Dy persona janë arrestuar nga policia e Vlorës pasi u kapën duke transportuar drogë. Në pranga kanë rënë Viktor Jaupaj, 53 vjeç dhe Kujtim Metaj, 37 vjeç, të cilët u ndaluan teksa lëviznin me automjet në fshatin Novoselë, brenda të cilit u gjet 400 gr kokainë, e cila po transportohej për t’u shitur në Vlorë.
Pas një kontrolli në banesën e Viktor Jaupajt, u gjetën edhe 2 kg e 979 gramë kokainë dhe 133 gramë heroinë. Dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdha në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza.
Policia sekuestroi drogën e cila arrinte vlerën e rreth 810 000 euro.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar, pas 4 javësh hetime, operacionin policor të koduar “VORTEX”. Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit Viktor Jaupaj, 53 vjeç, dhe Kujtim Metaj, 37 vjeç, të dy banues në Fier”, tha policia.
Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur.
Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdha në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza.
Lënda narkotike, së bashku me 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transport, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia tha se po punon për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Discussion about this post