Vetëm 7 kilometër larg Shkodrës, në këmbët e Taraboshit dhe në liqenin e Shkodrës, ndodhet fshati Zogaj.
Një fshat i cili prej shekujsh njihet për peshkimin, bimët medicinale, natyrën e virgjër dhe veçanërisht për klimën alpine që ka.
Zona është mjaft tërheqëse për natyrën e qetë dhe të bukur me shumë zogj.
Brigjet e liqenit të Shkodrës në këtë pikë bëhen shkëmbore dhe të thepisura, uji është i thellë dhe i pastër, gjë që e bën Zogajn një vend të përshtatshëm për plazh. Natyra përreth është plot me pata të buta, peshq të llojeve të ndryshme dhe shpendë të egër, produkte që janë bërë prej kohësh simbole gastronomike të zonës.
Pavarësisht bukurive që ky fshat të ofron, pushteti vendor dhe ai qendror e kanë lënë në harresë sa i takon investimeve. Edhe pse në listën e 100 fshatrave turistik të promovuar nfa qeveria shqiptare, ky fshat prej më shumë se 30 vitesh vuan vëmendjen dhe kujdesin e institucioneve. Edhe pse premtimet kanë qenë të një pas njëshme akoma puna nuk ka nisur për zbatimin e tyre.
Një nga premtimet që është bërë që nga viti 2018 është rindërtimi dhe përmirësimi i rrugës Shiroka – Zogaj – Kufi Mali i Zi. Në foltoren e Kuvendit zv.kryeministrja e asaj kohe Senida Mesi se brenda korrikut të 2018 sapo të mbledhen dy qeveritë do të nis edhe puna për rikualifikimin e kësaj zone dhe hapjen e kufirit.
“Hapja e pikës së re doganore në fshatin Zogaj, në kufirin me Malin e Zi do ta kthejë Zogajn në një lagje të qytetit dhe liqenin e Shkodrës në një aktraksion turistik dhe qendër të zhvillimit ekonomik rajonal”, – deklaroi zv.kryeministrja Senida Mesi, gjatë fjalës në seancën plenar, të 1 nëntorit 2018.
“Kjo pikë kufitare është dakordësuar të hapet në mbledhjen e 2 qeverive në Shkodër këtë korrik, duke i dhënë 2 vendeve tona mundësitë për fuqizimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit fitimprurës të dyanshëm dhe afatgjatë, duke krijuar kushte optimale për zhvillimin e këtij bashkëpunimi përmes lehtësimit të qarkullimit në kufirin e përbashkët shtetëror”, – tha Mesi.
Zv.kryeministrja bëri me dije se pika e përbashkët e kalimit kufitar do të ndërtohet në territorin e Shqipërisë dhe do të ketë një rikonstruksion të rrugës që fillon në Ostros në Mal të Zi–Shirokë-Shkodër. Kalimi i përbashkët do të jetë me një ndalesë, duke thjeshtuar procedurat kufitare. Mesi sqaroi gjithashtu se kjo pikë do të jetë e hapur 24 orë në ditë për qarkullim ndërkombëtar rrugor dhe qarkullim të personave në liqenin e Shkodrës, me qëllim lehtësimin e lëvizjes në zonat afër bashkisë Shkodër dhe zonave të malësisë së Krajës, Komuna e Tivarit, Bar, Virpazar – Mali i Zi në kufirin tokësor dhe liqenor. Njëkohësisht, Mesi nënvizoi rëndësinë e hapjes së kësaj pike në shfrytëzimin e vlerave turistike të liqenit dhe gjithë Shkodrës si dhe në rritjen e shkëmbimeve mes dy vendeve.
“Ky projektligj propozohet në linjë dhe me konceptin e “100 fshatrave”, ku Zogaj si një fshat atraksion turistik, i njohur për vetitë kuruese të bimëve medicinale dhe “artit” të peshkimit, pika doganore i jep një vlerë të shtuar dhe një vëmendje më të madhe”, – tha Mesi.
Por realiteti që nga viti 2019 e deri më sot është ndryshe, deri në këto momente nuk ka asnjë ndërhyrje për këtë projekt, i cili duket se ka mbetur në letër dhe dita ditës po harrohet. Edhe pse banorët e këtij fshati kërkojnë rikualifikimin e kësaj zone për shkak të turizmit, pushteti vendor dhe ai lokal duket se e kanë harruar këtë zonë turistike në kryeqendrën e veriut.
Në Zogaj aktualisht ka rreth 50-60 familje, pasi vitet e fundit emigracioni ka ndikuar ndjeshëm në uljen e popullsisë ku pjesën më të madhe të banesave i gjen vetëm me të moshuar.
Ndonëse një fshat që njihet për popullësin e krishterë, por ajo që të bie në sy është xhamia në qendër, ç’ ka tregon bashkëjetësen e mirë mes dy besimeve.
Udhëtimi i Gijotina.com fillon që nga Shiroka për të shkuar më pas drejt Zogajt, fshatit me resurse pafund. Rrugës për atje, identifikon mjaft atraksione turistike, ç’ka tregojnë kulturën në këtë zonë. Duke filluar që nga Kisha e Shën Rrokut e për të vazhduar më pas tek Vila e Zogut.
Kisha e Shën Rrokut, e ndërtuar që në vitin 1906 është një objekt kulti i cili ruhet me fanatizëm nga banorët e zonës. Ndërkohë, që çdo 15 gusht në atë kishë kremtohet festa e Shën Rrokut, një traditë tashmë e besmitarëve të krishterë në këtë fshat.
