Drejtuesi i departamentit të sportit në Partinë Demokratike, Artan Pogoni u shpreh se është e paprecedentë që një gjykatë në Shqipëriu, si ajo e Apelit të rrezoje një vendim të CAS në Lozanë( Gjykatës së arbitrazhit sportiv), për të favorizuar besnikun e partisë, Fidel Ylli si President të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
“Ky vendim i kësaj tresheje ‘partizane me yll në ballë’ na kthen edhe një herë në epokën e errët të diktaturës komuniste, kur Shqipëria nuk zbatonte dhe nuk njihte asnjë konventë ndërkombëtare, asnjë gjykatë apo ligj ndërkombëtar.
Me këtë vendim skandaloz, që natyrisht është marrë nën presionin e falangave majtiste në gjykatë, sporti shqiptar ka marrë një goditje fatale, duke mos respektuar konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti shqiptar”, u shpreh ndër të tjera Pogoni.
Deklarata
Gjykata e Apelit Tiranë ka dëshmuar varësinë e plotë politike ndaj mazhorancës.
Me një vendim absurd dhe të paprecedent, treshja e gjyqtarëve: Elona Toro- Isufi, Iliba Bezati dhe Alama Ahmetaj kanë zhbërë një vendim të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, duke favorizuar jashtë çdo logjike dhe profesionalizmi, besnikun e partisë, Fidel Yllin, si President të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv me qendër në Lozanë të Zvicrës, që me datë 17 qershor 2024, ka marrë një vendim të formës së prerë për zhbërjen e Asamblesë Zgjedhore të KOKSH të vitit 2021, duke i dhënë të drejtë palës ankimore – në këtë rast Federatës Shqiptare të Futbollit – për parregullsitë dhe shkeljet që sollën në krye të KOKSH besnikun e partisë. Madje, kjo gjykatë ka dënuar edhe me gjobë financiare Komitetin Olimpik Shqiptar për mospërgatitjen dhe mosparaqitjen e dokumentacionit të kërkuar.
Ky vendim i kësaj tresheje ‘partizane me yll në ballë’ na kthen edhe një herë në epokën e errët të diktaturës komuniste, kur Shqipëria nuk zbatonte dhe nuk njihte asnjë konventë ndërkombëtare, asnjë gjykatë apo ligj ndërkombëtar.
Me këtë vendim skandaloz, që natyrisht është marrë nën presionin e falangave majtiste në gjykatë, sporti shqiptar ka marrë një goditje fatale, duke mos respektuar konventat ndërkombëtare të nënshkruara nga shteti shqiptar, si:
• Karta Evropiane e Sportit
• Karta Olimpike e Sportit
• Konventa e Fair-Play-it në Sport
• Karta e Nju-Jorkut për Sportin
• Marrëveshja dypalëshe me CAS-Lozanë
Ky precedent i rrezikshëm i Gjykatës së Apelit Tiranë mund të sjellë një anarki dhe standarde të reja në rregullat dhe ligjet shqiptare, duke i vënë vulën “mavi” vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
Natyrisht, ky nuk është një vendim që gjoja merret për një mosmarrëveshje sportive, por përkthehet në një vendim ku shteti tregon dhëmbët, arrogancën dhe diktatin e tij për një çështje të gjykuar nga organe shumë herë më kompetente dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Kjo ishte e vetmja mënyrë për të shpëtuar ‘besnikun e partisë’ nga llumi nga ku doli dhe ku është futur. Pa dyshim që gjithçka bëhet me urdhër të shefit të madh, i cili tashmë po përpiqet me çdo kusht të mbajë dhe të furnizojë me para çdo kanal të mundshëm, madje edhe sportin.
Partia Demokratike dënon me forcë këtë vendim absurd dhe të paimagjinueshëm të treshes së gjyqtarëve të Apelit Tiranë, të cilët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për këtë akt politik.
Ftojmë të gjitha grupet e interesit në sport, të gjitha federatat sportive në vend, aktorët dhe faktorët e sportit të ndërgjegjësohen dhe të mos pranojnë e të mos njohin këto lloj vendimesh nga një gjykatë e kapur dhe një shtet që refuzon ligjet ndërkombëtare.
Discussion about this post