa nene për mosdiskriminimin.
Nga ana tjetër, gjyqtari i Shkodrës pretendoi se KPK padrejtësisht i kishte mohuar të drejtën të kishte avokat të vëllanë dhe i përmendi Komisionit tre raste kur subjektet ishin mbrojtur nga të afërmit e tyre.
Pasi Ymeri përsëriti disa herë emrat e dy prokurorëve dhe një gjyqtareje që ishin mbrojtur nga të afërmit e tyre, kryesuesja i tërhoqi vëmendjen të përdorte inicialet. Por Ymeri kundërshtoi, ndërsa tha se të përmendurit ishin gjyqtarë dhe prokurorë dhe se bazuar në ligjin për të drejtën e informimit emrat e tyre nuk kishte pse të anonimizoheshin. Kjo u kundërshtua nga kryesuesja, që i kërkoi atij të zbatonte rregulloren e KPK për përmendjen e të tretëve. Në fund, Ymeri i kërkoi Komisionit të përbërë edhe nga Etleda Çiftja anëtare dhe Roland Ilia relator, ta revokonte vendimin dhe t’i jepte mundësi të vëllait që ta mbronte.
E tërhequr në dhomë këshillimi, trupa vendosi të pranonte kërkesën. Qirko lexoi se duke qenë se vendimi për të përjashtuar vëllanë si avokat ishte marrë para një vendimi që e përjashtonte atë si dëshmitar, trupa e lejonte vëllanë e gjyqtarit të bëhej pjesë e mbrojtjes.
Ky vendim u duk i papritur për Ymerin. Gjyqtari dhe tashmë dy mbrojtësit e tij, Arben Llangozi në të majtë dhe Gerti Ymeri në të djathtë, kërkuan pesë minuta për t’u koordinuar mes tyre. Por seanca dëgjimore, e dyta në rradhë për Ymerin, u duk qartë që nuk do të niste as pas këtij pushimi.
Pas pushimit, Ymeri tha se do të depozitonte kërkesën paraprake numër 6. “Kaloj te 6-ta, se nuk e prisja këtë vendim,” tha ai, duke iu referuar pranimit nga KPK të kërkesës së parë. Brenda kërkesës së re që u lexua po nga vetë gjyqtari kishte disa kërkesa, përfshi pyetje të Ymerit se përse trupa kishte shkelur rregulloren, kohën që kishte marrë relatori për të lexuar përgjigjet e tij dhe relacion e përgatitur prej Ilias.
Ymeri i kërkoi trupës të shprehej po ashtu mbi paanshmërinë dhe elemente të tjera të kërkuara prej ligjit, por në fund të fjalës me aludime, ai kërkoi ndjesë, duke thënë se kërkesat ishin përgatitur prej avokatëve me pritshmërinë që trupa do refuzonte kërkesën e parë.
E mbledhur sërish në dhomë këshillimi, trupa u kthye me përgjigje për secilën pyetje. Qirko tha se një pjesë e kërkesave të subjektit ishin parashikuara në ligj dhe se trupa e zbatonte ligjin. Ajo i vuri në dukje Ymerit se përpjekjet për të zvarritur seancën nuk e pengonin trupën të kryente punën e saj. “Kemi kohë mjaftueshëm.”
Kjo nuk i ndaloi kërkesat paraprake. Të tretën në radhë e lexoi vëllai i subjektit, që i kërkoi KPK-së dhe ONM-së informacion në lidhje me atë që ai iu referua si “shorti special” dhe që kishte vënë në të njëjtën listë gjyqtarin dhe të motrën, prokuroren Ajola Prençi (Ymeri), që u shkarkua nga KPK në nëntor 2021.
Pas tërheqjes në dhomë këshillimi, trupa i vuri në dukje subjektit se kjo kërkesë ishte “kërkesë për informacion” dhe nuk ishte formalisht kërkesë për veprimet procedurale apo seancën dëgjimore. Pas rrëzimit të kësaj kërkese, avokati tjetër i subjektit Arben Llangozi tha se ai kishte një kërkesë të katërt që nuk ishte me shkrim, por që po e paraqiste me gojë.
Avokati fillimisht foli mbi lirinë dhe një proces të drejtë siç parashikohen në Kushtetutë dhe parashtroi edhe kërkesën për përjashtimin e komisioneres Etleda Çiftja, për faktin se ajo ishte sipas tij e marrë e pandehur. Ai më pas shtoi se po përfaqësonte në Gjykatë të Posaçme një çështje ndaj komisionerit Roland Ilia, duke lënë të kuptohej se ky i fundit mund të ishte në konflikt me të.
Pas një debati nëse kishte apo jo konflikt interesi në këtë pikë, vetë Ymeri shtoi se ai kishte shqyrtuar në gjykatë çështje në të cilat Ilia kishte qenë avokat. Ymeri tha se një nga vendimet e kishte sjellë në KPK për t’u shqyrtuar në procesin e rivlerësimit profesional dhe aludoi se Ilia duhej të kishte dhënë dorëheqjen, pasi do i duhej të vlerësonte një vendim në të cilin kishte qenë palë.
Por kryesuesja i tha gjyqtarit se trupa nuk e kishte shqyrtuar profesionalizmin e tij dhe se për pasojë, komisioneri nuk ishte në dijeni të këtij vendimi. Qirko polemizoi me gjyqtarin duke i vënë në dukje se ai duhej të kishte njoftuar trupën për këtë konflikt interesi, kur ishte njohur me përbërjen e saj.
Pasi u tërhoq, trupa tha se nuk ishte e qartë për bazën ligjore të dy kërkesave që u paraqitën me gojë me disa ndërhyrje dhe i kërkoi Ymerit t’i paraqiste ato me shkrim. KPK fillimisht vendosi afat orën 17.00 të pasdites. Pasi avokati Llangozi kërkoi më shumë kohë edhe “për të ngrënë drekë”, kryesuesja Qirko, që ironizoi se dreka nuk ishte “pushim procedural i njohur”, tha se kërkesat mund të paraqiteshin të martën deri në orën 12.00.
Kjo solli një mosdakordësi mes Ymerit dhe përfaqësuesve, që u kujtuan se e marta është ditë greve për ta si avokatë. Pas paqartësisë që u krijua, Qirko ndërhyri duke u bërë me dije avokatëve se kërkesa mund të dorëzohej nga vetë subjekti: “Kështu që ju nuk bëheni grevëthyes”, tha ajo. Seanca u mbyll pa lënë një orë apo një datë të dytë, e cila do të caktohet pas shqyrtimit të kësaj kërkese. /BIRN
Discussion about this post