Ndërkohë, Vila e Zogut një tjetër atraksion turistik, ku historia dhe rëndësia e kësaj vile ndërthuren bashkë, por nuk meriton aspak gjendjen në të cilën ndodhet.
Sapo ngjitesh drejt saj e kupton se këtu koha ka bërë të veten dhe ka rrënuar çdo pjesë të kësaj shtëpie, por edhe vetë atë që për nga arkitektura e saj është e një rëndësie të veçantë dhe ka shërbyer për turizëm, ndërsa sot ajo është bërë e pavizitueshme.
Hyjmë në brendësi të saj dhe shikohet se si pllakat janë dëmtuar e një pjesë janë vjedhur ndërsa muret janë të shkarravitura gjithandej. Kjo vilë e cila të ngjason me ato të stilit italian është tepër e veçantë mirëpo po degradohet çdo ditë.
Vila e Zogut në Shirokë, është padyshim një nga vendet më të bukura të Shkodrës por ka mbetur në mëshirë të fatit dhe ka shumë mundësi të shkatërrohet .
Kjo rezidencë iu dhurua Mbretit Zog nga tregtarët e Shkodrës. Vila u ruajt edhe gjatë diktaturës komuniste. Në vitin 1997 vila u bë pre e vandalizmave që përfshinë te gjithë vendin.
E veçanta është se ky ndërtim i bukur ka për arkitekt piktorin e famshëm shkodran, Kol Idromenon. Pasuria e paluajtshme në Shirokë, në vitin 1925 ishte regjistruar në regjistrat e kohës si pronë e Ahmet Zogut.
Në vijim, gjatë regjimit monist ajo kaloi në favor nga shteti dhe shndërrua në Kampin e Pushimeve Shirokë. Në vitin 2001, pas shpronësimit, trualli dhe godinat kaluan në pronësi të BSPSH-së. Ndërkohë sot objekti në fjalë është i pashfrytëzuar teksa rrezikon degradimin total nga agjentët natyrorë por edhe nga dora e njeriut
Fshati Zogaj është e zhvilluar me bare dhe restorante të shumta, por banorët dhe pronarët e këtyre subjekteve tregojnë për Gijotina.com se mungesa e investimeve prek edhe biznesin e tyre.
Aksi rrugor Shirokë-Zogaj është kthyer prej vitesh në një problem serioz për qarkullimin e automjeteve dhe pengesë në zhvillimin e turizmit. Ngushtësia e saj është e dukshme , pasi është mjaft e vështirë që dy automjete të shkëmbehen me njëra-tjetrën. Ndaj duhet të ishte parashikuar dhe vendosur në zbatim plani për zgjerimin e këtij aksi rrugor.
Në kohë fushatash elektorale deputetët e të dy kampeve politike i kanë premtuar banorëve të zonës se rruga do të zgjerohet dhe nuk do të ketë më probleme të kësaj natyre, por pasi këta të fundit marrin votën, harrojnë edhe ku ekziston ky fshat turistik që gjallëron Shkodrën.
Ndërkohë, për drejtuesit e mjeteve ky është një problem mjaft shqetësues dhe masat që duhen marrë janë mjaft urgjente, pasi nga ky aks rrugor këta të fundit rrezikojnë shumë .
Shtëpitë në Zogaj janë të vjetra dhe secila prej tyre ka shkallë prej guri në hyrje të oborreve dhe banesave, me pargje guri kryesisht dy katëshe. Gjatë verës ato vihen ne dispozicion të pushuesve.
Gjithashtu, të shumtë janë qytetarët e Shkodrës por jo vetëm të cilët zgjedhin liqenin e Shkodrës për të bërë plazh apo për t’u relaksuar nën rrezet e diellit.
Zogaj është edhe fshati i artizanëve, por edhe i peshkimit. Burrat e fshatit kanë mundësi të merren vetëm me peshkim, ndërsa gratë si të vetmen mundësi punësimi shohin punishten “Punime leshi”, të zonjës Nebie Çotaj. Në fakt, gratë që punojnë në fshat janë vetëm 12 punonjëset e kësaj punishteje, në të cilën bëhen punime me dorë, si qilima apo rrugica.
Punimet janë karakteristikë e zonës, ndërkohë që ashtu si tregon edhe drejtuesja e punishtes, edhe vajzat e reja shkojnë herë pas here për të mësuar se si bëhen këto punime.
“Ndihmoj vajzat e reja, këto studentet që vijnë tre muajt e verës. I mësoj të bëjnë këto çantat e vogla, për t’i ndihmuar”, – shprehet ajo.
“Biznesin tim e kam filluar para 15 vitesh, por në kushte shumë të vështira. Këtë traditë e fillova, pasi kushtet e familjes sime ishin shumë të vështira. Në fillim punonim pa dyer, pa dritare në këtë shtëpi. Ka qenë një kasolle kur e kam blerë. Gradualisht i kam mësuar vetë gratë, vetë me iniciativën time, vetëm të ndihmoja. Në këto 15 vite arrita të punësoj 12 gra”, – kujton Nebija.
Mes pamundësive por edhe bukurive që ky fshat ofron, banorët presin ditën kur premtimet e shumta të vihen në zbatim nga ana e pushtetarëve.