“Furtunë” në radhët e Policisë së Shtetit pas zbulimit të një ndërtimi 5-katësh pa leje në Qeparo të Himarës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e katër punonjësve të Komisariatit të Himarës.
Në mesin e tyre janë ish-shefi i komisariatit dhe drejtues e specialistë që kanë pasur detyrë në zonën ku u krye ndërtimi.
Pezullimet janë bërë menjëherë dhe ndaj efektivëve ka nisur edhe procedimi disiplinor.
Vendimi vjen pas konstatimit të një objekti me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, të ndërtuar pa leje.
Për ndërtimin është arrestuar shtetasi L. B., banues në Laç, i cili dyshohet se ka kryer punimet në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, tre punonjës të IMT-së Himarë, mes tyre kryeinspektori dhe dy inspektorë, janë shpallur në kërkim.
Ata dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas verifikimeve paraprake, ndërtimi i objektit kishte nisur që në dhjetor të vitit 2025.
Megjithatë, nga Komisariati i Policisë Himarë nuk ishin marrë masa për ndalimin e punimeve apo vënien përpara përgjegjësisë të ndërtuesit.
Pikërisht kjo ka sjellë edhe nisjen e hetimit disiplinor ndaj zinxhirit komandues të policisë.
Policia e Shtetit deklaron se do të ndëshkojë çdo punonjës që shkel ligjin, abuzon me detyrën apo cenon besimin e qytetarëve.
Hetimet pritet të zbardhin përgjegjësitë e plota për mënyrën se si objekti mundi të ndërtohej pa leje në një nga zonat më të frekuentuara të jugut.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë
Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:
– Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
– Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;
– Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.
Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.
Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.
Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve.









Discussion about this post