Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Reformën Administrativo Territoriale, duke kërkuar pezullimin dhe shfuqizimin e ligjit të miratuar nga maxhoranca. Në kërkesë, PD rendit disa shkelje.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se një nga shkeljet lidhet me mënyrën e miratimit të ligjit, pasi, sipas PD-së, nuk është siguruar shumica e cilësuar e kërkuar nga Kushtetuta, për shkak të pavlefshmërisë së tri votave të dhëna gjatë seancës plenare.
Po ashtu, PD thekson se nuk ka pasur konsultim paraprak me banorët e bashkive që preken, të cilët e kanë kundërshtuar masivisht ndarjen e re territoriale.
PD deklaron se kjo ka cenuar autonominë vendore dhe ka shkelur Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, veçanërisht nenin 5 të saj.
PD argumenton gjithashtu se miratimi i ligjit vetëm me votat e maxhorancës ka cenuar parimin e sigurisë juridike. Opozita kërkon që Kushtetuesja të pezullojë ligjin dhe ta shqyrtojë atë me përparësi.
“Dje grupi i PD ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ndarjes së re territoriale, që ul numrin e bashkive nga 61 në 46. Në kërkesën drejtuar GJK, grupi unë ka evidentuar shkeljet kushtetuese që maxhoranca ka kryer në miratimin e ligjit për ndarjen e re. Së pari, është evidentuar se miratimi i ligjit është bërë pa pasur shumicën e cilësuar të kërkuar nga kushtetuta për shkak të pavlefshmërisë së tre votave të dhëna gjatë seancës plenare. Së dyti, është evidentuar se nuk ka pasur asnjë konsultim paraprak me qytetarët që masivisht e kishin kundërshtuar. Kjo ka sjellë cenim të autonomisë vendore dhe siç shprehen autoritetet lokale të KiE, ka cenuar Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore dhe nenin 5 të saj.
Së fundmi, kemi evidentuar se ky ligj i miratuat vetëm me votat e maxhorancës sipas vullnetit të Edi Ramës ka cenuar sigurinë juridike.
Për shkak të urgjencës që paraqet kjo çështje, i kemi kërkuar së pari GJK pezullimin e këtij ligji dhe së dyti shqyrtimin e tij me përparësi për shkak se presidenti në mënyrë të njëanshme ka dekretuar zgjedhjet e reja vendore. Kërkojmë që GJK të respektojë kushtetutën, t’i bindet vullnetit të qytetarëve dhe autoriteteve lokale të 15 bashkive, që kanë qenë kundër ligjit të ri me votat e Edi Ramës.”, tha Bardhi.
Më 9 Tetor, PS miratoi me 85 vota pro reformën e re Administrativo-Territoriale, që përfshin 46 bashki, 77 qytete dhe 387 njësi administrative. Votën pro e dhanë edhe deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj, të cilët ishin shprehur më herët kundër propozimit të PS-së.
Bashkitë që shkrihen janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.









Discussion about this post