Zbardhet padia e kreut të PD-së Lulzim Basha ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, të cilën e akuzon për shpifje. Në padinë e plotë të siguruar nga “BallkanWeb”, ku citohen deklaratat e Veliaj, edhe si drejtues i fushatës zgjedhore në qarkun e Tiranë. Në këto deklarata Veliaj akuzon Bashën për miliona euro dhe përdorimin e partisë që drejton për përfitime personale.
Sipas padisë, Veliaj “të gjitha këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve për të përfituar personalisht dhe për Partinë Socialiste”.
“Qëllimi i shpifjeve është që të barazojë në perceptimin e publikut, viktimën akuzuese si kryetar i Partisë Demokratike, me të inkriminuar për gjobëvënie apo me aferat korruptive të denoncuara gjerësisht në media të qeverisë që drejtohet nga Partia Socialiste”, thuhet në kërkesën për gjykimin penal të kreut të PD ku kërkohet që kryebashkiaku i Tiranës të deklarohet fajtor.
PADIA E PLOTË
I nderuar z. Zëvendëskryetar,
Z. Lulzim Basha është kryetar i Partisë Demokratike që është edhe partia më e madhe opozitare në vend, ndërkohë që z. Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht drejtues i fushatës zgjedhore për qarkun Tiranë për Partinë Socialiste për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021.
Ky i fundit, në datat 16 dhe 17.10.2020 ka qenë duke zhvilluar fushatën elektorale në cilësinë e drejtuesit të fushatës për qarkun Tiranë për Partinë Socialiste ku më konkretisht në datën 16.10.2020 ndër të tjera ka cituar se:
“Luli nuk ka hall pse qyteti po kursen 3 milionë euro, Luli ka hall se kishte planifikuar t’i merrte ai këto 3 milionë euro, se qartazi ajo punë mund të bëhet me më pak, me 30% më pak. Qyteti i Tiranës sot ka kursyer 30% nga propozimi i Lulzim Bashës. Jo vetëm 30% çdo ditë, por edhe 34.7 milionë që Lul Basha do ta paguante që në fillim fare. Ndaj, unë e kuptoj që ai vajton më shumë fitimin e humbur të tij, se sa kursimet e qytetit. Sigurisht, në kohën kur Lulzim Basha dhe kunati i tij kishin përgatitur të gjithë skemën se si do t’i faturonin qytetit 30% më shumë, pyetja është: kur kjo punë mund të bëhet me 30% më pak, pse Basha donte të faturonte 30% më shumë? Që përkthehet në 3 milionë euro në vit më shumë për qytetin dhe që përkthehet në 20 vite, në 60 milionë euro dhe në 30 vite, në 90 milionë euro. Ky ishte plan-biznesi i Lul Bashës, që ai dhe kunati i tij në kurriz të qytetit, do ta bënte 30% më shumë”.
“Ju bëj thirrje demokratëve, se nëse e kanë kuptuar se partia është vënë në funksion të një familje të largohen. Nuk është më një kundërshtare e denjë, është një mjet gjobvënie e shantazhues. Ata vajtojnë akoma gjobat që nuk volën dot.
Sot Tirana është më e pastër se sa kur firma e kunatit zihej me romët për të mbledhur kanaçe. S’do ju bëjmë kurrë mish për top siç e bën PD. Lulin dhe kunatin lëri të ikin në Holandë.
Në fund dua t’i them Lulit, a ke cipë, a ke turp, se si ke degraduar partinë tënde. Ty Lul të ka plasë cipa me kohë, sepse vetëm ke faturuar gjoba që në kohën kur ke qenë kryetar bashkie”.
Më tej, në datën 17.10.2020, nga Bërzhita, i akuzuar Erion Veliaj vijon me të njëjtat deklarata duke cituar ndër të tjera se:
“Humbën zgjedhjet në qershor, qeveria bëhej gati të fillonte punën. Ja dokumenti, në gusht Lul Basha i thotë Saliut të paguajnë 34.6 mln euro dhe 37 euro për ton, që t’i çojnë plehrat në kompaninë që kishte përgatitur ky me kunatin. E kishin bërë Tiranën plaçkë për ta shqyer për një familje. mezi pres të shkoj në Gjykatë që t’ia tregoj dhe gjykatësit, pasi e firmos këtë ia çon Saliut kërkesën që ta financojë.
Sot Tirana është dita me natën më e pastër seç ka qenë. Ky e ka hallin tek xhepi, tek portofoli i vet. Ky e ka hallin tek kunati i vet, se po t’i gjesh çmimin këtij, ky e lë edhe Astirin, edhe Teatrin, edhe Bulevardin, edhe kullat, edhe digën, edhe Liqenin. Sa iu kushton këtyre një gjobë? Deri dje thonin, këto qendrat tregtare i kanë oligarkët”. Sapo mori vilat tek Gjiri i Lalzit, nga një pronar i qendrave tregtare, oligarkët u bënë të mirë. Ky i ka vënë çmim opozitës. I ka vënë çmim çdo proteste.
…
Krraba nuk ka qenë bastioni ynë, ka qenë bastioni i LSI. Bërzhita nuk ka qenë bastioni ynë, ka qenë bastioni i PD. Fakti që sot janë kthyer masivisht me PS-në, do të thotë që kjo skuadër dhe kjo familje punon vërtet për këta njerëz. Partitë që kemi përballë janë parti familjare. Një parti punon vetëm për kunatin, 24 orë në ditë. Kur flasim për ekonominë, për tërmetin, pandeminë, s’flasin fare. Por, po i përmende atij kunatin, zgjohet nga gjumi në orën 11 dhe të than piten, se për kunatin nuk të fal. Partia tjetër punon për burrin, për gruan, e kanë kthyer në sh.p.k.”
