Protestat kundër qeverisë në Shqipëri dhe masat e paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama për ashpërsimin e legjislacionit mbi tubimet kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Gazeta belge “La Libre” i kushton një artikull situatës në vend, duke vënë në fokus shqetësimet për liritë qytetare dhe vendosmërinë e të rinjve për të vijuar protestat.
Ajo shkruan se që prej 13 tetorit Tirana është përfshirë nga protesta që në disa raste janë shoqëruar me përplasje të dhunshme dhe dëmtime të pronës. Lëvizja, e cila nisi në maj kundër një projekti ndërtimi pranë një zone natyrore të mbrojtur, është zgjeruar me kërkesa për përmirësimin e kushteve të studimit në universitete, luftën kundër korrupsionit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Media ndalet edhe tek masat e reja të propozuara nga kreu i qeverisë, i cili ka paralajmëruar ndryshime ligjore pas episodeve të dhunës gjatë protestave.
Rama ka deklaruar se nismat mbështeten te parimi “kush dëmton, paguan”, duke argumentuar se personat përgjegjës për dëmtimin e pronës duhet të mbajnë përgjegjësi.
Sipas paketës së prezantuar prej tij, parashikohen gjoba deri në 5 mijë euro për persona që marrin pjesë në grumbullime ku kryhen akte dhune ose dëmtime të pronës, si dhe për ata që fshehin identitetin në rrethana të caktuara.
Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë që policia të kufizojë grumbullimet deri në 72 orë në zona të caktuara, kur ekziston rrezik i menjëhershëm për dhunë.
Masat përfshijnë edhe kompensimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla të dëmtuara, si dhe masa ndaj personave që nxisin ose organizojnë përfshirjen e nxënësve të mitur në protesta.
Paketa pritet të paraqitet për shqyrtim javën e ardhshme. Në artikullin e “La Libre” përmenden edhe reagimet e disa qytetarëve, të cilët i krahasojnë masat e paralajmëruara me praktikat e periudhës komuniste në Shqipëri.
Edhe Partia Demokratike ka kundërshtuar paketën e propozuar nga kryeministri.
Sipas opozitës, kufizime të tilla rrezikojnë të cenojnë lirinë e shprehjes dhe të tubimit, të cilat janë të drejta themelore dhe pjesë e vlerave evropiane që Shqipëria synon të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tij, Edi Rama ka hedhur poshtë idenë se mund të detyrohet të largohet nga pushteti përmes presionit të protestave, duke deklaruar se dorëheqja e tij nuk mund të imponohet me forcë.
Kryeministri ka ngritur gjithashtu pretendime për ndërhyrje nga jashtë, ndërsa protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e tij










Discussion about this post