Po në datë 17.10.2020 tashmë nga zona e Kombinatit, i akuzuar Erion Veliaj vijon me shpifjet madje duke konsumuar edhe elementet e veprës penale të “kallëzimit të rremë” duke i bërë thirrje SPAK. Më konkretisht, ndër të tjera ai citon se:
“Pyetja është pse e la protestën ky? Ky tha: Unë do shtrihem aty, do bëhem tapet kur të vijë ruli i bashkisë, fadroma. Pse e la ky? Sa ishte ajo makina që ia kishte dhënë ai kontraktori aty? Pse e la, se ky tha: Ne do u sulemi qendrave tregtare. Ne e dimë sa qendra tregtare ka. S’ka Tirana 100, 2 ka, i njëjti pronar është. Aaa, pasi mori vilat te Gjiri i Lalzit, u bënë të mirë oligarkët, se deri dje ishin të këqij. Po oligarku tjetër që ka vilat dhe thoshte-krimineli i Edi Ramës, oligarku i Edi Ramës, mori 2 shtëpi atje në kohë pandemie, kur të gjithë njerëzit o i humbën, o iu dëmtua shtëpia, ky u bë me 4 vila.
Është e vetmja parti politike që po t’i shohësh historikun në Facebook, ka më shumë postime që i ka hequr kundrejt pagesës, se sa ato që ka lënë. Turp i madh. Një parti që është e denjë për emrin bandë, kështu që po ka njerëz te SPAK-u, po ka njerëz në prokurori, këta duhet të zgjohen, se nuk mund të vihet gjobë në çdo biznes dhe thirrja për çdo biznes është: Mos paguani gjobat që iu vë Luli dhe kunati”.
Në të gjitha këto prononcime publike, i akuzuari Erion Veliaj vijon të thellojë shpifjen e nisur në emisionin “Opinion” në TV Klan të datës 24.10.2020 për të cilën është regjistruar në gjykatë një kërkesë penale e më tej me një kërkesë tjetër penale në lidhje me shpifjen për përfitimin e një automjeti në vlerën 130 mijë euro nga kontraktorët e rrugës së “Astir” në favor të viktimës akuzuese. Përveç këtyre shpifjeve konkrete, më tej shtoi edhe shpifjen se viktima akuzuese, në cilësinë e kryetarit të Partisë e drejton atë në formën e një “skuadre që vë gjoba”, “i bie një biznesmeni” apo “çetë që vë gjoba” apo që viktima akuzuese i organizon protestat me paramendimin që t’i lërë ato për të përfituar materialisht pasuri të paluajtshme apo të luajtshme.
Por në prononcimet e fundit ka iniciuar deklarata shpifëse edhe në lidhje me akuza konkrete se i akuzuari do të përfitonte 3 milionë euro nëpërmjet landfillit të Sharrës, ka faturuar gjoba në kohën që ka drejtuar Bashkinë e Tiranë, që ka krijuar kompani për të faturuar gjoba apo që heq postime në “Facebook” në këmbim të parave.
Në të gjitha këto prononcime të të akuzuarit Erion Veliaj, është konsumuar vepra penale e shpifjes për sa vijon:
1. Fakti që viktima akuzuese kishte planifikuar të merrte 3 milionë euro si kryetar bashkie;
2. Fakti që viktima akuzuese dhe kunati i tij kishin përgatitur të gjithë skemën se si do t’i faturonin qytetit 30%, më shumë apo se kanë pasur një plan-biznesi, që viktima akuzuese dhe kunati i tij në kurriz të qytetit, do të përfitonin 30% më shumë;
3. Fakti që viktima akuzuese në cilësinë e përfaqësuesit të opozitës, e ka shndërruar këtë të fundit në një mjet gjobëvënieje dhe shantazhi, që viktima akuzuese vajton akoma gjobat që nuk voli dot, që viktima akuzuese ka faturuar gjoba që në kohën kur ka qenë kryetar bashkie dhe që do t’i çonte plehrat në kompaninë që kishte përgatitur me kunatin apo dhe e fundit që viktima akuzuese e kishte bërë Tiranën plaçkë për ta shqyer për familjen e tij; dhe
4. Fakti që partia që drejtohet nga viktima akuzuese punon vetëm për kunatin, 24 orë në ditë apo fakti që po t’i referohesh historikut në “Facebook”, ka më shumë postime që i ka hequr kundrejt pagesës, se sa ato që ka lënë madje duke cituar se partia që drejtohet nga viktima akuzuese është denjë për emrin bandë dhe vendos gjoba në çdo biznes.
Nëpërmjet këtyre prononcimeve publike në “Facebook” vetëm brenda dy ditëve (ku i akuzuari ka mbi 500 mijë ndjekës” apo në një sërë televizionesh, janë deklaruar një sërë faktesh të pavërteta.
Këto faktet të pavërteta janë bërë me qëllimin kriminal për dëmtimin e reputacionit dhe imazhit të viktimës akuzues dhe qenë se ky i fundit është Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia më e madhe opozitare në vend ndërkohë që i akuzuari duke qenë Kryetar i Bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht drejtues i fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës për zgjedhjet e vitit 2021, të gjitha këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve për të përfituar personalisht dhe për Partinë Socialiste.
Qëllimi i shpifjeve është që të barazojë në perceptimin e publikut, viktimën akuzuese si kryetar i Partisë Demokratike, me të inkriminuar për gjobëvënie apo me aferat korruptive të denoncuara gjerësisht në media të qeverisë që drejtohet nga Partia Socialiste.